Biblioteka
Njësia 17, Dita 3: Veprat e Apostujve 2


Njësia 17: Dita 3

Veprat e Apostujve 2

Hyrje

Dishepujt u mbushën me Frymën e Shenjtë në ditën e Rrëshajëve dhe u bekuan me dhuratën e gjuhëve teksa predikonin ungjillin. Pjetri shpalli se Jezusi është “Zot e Krisht” (Veprat e Apostujve 2:36) dhe i ftoi njerëzit të pendohen, të pagëzohen dhe të marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë. Rreth 3.000 njerëz u kthyen në besim, u pagëzuan atë ditë dhe qëndruan besnikë në Kishë.

Veprat e Apostujve 2:1–13

Dishepujt e Jezu Krishtit mbushen me Frymën e Shenjtë në ditën e Rrëshajëve

Mendoni për mundësinë më të fundit që mund të keni pasur për të folur në kishë, për të dhënë mësim ose për ta ndarë ungjillin me dikë. Çfarë është sfiduese për ju rreth të folurit, mësimdhënies apo dëshmimit tek të tjerët rreth ungjillit të Jezu Krishtit?

Ndërsa studioni Veprat e Apostujve 2:1–13, kërkoni një të vërtetë që mund t’ju ndihmojë kur ndiheni të shqetësuar ose të frikësuar prej të folurit, mësimdhënies dhe dëshmimit tek të tjerët rreth ungjillit të rivendosur.

Rreth një javë pasi Shpëtimtari u ngrit në qiell, judenjtë nga shumë kombe erdhën në Jerusalem për të marrë pjesë në festën e Rrëshajëve dhe për të adhuruar në tempull e për t’i dhënë falënderime Zotit. “Si pjesë e ligjit të Moisiut, festa e Rrëshajëve ose e fryteve të para mbahej pesëdhjetë ditë pas Festës së Pashkëve (Levitiku 23:16). Rrëshaja ishte për të festuar të korrat dhe në Dhjatën e Vjetër quhet festa e të korrave ose festa e javëve (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Rrëshajë”, f. 164, scriptures.lds.org).

Lexoni Veprat e Apostujve 2:1–4, duke kërkuar çfarë përjetuan dishepujt e Jezu Krishtit në ditën e Rrëshajëve.

Fraza “gjuhë, si prej zjarri”, në kuptimin e mirëfilltë, u drejtohet gjuhëve që janë të flakta ose depërtuese, apo që kanë pamjen e flakës së një zjarri. Teksa Fryma e Shenjtë u derdh mbi dishepujt, “gjuhë[t], si prej zjarri” (Veprat e Apostujve 2:3) ishin një shfaqje e pranisë së Shpirtit.

Gjon Pagëzori e ka përngjasuar marrjen e Frymës së Shenjtë me pagëzimin “me zjarr” (Mateu 3:11; Lluka 3:16). Në Izraelin e lashtë, zjarri shpesh simbolizonte praninë e Perëndisë. Shëmbëlltyra e “gjuhë[ve], si prej zjarri”, e përdorur që të përshkruhej zjarri hyjnor i ditës së Rrëshajëve, simbolizonte që dishepujt e kishin marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, të premtuar nga Shpëtimtari (shih Veprat e Apostujve 1:8).

Lexoni Veprat e Apostujve 2:5–8, duke kërkuar atë që ndodhi kur dishepujt u mbushën me Frymën e Shenjtë. Përfytyrojeni si do të kishte qenë që ta dëshmonit këtë ngjarje.

Hidhini një sy të shpejtë Veprave të Apostujve 2:9–11 dhe numëroni grupet e ndryshme të njerëzve ose të kombësive, të cilët i dëgjuan dishepujt të flisnin në gjuhë të ndryshme me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Në hartën shoqëruese, gjeni disa nga vendet e përmendura.

Pamja
hartë, vendet mesdhetare lindore

Vini re që secili nga këto grupe dëgjoi “gjërat e mëdha të Perëndisë” të predikuara në vetë gjuhën e tyre (Veprat e Apostujve 2:11). Në çfarë mënyrash janë njerëzit nëpër botë në gjendje t’i dëgjojnë të vërtetat e ungjillit të predikuara në vetë gjuhën e tyre në kohën tonë?

Si rrjedhojë e mbushjes me Frymën e Shenjtë, dishepujt ishin në gjendje t’i ndanin të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit me të tjerët, madje në gjuhët amtare të atyre të cilëve po u jepnin mësim. Një e vërtetë që mund ta mësojmë nga ky rrëfim është që teksa mbushemi me Frymën e Shenjtë, Ai do të na ndihmojë t’u japim mësim dhe t’u dëshmojmë të tjerëve.

Një ilustrim i kësaj të vërtete është kur Fryma e Shenjtë na ndihmon t’ua mësojmë ungjillin atyre që flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha jonë.

Për ta kuptuar më mirë se çfarë do të thotë të mbushemi me Frymën e Shenjtë, shihni vizatimin vijues dhe përfytyroni se po derdhni ujë në gota. Vini re përse do të ishte e vështirë të mbushej ndonjëra prej gotave.

Pamja
vizatim i gotave

Merrni parasysh se si gotat mund të ngjajnë me njerëzit dhe uji me Frymën e Shenjtë. Çfarë mund të përfaqësojnë pengesat për mbushjen e gotave? Çfarë sjelljesh dhe qëndrimesh mund të na pengojnë për të qenë të mbushur me Frymën e Shenjtë?

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë mund të bëni që të mbusheni me Frymën e Shenjtë, me qëllim që Ai t’ju ndihmojë t’u jepni mësim dhe t’u dëshmoni të tjerëve?

    2. Kur ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë t’ua mësoni ungjillin të tjerëve ose ta ndani dëshminë tuaj me ta?

    3. Si e lejon marrja e sakramentit Frymën e Shenjtë të jetë me ne?

Te Veprat e Apostujve 2:12–13 ne lexojmë se disa judenj u habitën nga ato që dëgjuan kur dishepujt folën në gjuhë të ndryshme, ndërkohë që të tjerë i përqeshën dishepujt duke i akuzuar se kishin pirë shumë verë.

Veprat e Apostujve 2:14–47

Pjetri dëshmon për Jezu Krishtin dhe iu mëson njerëzve mënyrën se si të fitojnë shpëtim

Lexoni Veprat e Apostujve 2:14, duke kërkuar se kush filloi t’i jepte mësim turmës.

Përfytyrojeni vetveten në gjendjen e Apostullit Pjetër, duke qëndruar përpara turmës. Për çfarë të vërtetash të ungjillit do të jepnit mësim dhe do të dëshmonit? Përse?

Siç shënohet te Veprat e Apostujve 2:15–35, Pjetri shpalli se dhurata e gjuhëve dhe shfaqje të tjera të Shpirtit mes dishepujve ishin të paktën njëra prej përmbushjeve dhe domethënieve të profecisë së dhënë nga profeti Joel (shih Joel 2:28–32). Pjetri më pas u dha mësim dhe u dëshmoi njerëzve duke përdorur disa nga fjalët dhe psalmet e mbretit David.

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se Joeli 2:28–32 është shembull i një shkrimi të shenjtë që mund të ketë kuptime dhe përmbushje të shumëfishta:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Shumë prej profecive dhe fragmenteve doktrinore në shkrimet e shenjta kanë kuptime të shumëfishta. …

[Një] ilustrim i kuptimeve të shumëfishta lidhet me profecinë në librin e Joelit që në ditët e fundit Zoti do ta derdhë frymën e Tij mbi çdo mish dhe bijtë tanë e bijat tona do të profetizojnë (shih Joel 2:28). Në ditën e Rrëshajëve, Apostulli Pjetër shpalli që ngjarjet që ata kishin dëshmuar, ishin ato të ‘thën[a] nëpërmjet profetit Joel’ (Veprat e Apostujve 2:16). Njëmijë e tetëqind vjet më vonë, engjëll Moroni e citoi po të njëjtën profeci dhe tha se ‘kjo ende nuk ishte përmbushur, por shpejt do të përmbushej’ [Joseph Smith – Historia 1:41]” (“Scripture Reading and Revelation”, Ensign, janar 1995, f. 8).

Si Pjetri ashtu edhe Moroni saktësisht shpallën që profecia e dhënë nga profeti Joel kishte përmbushje, kuptim dhe zbatim për ditën e Rrëshajëve dhe në ditët e mëvonshme.

  1. Lexoni Veprat e Apostujve 2:22–24, 29–33, 36 dhe më pas përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa nga të vërtetat e rëndësishme për të cilat Pjetri dha mësim dhe dëshmoi?

    2. Çfarë ju bie në sy rreth dëshmisë së Pjetrit drejtuar judenjve?

Merrni parasysh atë që tha dhe bëri Pjetri kur u pyet rreth marrëdhënies së tij me Jezusin natën që Shpëtimtari u arrestua (shih Lluka 22:54–62).

Mendoni se si ndryshuan fjalët dhe veprimet e Pjetrit në ditën e Rrëshajëve nga rasti kur ai e mohoi tri herë se e njihte Jezusin. Çfarë mendoni se ndikoi në këtë ndryshim te Pjetri?

Lexoni Veprat e Apostujve 2:37, duke kërkuar mënyrën se si fjalët e Pjetrit ndikuan te turma. (Veprat e Apostujve 2:36–38 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që të jeni në gjendje ta gjeni me lehtësi.)

Vini re frazën “u pikëlluan në zemër” te Veprat e Apostujve 2:37. Fjala pikëlluan këtu do të thotë u dëshpëruan dhe sugjeron që njerëzit ndien hidhërim e keqardhje ngaqë judenjtë, si një popull dhe komb, e kishin kryqëzuar Zotin e tyre, Jezu Krishtin. Pjetri nuk po nënkuptonte që grupi i judenjve nga kombësi të ndryshme, të cilëve po u jepte mësim në ditën e Rrëshajëve, ishin njerëzit përgjegjës për kryqëzimin e Shpëtimtarit.

Sipas Veprave të Apostujve 2:37, cilën pyetje bënë njerëzit? Merrni parasysh se si kjo pyetje zbulon që njerëzit po fillonin të përjetonin një ndryshim të zemrës.

Lexoni Veprat e Apostujve 2:38–41, duke kërkuar atë që Pjetri i udhëzoi njerëzit të bënin. Fjala i çoroditur do të thotë kryengritës, i degjeneruar apo i mbrapshtë.

Sipas Veprave të Apostujve 2:41, si iu përgjigjën njerëzit mësimeve të dhëna nga Pjetri dhe ftesës së tij për t’u penduar e pagëzuar?

Pamja
grup njerëzish gjatë pagëzimit në lumë

Shumë njerëz e pranuan të vërtetën dhe u pagëzuan.

Lexoni Veprat e Apostujve 2:42–47, duke kërkuar se çfarë bënë të kthyerit e rinj në besimin tek ungjilli i Jezu Krishtit pasi e morën të vërtetën me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe u pagëzuan.

Si e treguan veprimet e tyre që ata vërtet ishin kthyer në besim?

Fraza “thyerjen e bukës” (Veprat e Apostujve 2:42) i drejtohet pjesëmarrjes në ordinancën e sakramentit dhe fraza “çdo gjë e kishin të përbashkët” (Veprat e Apostujve 2:44) u drejtohet shenjtorëve që po e jetonin ligjin e përkushtimit, që përfshinte përkujdesjen për të varfrit dhe nevojtarët mes tyre.

Mbani mend që përpara se t’i dëgjonin fjalët e Pjetrit dhe të vepronin sipas tyre, këta judenj nuk e kishin pranuar Jezusin si Shpëtimtarin e tyre, as nuk i ndiqnin mësimet e Tij. Merrni parasysh se sa shumë kishin ndryshuar njerëzit.

Një parim që mund të mësojmë nga Veprat e Apostujve 2:37–47 është që kur e pranojmë fjalën e Perëndisë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, zemrat tona do të ndryshojnë dhe ne do të kthehemi në besimin te Jezu Krishti.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, bëni sa vijon:

    1. Shkruani atë që një njeri mund të bëjë për ta pranuar fjalën e Perëndisë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

    2. Bëjani pyetjen vijuese një pjesëtari të familjes, një shoku apo një fqinji dhe shkruajeni përgjigjen e tij ose të saj (ju gjithashtu mund të doni të shkruani vetë përgjigjen tuaj për pyetjen): Teksa jeni përpjekur t’i mësoni e jetoni të vërtetat e ungjillit, si ju ka ndihmuar Shpirti që të ndryshoni dhe të bëheni të kthyer në besim te Jezu Krishti?

  2. Harxhoni disa minuta për të menduar thellë rreth asaj që mund të bëni për t’i pranuar më mirë fjalët dhe mësimet e Perëndisë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Çfarë ndryshimesh të veçanta mund të bëni teksa përpiqeni të veproni sipas nxitjeve që merrni? Shënojini mendimet dhe ndjenjat tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Caktoni një synim lidhur me atë që do të bëni këtë javë për t’i pranuar më mirë fjalët dhe mësimet e Perëndisë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Veprat e Apostujve 2:36–38

Lexoni sërish Veprat e Apostujve 2:38, duke kërkuar çfarë bekimi tha Pjetri se do të merrnin njerëzit si rrjedhojë e pendimit për mëkatet e tyre dhe pagëzimit.

Nga ky varg ne mësojmë që kur kemi besim në Jezu Krisht, pendohemi dhe pagëzohemi, ne përgatitemi që të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Si e përgatitin pendimi dhe pagëzimi një njeri që të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë? Nga Libri i Mormonit ne mësojmë se “shenjtërohe[mi] nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë” (3 Nefi 27:20) dhe që nëpërmjet Frymës së Shenjtë ne mund të marrim një heqje të mëkateve tona (shih 2 Nefi 31:17).

  1. Krahasoni Veprat e Apostujve 2:36–38 me nenin e katërt të besimit. Përcaktoni te Veprat e Apostujve 2:36–38 fjalët dhe frazat që tregojnë ose na mësojnë parimet dhe ordinancat e para të ungjillit. Shkruani shkronjat e para të secilës fjalë te Veprat e Apostujve 2:38 në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta (për shembull, A P u th a: “P dh s n j …). Më pas, përdoreni atë që shkruat për t’ju ndihmuar ta mësoni përmendsh atë varg nga fragmenti i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Recitojeni vargun derisa ju të mund ta thoni atë përmendsh. Përfytyroni që ta ftoni dikë të pagëzohet me qëllim që ai ose ajo të mund ta gëzojë dhuratën e Frymës së Shenjtë në jetën e tij ose të saj.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër