Biblioteka
Njësia 18, Dita 3: Veprat e Apostujve 9


Njësia 18: Dita 3

Veprat e Apostujve 9

Hyrje

Jezusi iu shfaq Saulit (i cili më vonë do të quhej Pal) teksa udhëtonte për në Damask, përvojë pas së cilës Sauli u verbua. Pasi Anania e shëroi atë, Sauli u pagëzua dhe filloi predikimin në Damask. Sauli më vonë shkoi në Jerusalem dhe u bashkua me dishepujt atje, por kur judenjtë grekë në Jerusalem e kërcënuan jetën e Saulit, Apostujt e dërguan atë në Tars. Pjetri kreu mrekulli në Lida dhe Jopa.

Veprat e Apostujve 9:1–9

Jezusi i shfaqet Saulit në rrugën për në Damask

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth nevojës sonë për të falur:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Ka diçka brenda shumë prej nesh që në mënyrë të veçantë nuk ia del mbanë të falë dhe të harrojë gabimet e mëparshme në jetë – qofshin ato gabimet tona ose gabimet e të tjerëve. Nuk është e mirë. Nuk është e krishterë. Qëndron në kundërshtim të jashtëzakonshëm me madhështinë dhe mrekullinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit. …

Le të pendohen njerëzit. Le të rriten njerëzit. Besoni që njerëzit mund të ndryshojnë dhe të përmirësohen. A është ky besim? Po! A është kjo shpresë? Po! A është kjo dashuri hyjnore? Po! Mbi të gjitha, ajo është dashuri hyjnore, dashuria e pastër e Krishtit” (“The Best Is Yet to Be”, Ensign, janar 2010, f. 25–26).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa situata në të cilat do të ishte e rëndësishme për ju që t’i lejoni të tjerët të ndryshojnë, të përmirësohen dhe të besojnë se ata mund ta bëjnë këtë gjë?

    2. Përse është e rëndësishme për ju që të besoni se mund të ndryshoni dhe të përmirësoheni?

Teksa studioni Veprat e Apostujve 9, kërkoni të vërteta që mund t’i mësojmë nga përvoja e dikujt që ndryshoi dhe u përmirësua.

Shumica e tekstit të Veprave të Apostujve 9 përqendrohet te përvojat e një burri të quajtur Saul. “Sauli u lind në Tars, një qytet grek në Kiliki (shih Veprat e Apostujve 21:39). Ai ishte lindur si një qytetar romak (shih Veprat e Apostujve 16:37) dhe fliste një ‘gjuhë hebraike’ (ndoshta aramaike) si dhe greqisht (shih Veprat e Apostujve 21:37–40). Ai ishte një jude nga linja e prejardhjes së Beniaminit (shih Romakëve 11:1) dhe një farise i devotshëm (shih Veprat e Apostujve 23:6), i cili i ndoqi dhe i mundoi zellshmërisht pasuesit e Jezu Krishtit (shih Veprat e Apostujve 9:1–2). Ai më vonë u njoh me emrin e tij në latinisht, Pal [shih Veprat e Apostujve 13:9]” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 294). Sauli u arsimua në Jerusalem nga Gamalieli (shih Veprat e Apostujve 22:3), një farise i mirënjohur dhe mësues i respektuar i ligjit judeas (shih Veprat e Apostujve 5:34–40).

Ne lexojmë për herë të parë për Saulin te Veprat e Apostujve 7 që përshkruan vrasjen me gurë të dishepullit Stefan. Ju mund të sillni ndërmend se ata që e vranë me gurë Stefanin, i vunë rrobat e tyre te këmbët e Saulit (shih Veprat e Apostujve 7:58–59).

Lexoni Veprat e Apostujve 8:1–3; 9:1–2, duke kërkuar mënyrën se si Sauli i trajtoi pasuesit e Jezu Krishtit. Mund të jetë e dobishme të dini që fraza merrte me vete (Veprat e Apostujve 8:3) do të thotë tërhiqte zvarrë me forcë.

Lexoni Veprat e Apostujve 9:3–6, duke kërkuar atë që përjetoi Sauli teksa udhëtonte për në Damask që të arrestonte dishepujt e Jezu Krishtit që jetonin atje.

Pamja
hosten

Vini në dukje frazën “godasësh me shkelm kundër gjembave” te Veprat e Apostujve 9:5. “Një ‘gjemb’ i drejtohet një hosteni, që është një shigjetë apo shkop i mprehtë që përdoret për të shpuar kafshët që t’i bëjnë të ecin përpara. Në vend që të lëvizin përpara, kafshët kokëforta nganjëherë godasin mbrapsht që të kundërpërgjigjen, fjalë për fjalë godasin me shkelma ‘kundër gjembave’. Një reagim i tillë vetëm e shton shqetësimin ngaqë kafsha iu nënshtrohet nxitjeve më të dhimbshme nga zotëria i saj. Shpëtimtari po e bën të qartë që, nëse Sauli vazhdon të luftojë kundër Tij, ai vetëm do të sjellë shqetësim mbi veten e vet. Në letërsinë greke, ‘god[itja] me shkelm kundër gjembave’ ishte një metaforë e mirënjohur për kundërshtimin ndaj hyjnisë” (New Testament Student Manual, f. 295).

Vini re pyetjen e Saulit te Veprat e Apostujve 9:6. Çfarë mund t’ju mësojë kjo pyetje rreth Saulit?

Sipas Joseph Smith Translation [Përkthimit prej Joseph Smith-it] për Veprat e Apostujve 9:7, ata që udhëtonin me Saulin e panë dritën, por nuk e dëgjuan zërin e Jezusit teksa Ai i fliste Saulit (shih Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Veprat e Apostujve 9:7 [në Biblën në anglisht Veprat e Apostujve 9:7, shënimi a në fund të faqes]; shih edhe Veprat e Apostujve 22:9).

Pas vegimit, Sauli ishte fizikisht i verbër. Ai u çua në Damask dhe as nuk hëngri as nuk piu për tri ditë.

Përfytyroni sikur jeni Sauli. Nëse i kishit përndjekur egërsisht dishepujt e Jezu Krishtit, çfarë mund të mendonit dhe ndienit gjatë kësaj kohe?

Veprat e Apostujve 9:10–22

Sauli shërohet nga Anania i Damaskut, pagëzohet dhe predikon rreth Jezu Krishtit

Lexoni Veprat e Apostujve 9:10–12, duke kërkuar atë që Zoti e drejtoi të bënte Ananian, një anëtar të drejtë të Kishës në Damask.

Mbani mend se qëllimi fillestar i Saulit për të shkuar në Damask ishte që të arrestonte njerëz si Anania. Nëse ishit Anania dhe e njihnit famën e Saulit, çfarë mund të kishit menduar pasi të merrnit këtë udhëzim nga Zoti?

Lexoni Veprat e Apostujve 9:13–16, duke kërkuar atë që Zoti i mësoi Ananias rreth Saulit.

Si ndryshonte këndvështrimi i Zotit për Saulin nga këndvështrimi i Ananias për Saulin?

Vini re te Veprat e Apostujve 9:15 punën e veçantë që Zoti e kishte zgjedhur Saulin të bënte. Nga ajo që dini prej rrethanave të Saulit, çfarë do ta kishte përgatitur atë që t’u predikonte “johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit”? (Ju mund të doni t’i drejtoheni përshkrimit të Saulit që e lexuat më parë në mësim.)

Sipas Veprave të Apostujve 9:16, çfarë tjetër tha Zoti se do t’i ndodhte Palit, edhe pse ai do të bëhej një vegël e zgjedhur përpara johebrenjve dhe mbretërve?

Dy të vërteta që mund t’i mësojmë nga Veprat e Apostujve 9:13–16 janë që Zoti na sheh siç mund të bëhemi dhe Zoti e sheh potencialin tonë për ta ndihmuar Atë në punën e Tij.

  1. Teksa mendoni për këto të vërteta, përfytyroni mënyrën se si ju sheh Perëndia ju. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni një figurë të thjeshtë të vetes suaj dhe renditni disa nga aftësitë dhe tiparet tuaja karakteristike që mendoni se Zoti mund t’i përdorë për ta ndihmuar Atë në punën e Tij.

Pamja
Saul and Ananias

Anania e bekoi Saulin që t’i kthehej shikimi.

Vini re te Veprat e Apostujve 9:17 se Anania e bekoi Saulin që t’i kthehej shikimi dhe që të mbushej me Frymën e Shenjtë. Sipas Veprave të Apostujve 9:18–20, kur Perëndia ia ktheu shikimin Saulit, si ishte mënyra se si Sauli e pa Zotin, e ndryshme nga mënyra se si e kishte parë Atë më parë?

Pendimi, pagëzimi dhe predikimi i Saulit treguan besimin e tij në Jezu Krisht dhe nënshtrimin e tij ndaj vullnetit të Zotit.

Lexoni Veprat e Apostujve 9:21–22, duke kërkuar mënyrën se si njerëzit reaguan ndaj predikimit të Saulit.

Pyetja që Sauli i bëri Zotit te Veprat e Apostujve 9:6, tregoi përulësinë e tij dhe dëshirën e tij për t’iu nënshtruar vullnetit të Zotit. Si Sauli, nëse i nënshtrohemi vullnetit të Zotit, atëherë ne mund të ndryshojmë dhe mund ta përmbushim potencialin që Ai sheh brenda nesh.

Për t’ju ndihmuar të kuptoni çfarë do të thotë të jemi të nënshtruar ndaj vullnetit të Zotit, përfytyroni sikur keni një sasi plasteline që është e butë dhe një që është tashmë e forcuar. Si do të ishte e ndryshme përvoja e orvatjes për të bërë një skulpturë duke përdorur plastelinën e butë, nga orvatja për të bërë një skulpturë duke përdorur plastelinën e forcuar?

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund të krahasohen të dy llojet e ndryshme të plastelinës me nënshtrimin e një njeriu ndaj vullnetit të Zotit?

    2. Si ju ka ndihmuar nënshtrimi ndaj Zotit ju ose të tjerët që të ndryshoni dhe që të përmbushni potencialin që Zoti sheh brenda jush ose brenda tyre?

Përsiatni se si pyetja e Saulit, “Zot, ç’don ti të bëj unë?” (Veprat e Apostujve 9:6), gjen zbatim në vetë jetën tuaj.

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim: “Një [njeri] nuk mund të bëjë pyetje më të rëndësishme në jetën e tij [ose të saj] sesa ajo që bëri Pali: ‘… Zot, ç’don ti të bëj unë?’ Një [person] nuk mund të ndërmarrë veprim më të madh sesa të ndjekë një udhë që do t’i sjellë atij [ose asaj] përgjigje ndaj asaj pyetjeje dhe më pas ta vërë në veprim atë përgjigje” (“Listen to a Prophet’s Voice”, Ensign, janar 1973, f. 57).

Vazhdoni të luteni me zell dhe të kërkoni përgjigje ndaj kësaj pyetjeje dhe të veproni sipas ndonjë nxitjeje që merrni.

Veprat e Apostujve 9:23–31

Jeta e Saulit kërcënohet në Damask dhe më pas në Jerusalem dhe Apostujt e dërgojnë atë në Tars

Te Veprat e Apostujve 9:23–26 ne lexojmë se judenjtë në Damask komplotuan për ta vrarë Saulin, por anëtarët e Kishës e ndihmuan të largohej nga qyteti. Ne gjithashtu lexojmë se Sauli shkoi në Jerusalem, ku ai “u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull” (Veprat e Apostujve 9:26).

Si mendoni ju, përse anëtarët e Kishës ishin ngurrues të besonin që Sauli ishte bërë një dishepull i Jezu Krishtit?

Te Veprat e Apostujve 9:27–31 ne lexojmë se Barnaba, një anëtar i Kishës (shih Veprat e Apostujve 4:36–37), e solli Saulin tek Apostujt dhe u tregoi atyre për vegimin e Saulit dhe për predikimin e tij të guximshëm në Damask. Atëherë anëtarët e Kishës e mirëpritën Saulin në shoqërimin e tyre. Kur judenjtë grekë në Jerusalem kërkuan ta vrisnin Saulin, udhëheqësit e Kishës e dërguan atë në Tars. Te Veprat e Apostujve 9:31 ne gjithashtu mësojmë se Kisha përjetoi paqe dhe rritje në Jude, Galile dhe Samari.

Veprat e Apostujve 9:32–43

Pjetri kryen mrekulli në Lida dhe Jopa

Mendoni për dikë të cilin do të donit ta ndihmonit që të kthehej te Zoti dhe të besonte në Të. Ndërsa studioni pjesën në vazhdim të Veprave të Apostujve 9, kërkoni një mënyrë se si mund ta ndihmoni këtë njeri dhe njerëz të tjerë që të kthehen te Zoti.

Veprat e Apostujve 9:32–35 dhe Veprat e Apostujve 9:36–42 përshkruajnë mrekullitë që Pjetri i kreu në Lida dhe në Jopa. Teksa i lexoni këto vargje, kërkoni mrekullitë që Pjetri i kreu dhe mënyrën se si u përgjigjën njerëzit. Shpjegimet vijuese mund të jenë të dobishme: Te Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Veprat e Apostujve 9:32 thuhet se “Pjetri kaloi përmes të gjitha këtyre krahinave” (shkrimi kursiv i shtuar). Lëmosha (Veprat e Apostujve 9:36) është praktika e dhënies së ofertave të varfërve. Fjala afër te vargu 38 do të thotë pranë dhe fjala treguan te vargu 39 do të thotë paraqitën.

Si iu përgjigjën njerëzit në Lida dhe njerëzit në Jopa shërbesës së Pjetrit? Një parim që mund ta mësojmë nga shembulli i Pjetrit është që duke u dhënë shërbesë njerëzve të tjerë, ne mund t’i ndihmojmë njerëzit të kthehen te Zoti dhe të besojnë në Të.

Dhënia e bekimeve të priftërisë është një mënyrë për t’u dhënë shërbesë njerëzve të tjerë. Shembulli i Tabithës (ose Gazelës) te Veprat e Apostujve 9:36, 39 tregon një mënyrë tjetër se si mund t’u japim shërbesë të tjerëve. Të bërit e “shumë vepra[ve] të mira” (Veprat e Apostujve 9:36) dhe të shërbyerit të tjerëve mund t’i ndihmojë të tjerët të kthehen te Zoti.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur ju kanë ndihmuar veprat e mira të dikujt tjetër ju ose njerëzit e tjerë që të ktheheni te Zoti dhe të besoni në Të?

    2. Cilat janë disa mënyra se si mund t’u jepni shërbesë të tjerëve? (Jini të hollësishëm dhe shënoni dy ose tri ide.)

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 9 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër