Biblioteka
Njësia 17, Dita 4: Veprat e Apostujve 3–5


Njësia 17: Dita 4

Veprat e Apostujve 3–5

Hyrje

Te dera e tempullit, Pjetri dhe Gjoni shëruan një burrë që kishte lindur i çalë. Pjetri më pas u dha mësim njerëzve që e kishin dëshmuar shërimin e këtij burri. Si rrjedhim, Pjetri dhe Gjoni u arrestuan dhe u urdhëruan nga sinedri që ta ndalonin mësimdhënien në emër të Jezusit. Anëtarët e Kishës po jetonin ligjin e përkushtimit, por dy prej tyre vdiqën si rrjedhojë e të gënjyerit ndaj Pjetrit dhe Perëndisë. Pjetri dhe Gjoni vazhduan të kryenin mrekulli, të cilat i egërsuan krerët e priftërinjve. Ata u arrestuan sërish dhe u vendosën në burg, por u çliruan nga një engjëll. Engjëlli iu tha të shkonin në tempull dhe të predikonin ungjillin.

Veprat e Apostujve 3:1–11

Pjetri shëron një burrë që kishte lindur i çalë

Mendoni për një rast kur ju kërkuat për diçka të veçantë (ndoshta një dhuratë për ditëlindje ose për Krishtlindje), por morët diçka tjetër në vend të saj. Si mund të jetë kjo përvojë e ngjashme me të kërkuarin e bekimeve nga Ati Qiellor nëpërmjet lutjes?

Teksa studioni Veprat e Apostujve 3, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë kur nuk po i merrni përgjigjet ose bekimet që prisni nga Zoti.

Lexoni Veprat e Apostujve 3:1–3, duke kërkuar se cilin takuan Pjetri dhe Gjoni te dera e tempullit.

Përsiatni se si do të ndiheshit po të ishit në vendin e burrit të çalë. Nga përvoja juaj, cilat janë disa mënyra tipike sipas të cilave njerëzit mund t’i përgjigjen kërkesës së këtij burri për lëmoshë ose ndihmë të tillë si para apo ushqime?

Lexoni Veprat e Apostujve 3:4–7, duke kërkuar atë që bëri Pjetri për këtë burrë.

Çfarë ju bie në sy rreth asaj që tha dhe bëri Pjetri?

Pamja
Pjetri me burrin e çalë

Pjetri shëroi një burrë të çalë jashtë tempullit.

Lexoni Veprat e Apostujve 3:8, duke kërkuar atë që bëri burri pasi Pjetri “e ngriti në këmbë” (Veprat e Apostujve 3:7).

Në çfarë mënyrash ishte bekimi që mori ky burrë, më i madh nga lëmoshat (paratë) të cilat i kishte kërkuar fillimisht?

Ne mund ta përngjasojmë këtë rrëfim me jetën tonë. Ati Qiellor mund të mos iu përgjigjet lutjeve tona në mënyrat që ne dëshirojmë ose që i presim prej Tij, por përgjigjet e Tij janë gjithmonë për të mirën tonë më të madhe.

Në rrëfimin e shënuar te Veprat e Apostujve 3:1–8, është e qartë se ajo që mori ky burrë ishte më e madhe sesa ajo që ai kishte kërkuar. Megjithatë, në raste të tjera mund të mos jetë aq e qartë se ajo që po marrim është më e madhe sesa ajo që po kërkojmë.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një përvoje në të cilën përgjigjja e Zotit ndaj lutjeve tuaja ishte e ndryshme nga përgjigjja që dëshironit, por përfundoi të ishte për të mirën tuaj më të madhe.

Përfytyroni sikur të kishit qenë mes njerëzve në tempull, të cilët e dëshmuan shërimin e burrit të çalë. Do ta kishit parë shpesh burrin e çalë duke lypur ndërkohë që hynit tek ajo derë e tempullit. Më pas, një ditë, do ta kishit parë duke kërcyer e vrapuar pasi ishte shëruar. Si mendoni se këndvështrimi juaj për Pjetrin dhe Gjonin mund të kishte ndryshuar pas dëshmimit të kësaj mrekullie?

Lexoni Veprat e Apostujve 3:9–11, duke kërkuar mënyrën se si njerëzit reaguan ndaj shërimit të këtij burri.

Veprat e Apostujve 3:12–26

Pjetri dëshmon për Jezu Krishtin dhe predikon pendim

Lexoni Veprat e Apostujve 3:12–18, duke kërkuar se si Pjetri ia shpjegoi turmës shërimin e burrit të çalë. Vini re se kujt i dha Pjetri meritë për shërimin e burrit.

Nga veprimet dhe fjalët e Pjetrit, ne mësojmë se shërbëtorët e Jezu Krishtit mund të kryejnë mrekulli nëpërmjet besimit në emrin e Tij.

Lexoni Veprat e Apostujve 3:19, duke kërkuar ftesën e Pjetrit drejtuar njerëzve. (Veprat e Apostujve 3:19–21 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që t’ju ndihmojë ta gjeni në të ardhmen.)

Pjetri u dha shpresë atyre të cilëve po u fliste, duke iu mësuar atyre se edhe ata mund të pastroheshin më së fundi nëpërmjet besimit në Zotin Jezu Krisht dhe Shlyerjes së Tij.

Vini re frazën “kohët e flladit” në Veprat e Apostujve 3:19. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Kjo periudhë e përcaktuar, këto kohët e flladit, do të ndodhin në ardhjen e dytë të Birit të Njeriut, në ditën kur Zoti e dërgon Krishtin përsëri në tokë.

… Është koha kur ‘toka do të ripërtërihet dhe do të marrë lavdinë e saj të parajsës’. (Neni i Dhjetë i Besimit.) Është koha për një ‘tokë të re’ që Isaia e pa (Isaia 65:17), tokën që do të triumfojë kur ligësia të pushojë, kur epoka mijëvjeçare të fillojë” (në Conference Report, tetor 1967, f. 43).

Pamja
Ardhja e Dytë

Lexoni Veprat e Apostujve 3:20–21, duke kërkuar çfarë tjetër do të ndodhë gjatë kësaj periudhe.

Fraza “kohë e ripërtëritjes të të gjitha gjërave” te Veprat e Apostujve 3:21 i drejtohet Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme. Nga Veprat e Apostujve 3:20–21, ne mësojmë se profetët në të gjitha epokat e kanë parathënë Rivendosjen e ungjillit të ditëve të mëvonshme.

Siç shënohet te Veprat e Apostujve 3:22–26, Pjetri dëshmoi që Moisiu dhe “të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur qysh nga Samueli e këtej” (Veprat e Apostujve 3:24) kanë folur për Jezu Krishtin dhe kanë paralajmëruar për pasojat e mohimit të Tij (shih Veprat e Apostujve 3:23). Në zbulesën moderne engjëlli Moroni ia përsëriti këtë fragment Jozef Smithit, duke pohuar pasojat e mohimit të Jezu Krishtit (shih Joseph Smith – Historia 1:41).

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Veprat e Apostujve 3:19–21

  1. Përfytyroni sikur ju jeni një misionar dhe se një kërkues pyet: “Në cilin vend në Bibël thuhet që ungjilli do të rivendoset në ditët e fundit?” Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, jepini përgjigje kësaj pyetjeje duke përdorur Veprat e Apostujve 3:19–21 dhe të paktën një fragment tjetër nga Bibla. Merrni parasysh të shihni nën titullin “Rivendosje e Ungjillit”, f. 162 në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.

Veprat e Apostujve 4–5

Pjetri dhe Gjoni arrestohen dhe lirohen; Anania dhe Safira e gënjejnë Pjetrin

Pamja
Pjetri dhe Gjoni përpara sinedrit

Pjetri dhe Gjoni u arrestuan dhe u çuan përpara sinedrit.

Te Veprat e Apostujve 4:1–31 dhe Veprat e Apostujve 5:12–42 ne mësojmë sa vijon: Pjetri dhe Gjoni u arrestuan për shërimin dhe predikimin në emrin e Jezu Krishtit. Pjetri ia shpalli me guxim ungjillin sinedrit, që ishte “senati judeas dhe gjykata më e lartë judease, si në çështje civile ashtu edhe fetare” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sinedër”, f. 168–169, scriptures.lds.org). Pas lirimit të tyre, Pjetri dhe Gjoni vazhduan të predikonin në emrin e Jezusit dhe përsëri u arrestuan. Ata u rrahën, iu tha sërish që të mos flisnin në emrin e Jezu Krishtit dhe më pas u liruan. Megjithatë, ata nuk u ndalën së dhëni mësim në emrin e Jezusit.

Merrni parasysh skenarin vijues: Një i ri po përgatitet për një mision. Ai e di që peshkopi do të bëjë pyetje rreth denjësisë së tij për të shërbyer në një mision dhe po merr parasysh që t’i thotë apo jo peshkopit rreth një mëkati të rëndë që bëri në të shkuarën.

Ndërsa studioni Veprat e Apostujve 4:32–5:11, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë për ta kuptuar domosdoshmërinë e qenies të ndershëm me shërbëtorët e Perëndisë.

Te Veprat e Apostujve 4:32 ne mësojmë se shenjtorët (anëtarët e Kishës) në kohën e Pjetrit po e jetonin ligjin e përkushtimit, që do të thotë se kishin besëlidhur me Perëndinë që vullnetarisht t’i ndanin zotërimet e tyre materiale që të mund të plotësoheshin nevojat e çdo njeriu.

Lexoni Veprat e Apostujve 4:34–35, duke kërkuar se si ata ia përkushtuan zotërimet e tyre Zotit.

Lexoni Veprat e Apostujve 5:1–2, duke kërkuar atë që bëri një çift i martuar, të quajtur Anania dhe Safira, me paratë që morën nga shitja e tokës. Fjala miratimin te vargu 2 nënkupton pasjen e njohurisë për diçka.

Çfarë bënë Anania dhe Safira që ishte një mëkat i rëndë?

Lexoni Veprat e Apostujve 5:3–4, duke kërkuar atë që Pjetri i tha Ananias.

Sipas vargut 4, cilin kishte gënjyer Anania në fund të fundit?

Nga përgjigjja e Pjetrit, ne mësojmë që nëse i gënjejmë shërbëtorët e Perëndisë, është njësoj sikur të gënjejmë Atë.

Lexoni Veprat e Apostujve 5:5–11, duke kërkuar atë që i ndodhi Ananias dhe Safirës si pasojë e shkeljes së besëlidhjes së tyre dhe të gënjyerit ndaj Pjetrit dhe ndaj Perëndisë.

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim në lidhje me disa pasoja që mund të përjetojmë nëse gënjejmë Zotin ose shërbëtorët e Tij: “Në kohën tonë, ata që gjenden në pandershmëri nuk vdesin siç vdiqën Anania dhe Safira, por diçka brenda tyre vdes. Ndërgjegjja mbytet, karakteri vyshket, vetërespekti venitet, integriteti moral vdes” (“We Believe in Being Honest”, Ensign, tetor 1990, f. 4).

  1. Shqyrtoni skenarin rreth të riut që po përgatitej për intervistën e tij për mision. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruajini një letër këtij të riu, duke shpjeguar atë që ai duhet të dijë rreth të gënjyerit ndaj një udhëheqësi të priftërisë.

Përsiatni se çfarë bekimesh vijnë nga të qenit tërësisht të ndershëm me shërbëtorët e Zotit.

Nga tregimi për Ananian dhe Safirën, ne mësojmë për nevojën që të jemi tërësisht të ndershëm me udhëheqësit tanë të priftërisë. Përveç kësaj, ne duhet të jemi të ndershëm në të gjitha marrëdhëniet tona me të tjerët. Ç’do të thotë për ju që të jeni të ndershëm në të gjitha marrëdhëniet tuaja me të tjerët?

Presidenti Hinkli ka thënë më tej: “Ata që po e jetojnë parimin e ndershmërisë, e dinë që Zoti vërtet i bekon. E tyre është e drejta e çmuar për t’i ngritur kokat në dritën e së vërtetës, të paturpëruar përpara çdo njeriu. Nga ana tjetër, nëse do të ketë nevojë për ndryshim te ndonjë anëtar i kësaj Kishe, le të fillohet aty ku qëndrojmë tani” (“We Believe in Being Honest”, f. 5).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 4–5 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër