Biblioteka
Njësia 20, Dita 3: Romakëve 1–3


Njësia 20: Dita 3

Romakëve 1–3

Hyrje

Apostulli Pal u shkroi një letër, ose shkresë, shenjtorëve në Romë. Në të ai shpalli se ungjilli i Jezu Krishtit është fuqia e Perëndisë për shpëtim. Ai shpjegoi që për shkak se të gjithë njerëzit mëkatojnë, asnjë nuk mund të shpëtohet me anë të veprave të tij apo të saj. Ata duhet të shpëtohen me anë të hirit të Perëndisë të bërë të mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Lista vijuese mund t’ju ndihmojë të kuptoni disa nga fjalët që përdori Pali në letrat (shkresat) e tij:

Ungjill: “Plani i Perëndisë për shpëtimin, i bërë i mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ungjilli përmban të vërtetat e përjetshme ose ligjet, besëlidhjet dhe ordinancat e nevojshme që njerëzimi të rikthehet në praninë e Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ungjill”, scriptures.lds.org).

Shpëtim: “Të shpëtohesh si nga vdekja fizike ashtu dhe ajo shpirtërore” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpëtim”, scriptures.lds.org).

Shfajësim: “Të falesh nga ndëshkimi për mëkatin dhe të shpallesh i pafajshëm. Një njeri shfajësohet me anë të hirit të Shpëtimtarit nëpërmjet besimit në të. Ky besim tregohet me anë të pendimit dhe bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit. Shlyerja e Jezu Krishtit i jep mundësi njerëzimit të pendohet dhe të shfajësohet ose falet nga ndëshkimi që përndryshe ata do të merrnin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shfajësim, Shfajësoj”, scriptures.lds.org).

Besim: “Siç përdoret më shpesh në shkrimet e shenjta, besimi është mirëbesim në Jezu Krishtin, që e bën dikë t’i bindet atij. Besimi duhet të përqendrohet në Jezu Krishtin me qëllim që ai ta çojë një person drejt shpëtimit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besim”, scriptures.lds.org).

Pajtim: Dëmshpërblim (të kthesh ose të ndreqësh); shlyerje (“Siç përdoret në shkrimet e shenjta, të shlyesh do të thotë të vuash dënimin për një vepër mëkati dhe në këtë mënyrë t’i heqësh pasojat e mëkatit prej mëkatarit të penduar dhe ta lejosh atë të pajtohet me Perëndinë. Jezu Krishti ishte i vetmi njeri i aftë për të bërë një shlyerje të përsosur për gjithë njerëzimin” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shlyej, Shlyerje”, scriptures.lds.org].)

Hir: “Fuqia aftësuese nga Perëndia që i lejon burrat dhe gratë të marrin bekime në këtë jetë dhe të fitojnë jetë të përjetshme dhe ekzaltim, pasi të kenë ushtruar besim, pasi të jenë penduar dhe të kenë bërë përpjekjet më të mira për të zbatuar urdhërimet. Një ndihmë ose forcë e tillë hyjnore jepet nëpërmjet mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë. Çdo person i vdekshëm ka nevojë për hirin hyjnor për shkak të rënies së Adamit dhe gjithashtu për shkak të dobësive të njeriut” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”, scriptures.lds.org).

Vepra: “Veprimet e një njeriu, qofshin të mira ose të liga. Çdo njeri do të gjykohet sipas veprave të tij” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vepra”, scriptures.lds.org).

Ligj: “Urdhërimet ose rregullat e Perëndisë mbi të cilat të gjitha bekimet dhe ndëshkimet bazohen, si në qiell edhe në tokë. Ata që u binden ligjeve të Perëndisë marrin bekimet e premtuara. …

Ligji i Moisiut [ose thjesht ‘ligji’, siç përdorej nga Pali] ishte një ligj përgatitor për t’i sjellë burrat dhe gratë te Krishti” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ligj”, scriptures.lds.org).

Romakëve 1:1–17

Ungjilli i Jezu Krishtit është fuqia e Perëndisë për shpëtim

Plaku Leri Eko Houk, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi një përvojë që e pati si një i ri pasi u regjistrua vullnetarisht në Korpusin e Marinsave të Shteteve të Bashkuara:

Pamja
Plaku Leri Eko Houk

“E takova instruktorin tim të stërvitjes, një veteran i kalitur nga lufta, kur ai me shqelm hapi derën e kazermës dhe hyri duke thënë me britma fjalë të mbushura me përdhosje.

Pas këtij prezantimi tmerrues, ai filloi nga njëri cep i kazermës dhe e sfidoi çdo rekrut me pyetje. Pa përjashtim, instruktori i stërvitjes metodikisht gjeti diçka për t’u tallur me çdo rekrut, me një gjuhë të fortë, vulgare. Teksa kalonte rreshtin, sipas urdhrit, çdo marins i përgjigjej duke bërtitur: ‘Po’ ose ‘Jo, Instruktor Rreshter’. Nuk mund të shihja saktësisht se çfarë po bënte ai, sepse ne ishim urdhëruar të qëndronim gatitu me sytë drejtuar përpara. Kur erdhi radha ime, mund ta dalloja që ai e mori çantën time të shpinës dhe e zbrazi çfarë kishte në dyshekun prapa meje. Ai pa përmes gjërave të mia personale, pastaj u kthye për t’u përballur me mua. U përgatita për sulmin e tij. Në dorën e tij ishte Libri im i Mormonit” (“Eja tek Unë, O ti Shtëpi e Izraelit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 32).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si do të ndiheshit nëse do të ishit në situatën e Plakut Eko Houk?

    2. Si mendoni ju, çfarë do të bënte instruktori i stërvitjes?

    3. A jeni ndodhur ndonjëherë në një situatë ku ju u shqetësuat se bindjet tuaja do të talleshin? Nëse po, cilat ishin rrethanat?

Ndërsa studioni Romakëve 1, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë kur përballeni me tallje ose përndjekje për bindjet dhe standardet tuaja.

Libri i Romakëve është një letër apo shkresë, që Apostulli Pal ua shkroi shenjtorëve në Romë pranë fundit të udhëtimeve të tij misionare. Ai e shkroi atë që t’i përgatiste ata për mbërritjen e tij, t’i qartësonte dhe mbronte mësimet e tij dhe të nxiste unitetin midis anëtarëve judenj dhe johebrenj të Kishës. Roma – kryeqyteti i Perandorisë Romake – ishte e bombarduar me filozofitë e botës dhe do të ketë qenë një vend i vështirë për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit.

Te Romakëve 1:1–14, ne lexojmë se si Pali e filloi letrën e tij duke dëshmuar për Jezu Krishtin dhe duke shprehur shpresën e dëshirën e tij për t’i vizituar shenjtorët në Romë.

Lexojeni Romakëve 1:15–17, duke kërkuar atë që u mësoi Pali shenjtorëve romakë rreth ungjillit të Jezu Krishtit.

Këto vargje na mësojnë të vërtetën vijuese: Ungjilli i Jezu Krishtit është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që ushtrojnë besim në Jezu Krishtin. Merreni parasysh shenjimin e frazave që e japin mësim këtë të vërtetë te Romakëve 1:15–17.

Ungjilli na mëson se si mund të shpëtohemi si nga vdekja fizike dhe ajo shpirtërore, dhe të kthehemi në praninë e Perëndisë. Ne duhet të ushtrojmë besim në Jezu Krishtin me qëllim që t’i marrim bekimet e shpëtimit, sepse Ai siguroi Shlyerjen, e cila e bën të mundur shpëtimin.

“Për Palin, besimi [dhe të besuarit] në Jezu Krishtin nënkuptonte jo vetëm një miratim mendor të idesë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, por pranimin e Jezu Krishtit me plot zemër dhe mirëbesimin tek Ai, si i Vetmi që e dha Veten e Tij në Shlyerje për mëkatet tona. Ky mirëbesim i thellë na çon drejt një jete besnike, që tregohet duke u penduar për mëkatet, duke u pagëzuar dhe duke u përpjekur për të jetuar ashtu siç dha mësim Jezu Krishti (shih Veprat e Apostujve 16:30–33; Romakëve 6:1–11; 1 Korintasve 6:9–11). ‘Besimi në Jezu Krishtin … shfaqet në një jetë bindjeje ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit dhe një jetë shërbimi për Krishtin’ (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpëtim”; scriptures.lds.org)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 334).

Një parim që mund të përcaktojmë prej Romakëve 1:16 është që kur ne fitojmë një dëshmi se ungjilli i Jezu Krishtit ka fuqi për ta shpëtuar secilin prej nesh, atëherë ne nuk do të kemi turp ta ndajmë atë me të tjerët.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni ju, përse të fituarit e një dëshmie për ungjillin e Jezu Krishtit mund të na ndihmojë të kemi kurajën që na nevojitet për ta ndarë atë me të tjerët?

Lexoni më shumë për përvojën e Plakut Eko Houk me instruktorin e stërvitjes:

“Prisja që të më bërtiste; në vend të kësaj, ai u afrua tek unë dhe pëshpëriti: ‘A je ti mormon?’

Sipas urdhrit, unë bërtita: ‘Po, Instruktor Rreshter’.

Përsëri prisja më të keqen. Përkundrazi, ai ndaloi dhe e ngriti dorën e tij që mbante Librin tim të Mormonit, dhe me një zë shumë të qetë tha: ‘A beson në këtë libër?’

Unë përsëri thashë me zë të lartë: ‘Po, Instruktor Rreshter’.

Në këtë pikë isha i sigurt se ai do të thoshte se s’bën fjalë përçmuese për mormonët dhe Librin e Mormonit, por ai vetëm qëndroi atje në heshtje. Pas një çasti, ai u kthye te shtrati im dhe e vendosi me kujdes Librin tim të Mormonit. Pastaj ai vazhdoi të ecte pranë meje pa u ndalur dhe vijoi të përqeshte e përçmonte me gjuhë përdhosëse të gjithë rekrutët e mbetur” (“Eja tek Unë, O ti Shtëpi e Izraelit”, f. 32).

Mendoni për mënyrën se si përgjigjja e Plakut Eko Houk është një shembull i mirë i parimit të dhënë mësim te Romakëve 1:16.

Pamja
Plaku Leri Eko Houk

Lexoni pjesën e mbetur të thënies së Plakut Eko Houk: “Shpesh kam pyetur veten përse ai rreshter i ashpër i Korpusit të Marinsave u tregua i mëshirshëm me mua atë ditë. Por unë jam mirënjohës që isha i aftë të thosha pa hezitim: ‘Po, unë jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’ dhe ‘Po, unë e di se Libri i Mormonit është i vërtetë’. Kjo dëshmi është një dhuratë e çmuar që më është dhënë përmes Frymës së Shenjtë” (“Eja tek Unë, O ti Shtëpi e Izraelit”, f. 32).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në ç’rast keni treguar kurajë ju apo dikush që e njihni dhe nuk keni pasur turp ta ndani ungjillin e Jezu Krishtit?

    2. Cila është dëshmia juaj për ungjillin e Jezu Krishtit?

    3. Cilat janë disa nga mënyrat se si ju po e forconi dëshminë tuaj për ungjillin? Çfarë tjetër mund të bëni për ta bërë dëshminë tuaj më të fortë? Shkruani një synim me të cilin ju mund të punoni këtë javë, që do t’ju ndihmojë ta forconi dëshminë tuaj.

Romakëve 1:18–3:23

I gjithë njerëzimi mëkaton dhe privohet nga lavdia e Perëndisë

Gjatë kohës së Palit, disa të krishterë johebrenj u përpoqën që ta shfajësonin imoralitetin ose sjelljen mëkatare, duke e vënë theksin te mëshira e Perëndisë dhe duke e shpërfillur drejtësinë e Tij të përsosur. Përveç kësaj, disa të krishterë judeas ende besonin se respektimi i ligjit të Moisiut ishte i nevojshëm për shpëtimin. Apostulli Pal u përpoq t’i korrigjonte të dyja këto ide të gabuara.

Lexoni Romakëve 1:22–31, duke kërkuar mëkatet që po kryenin johebrenjtë.

Te Romakëve 1:25, çfarë mendoni se do të thotë të adhurosh dhe t’i shërbesh “krijesës në vend të Krijuesit”?

Fraza të tilla si “i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës” te Romakëve 1:26 dhe “duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gruan” te Romakëve 1:27, i referohen sjelljes lezbike dhe homoseksuale. Për ta kuptuar më mirë qëndrimin e Kishës për sjelljet lezbike dhe homoseksuale, lexoni thëniet vijuese:

“Sjellja homoseksuale dhe lezbike është një mëkat serioz. Nëse e gjeni veten duke luftuar me tërheqjen ndaj personave të të njëjtës gjini ose po ju mbushet mendja për të marrë pjesë në sjellje të papërshtatshme, kërkoni këshillë nga prindërit dhe peshkopi juaj. Ata do t’ju ndihmojnë” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 36).

“Veprimtaria homoseksuale … është në kundërshtim me qëllimet e tërheqjes seksuale njerëzore (shih Romakëve 1:24–32). Ajo i shtrembëron marrëdhëniet e dashurisë dhe i pengon njerëzit të marrin bekimet që mund të gjenden në jetën familjare dhe në ordinancat shpëtuese të ungjillit” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 31).

“Qëndrimi ynë doktrinor është i qartë: Veprimtaria seksuale duhet të ndodhë vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë të martuar. Megjithatë, kjo nuk duhet të përdoret kurrë si justifikim për sjelljen e ashpër. Jezu Krishti, të cilin ne e ndjekim, ishte i qartë në dënimin nga ana e Tij të imoralitetit seksual, por nuk qe kurrë mizor. Interesi i Tij ishte që ta lartësonte gjithmonë individin, kurrë që ta poshtëronte. …

Kisha bën dallim mes tërheqjes dhe sjelljes ndaj së njëjtës gjini. Ndërsa pohojmë se ndjenjat dhe prirjet drejt së njëjtës gjini nuk janë në thelb mëkatare, përfshirja në sjellje homoseksuale është në konflikt me ‘parimin doktrinor, të bazuar te shkrimet e shenjta … se martesa midis një burri dhe një gruaje është thelbësore për planin e Krijuesit, për fatin e përjetshëm të fëmijëve të Tij’ [‘First Presidency Statement on Same-Gender Marriage’]” (“Same-Sex Attraction”, topics.lds.org).

Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që ne t’i kuptojmë mësimet e profetëve dhe të apostujve të Zotit lidhur me sjelljen lezbike dhe homoseksuale?

Te Romakëve 2:1–3:8, Pali dha mësim se të gjithë njerëzit do të gjykohen sipas veprave të tyre dhe ai tregoi se padrejtësia e judenjve vinte nga të jetuarit e ligjit të Moisiut në mënyrë sipërfaqësore, por jo së brendshmi.

Lexojeni Romakëve 3:9–12, 23, duke kërkuar se kush, tha Pali, ndikohet nga mëkati.

Merreni parasysh të shenjoni te vargu 23 se çfarë ndikimi kanë mëkatet te ne.

Një e vërtetë që këto vargje na mësojnë është se të gjithë njerëzit e përgjegjshëm mëkatojnë dhe kanë nevojë për faljen e Perëndisë. Si na ndihmon kjo e vërtetë për ta kuptuar më mirë arsyen përse kemi nevojë për Jezu Krishtin?

Ndërsa ju vazhdoni të studioni Romakëve 3, kërkoni të vërtetat që dha mësim Pali, të cilat na japin shpresë për gjendjen tonë mëkatare.

Romakëve 3:24–31

I gjithë njerëzimi mund të shfajësohet nëpërmjet pranimit të plotë të Shlyerjes së Krishtit

Pasi shpjegoi se ne të gjithë kryejmë mëkat, dhe si rrjedhojë, qëndrojmë të dënuar përpara Perëndisë për shkak se Ai nuk mund ta pranojë mëkatin, te Romakëve 3:24–31, Apostulli Pal dha mësim se si mund të kapërcehet gjendja nëpërmjet besimit në Shlyerjen e Jezu Krishtit. Për t’i kuptuar këto vargje, ju keni nevojë të kuptoni domethënien e fjalëve vijuese: shfajësim do të thotë të jesh i falur nga ndëshkimi për mëkatin dhe të shpallesh i pafajshëm, hir është ndihma ose forca hyjnore që jepet nëpërmjet mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë, dhe pajtim do të thotë shlyerje.

Lexojeni Romakëve 3:24–26, duke zëvendësuar përkufizimet e dhëna më lart. Ju mund të doni të shenjoni te Romakëve 3:24, mënyrën se si shfajësohemi apo shpallemi të denjë për të qenë në prani të Perëndisë.

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Romakëve 3:24 e ndryshon fjalën falasvetëm (shih Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it], Romakëve 3:24 [te Romakëve 3:24, poshtëshënimin a, në variantin shdm të Biblës në anglisht]). Edhe pse veprat e mira ndihmojnë për të treguar besimin tonë te Jezu Krishti, ne nuk mund ta fitojmë ose meritojmë shpëtimin nga ato vepra sepse, ashtu siç dha mësim Pali te Romakëve 3:23, ne të gjithë kemi mëkatuar dhe, prandaj, jemi privuar nga shpëtimi. Është vetëm nëpërmjet hirit të Perëndisë – forcës dhe fuqisë mundësuese të Tij hyjnore – që ne shpëtohemi.

Vini re te Romakëve 3:25–26, se ata që besojnë dhe kanë besim te Jezu Krishti shfajësohen me anë të hirit të Perëndisë. Mbani mend se fjalët bindje dhe besim duan të thonë ta pranosh Jezu Krishtin me gjithë zemër, gjë e cila e çon një njeri të bëhet një anëtar i Kishës së Tij, me një gatishmëri për t’i zbatuar urdhërimet e Tij dhe për të qenë i bindur ndaj ordinancave të ungjillit. Nga këto vargje ne mund të mësojmë parimin vijues: Nëpërmjet pranimit me besnikëri të Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shfajësohet dhe të marrë shpëtimin.

Përsiatni mbi nevojën që keni për një Shpëtimtar, Jezu Krishtin, me qëllim që të merrni shpëtimin. Shkruani disa nga mënyrat se si ju mund të tregoni një pranim plot besim të Shlyerjes së Shpëtimtarit:

Merreni parasysh t’i ndani ndjenjat dhe dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, me dikë që mund të përfitojë nga të dëgjuarit rreth Shpëtimtarit.

Te Romakëve 3:27–31, Pali ritheksoi se si judenjtë edhe johebrenjtë shfajësohen me anë të besimit në Jezu Krisht. Duke u kthyer te Jezu Krishti nëpërmjet besimit, ata përmbushin, ose “forcoj[n]ë ligjin” e Moisiut (Romakëve 3:31), i cili të drejtonte te Krishti.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Romakëve 1–3 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër