Biblioteka
Njësia 23, Dita 2: 1 Korintasve 15:30–16:24


Njësia 23 Dita 2

1 Korintasve 15:30–16:24

Hyrje

Apostulli Pal vazhdoi t’u mësonte shenjtorëve në Korint për Ringjalljen. Ai u gëzua në fitoren e Jezu Krishtit mbi vdekjen. Pali i nxiti gjithashtu anëtarët e Kishës në Korint që të jepnin ndihma bujare për shenjtorët në nevojë që jetonin në Jeruzalem.

1 Korintasve 15:30–52

Pali jep mësim mbi Ringjalljen

A e keni menduar ndonjëherë se sa ndryshe do të ishte jeta juaj nëse nuk do të besonit në jetën pas vdekjes? Si do të mund të zgjidhnin njerëzit të jetonin nëse nuk do të besonin se do të jetonin pasi të vdisnin?

Te 1 Korintasve 15:1–29, ne mësojmë se Apostulli Pal e korrigjoi bindjen e rreme të disa shenjtorëve korintas se nuk do të kishte ringjallje të të vdekurve. Te 1 Korintasve 15:30–34, ne lexojmë se Pali u kërkoi shenjtorëve që të merrnin në shqyrtim përse dikush që besonte në Jezu Krisht do të duronte përndjekje dhe do të rrezikonte vdekjen nëse nuk do të kishte ringjallje. Ai i paralajmëroi gjithashtu shenjtorët që të mos mashtroheshin nga qëndrimi i njerëzve që thonin “le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim” (1 Korintasve 15:32), i cili shpreh bindjen e rreme se ne mund të bëjmë çfarë të duam sepse nuk ka jetë pas vdekjes dhe, si rrjedhojë, s’ka gjykim hyjnor.

Meqenëse Ringjallja është e vërtetë, përse mund të jetë i rrezikshëm pranimi i këtij qëndrimi?

Ndërsa studioni pjesën tjetër të 1 Korintasve 15, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se si të paturit e njohurisë për Ringjalljen mund të ndikojë në zgjedhjet tuaja në vdekshmëri.

Lexojeni 1 Korintasve 15:35, duke kërkuar pyetjet që mund të kenë njerëzit për Ringjalljen.

Te 1 Korintasve 15:36–38, ne mësojmë se Pali ndihmoi për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve duke përdorur një farë për të përfaqësuar trupin e vdekshëm, i cili – pas vdekjes dhe varrimit në tokë – do të ngrihet në Ringjallje.

Pamja
vizatime, dielli, hëna, yjet

Mendoni për mënyrën se si do ta përshkruanit dallimin midis sasisë së dritës që prodhohet nga dielli kur krahasohet me sasinë e dritës që prodhohet nga hëna. Si krahasohet drita e hënës me dritën e yjeve?

Lexojeni 1 Korintasve 15:39–42, duke kërkuar mënyrën se si e përdori Pali shkëlqimin e diellit, të hënës dhe të yjeve për të shpjeguar dallimet në trupat e ringjallur. Lexoni edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it të 1 Korintasve 15:40 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Në këtë kontekst, fjala lavdi mund t’i referohet dritës, madhështisë, ose shkëlqimit. (Vini në dukje se 1 Korintasve 15:40–42 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që të mund ta gjeni në të ardhmen.)

Një e vërtetë që jep mësim Apostulli Pal në këto vargje është se ka shkallë të ndryshme të lavdisë për trupat e ringjallur. Me fjalë të tjera, disa trupa të ringjallur do të kenë shumë më tepër shkëlqim dhe madhështi sesa të tjerët.

Lexojeni thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith, duke kërkuar mënyrën se si lavditë e ndryshme të trupave të ringjallur do të ndryshojnë nga njëri-tjetri. (Kur Presidenti Smith iu referua “trupa[ve] çelestialë”, ai nënkuptonte ata që marrin shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale [shih DeB 131:1–4].)

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Në ringjallje do të ketë lloje të ndryshme të trupave; ata nuk do të jenë të gjithë njëlloj. Trupi që merr një njeri do të përcaktojë vendin e tij paskëtaj. Do të ketë trupa çelestialë, trupa terrestrialë dhe trupa telestialë. …

… Disa do të marrin trupa çelestialë me të gjitha fuqitë e ekzaltimit dhe të rritjes së përjetshme. Këta trupa do të shkëlqejnë si dielli, ashtu siç shkëlqen Shpëtimtari ynë. … Ata që hyjnë në mbretërinë terrestriale do të kenë trupa terrestrialë dhe ata nuk do të shkëlqejnë si dielli, por do të jenë më të lavdishëm sesa trupat e atyre që marrin lavdinë telestiale” (Doctrines of Salvation, përp. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:286–287).

Vini re që Presidenti Smith shpjegoi se lavdia ose trupi që ne marrim në Ringjallje do të përcaktojë mbretërinë ku do të jetojmë.

Pamja
vizatime, dielli, hëna, yjet me dritë

“Fuqitë e ekzaltimit”, të cilave iu referua Presidenti Smith, përfshijnë aftësinë për të jetuar llojin e jetës që jeton Perëndia dhe “rritj[a e] përjetshme” është aftësia që të vazhdojmë të kemi fëmijë në përjetësi. Këto bekime janë në dispozicion vetëm për ata që ekzaltohen në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale (shih DeB 131:1–4; 132:19–20).

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:21–22, duke kërkuar atë që duhet të bëjmë ne për të marrë një trup çelestial kur të ringjallemi. T’i “qëndroj[më] ligjit të … mbretëri[së] çelestiale” (vargu 22), do të thotë të marrim të gjitha ordinancat dhe të bëjmë e të zbatojmë të gjitha besëlidhjet e nevojshme për të hyrë në mbretërinë çelestiale.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si mund të ndikojë njohuria për lavdinë dhe bekimet që janë në dispozicion vetëm për qeniet e ringjallura në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, në zgjedhjet që bën një individ në vdekshmëri.

Siç shënohet te 1 Korintasve 15:42–52, Pali qartësoi më tej mënyrën se si do të ishte një trup i ringjallur. Ai iu referua një trupi të vdekshëm si “natyror” (vargjet 44, 46) e të prishur, dhe një trupi të ringjallur iu referua si “frymëror” (vargjet 44, 46) e të “paprisshëm” (vargu 52).

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 1 Korintasve 15:40–42

  1. Mësojini një pjesëtari të familjes apo një shoku/shoqeje atë që keni mësuar rreth dallimeve midis trupave të ringjallur. Përdoreni këtë fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë (1 Korintasve 15:40–42) ndërsa jepni mësim. Pasi të jepni mësim, kërkojini personit që juve i dhatë mësim të tregojë çfarëdo gjëje që ai ose ajo mund t’i shtojë asaj çka ju i mësuat. Tregojini personit që i dhatë mësim dëshminë tuaj për Ringjalljen. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni atë që mësuat nga përvoja juaj.

1 Korintasve 15:53–58

Pali gëzohet në fitoren e Jezu Krishtit mbi vdekjen

Qarkoni rrethanat vijuese që ju do donit të përjetonit:

Sëmundje

Uri

Dhembje

Pa sëmundje

Pa uri

Pa dhembje

Lexojeni 1 Korintasve 15:53, duke kërkuar doktrinën që dha mësim Pali rreth gjendjes së trupit tonë kur të ringjallemi.

Nga ky varg mësojmë se ne do të ringjallemi në një gjendje të paprisshme dhe të pavdekshme. Trupi ynë i ringjallur do të jetë i paprisshëm, duke nënkuptuar se ai nuk do të vdesë kurrë ose nuk do të provojë asnjëherë lëngatë, sëmundje, apo dhembje. Kjo njohuri na ndihmon të kuptojmë se shqetësimet tona rreth vdekjes mund të “përpi[hen]” (1 Korintasve 15:54) në shpresën e ringjalljes së lavdishme.

Mendoni për një rast kur ju ose dikush që ju njihni u pickua nga një insekt. Cili mendoni ju se është lloji më i dhimbshëm i pickimit?

Lexojeni 1 Korintasve 15:54–55, duke kërkuar se për çfarë e kishte fjalën Pali kur tha se nuk ka më një gjemb.

Në çfarë mënyrash vdekja fizike mund ketë një “gjëmb”, ose mund të duket se po fiton mbi ne?

Në ç’mënyrë gjembi i vdekjes fizike është “përpi[rë] në fitore” (1 Korintasve 15:54) nëpërmjet Jezu Krishtit?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje është se vdekja fizike nuk fiton mbi ne për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit.

Lexojeni 1 Korintasve 15:56, duke kërkuar gjembin që mund të mbetet ende kur ne vdesim.

Lexojeni 1 Korintasve 15:57–58, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se mund ta heqë gjembin e vdekjes.

Fitorja e Jezu Krishtit është Shlyerja e Tij, nëpërmjet së cilës Ai mposhti si mëkatin edhe vdekjen fizike. Sipas vargut 58, çfarë i ftoi Pali lexuesit e tij të bënin për shkak të fitores së Jezu Krishtit mbi vdekjen?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga 1 Korintasve 15:56–58 është sa më poshtë: Nëse jemi të fortë e të patundur për ta jetuar ungjillin, gjembi i vdekjes që vjen prej mëkatit hiqet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë do të thotë të jemi të fortë e të patundur për ta jetuar ungjillin?

    2. Çfarë roli ka pendimi në të qenit të fortë e të patundur?

  2. Te 1 Korintasve 15:30–58, ne lexojmë mësimet e Apostullit Pal mbi Ringjalljen dhe argumentin e tij kundër filozofisë së atyre që jepnin mësim se nuk ka ringjallje. Ata besonin se ne mund të bëjmë çfarë të duam sepse “nesër do të vdesim” (1 Korintasve 15:32), dhe ngaqë besonin se nuk kishte ringjallje, ata besonin se nuk do të kishte gjykim. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përdorni atë që keni mësuar në këtë mësim për të shpjeguar përse kjo filozofi është e rreme.

Merreni në shqyrtim atë që do të bëni për të jetuar më me drejtësi, në mënyrë që gjembi i vdekjes suaj të mund të hiqet dhe që ju të mund të merrni një ringjallje të lavdishme në të ardhmen. Shkruani një synim lidhur me diçka që ju mund të bëni për të qenë më të fortë e të patundur për ta jetuar ungjillin. Merreni parasysh t’ia tregoni atë që shkruat dikujt që ju mendoni se do të përfitojë duke e dëgjuar dëshminë tuaj.

1 Korintasve 16

Pali organizon një mbledhje ndihmash për të varfrit që jetojnë në Jeruzalem

Te 1 Korintasve 16:1–24, ne lexojmë se Apostulli Pal i udhëzoi shenjtorët korintas që të ndihmonin në përkujdesjen për të varfrit në Jeruzalem, të “qëndroni[n] të palëkundshëm në besim” (vargu 13) dhe t’i bënin të gjitha gjërat “me dashuri” (vargu 14).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Korintasve 15:30–16:24 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër