Biblioteka
Njësia 19, Dita 3: Veprat e Apostujve 16–17


Njësia 19: Dita 3

Veprat e Apostujve 16–17

Hyrje

Fryma e Shenjtë i udhëzoi Palin dhe shoqëruesit e tij që ta predikonin ungjillin në Maqedoni (Greqia veriore). Pasi Pali e nxori jashtë një frymë të ligë nga një vajzë shërbëtore, ai dhe Sila u rrahën dhe u burgosën. Atë natë, ata u çliruan në mënyrë të mrekullueshme nga burgu, pas së cilës ata e pagëzuan rojën e burgut dhe familjen e tij. Pali dhe Sila gjithashtu e dhanë mësim ungjillin në Thesaloniki dhe Berea. Përndjekja nga mosbesuesit në këto qytete e detyroi Palin të largohej me të shpejtë për në Athinë, ku, në Areopag [Kodra e Marsit], ai u dha mësim njerëzve rreth natyrës së vërtetë të Perëndisë.

Veprat e Apostujve 16:1–15

Pali dhe shoqëruesit e tij predikojnë ungjillin në Maqedoni

Një nxitje u drejtohet ndjenjave ose mbresave që i marrim nga Fryma e Shenjtë për të thënë ose bërë diçka.

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Presidenti Tomas S. Monson tregoi një përvojë që pati kur ndoqi një nxitje për të shkuar dhe për t’i dhënë një bekim priftërie një miku në spital. Kjo bëri që t’i shpëtohej jeta mikut të vet. Presidenti Monson tha se ai atë ditë mori mësimin vijues: “Kurrë, kurrë, kurrë mos e shty një nxitje” (“The Spirit Giveth Life”, Ensign, qershor 1997, f. 5).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani Kurrë mos e vononi përgjigjen ndaj një nxitjeje nga Zoti. Poshtë asaj thënieje shkruani rreth pasojave të mundshme pozitive të të kushtuarit vazhdimisht vëmendje ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë.

Teksa studioni Veprat e Apostujve 16, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë ta kuptoni më tej rëndësinë e kushtimit të vëmendjes ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë.

Te Veprat e Apostujve 16:1–5 ne lexojmë se Pali, Sila dhe Timoteu udhëtuan drejt disa degëve të Kishës për të shpallur vendimet që kishin marrë udhëheqësit e Kishës në Jerusalem, të cilat do të ndikonin në të gjithë Kishën dhe do ta forconin besimin e anëtarëve të Kishës.

Lexoni Veprat e Apostujve 16:6–10, duke kërkuar se si Pali dhe shoqëruesit e tij, të cilët ka të ngjarë të përfshinin Llukën, e dinin se ku të shkonin teksa udhëtonin. Ju mund të doni të drejtoheni te Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”, për vendet ku udhëtoi Pali.

Vini re te Veprat e Apostujve 16:10 që Pali dhe shoqëruesit e tij iu bindën Shpirtit dhe iu përgjigjën “menjëherë” vegimit që kishte marrë Pali.

Ne lexojmë te Veprat e Apostujve 16:11–13 se Pali dhe Sila udhëtuan nga Troasi derisa mbërritën në Filipi, një qytet në Maqedoni. Në ditën e Shabatit, ata dolën nga qyteti për t’u lutur pranë bregut të një lumi dhe filluan të flisnin me gratë e mbledhura atje.

Pamja
Lidia, me pëlhurën dhe poçen me ngjyrues

“Lidia, që ishte tregtare të purpurtash” (Veprat e Apostujve 16:14)

Lexoni Veprat e Apostujve 16:14–15, duke kërkuar mënyrën se si një grua e quajtur Lidia iu përgjigj mësimeve të dhëna nga Pali. Në vargun 14 fraza “tregtare të purpurtash” i drejtohet faktit se Lidia shiste bojë me ngjyrë të purpurt, që ishte shumë e shtrenjtë, dhe ndoshta do të thotë që ajo ishte një grua me pasuri dhe ndikim. Fraza për të dëgjuar do të thotë që ajo kushtoi vëmendje ose vuri vesh.

Çfarë frazash te Veprat e Apostujve 16:14 tregojnë që Lidia ishte gati ta pranonte ungjillin?

Nga përvoja e Palit mund të mësojmë se kur ndjekim zbulesën që na është dhënë nga Perëndia, ne mund të udhërrëfehemi drejt atyre që janë të gatshëm për ta pranuar ungjillin.

Lexojeni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe shenjoni atë që ai tha se duhet të bëjmë për t’u udhërrëfyer drejt atyre që janë gati për ta pranuar ungjillin:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ne duhet të lutemi për ndihmën dhe udhëzimet e Zotit që të mund të jemi mjete në duart e Tij për dikë që tani është gati – personin që Ai do që ne ta ndihmojmë sot. Më pas, ne duhet të jemi vigjilentë për të dëgjuar dhe për t’ua vënë veshin nxitjeve të Shpirtit të Tij lidhur me mënyrën se si të veprojmë.

Ato nxitje do të vijnë. Ne e dimë nga dëshmi të panumërta vetjake se në vetë mënyrën e Tij dhe në vetë kohën e Tij Zoti po i përgatit njerëzit që ta pranojnë ungjillin e Tij. Njerëz të tillë po kërkojnë, dhe kur ne përpiqemi t’i përcaktojmë ata, Zoti do t’iu përgjigjet lutjeve të tyre duke iu përgjigjur lutjeve tona. Ai do t’i nxitë dhe udhërrëfejë ata që dëshirojnë dhe ata që me çiltërsi kërkojnë udhërrëfim lidhur me mënyrën, vendin, kohën dhe personin që ta ndajnë ungjillin e Tij” (“Sharing the Gospel”, Ensign, nëntor 2001, f. 8).

  1. Përsiatni për një kohë kur ju ose dikush që e njihni, i kushtoi vëmendje nxitjeve të Frymës së Shenjtë dhe gjeti dikë që ishte gati ta pranonte ungjillin ose kur dikush i ndoqi nxitjet e Frymës së Shenjtë për t’ju gjetur juve kur ishit gati ta pranonit ungjillin. Shënojeni përvojën në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Përpiquni ta ndiqni këshillën e dhënë nga Plaku Ouks duke u lutur për ndihmën e Zotit dhe më pas duke i ndjekur nxitjet e Shpirtit për ta ndarë ungjillin me njerëzit përreth jush.

Veprat e Apostujve 16:16–40

Pali dhe Sila burgosen dhe më pas lirohen

Lexoni Veprat e Apostujve 16:16–18, duke kërkuar atë që bëri Pali kur u takua me një “skllave [të] re” (Veprat e Apostujve 16:16), ose një vajzë shërbëtore, e cila ishte pushtuar nga një frymë e ligë. Falli (Veprat e Apostujve 16:16) është “çdo metodë supersticioze e përpjekjes për të zbuluar drejtimin e ngjarjeve të ardhshme. Praktika të tilla janë gjetur mes të gjitha kombeve dhe në çdo epokë; ato shpesh dënohen në shkrimet e shenjta” (Bible Dictionary, “Divination”).

Lexoni Veprat e Apostujve 16:19–21, duke kërkuar mënyrën se si u përgjigjën zotërinjtë e vajzës shërbëtore ndaj veprimeve të Palit.

Sipas Veprave të Apostujve 16:19, përse u zemëruan ata?

Te Veprat e Apostujve 16:22–24 ne mësojmë se turma dhe autoritetet vendore urdhëruan që Pali dhe Sila të rriheshin dhe të futeshin në burg.

  1. Kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Lexoni fragmentet e shkrimit të shenjtë, të renditura në tabelë dhe vizatoni një figurë të thjeshtë në tabelën tuaj që të tregojë atë që po përshkruhet në secilin fragment.

    Veprat e Apostujve 16:25


    Veprat e Apostujve 16:26


    Veprat e Apostujve 16:27–28


    Veprat e Apostujve 16:29–30


    Veprat e Apostujve 16:31–32


    Veprat e Apostujve 16:33–34


Vini re te Veprat e Apostujve 16:31 mënyrën se si Pali dhe Sila iu përgjigjën pyetjes së rojës së burgut: “Ç’duhet të bëj unë që të shpëtohem?” ( Veprat e Apostujve 16:30). Çfarë bëri roja i burgut më pas për ta treguar besimin e tij në Jezu Krishtin?

Nga mësimet e Palit dhënë rojës së burgut, ne mësojmë që shpëtimi kërkon besim në Jezu Krisht dhe ne e shfaqim besimin tonë tek Ai nëpërmjet pagëzimit.

Shpëtim do të thotë “të shpëtohesh si nga vdekja fizike ashtu dhe ajo shpirtërore” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpëtim”, f, 182, scriptures.lds.org). Si mund ta tregojë pagëzimi besimin tonë në Jezu Krisht?

Përveç pagëzimit, cilat janë mënyra të tjera sipas të cilave mund ta tregojmë besimin tonë në Jezu Krisht?

Te Veprat e Apostujve 16:35–40 ne mësojmë se pretorët i dërguan fjalë rojës së burgut që t’i linte të shkonin Palin dhe Silën. Pali nuk pranoi të ikte ngaqë ai i njihte të drejtat e tij si qytetar romak dhe e dinte që trajtimi i tyre ndaj tij ishte i padrejtë. Ishte e paligjshme të goditej një qytetar romak pa mbajtur fillimisht një gjyq. Kur pretorët mësuan se Pali dhe Sila ishin romakë, ata u frikësuan. Pretorët erdhën te burgu, i liruan Palin e Silën dhe iu kërkuan atyre të largoheshin nga qyteti.

Veprat e Apostujve 17:1–15

Disa prej judenjve në Thesaloniki përpiqen ta ndalojnë Palin të predikojë ungjillin

Mendoni rreth këshillës që do t’ju jepnit individëve në skenarët vijues:

  • Një i ri që është anëtar i Kishës, dëgjon një anëtar të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të flasë rreth rëndësisë së martesës dhe familjes në planin e Atit Qiellor. Disa prej shokëve të të riut shprehin mospajtimin e tyre me mësimet e Apostullit. I riu dëshiron të dijë vetë nëse mësimet e dhëna nga Apostulli janë të vërteta.

  • Një e re e vë në dyshim rëndësinë e mbajtjes së ditës së Shabatit të shenjtë. Shumica e shoqeve të saj mblidhen së bashku të dielave për të shkuar në pazar, për të ngrënë në restorant ose për të shkuar në kinema. Nëna e saj shpjegon bekimet që mund të vijnë nga nderimi i Zotit të dielën, por e reja ende e ka të vështirë të besojë se mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë është e rëndësishme.

Teksa studioni Veprat e Apostujve 17, kërkoni parime që do t’ju ndihmojnë të dini për veten tuaj vërtetësinë e mesazheve që marrim nga shërbëtorët e Zotit.

Te Veprat e Apostujve 17:1 ne mësojmë se Pali dhe Sila udhëtuan drejt Thesalonikit, ku ata dhanë mësim në sinagogën judease.

Lexoni Veprat e Apostujve 17:2–3, duke kërkuar se çfarë përdori Pali për t’u dhënë mësim judenjve se Jezusi ishte Krishti, Mesia.

Fraza duke treguar te vargu 3 do të thotë duke shpallur ose duke deklaruar. Pali i përdori fragmentet e shkrimit të shenjtë si provë për të mbështetur dëshminë e tij se Jezusi është Krishti.

Lexoni Veprat e Apostujve 17:4–5, duke kërkuar mënyrën se si njerëzit e Thesalonikit iu përgjigjën mësimeve të dhëna nga Pali. Fjala bashkuan te vargu 4 do të thotë u mblodhën me ta, dhe fjala të këqij te vargu 5 do të thotë të ligj.

Te Veprat e Apostujve 17:6–9 ne mësojmë se një turmë jobesimtarësh u përpoq të gjente Palin dhe Silën, por kur nuk mundi t’i gjente, turma mori disa prej besimtarëve, shkoi te krerët e Thesalonikit dhe shpalli që mësimet e dhëna nga Pali kërcënonin autoritetin e Cezarit.

Lexoni Veprat e Apostujve 17:10–12, duke kërkuar se për ku u larguan Pali e Sila dhe se si judenjtë atje iu përgjigjën mësimeve të dhëna nga Pali.

Merrni parasysh të shenjoni te Veprat e Apostujve 17:11 se çfarë bënë njerëzit që çoi drejt besimit të tyre te mësimet e dhëna nga Pali. Më pas, plotësoni ekuacionin vijues me veprimet që shenjuat:

__________________________ + _____________________________ = Besim

Për ta kuptuar më mirë se çfarë do të thotë ta “pran[osh] fjalën me gatishmëri të madhe” (Veprat e Apostujve 17:11), përfytyroni se si ngjan kur dikush është gati për ta kapur një top. Tani përfytyroni se si mund të duket nëse dikush nuk është gati për ta kapur një top. Si mund të duket kur dikush është gati për t’i pranuar fjalët e shërbëtorëve të Perëndisë? Si mund të duket nëse dikush nuk është gati për t’i pranuar fjalët e shërbëtorëve të Perëndisë?

Dikush që e pranon fjalën me gatishmëri të mendjes, është dikush që është i përulur, i duruar dhe i gatshëm për ta ndjekur vullnetin e Zotit ndërkohë që ai ose ajo e mëson atë (shih Mosia 3:19).

Nga Veprat e Apostujve 17:10–12 ne mësojmë që nëse i pranojmë fjalët e shërbëtorëve të Perëndisë me gatishmëri të madhe të mendjes dhe i shqyrtojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, atëherë do të forcohet besimi ynë në fjalët e tyre.

  1. Rishikojini skenarët e përshkruar në fillim të kësaj pjese dhe më pas përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund t’i ndihmojë ky parim njerëzit në këta skenarë?

    2. Në çfarë mënyre mund ta ndihmojë aftësinë tonë për ta besuar të vërtetën gatishmëria për të mësuar?

    3. Në çfarë mënyre mund të ndikojë në aftësinë tonë për ta besuar të vërtetën studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta?

Merrni parasysh raste kur keni dëshmuar për vërtetësinë e këtij parimi. Ju mund të merrni parasysh që t’ia tregoni përvojat tuaja një shoku, shoqeje ose një pjesëtari të familjes.

Te Veprat e Apostujve 17:13–15 ne mësojmë se kur judenjtë në Thesaloniki dëgjuan që Pali po predikonte në Berea, ata shkuan që t’i provokonin njerëzit e Bereas. Palit sërish iu desh të largohej me të shpejtë, kështu që udhëtoi drejt Athinës.

Veprat e Apostujve 17:16–34

Pali predikon në Areopag

Pamja
Pali duke dhënë mësim

Pali dha mësim në Areopag.

Te Veprat e Apostujve 17:16–34 ne mësojmë se në Athinë Pali vuri re një altar me mbishkrimin “Perëndisë së panjohur” (Veprat e Apostujve 17:23). Pali atëherë u dha mësim athinasve rreth natyrës së Perëndisë së vërtetë – Atit Qiellor – Perëndisë që ata nuk e njihnin.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 16–17 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër