Biblioteka
Njësia 21, Dita 1: Romakëve 8–11


Njësia 21: Dita 1

Romakëve 8–11

Hyrje

Apostulli Pal dha mësim rreth bekimeve që vijnë nga të qenit i lindur shpirtërisht dhe nënshtrimit ndaj vullnetit të Atit Qiellor. Ai dha mësim rreth mospranimit nga ana e Izraelit të besëlidhjes së Perëndisë të bërë me Abrahamin dhe pasardhjen e tij. Pali dha mësim se populli i zgjedhur i Perëndisë përcaktohej më tepër nga besnikëria e tyre ndaj besëlidhjes sesa nga prejardhja, dhe ai dha mësim rreth çuarjes së ungjillit te johebrenjtë.

Romakëve 8

Pali përshkruan bekimet e të qenit i lindur shpirtërisht

A njihni ndokënd që ka trashëguar diçka me vlerë të madhe apo me rëndësi nga dikush tjetër? Për shembull, ndonjëherë një prind apo një gjysh i jep diçka me vlerë të madhe fëmijëve ose nipërve e mbesave të vet.

Nëse ju do të mund të trashëgonit pasurinë e dikujt, pasurinë e kujt do të zgjidhnit dhe përse do ta donit atë?

Mendoni për bekimet që do të merrnit nëse do të trashëgonit gjithçka që zotëron Ati juaj Qiellor. Ndërsa studioni Romakëve 8:1–18, kërkoni atë që duhet të bëjmë ne për të qenë trashëgimtarë të gjithçkaje që ka Ati Qiellor.

Lexojeni Romakëve 8:1, 5–7, 13, duke kërkuar atë që dha mësim Apostulli Pal rreth të ecurit “sipas mishit”, ose nënshtrimit ndaj prirjes natyrore për të mëkatuar, dhe të ndjekurit “sipas Frymës”.

Në këto vargje, Pali dha mësim rreth dy qëndrimeve të ndryshme: të qenit me “mendj[e të] kontrolluar nga mishi” dhe të qenit me “mendj[e të] kontrolluar nga Fryma” (Romakëve 8:6). Të jesh me mendje të kontrolluar nga mishi lidhet me kënaqësitë fizike, pasionet dhe epshet e trupit fizik. Çfarë mendoni se do të thotë të kesh mendj[e të] kontrolluar nga Fryma?

Fraza “i bëni të vdesin veprat e trupit” (Romakëve 8:13) do të thotë t’i mposhtim ose të çlirohemi nga dobësitë, tundimet dhe mëkatet që lidhen me trupin tonë të vdekshëm (shih Romakëve 8:13, poshtëshënimin b [në variantin shdm të Biblës në anglisht]; Mosia 3:19). Nga ky varg ne mësojmë që nëse e ndjekim ndikimin e Shpirtit, ne mund ta mposhtim prirjen për të mëkatuar.

Lexojeni Romakëve 8:14–17, duke kërkuar mënyrën se si i quan Pali ata që e ndjekin Shpirtin. Fjala bijvargun 14 do të thotë fëmijë dhe përfshin bijat (shih DeB 25:1).

Shkrimet e shenjta flasin për ne si “bij të Perëndisë” (Romakëve 8:16) në më shumë se një kuptim. Së pari, çdo qenie njerëzore është në mënyrë të drejtpërdrejtë një fëmijë i dashur shpirtëror i Atit Qiellor. Së dyti, ne lindemi sërish si fëmijë të Perëndisë nëpërmjet një marrëdhënieje besëlidhëse me Jezu Krishtin kur ne pendohemi, pagëzohemi dhe marrim Frymën e Shenjtë.

Birësimi ishte i zakonshëm në botën romake dhe do të ketë qenë një koncept i njohur për lexuesit e Palit. Një njeri që e birësonte dikë ligjërisht, i jepte atij personi të gjitha të drejtat dhe privilegjet që do të kishte një fëmijë i lindur nga gjaku. Prandaj, kur ne e marrim “frymën e birërisë” (Romakëve 8:15) nëpërmjet hyrjes në besëlidhjen e ungjillit, ne bëhemi fëmijë të Perëndisë dhe “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Romakëve 8:17).

Në Librin e Mormonit, mbreti Beniamin dha gjithashtu mësim mbi mënyrën se si ne mund të bëhemi “fëmijët e Krishtit” (shih Mosia 5:5–10).

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se Jezu Krishti “bëhet Ati ynë … për shkak se Ai na jep jetë, jetë të përjetshme, nëpërmjet shlyerjes të cilën e bëri për ne”. Ai shpjegoi: “Ne bëhemi fëmijët, bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit, nëpërmjet besëlidhjeve tona për t’iu bindur Atij” (Doctrines of Salvation, përpil. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:29).

Lexojeni përsëri Romakëve 8:17. Një bashkëtrashëgimtar është dikush që merr një trashëgimi të barabartë me trashëgimtarët e tjerë.

Nëse jemi tashmë fëmijë të Perëndisë, Atit, përse nuk e marrim ne automatikisht një trashëgimi të barabartë me Jezu Krishtin? Përse është e nevojshme që të bëhemi bij dhe bija të Jezu Krishtit?

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Ne të gjithë jemi trashëgimtarë të prindërve tanë qiellorë. ‘Ne jemi bij të Perëndisë’, dha mësim Apostulli Pal, ‘dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit’ (Romakëve 8:16–17). Kjo do të thotë, siç na thuhet në Dhiatën e Re, se ne jemi ‘trashëgimtarë të jetës së përjetshme’ (Titit 3:7) dhe që nëse vijmë tek Ati, ne do t’i ‘trashëgoj[më] të gjitha gjërat’ (Zbulesa 21:7) – gjithçka që ka Ai – një koncept që mendjet tona të vdekshme vështirë se mund ta kuptojnë. Por së paku ne mund të kuptojmë se arritja e këtij fati përfundimtar në përjetësi është e mundur vetëm nëse e ndjekim Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, i cili na mësoi se ‘askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje’ (Gjoni 14:6)” (“Pasues të Krishtit”, Ensign, maj 2013, f. 98).

Bazuar në vetë denjësinë tonë, ne nuk do të merrnim asgjë sepse ne të gjithë kemi mëkatuar dhe jemi privuar nga lavdia e Perëndisë (shih Romakëve 3:23). Sidoqoftë, kur ne birësohemi nga Jezu Krishti, papërsosuria jonë mposhtet nëpërmjet jetës së Tij të përkryer dhe Shlyerjes. Pra, nëpërmjet besëlidhjeve tona dhe bindjes ndaj Jezu Krishtit, ne bëhemi bashkëtrashëgimtarë dhe “vuajmë m[e] [Jezu Krishtin]” (Romakëve 8:17). Kjo nuk do të thotë se ne vuajmë atë që vuajti Shpëtimtari si pjesë e flijimit të Tij shlyes. Përkundrazi, ne vuajmë me Të duke e ndjekur Atë dhe duke sakrifikuar gjërat e botës, duke iu bindur urdhërimeve dhe duke e duruar kundërshtimin me besnikëri.

Prej Romakëve 8:14–18 ne mësojmë që nëse jemi fëmijë besnikë besëlidhës të Perëndisë, ne mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin për gjithçka që ka Ati Qiellor.

  1. Vizatoni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta një tabelë me tre kolona, duke e emërtuar njërën kolonë Kërkesat, kolonën e mesit Kundërshtimi dhe kolonën e tretë Trashëgimia. Më pas bëni sa vijon:

    1. Te kolona “Kërkesat”, renditni katër ose pesë urdhërime, apo standarde të veçanta që ne duhet t’i jetojmë, me qëllim që të konsiderohemi fëmijë besnikë besëlidhës të Perëndisë.

    2. Te kolona “Kundërshtimi”, renditni disa shembuj të kundërshtimit që ne mund të përjetojmë ndërsa përpiqemi të jetojmë si fëmijë besnikë besëlidhës të Perëndisë.

    3. Te kolona “Trashëgimia”, renditni disa bekime që ne mund të trashëgojmë nga Ati Qiellor nëse përpiqemi të jetojmë si fëmijët besnikë besëlidhës të Tij.

Duke parë atë që ju renditët në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, krahasoni bekimet e të qenit një bashkëtrashëgimtar me Krishtin, me kërkesat që duhet të plotësoni dhe kundërshtimin që mund të provoni. Çfarë do t’i thoshit dikujt, nëse do t’ju pyeste nëse ia vlen të jesh besnik ndaj urdhërimeve të Zotit?

Lexojeni Romakëve 8:18, duke kërkuar atë që tha Pali rreth mënyrës se si krahasohet ajo që ne sakrifikojmë me atë që marrim nga Ati Qiellor si trashëgimi.

Romakëve 8:19–30 shënon që Pali dha mësim se Shpirti na ndihmon në dobësitë tona, dhe se Jezu Krishti u thirr në jetën para lindjes për të qenë Shpëtimtari i fëmijëve të Perëndisë. (Te Romakëve 8:29–30, fjala i paracaktuar do të thotë i parashuguruar ose i thirrur. Ju do të studioni më shumë rreth mësimeve të Apostullit Pal mbi parashugurimin tek Efesianët.)

Lexojeni Romakëve 8:28, 31–39, duke kërkuar të vërtetat që dha mësim Pali rreth dashurisë së Perëndisë që lidhen me kundërshtimin, sfidat dhe mundimet e vdekshmërisë. Ju mund të doni të shenjoni fjalë ose fraza që janë kuptimplota për ju.

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Romakëve 8:31 thotë, “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të triumfojë kundër [të na mposhtë] nesh?” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it]; Romakëve 8:31 [te Romakëve 8:31, poshtëshënimi a, në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

Disa të vërteta që mund t’i përcaktojmë në këto vargje përfshijnë sa vijon: Nëse e duam Perëndinë, atëherë të gjitha gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tonë. Nëpërmjet Jezu Krishtit, ne mund t’i kapërcejmë të gjitha sfidat dhe mundimet e vdekshmërisë. Asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, e cila tregohet në Shlyerjen e Jezu Krishtit.

  1. Kryeni një ose më shumë prej veprimtarive vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Mendoni për sfidat dhe mundimet që keni përjetuar, dhe më pas shkruani dy thënie prej Romakëve 8:28, 31–39 që ju bëjnë më shumë përshtypje dhe shpjegoni përse.

    2. Përshkruani se si e keni përjetuar dashurinë e Perëndisë gjatë sfidave tuaja.

    3. Shkruani disa nga mënyrat se si ju mund ta tregoni dashurinë tuaj për Perëndinë. Vendosni një synim për të vepruar sipas asaj që shkruat dhe për të besuar se të gjitha gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tuaj.

Romakëve 9–11

Pali jep mësim rreth mospranimit nga ana e Izraelit të besëlidhjes së Perëndisë dhe rreth çuarjes së ungjillit te johebrenjtë

Siç shënohet te Romakëve 9–11, Apostulli Pal përdori termat Izrael dhe izraelitë në vend të [termit] judenj. Në kohët e Dhiatës së Vjetër, Perëndia zgjodhi pasardhësit e Jakobit, apo Izraelit, për të qenë pjesë e besëlidhjes të Tij me Abrahamin (shih Romakëve 9:4–5). Kjo besëlidhje përfshinte bekime të tilla si tokën, autoritetin e priftërisë dhe përgjegjësinë e bekimit të njerëzve kudo në botë me ungjillin, i cili bën të mundur jetën e përjetshme.

Lexojeni Romakëve 9:6, 8, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth pjesëtarëve të shtëpisë së Izraelit.

Çfarë mendoni se donte të thoshte Pali me [frazën] “jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael” (Romakëve 9:6)?

Disa judenj nuk e kuptonin se jo të gjithë njerëzit që ishin lindur në shtëpinë e Izraelit ishin të kualifikuar për të qenë pjesë e besëlidhjes së Perëndisë me Izraelin. Ata gabimisht besonin se linja e tyre e prejardhjes u jepte automatikisht bekimet e besëlidhjes.

Lexojeni Romakëve 10:8–13, duke kërkuar mënyrën se si çdokush, izraelit ose joizraelit, mund të bëhet pjesë e popullit besëlidhës të Perëndisë.

Në këto vargje, fjala e përkthyer si rrëfej nënkupton një pranim të hapur miratues, ose një besëlidhje, dhe fjala greke e përkthyer si besoj nënkupton një zotim mirëbesues. Ky mirëbesim i thellë te Shpëtimtari bën që njerëzit ta miratojnë hapur pranimin e Tij nga ana e tyre, në mënyrat që i ka caktuar Ai. Këto mënyra përfshijnë bindjen ndaj urdhërimeve të Perëndisë, pendimin dhe marrjen e ordinancave shpëtuese të ungjillit, të cilat përfshijnë pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Sipas mësimeve të Palit, nëse e pranojmë dhe i bindemi Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, ne mund t’i marrim bekimet e besëlidhjeve të Perëndisë dhe të shpëtohemi.

  1. Disa njerëz e kanë përdorur Romakëve 10:9, 13 për të pretenduar se gjithçka që duhet të bëjmë për t’u shpëtuar është të rrëfejmë gojarisht besimin tonë në Jezu Krisht. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth mënyrës se si mund t’ju ndihmojnë të vërtetat e diskutuara në këtë mësim për t’iu përgjigjur këtij pretendimi të rremë.

Në pjesën e mbetur të Romakëve 10–11, ne lexojmë që Pali dha mësim se dëgjimi i fjalës së Perëndisë është thelbësor për zhvillimin e besimit në Jezu Krisht. Ai shpjegoi më shumë rreth mospranimit nga ana e Izraelit të ungjillit të Jezu Krishtit dhe përdori analogjinë e shartimit të degëve nga një pemë ulliri e egër te një pemë ulliri e butë, për të paraqitur birësimin e johebrenjve në shtëpinë e Izraelit (shih Jakobi [LiM] 5). Ai dha gjithashtu mësim se ungjilli do t’u ofrohet sërish judenjve.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Romakëve 8–11 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër