Biblioteka
Njësia 18, Dita 4: Veprat e Apostujve 10–12


Njësia 18: Dita 4

Veprat e Apostujve 10–12

Hyrje

Perëndia i zbuloi në një vegim Pjetrit se ungjilli duhej t’u predikohej johebrenjve. Pjetri ia mësoi ungjillin Kornelit dhe familjes së tij e më vonë sheshoi grindjen mes shenjtorëve judeas rreth ungjillit që po u predikohej johebrenjve. Puna e Zotit vazhdoi të ecte përpara pavarësisht nga përndjekja. Herod Agripa I, nipi i Herodit të Madh, vrau Apostullin Jakob dhe më pas arrestoi e burgosi Pjetrin. Natën përpara se Pjetri të ekzekutohej, një engjëll e ndihmoi të arratisej nga burgu. Herodi u godit nga një engjëll i Perëndisë dhe ungjilli vazhdoi të ecte përpara.

Veprat e Apostujve 10

Perëndia i zbulon Pjetrit në një vegim se ungjilli duhet të predikohet te johebrenjtë

Çfarë ju jep vetëbesim për ta ndjekur dikë?

Përfytyroni sikur jeni me një grup njerëzish që e kanë humbur udhën. Shumë anëtarë të grupit ofrojnë ta udhëheqin çdo njeri drejt sigurisë, secili duke sugjeruar një udhë të ndryshme. Çfarë do të përcaktonte apo do të ndikonte se cilin person do të ndiqnit?

Ndërsa studioni Veprat e Apostujve 10–12, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të fitoni vetëbesim në ndjekjen e atyre që Zoti i ka thirrur për ta udhëhequr Kishën e Tij.

Deri në këtë pikë në kohët e Dhiatës së Re, ungjilli u ishte predikuar, me pak përjashtime, vetëm judenjve. Madje Jezusi u predikoi vetëm “dele[ve të] humbura të shtëpisë së Izraelit” dhe i urdhëroi Apostujt e Tij të bënin të njëjtën gjë (shih Mateu 10:5–6). Mirëpo, Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij se pasi Fryma e Shenjtë të vinte mbi ta, ata do ta predikonin ungjillin “deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8). Te Veprat e Apostujve 10 ne lexojmë rreth një ndryshimi të rëndësishëm në mënyrën se si Kisha vepronte, që do të ndihmonte për të ndodhur kjo gjë.

Lexoni Veprat e Apostujve 10:1–2, duke kërkuar hollësi rreth një johebreu të quajtur Kornel.

Korneli ishte një centurion. Një centurion ishte “një oficer në ushtrinë romake në komandë të një kompanie me 50 deri 100 burra. Një kompani e tillë formonte një të gjashtëdhjetën e një legjioni romak” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Centurion”, f. 20, scriptures.lds.org).

Sipas procedurës në Kishë në atë kohë, si johebre, Korneli nuk mund të bashkohej me Kishën e Krishtit pa u kthyer fillimisht në besimin e judaizmit. Edhe pse Korneli nuk mund të bashkohej me Kishën si një johebre, si e tregoi ai besimin e tij te Perëndia?

Pamja
Pjetri dhe Korneli

Siç shënohet te Veprat e Apostujve 10:3–48, Pjetri pati një vegim që ai fillimisht nuk e kuptoi. Megjithatë, duke e ndjekur Shpirtin, Pjetri iu paraqit Kornelit, që kishte parë një vegim në të cilin një engjëll i tha se Zoti i kishte dëgjuar lutjet e Kornelit. Pjetri hyri në shtëpinë e Kornelit dhe ua mësoi ungjillin atij dhe familjes së tij. Fryma e Shenjtë zbriti mbi çdo njeri në shtëpi. Pjetri e kuptoi se vegimi i tij, në të cilin u urdhërua të hante kafshë që përcaktoheshin si të papastra, ishte një udhëzim qiellor për t’ua predikuar ungjillin johebrenjve dhe për t’i lejuar ata të pagëzoheshin pa u kthyer fillimisht në judaizëm.

  1. Plotësoni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Lexoni Veprat e Apostujve 10:34–35 dhe shënoni ndonjë mendim ose ndjenjë që keni rreth asaj që thuhet se Pjetri mësoi në këto dy vargje.

    2. Lexoni 2 Nefin 26:33 dhe më pas përgjigjiuni pyetjes vijuese: Çfarë do të thotë që “Perëndia nuk tregohet i anshëm” (Veprat e Apostujve 10:34)?

Merrni parasysh se çfarë thotë thënia vijuese rreth Perëndisë që nuk tregohet “i anshëm”:

“Ungjilli i Jezu Krishtit është për këdo. Libri i Mormonit deklaron: ‘Të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … të gjithë janë njësoj para Perëndisë’ (2 Nefi 26:33). Ky është mësimi zyrtar i Kishës.

Njerëz të të gjitha racave janë mirëpritur dhe pagëzuar gjithmonë në Kishë, që nga fillimi i saj. …

Kisha e kundërshton pa asnjë mëdyshje racizmin, përfshirë çfarëdo racizëm dhe të gjithë racizmin e së shkuarës, nga individë si jashtë ashtu edhe brenda Kishës. Në vitin 2006, Gordon B. Hinkli, presidenti i atëhershëm i Kishës, shpalli se ‘asnjë njeri që bën vërejtje përçmuese lidhur me njerëzit e racave të tjera, nuk mund ta konsiderojë veten një dishepull të vërtetë të Krishtit. As nuk mund ta konsiderojë veten të jetë në harmoni me mësimet e Kishës. … Le ta pranojmë të gjithë se secili prej nesh është një bir ose bijë e Atit tonë në Qiell, i cili i do të gjithë fëmijët e Tij’ [“The Need for Greater Kindness”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 58]” (“Race and the Church: All Are Alike unto God”, mormonnewsroom.org/article/race-church).

Veprat e Apostujve 11:1–18

Pjetri sheshon grindjen mes shenjtorëve judeas rreth predikimit të ungjillit te johebrenjtë

Nga ajo që lexuat te Veprat e Apostujve 10:28, si mendoni se mund të jenë ndier shenjtorët judeas kur dëgjuan rreth ndërveprimit të Pjetrit me një johebre?

Lexoni Veprat e Apostujve 11:1–3, duke kërkuar mënyrën se si dishepujt iu përgjigjën asaj që kishte bërë Pjetri.

Siç shënohet te Veprat e Apostujve 11:4–15, Pjetri u përshkroi dishepujve vegimet që kishte marrë ai dhe Korneli. Ai u tha atyre se Korneli dhe familja e tij i kishin pranuar mësimet e Jezu Krishtit dhe më pas kishin përjetuar fuqinë e Frymës së Shenjtë në të njëjtën mënyrë sipas së cilës e kishin përjetuar Pjetri dhe dishepujt e tjerë.

Lexoni Veprat e Apostujve 11:16–17, duke kërkuar vërejtjet përmbyllëse të Pjetrit drejtuar dishepujve.

Çfarë mendoni se donte të thoshte Pjetri kur tha: “Kush isha unë që të mund t’i kundërvihesha Perëndisë?” (Veprat e Apostujve 11:17)?

Lexoni Veprat e Apostujve 11:18, duke kërkuar se si dishepujt iu përgjigjën shpjegimit të Pjetrit.

Si u përgjigjën dishepujt pasi mësuan se Pjetri ishte udhëhequr nga Perëndia?

Sa vijon është një parim që mund ta mësojmë nga ky rrëfim: Kur e dimë që ata të cilët kryesojnë mbi kishën udhëhiqen nga Perëndia, ne mund t’i mbështetim dhe ndjekim ata me vetëbesim. Ky parim është pohuar në shkrimin e shenjtë të ditëve të mëvonshme, i cili shënon që Perëndia ua ka zbuluar vullnetin e Tij atyre që mbajnë çelësat e priftërisë për të kryesuar mbi Kishën (shih DeB 1:38; 28:2, 7; 42:11; 107:65–66).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si keni arritur të dini se ata që kryesojnë mbi Kishën udhëhiqen nga Perëndia?

    2. Çfarë këshille nga profetët keni zgjedhur të ndiqni ngaqë e dini se profetët udhëhiqen nga Perëndia?

  2. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një synim për të fituar një dëshmi më të fortë se ata që kryesojnë mbi Kishën udhëhiqen nga Perëndia.

Veprat e Apostujve 11:19–30

Puna e Zotit ecën përpara pavarësisht nga përndjekja

Veprat e Apostujve 11:19–26 shënon se për shkak të përndjekjes, disa dishepuj u shpërndanë anembanë krahinës, por me besnikëri e predikuan ungjillin e Jezu Krishtit kudo që shkuan. Veprat e Apostujve 11:27–30 shënon që profetët shkuan “nga Jeruzalemi në Antioki” dhe që njëri nga profetët, Agabi, dëshmoi se do të kishte zi buke. Përpjekje u bënë më pas për t’u dhënë ndihmë njerëzve në Jude.

Veprat e Apostujve 12:1–17

Herodi vret Jakobin dhe arreston Pjetrin, i cili nëpërmjet një mrekullie arratiset nga burgu

Pamja
busulla

Një busull tregon veriun ngaqë Poli Verior magnetik i tokës e tërheq cepin verior të magnetit të busullës. Vizatoni një X diku pranë busullës (por jo pranë pikës së veriut të busullës) dhe përfytyroni se shenja X përfaqëson një magnet që mbahet në dorë.

Si do të ndikonte ky magnet në lëvizjen e shigjetës së busullës?

Si do të ndikonte kjo në aftësinë tonë për të bërë zgjedhjen e duhur se në çfarë drejtimi duhet të shkojmë?

Teksa studioni Veprat e Apostujve 12, kërkoni një ndikim që mund të ndërhyjë në aftësinë tonë për të marrë vendimet e duhura.

Që nga martirizimi i Stefanit, anëtarët e Kishës në Jerusalem dhe përreth tij patën përjetuar përndjekje në rritje. Lexoni Veprat e Apostujve 12:1–4, duke kërkuar se si mbreti Herod Agripa luajti rol në këtë përndjekje.

Cilin e bëri Herodi të vritej?

Jakobi i përmendur në vargun 2 ishte Apostulli Jakob, vëllai i Apostullit Gjon dhe biri i Zebedeut. Sipas analeve, Jakobi ishte Apostulli i parë i martirizuar në Kishën e hershme të krishterë. Ai ishte gjithashtu anëtar i Presidencës së Parë bashkë me Pjetrin dhe Gjonin.

Sipas Veprave të Apostujve 12:3, cilët u kënaqën me vdekjen e Jakobit?

Fraza “Judenjve” në vargun 3 iu drejtohet udhëheqësve judeas me ndikim të madh në Jerusalem, të cilët e nxitën përndjekjen ndaj Kishës së Jezu Krishtit. Herod Agripa “ishte i shqetësuar që të shihej si një jude ortodoks” (Bible Dictionary, “Herod”) dhe u përpoq t’i kënaqte këta udhëheqës judeas. Ngjitur shenjës X pranë busullës, shkruani: Nëse kërkojmë t’i kënaqim njerëzit e tjerë në vend të Perëndisë, atëherë …

Çfarë bëri Herodi pasi e pa që vrasja e Jakobit i kënaqi udhëheqësit judeas? (Vini re se një skuadër është e përbërë nga katër ushtarë.)

Duke marrë parasysh figurën e busullës dhe shenjën X, si ndikoi dëshira e Herodit për t’i kënaqur njerëzit e tjerë në vend të Perëndisë në drejtimin e tij në jetë?

Në bazë të asaj që mund të mësojmë nga shembulli i Herodit, plotësoni parimin vijues: Nëse kërkojmë t’i kënaqim njerëzit e tjerë në vend të Perëndisë, atëherë .

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përveç shembullit të Herodit, cilët janë disa shembuj të tjerë që tregojnë se si përpjekja për t’i kënaqur njerëzit e tjerë në vend të Perëndisë, mund ta udhëheqë dikë drejt mëkatit?

    2. Cilat janë disa mënyra që një dëshirë për t’i kënaqur njerëzit e tjerë mund t’ju drejtojë që të largoheni nga Ati juaj në Qiell? Çfarë do të bëni për t’i bërë ballë çuarjes drejt mëkatit?

Përsiatni mënyra se si mund të jeni duke e lejuar dëshirën tuaj për t’i kënaqur njerëzit e tjerë që t’ju çojë larg prej Atit tuaj në Qiell.

Lexoni Veprat e Apostujve 12:5–6. Çfarë po bënin anëtarët e Kishës në këtë kohë?

Lexoni Veprat e Apostujve 12:7–10. Përmes çfarë kufizimesh dhe pengesash kaloi Pjetri gjatë arratisjes së tij?

Pamja
engjëlli dhe Pjetri në burg

Një engjëll i Zotit e çliroi Pjetrin nga burgu.

Lexoni Veprat e Apostujve 12:11–15. Kur e kuptoi Pjetri se çfarë kishte ndodhur ishte e vërtetë dhe jo një vegim?

Çfarë ndodhi kur Pjetri trokiti te dera e shtëpisë së Marisë?

Lexoni Veprat e Apostujve 12:16–17. Cilit ia dha Pjetri meritën për nxjerrjen e tij nga burgu?

Shihni sërish te Veprat e Apostujve 12:5 dhe merrni parasysh se si ky varg lidhet me nxjerrjen e Pjetrit nga burgu.

Çfarë mendoni se sugjeron fraza “bënin lutje të vazhdueshme” (Veprat e Apostujve 12:5) rreth sinqeritetit dhe zellshmërisë së lutjeve të anëtarëve të Kishës?

Ky rrëfim tregon të vërtetën që lutjet tona të sinqerta dhe të zellshme i ftojnë mrekullitë dhe bekimet e Perëndisë në jetën tonë dhe në jetën e njerëzve të tjerë.

Çfarë do të thotë të lutemi me sinqeritet dhe zellshmëri?

Ky parim nuk do të thotë që nëse lutjet tona janë të sinqerta dhe të zellshme, ne menjëherë do të marrim atë për të cilën po lutemi. Faktorë të tjerë që luajnë rol në marrjen e mrekullive dhe bekimeve të Perëndisë, përfshijnë vullnetin dhe kohën e Perëndisë, si edhe lirinë e individit për të zgjedhur.

Lexoni thënien vijuese, duke kërkuar përse lutja është e rëndësishme: “Lutja është akti me anën e të cilit vullneti i Atit dhe vullneti i fëmijës vijnë në bashkërendim me njëri-tjetrin. Qëllimi i lutjes nuk është të ndryshohet vullneti i Perëndisë, por të sigurojmë për veten tonë dhe të tjerët bekimet që Perëndia është tashmë i gatshëm për t’i dhënë, por që ne duhet t’i kërkojmë që të mund t’i marrim. Bekimet kërkojnë një farë pune ose përpjekjeje nga ana jonë përpara se të mund t’i sigurojmë ato. Lutja është një formë pune dhe është një mjet i caktuar për të siguruar bekimet më larta nga të gjitha bekimet” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutje”, f. 107–108).

  1. Përgjigjiuni dy ose të gjitha pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Sipas kësaj thënieje nga Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, cili është një qëllim i rëndësishëm i lutjes?

    2. Përse është e rëndësishme të kujtojmë se qëllimi i lutjes nuk është ta ndryshojë vullnetin e Perëndisë?

    3. Kur i ka ftuar lutja mrekullitë dhe bekimet e Perëndisë në jetën tuaj ose në jetën e njerëzve të tjerë për të cilët jeni lutur?

Përsiatni për kë ose për çfarë mund të jeni duke u lutur. Merrni parasysh se si mund të jeni në gjendje të luteni me më shumë sinqeritet e zellshmëri, me qëllim që të ftoni bekimet dhe mrekullitë që Perëndia është i gatshëm t’i japë mbi ju dhe mbi të tjerët.

Veprat e Apostujve 12:18–25

Herodi goditet nga një engjëll i Perëndisë dhe ungjilli vazhdon të ecë përpara

Veprat e Apostujve 12:18–25 shënon se Herodi mësoi për nxjerrjen e Pjetrit nga burgu dhe i vrau rojet që mendoi se ishin përgjegjës për ta lejuar Pjetrin të largohej. Në këto vargje ne gjithashtu mësojmë se Herodi u mbajti një fjalim njerëzve, të cilët e mbuluan me lavdërim dhe shpallën se ai fliste si një perëndi. Ngaqë Herodi nuk ia dha lavdinë Perëndisë, një engjëll e goditi atë me një sëmundje dhe ai vdiq.

Është e rëndësishme të kuptohet që ndëshkimi i Perëndisë për të ligjtë është në përputhje me vullnetin dhe kohën e Tij. Jo të gjithë njerëzit e ligj ndëshkohen menjëherë (shih Alma 14:10–11).

Sipas Veprave të Apostujve 12:24, çfarë i ndodhi punës misionare të Kishës pavarësisht nga përndjekja që hasën anëtarët e Kishës?

Shqyrtoni të vërtetat që mësuat në këtë mësim dhe përsiatni se si mund t’i zbatoni ato në jetën tuaj.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 10–12 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër