Biblioteka
Njësia 19, Dita 4: Veprat e Apostujve 18–19


Njësia 19: Dita 4

Veprat e Apostujve 18–19

Hyrje

Pali nuk u pranua nga shumë prej judenjve në Korint, por pati sukses atje mes johebrenjve. Në Efes, Akuila dhe Priskila, një çift të martuarish të drejtë, e udhëzuan Apollon, një jude nga Aleksandria, dhe e ndihmuan të kuptonte udhën e Perëndisë. Pali predikoi për Frymën e Shenjtë, kreu mrekulli dhe iu shmang një turme të papërmbajtshme tek teatri në Efes.

Veprat e Apostujve 18:1–17

Pali predikon në Korint

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa mënyra se si keni marrë pjesë në punën e Zotit?

    2. Çfarë sfidash keni përjetuar kur jeni përpjekur të bëni punën e Zotit?

Teksa studioni Veprat e Apostujve 18, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë ndërsa përpiqeni të bëni punën e Zotit.

Te Veprat e Apostujve 18:1–5 ne mësojmë që Pali u largua nga Athina dhe udhëtoi për në Korint, ku ai dha mësim në sinagogë. Lexoni Veprat e Apostujve 18:6, duke kërkuar sfidat që përjetoi Pali teksa u jepte mësim rreth Jezu Krishtit judenjve në Korint.

Çfarë planifikoi të bënte Pali ngaqë judenjtë në sinagogë nuk e pranuan mesazhin e tij?

Lexoni Veprat e Apostujve 18:7–10, duke kërkuar se çfarë ndodhi që mund t’i ketë dhënë kurajë Palit. Merrni parasysh të shenjoni në vargun 10 atë që Zoti i premtoi Palit nëse vazhdonte ta predikonte ungjillin në Korint.

Ne mund të mësojmë nga këto vargje që nëse jetojmë me denjësi, Zoti do të jetë me ne ndërkohë që bëjmë punën e Tij. Merrni parasysh ta shkruani këtë parim në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta pranë Veprave të Apostujve 18:9–10.

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Presidenti Tomas S. Monson dha nxitjen vijuese: “Tani, disa nga ju mund të jenë të druajtur nga natyra ose ta konsiderojnë veten të papërshtatshëm për t’iu përgjigjur pozitivisht një thirrjeje. Mbani mend që kjo vepër nuk është vetëm juaja dhe imja. Ajo është vepra e Zotit, dhe kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit. Kujtoni që Zoti do t’i japë shpinës atë formë që të mund ta mbajë barrën e vendosur mbi të” (“Të Mësojmë, të Bëjmë, të Jemi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 62).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse është e rëndësishme të dini që Zoti do të jetë me ju kur bëni punën e Tij?

    2. Kur ka qenë Zoti me ju teksa bënit punën e Tij? Si e dinit që Ai ishte me ju?

Veprat e Apostujve 18:11–17 shënon që Pali vazhdoi të predikonte në Korint për një vit e gjysmë. Ndërkohë që ishte në Korint, disa judenj u përpoqën ta nxirrnin në gjyq për atë që po jepte mësim, por prokonsulli nuk e pranoi çështjen, duke përmbushur kështu premtimin e Zotit dhënë Palit.

Veprat e Apostujve 18:18–28

Akuila dhe Priskila ndihmojnë Apollon që të kuptojë udhën e Perëndisë

Te Veprat e Apostujve 18:18–23 ne mësojmë se një bashkëshort e një bashkëshorte, Akuila dhe Priskila, e shoqëruan Palin për në Efes. Pasi e la çiftin në Efes, Pali udhëtoi drejt zonës së Jerusalemit dhe më pas në veri drejt Antiokisë, ku përfundoi udhëtimin e tij të dytë misionar. Ky udhëtim misionar zgjati tre vjet. Gjatë kësaj kohe Pali kishte udhëtuar rreth 4.600 kilometra.

Pas njëfarë kohe, Pali u largua nga Antiokia dhe filloi udhëtimin e tij të tretë misionar (shih Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”). Në këtë udhëtim ai udhëtoi edhe njëherë nëpër zonat ku kishte krijuar më parë degë të Kishës, duke i forcuar dishepujt.

Lexoni Veprat e Apostujve 18:24–25, duke kërkuar se çfarë ndodhi në Efes pasi u largua Pali.

Çfarë kuptonte tashmë Apolloja rreth “gjëra[ve të] Zotit” (vargu 25)?

Duke njohur “vetëm pagëzimin e Gjonit” (vargu 25), Apollos i mungonte një kuptueshmëri e plotë për Jezu Krishtin dhe misionin e Tij. Lexoni Veprat e Apostujve 18:26, duke kërkuar atë që Akuila dhe Priskila bënë kur dëgjuan mësimet që jepte Apollo.

Fraza “ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë” (vargu 26) do të thotë që Akuila dhe Priskila i dhanë më shumë mësim Apollos rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, që e shtoi njohurinë dhe kuptueshmërinë e Apollos.

Lexoni Veprat e Apostujve 18:27–28, duke kërkuar provë që Akuila dhe Priskila e ndihmuan Apollon ta kuptonte në mënyrë më të përsosur udhën e Perëndisë.

Veprat e Apostujve 19:1–20

Pali jep dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe kryen mrekulli

Teksa Pali e filloi udhëtimin e tij të tretë misionar, ai udhëtoi anembanë zonave të Galatisë dhe Frigjisë (shih Veprat e Apostujve 18:23) dhe më pas u kthye në Efes. Lexoni Veprat e Apostujve 19:2–6, duke kërkuar mënyrën se si Pali i ndihmoi njerëzit në Efes që ta kuptonin në mënyrë më të përsosur udhën e Perëndisë.

Pamja
rrënoja greke

Rrënojat e teatrit grek në Efes, ku Apostulli Pal predikoi

Çfarë doktrine ndihmoi Pali që ta kuptonin më mirë dishepujt në Efes?

Teksa lexoni thënien vijuese, e cila u botua nën drejtimin e Profetit Jozef Smith, kërkoni arsyen përse këta njerëz në Efes kishin nevojë të pagëzoheshin përsëri: “Duket … që disa judenj sektarë ishin duke pagëzuar si Gjon [Pagëzori], por kishin harruar t’i njoftonin ata se kishte një njeri që duhej ndjekur, të quajtur Jezu Krisht, që pagëzonte me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë – i cili u tregoi këtyre të kthyerve në besim se pagëzimi i tyre i parë ishte i paligjshëm dhe kur e dëgjuan këtë, ata u pagëzuan me dëshirë dhe pasi duart u vendosën mbi ta, morën dhuratat, sipas premtimit” (“Baptism”, Times and Seasons, 1 shtator 1842, f. 904).

Nga kjo përvojë ne mësojmë se për të qenë i vlefshëm, pagëzimi duhet të kryhet nga një shërbëtor i autorizuar i Perëndisë dhe me qëllim që pagëzimi të jetë i plotë, ai duhet të shoqërohet nga marrja e Frymës së Shenjtë.

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith dha mësim që pagëzimi duhet të shoqërohet nëpërmjet “dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve”: “Ju do të mund të pagëzonit njëlloj një thes me rërë në vend të një njeriu dhe do të kishte të njëjtën pasojë, nëse nuk do të bëhej nga pikëpamja e heqjes së mëkateve dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 99).

Te Veprat e Apostujve 19:7–10 ne mësojmë se Pali vazhdoi të predikonte në Efes për më shumë se dy vjet. Lexoni Veprat e Apostujve 19:11–12, duke kërkuar se çfarë mrekullish kreu Perëndia nëpërmjet Palit.

Një doktrinë që mësojmë nga ky rrëfim, është që një mënyrë se si Perëndia e shfaq fuqinë e Tij është nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar.

Lexoni Veprat e Apostujve 19:13–16, duke kërkuar atë që ndodhi kur disa burra u përpoqën të dëbonin demonë sikurse kishte bërë Pali.

Ngaqë bijtë e Skevit nuk e kishin autoritetin e priftërisë për të shërbyer në emër të Jezu Krishtit, fryma e ligë nuk e dalloi ose pranoi autoritetin e tyre, madje edhe pse ata shpallën se përfaqësonin Shpëtimtarin.

Lexoni Veprat e Apostujve 19:17–20, duke kërkuar atë që bënë shumë individë pasi mësuan rreth kësaj ngjarjeje. Shpjegoni se fjala “magji” te vargu 19 i drejtohet kryerjes së magjisë dhe praktikave të tjera të liga.

Si e treguan këta njerëz besimin e tyre te Jezu Krishti?

Ne mund të mësojmë parimin vijues nga këto vargje: Nëpërmjet rrëfimit dhe braktisjes së praktikave të liga, ne shfaqim besimin tonë në Jezu Krishtin.

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë disa sakrifica që dikush mund të nevojitet të bëjë me qëllim që ta braktisë një mëkat që ai ose ajo e ka rrëfyer?

Përsiatni nëse ka ndonjë mëkat që Zoti do që ju ta rrëfeni dhe ta braktisni. Zgjidhni të veproni sipas ndonjë nxitjeje që mund të keni ndier ndërkohë që e studiuat këtë mësim.

Veprat e Apostujve 19:21–41

Adhuruesit e perëndeshës së rremë Diana flasin kundër Palit dhe shkaktojnë trazirë në qytet

Te Veprat e Apostujve 19:21–41 ne mësojmë se disa nga bizneset në Efes mbështeteshin nga adhurimi i perëndeshës së rreme Diana. Ngaqë Pali predikoi kundër adhurimit të perëndive të rreme, artizanët që bënin idhuj të Dianës, i kthyen njerëzit kundër Palit. Njerëzit morën dy prej shoqëruesve të Palit dhe u mblodhën në amfiteatrin e qytetit, i cili mund të mbante deri në 24.000 njerëz. Pali pati dëshirë t’i fliste turmës, por u bind nga disa dishepuj e udhëheqës qeveritarë që të mos hynte në teatër. Kancelari i qytetit më së fundi i qetësoi dhe i shpërndau njerëzit. Pali dhe shoqëruesit e tij duke u mbrojtur është një shembull i mënyrës se si puna e Perëndisë do të vazhdojë pavarësisht nga kundërshtimet dhe përndjekjet e liga.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 18–19 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër