Biblioteka
Njësia 20, Dita 2: Veprat e Apostujve 23–28


Njësia 20: Dita 2

Veprat e Apostujve 23–28

Hyrje

Pas arrestimit të tij në Jerusalem, Pali u çua në Cezare, ku e mbrojti veten kundrejt akuzave të rreme përpara disa udhëheqësve romakë. Ai tregoi për kthimin e tij në besim dhe dëshmoi për Jezu Krishtin. Teksa udhëtonte për në Romë si i burgosur, Palit iu mbyt anija në një ishull, ku mbeti i padëmtuar pasi u pickua nga një gjarpër helmues dhe shëroi ata që ishin të sëmurë. Më së fundi, Pali u çua në Romë. Ndërkohë që ishte atje, ai jetoi si i burgosur në shtëpi për dy vjet dhe dha mësim e dëshmoi për Jezu Krishtin.

Veprat e Apostujve 23–26

Pali përndiqet, burgoset dhe sillet në gjyq përpara mbretit Agripa

Pamja
skicë, shtegu drejt Jezu Krishtit dhe drejt largimit prej Tij

Çfarë bekimesh keni marrë nëpërmjet ndjekjes së urdhërimeve dhe mësimeve të dhëna nga Perëndia?

Çfarë mund ta bëjë një njeri që të largohet prej Perëndisë dhe të mos jetojë më në përputhje me urdhërimet dhe mësimet e Tij?

Përsiatni se çfarë mund të ndodhë kur njerëzit veçohen dhe largohen nga Perëndia.

Ndërsa studioni Veprat e Apostujve 23–26, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë kur e ndieni se jeni larguar nga Perëndia dhe bekimet e Tij.

Mbani mend që Pali ishte arrestuar jashtë tempullit në Jerusalem dhe u soll përpara udhëheqësve judeas (shih Veprat e Apostujve 21:30–33; 22:23–30). Te Veprat e Apostujve 23–25 ne mësojmë rreth takimit të tij me udhëheqësit judeas dhe se Pali u burgos. Ndërkohë që Pali ishte në burg, Zoti erdhi ta ngushëllonte dhe sërish t’i jepte siguri atij (shih Veprat e Apostujve 23:11). Kapiteni romak, i cili kishte arrestuar Palin, e dërgoi atë në Cezare për të penguar vrasjen e tij prej një grupi judenjsh. Atje Pali e shpalli pafajësinë e tij përpara qeveritarit romak, Feliksit. Edhe pse i bindur për pafajësinë e Palit, Feliksi vazhdoi ta mbante atë në një shtëpi si të burgosur për dy vjet. Festi zuri vendin e Feliksit si guvernatori romak i Judesë dhe mbreti Herod Agripa, i cili sundonte mbi një zonë të vendosur në verilindje të Detit të Galilesë, vizitoi Festin dhe dëshiroi të dëgjonte çështjen e Palit. Pali u soll më pas përpara mbretit Agripa.

Lexoni Veprat e Apostujve 26:4–11, duke kërkuar se si Pali ia përshkroi të shkuarën e tij mbretit Agripa.

Siç shënohet te Veprat e Apostujve 26:12–16, Pali sërish tregoi për vegimin e tij me Shpëtimtarin në rrugën për në Damask.

Lexoni Veprat e Apostujve 26:16–18, duke kërkuar misionin që Zoti ia dha Palit. Fjala trashëgim siç përdoret te vargu 18 i drejtohet marrjes së hyrjes në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.

Mendoni për pyetjet vijuese: Çfarë mendoni se ndihmon që të hapen shpirtërisht sytë e një njeriu? Çfarë mund ta ndihmojë dikë të largohet prej errësirës dhe të kthehet drejt dritës dhe urdhërimeve e bekimeve të Perëndisë?

Lexoni Veprat e Apostujve 26:19–23, duke kërkuar atë që Pali tha se ua kishte mësuar si judenjve dhe johebrenjve se duhej të bënin për të marrë bekimet e përmendura në vargun 18.

Sipas vargut 20, çfarë u mësoi Pali të bënin si judenjve dhe johebrenjve?

Një e vërtetë që mund ta mësojmë nga këto vargje është që nëse pendohemi dhe kthehemi te Perëndia, ne mund ta mposhtim fuqinë e Satanit në jetën tonë, mund të marrim falje për mëkatet tona dhe të kualifikohemi për mbretërinë çelestiale. Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta pranë Veprave të Apostujve 26:18–20.

Për t’ju ndihmuar ta kuptoni këtë parim, lexoni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Kur mëkatojmë, ne ikim nga Perëndia. Kur pendohemi, kthehemi përsëri drejt Tij.

Ftesa për pendim rrallëherë është një zë ndëshkimi, por më shumë një thirrje me dashuri për të bërë kthesë e për t’u ‘ri-kthyer’ drejt Perëndisë [shih Helamani 7:17]. Ajo është shenja ftuese e një Ati të dashur dhe e Birit të Tij të Vetëmlindur që të jemi më të mirë sesa jemi, të ngrihemi në një udhë më të lartë jete, të ndryshojmë si dhe të ndiejmë lumturinë prej zbatimit të urdhërimeve” (“Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 40).

Pamja
skicë, shtegu i largimit nga Jezu Krishti dhe i kthimit drejt Tij
  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Nisur nga ajo që keni mësuar nga Pali dhe Plaku Andersen, çfarë mund të arrijmë kur pendohemi dhe kthehemi sërish tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Teksa vazhdoni të studioni Veprat e Apostujve 26, kërkoni atë që i pengoi Festin dhe mbretin Agripa që të pendoheshin, të ktheheshin te Perëndia dhe të ktheheshin në besim te Jezu Krishti.

Lexoni Veprat e Apostujve 26:24–29, duke kërkuar mënyrën se si reaguan Festi dhe mbreti Agripa secili, ndaj mësimeve dhe dëshmisë së Palit për Shpëtimtarin. Në tabelën më poshtë, shkruani fraza që përshkruajnë reagimet e tyre ndaj mësimeve të dhëna nga Pali:

Reagimet ndaj Mësimeve të Dhëna nga Pali

Festi

Mbreti Agripa

Vini re që Festi nuk i besoi mësimet e dhëna nga Pali. Mbreti Agripa i besoi fjalët e profetëve, por nuk do të zotohej tërësisht që të bëhej i krishterë.

Pamja
Pali dhe mbreti Agripa

Pali përpara mbretit Agripa

Një e vërtetë që mësojmë nga Festi dhe mbreti Agripa është se, që të kthehemi në besim te Jezu Krishti, ne duhet të zgjedhim që të besojmë në të jetuarin e ungjillit dhe të jemi tërësisht të zotuar që ta jetojmë ungjillin.

Lexoni tregimin vijues nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, duke kërkuar atë që ai dha mësim rreth zotimit:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Dy vëllezër të vegjël qëndruan në majë të një rrëpire të vogël nga ku hidhej vështrimi mbi ujërat e kthjellëta të një liqeni blu. Ky ishte një vend mjaft i njohur për zhytje dhe vëllezërit shpesh kishin folur rreth hedhjes që atje – diçka që kishin parë të tjerët ta bënin.

Edhe pse dëshironin të hidheshin, asnjëri nuk donte të hidhej i pari. Lartësia e rrëpirës nuk ishte shumë e madhe, por për dy djemtë e vegjël, dukej që largësia shtohej sa herë që fillonin të përkuleshin drejt saj – dhe guximi i tyre po pakësohej me të shpejtë.

Më së fundi, njëri vëlla e vuri këmbën te buza e rrëpirës dhe eci përpara me vendosmëri. Në atë çast vëllai i tij pëshpëriti: ‘Ndoshta duhet të presim deri verën e ardhshme’.

Megjithatë, vrulli i vëllait të parë tashmë po e tërhiqte atë përpara. ‘Vëlla’, u përgjigj ai, ‘unë jam i zotuar!’

Ai u përplas në ujë dhe doli në sipërfaqe me të shpejtë, me një britmë fitimtare. Vëllai i dytë e ndoqi menjëherë. Më pas, që të dy qeshën rreth fjalëve të fundit të djalit të parë përpara se të zhytej në ujë: ‘Vëlla, unë jam i zotuar’.

Zotimi është paksa i ngjashëm me zhytjen në ujë. Ti ose je i zotuar ose nuk je. Ti ose po ecën përpara ose po qëndron palëvizur. Nuk ka rrugë të mesme. Si anëtarë të Kishës, ne duhet të pyesim veten: ‘A do të zhytem tërësisht apo thjesht do qëndroj në buzë? A do të ec përpara apo thjesht do të provoj temperaturën e ujit me gishtat e këmbës sime?’ …

Ata që janë vetëm disi të zotuar, mund të presin vetëm disi që të marrin bekimet e dëshmisë, gëzimit dhe paqes. Pragjet e qiellit mund të jenë vetëm disi të hapura për ta. …

Në njëfarë mënyre, secili prej nesh qëndron te një pikë vendimtare, duke e parë ujin nga lart. Është lutja ime që ne do të kemi besim, do të ecim përpara, do të përballemi me frikën dhe dyshimet tona me kurajë dhe do t’i themi vetes: ‘Unë jam i zotuar!’” (“Brother, I’m Committed”, Ensign, korrik 2011, f. 4–5).

Sipas Presidentit Uhtdorf, përse është e rëndësishme që të jemi tërësisht të zotuar në vend që të jemi “disi të zotuar” në të jetuarin e ungjillit?

  1. Kryeni një ose të dyja veprimtaritë vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Shkruani si ju ka ndihmuar zotimi për ta jetuar një urdhërim ose parim të ungjillit që ta forconi kthimin tuaj në besimin te Jezu Krishti.

    2. Bëni një listë të urdhërimeve ose parimeve të ungjillit për të cilat e ndieni se jeni tërësisht të zotuar për t’i jetuar. Merrni parasysh ndonjë parim të ungjillit që e ndieni “të bëhen[i] të tillë” (Veprat e Apostujve 26:29), por nuk jeni zotuar që ta jetoni. Shkruani një synim të asaj që mund të bëni për ta shtuar kuptueshmërinë dhe zotimin tuaj ndaj njërit prej këtyre parimeve.

Lutuni për ndihmë teksa përpiqeni të bëheni me të vërtetë të kthyer në besimin te Jezu Krishti duke e jetuar më plotësisht ungjillin e Tij.

Te Veprat e Apostujve 26:30–32 ne lexojmë se Festi dhe mbreti Agripa e gjetën Palin të pafajshëm dhe do ta kishin liruar atë, por ngaqë Pali ia kishte apeluar çështjen e tij Cezarit, atyre iu kërkohej ta dërgonin në Romë.

Veprat e Apostujve 27–28

Pali çohet në Romë, ku ai jep mësim dhe dëshmon për Jezu Krishtin

Pamja
tornado

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, iu drejtua sfidave dhe sprovave të jetës si “vorbullat e erërave shpirtërore” (shih “Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 18–21).

Përsiatni shembuj të sprovave dhe vështirësive që mund të krahasohen me vorbullat e erërave në jetën e një njeriu.

Ndërsa studioni Veprat e Apostujve 27–28, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë t’i duroni besnikërisht vorbullat e erërave shpirtërore që hasni.

Veprat e Apostujve 27 tregon se si Pali u çua drejt Romës nëpërmjet detit gjatë muajve të dimrit. Anija pothuajse u shkatërrua gjatë një stuhie dhe Pali e të gjithë njerëzit që ishin në anije, mbetën në ishullin e Melitës ose Maltës (shih Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”, në shtojcën e kombinimit tresh).

  1. Lexoni Veprat e Apostujve 28:1–10 dhe Veprat e Apostujve 28:16–24, duke kërkuar atë që përjetoi Pali në ishull dhe në Romë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni një figurë dhe shkruani një titull të një artikulli gazete që përmbledh ngjarjet e përshkruara në secilin prej këtyre fragmenteve të shkrimit të shenjtë.

Merrni parasysh sprovat që përjetoi Pali, të cilat u shënuan te Veprat e Apostujve 23–28: ai u burgos padrejtësisht, iu mbyt anija, u pickua nga një gjarpër helmues dhe u çua në Romë, ku jetoi në një shtëpi si i burgosur.

Lexoni Veprat e Apostujve 28:30–31, duke kërkuar atë që Pali ishte në gjendje të bënte në Romë pavarësisht nga të jetuarit në një shtëpi si i burgosur.

Çfarë bëri Pali që tregoi se ai mbeti besnik ndaj Perëndisë pavarësisht nga sprovat që përjetoi?

Çfarë e mire erdhi nga sprovat që përjetoi Pali ndërsa ishte në det, teksa mbytej anija dhe ndërkohë që ishte i burgosur në Romë?

Një parim që mund ta mësojmë nga përvojat e Palit është që nëse jemi besnikë, Perëndia mund të na ndihmojë t’i kthejmë sprovat në bekime për veten tonë dhe të tjerët.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilët janë disa shembuj të mënyrave se si Perëndia mund t’i ndihmojë njerëzit që t’i kthejnë sprovat në bekime për veten e tyre dhe për të tjerët?

    2. Kur ju ka ndihmuar Perëndia ju ose dikë që njihni, për ta kthyer një sprovë në një bekim për veten tuaj ose për të tjerët?

Bëni zgjedhjen që ta ndiqni shembullin e Palit dhe të mbeteni besnikë kur përjetoni sprova, me qëllim që Perëndia të mund t’ju ndihmojë për t’i kthyer ato sprova në bekime për veten tuaj dhe për të tjerët.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 23–28 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër