Biblioteka
Njësia 22, Dita 3: 1 Korintasve 11


Njësia 22: Dita 3

1 Korintasve 11

Hyrje

Apostulli Pal trajtoi grindjet midis shenjtorëve korintas lidhur me zakonet fetare. Ai theksoi se burrat dhe gratë kanë role të përjetshme dhe hyjnore, dhe janë thelbësorë për njëri-tjetrin në planin e Zotit. Ai u mësoi anëtarëve të Kishës edhe rreth përgatitjes së duhur për marrjen e sakramentit.

1 Korintasve 11:1–16

Pali trajton grindjet rreth zakoneve fetare

Pamja
një çift duke ecur drejt Tempullit të Okër-Mauntinit në Juta

Lexoni thëniet vijuese të cilat pasqyrojnë mënyrën se si mund të ndihen disa njerëz rreth martesës:

  • “Të qenit i suksesshëm në karrierën time është shumë e rëndësishme për mua. Nuk dua ta kem vëmendjen time njëherësh edhe te synimet e mia për karrierë edhe te martesa.”

  • “Nuk dua t’i futem një marrëdhënieje afatgjatë. Shqetësohem të marr një vendim për të cilin do të pendohem më vonë.”

  • “Martesa do të më mbante të lidhur. Nuk do të arrija të bëja çfarëdo gjëje që do të doja.”

  • “E di se martesa është vendimi më i rëndësishëm që do të marr ndonjëherë dhe mezi e pres atë.”

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni mënyrën se si ndiheni ju rreth martesës.

Te 1 Korintasve 11, ne lexojmë më shumë rreth asaj që shkroi Apostulli Pal për t’iu përgjigjur shqetësimeve që kishin anëtarët e Kishës në Korint. Lexojeni 1 Korintasve 11:3, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth përgjegjësive të bashkëshortit.

Fraza “kreu i gruas është burri” do të thotë që bashkëshorti ka përgjegjësinë e shenjtë për të kryesuar në shtëpi. Të kryesosh do të thotë t’i drejtosh dhe udhëheqësh të tjerët me drejtësi, në çështje shpirtërore dhe materiale.

Vini re te vargu 3 se kush duhet të kryesojë mbi bashkëshortin dhe ta udhëheqë atë ndërsa kryeson në familjen e tij. Përse do të ishte e rëndësishme që një bashkëshort dhe baba ta shohë Krishtin si udhëheqësin dhe udhërrëfyesin e tij?

Kur ne e kuptojmë mënyrën se si kryeson Ati ynë Qiellor në mbretërinë e Tij, ne mund të shohim se Ai është një Perëndi rregulli dhe jo rrëmuje (shih DeB 132:8).

Siç shënohet te 1 Korintasve 11:4–16, Pali trajtoi pyetjet e shenjtorëve korintas për zakonet e burrave dhe grave kur ata luteshin dhe profetizonin gjatë shërbesave të tyre të adhurimit. Këto zakone përfshinin praktikën ku gratë vinin duvak.

Lexuesit e Dhiatës së Re ndonjëherë i keqkuptojnë mësimet e Palit, duke lënë të nënkuptojnë se roli i burrit është më i rëndësishëm sesa roli i gruas. Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e qartësoi këtë ide të gabuar:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Burrat dhe gratë janë të barabartë në sytë e Perëndisë dhe në sytë e Kishës, por të barabartë nuk do të thotë që ata janë njësoj. Përgjegjësitë dhe dhuratat hyjnore të burrave dhe grave ndryshojnë për nga natyra, por jo për nga rëndësia ose ndikimi. Doktrina e Kishës sonë i vendos gratë të barabarta dhe prapëseprapë të ndryshme nga burrat. Perëndia nuk e konsideron asnjërën nga gjinitë më të mirë apo më të rëndësishme se tjetra. …

Burrat dhe gratë kanë dhurata të ndryshme, fuqi të ndryshme dhe pikëpamje e prirje të ndryshme. Kjo është një nga arsyet themelore përse kemi nevojë për njëri-tjetrin” (“Men and Women in the Work of the Lord”, New Era, prill 2014, f. 4).

Lexojeni 1 Korintasve 11:11, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth marrëdhënies midis një bashkëshorti dhe bashkëshorteje. Fraza “në Zotin” i referohet planit të Zotit për të na ndihmuar të bëhemi si Ai dhe të marrim jetën e përjetshme.

Prej 1 Korintasve 11:11 ne mësojmë të vërtetën vijuese: Në planin e Zotit, burrat dhe gratë nuk mund të marrin jetë të përjetshme pa njëri-tjetrin (shih edhe DeB 131:1–4).

Martesa midis një burri dhe një gruaje është pjesë e planit të Perëndisë. Mendoni për pyetjet vijuese: Në ç’mënyrë, të qenit një baba ose nënë e drejtë e çon përpara planin e Perëndisë? Si na përgatit kjo çuarje përpara për t’u bërë si Ati ynë Qiellor?

Pamja
gërshërë
Pamja
një teh gërshëre

Mendoni për mënyrën se si funksionojnë gërshërët. Sa mirë do të punonin gërshërët nëse tehet do të ishin të shkëputura dhe ju do të përpiqeshit ta pritnit letrën ose pëlhurën vetëm me një teh? Në ç’mënyrë janë gërshërët si një bashkëshort dhe bashkëshorte që përpiqen të marrin jetën e përjetshme?

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar mënyrën se si një bashkëshort dhe bashkëshorte janë bërë që të punojnë së bashku për të marrë jetën e përjetshme: “Sipas planit hyjnor, burrat dhe gratë janë caktuar që të përparojnë së bashku drejt përsosjes dhe një plotësie të lavdisë. Për shkak të karaktereve dhe aftësive të tyre të dallueshme, meshkujt dhe femrat, secili, sjellin në një marrëdhënie martesore këndvështrime dhe përvoja të pashoqe. Burri dhe gruaja japin ndihmesa të ndryshme, por të barabarta në një bashkim dhe unitet që nuk mund të arrihen në ndonjë mënyrë tjetër. Burri e plotëson dhe e përsos gruan dhe gruaja e plotëson dhe e përsos burrin, teksa ata e mësojnë, e forcojnë dhe e bekojnë në mënyrë reciproke njëri-tjetrin” (“Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 83–84).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth disa karakteristikave dhe përgjegjësive të ndryshme të burrave dhe grave që e mbështetin dhe e forcojnë njëri-tjetrin në një familje.

Te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i të Dymbëdhjetë Apostujve shpallën: “Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë. Paaftësia, vdekja ose rrethana të tjera mund të bëjnë të nevojshme përshtatjen ose ndryshimin e këtyre roleve” (Ensign, nëntor 2010, f. 129; “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”).

  1. Mendoni rreth qëndrimeve të ndryshme mbi martesën që pasqyrohen në thëniet që lexuat në fillim të mësimit. Më pas përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Pasi të studioni 1 Korintasve 11:1–16, si do t’i përgjigjeshit dikujt që nuk e ka kuptuar rëndësinë e martesës në planin e Perëndisë?

1 Korintasve 11:17–34

Pali u mëson shenjtorëve korintas që të mos e trajtojnë me lehtësi sakramentin

Çfarë ju vjen në mendje kur i lexoni frazat e mëposhtme?

  • “Një përvojë me të vërtetë shpirtërore.”

  • “Një përtëritje për shpirtin.”

  • “Thelbi i ditës sime të Shabatit.”

Përsiatni mbi përvojën tuaj më të fundit të marrjes së sakramentit, dhe mendoni rreth faktit nëse këto fraza do ta përshkruanin ose jo përvojën tuaj.

Ndërsa studioni 1 Korintasve 11:17–34, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë për ta bërë marrjen e sakramentit një përvojë më shpirtërore dhe kuptimplote.

Në kohën e Palit, anëtarët e Kishës kremtonin një praktikë të ngjashme me Darkën e Fundit. Ata mblidheshin herë pas here për të ngrënë një vakt së bashku dhe më pas merrnin sakramentin. Apostulli Pal i dënoi mbledhjet sepse shenjtorët i kishin kthyer ato në vakte të zakonshme, në vend që të ruanin shenjtërinë që duhet të shoqërojë marrjen e sakramentit. Përkthimi prej Joseph Smith-it qartëson thënien e Palit rreth qëllimit të mbledhjes së tyre së bashku: “Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, a nuk e bëni këtë për të ngrënë darkën e Zotit?” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], 1 Korintasve 11:20 [te 1 Korintasve 11:20, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

Megjithëse këto mbledhje kishin për qëllim që të shtonin shoqërizimin dhe unitetin, ato shpesh u bënë objekt grindjeje. Siç shënohet te 1 Korintasve 11:17–22, Pali e dënoi grindjen që ekzistonte midis shenjtorëve korintas gjatë këtyre vakteve.

Lexojeni 1 Korintasve 11:23–26, duke kërkuar atë që Pali i nxiti anëtarët e Kishës të kujtonin rreth sakramentit. Në anglisht, fjala shpallni [shew]vargun 26 është e njëjta si fjala tregoj [show] dhe shqiptohet njësoj. Por fjala greke nga e cila u përkthye do të thotë të deklarosh, lajmërosh, ose dëshmosh (shih 1 Korintasve 11:26, poshtëshënimin b në variantin shdm të Biblës në anglisht).

Pamja
Darka e Fundit

Lexojeni 1 Korintasve 11:27–30, duke kërkuar paralajmërimin që u dha Pali shenjtorëve korintas rreth sakramentit.

Nga këto vargje ne mësojmë se ata që e marrin sakramentin padenjësisht, sjellin dënim dhe mallkim mbi veten e tyre.

Kjo e vërtetë pohohet në Librin e Mormonit, ku Jezu Krishti paralajmëroi se ata që e marrin sakramentin padenjësisht, hanë dhe pinë mallkimin e shpirtrave të tyre (shih 3 Nefi 18:29). Përveç kësaj, Shpëtimtari u tha udhëheqësve të priftërisë se ata nuk duhet t’i lejojnë ata që janë të padenjë të marrin sakramentin (shih 3 Nefi 18:29). Nëse keni ndonjë pyetje lidhur me denjësinë tuaj për ta marrë sakramentin, ju duhet të flisni me peshkopin ose presidentin tuaj të degës.

Te 1 Korintasve 11:29, fjala greke e përkthyer si “dënim” mund të jetë edhe “ndëshkim” (shih 1 Korintasve 11:29, poshtëshënimin b në variantin shdm të Biblës në anglisht). Dënim do të thotë “të gjykohesh fajtor nga Perëndia” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dënoj, Dënim”, scriptures.lds.org). Mallkimi i referohet “gjendj[es] kur diku[jt i] ndalohet të përparojë dhe i mohohet hyrja në praninë e Perëndisë dhe në lavdinë e tij. Mallkimi ekziston në shkallë të ndryshme. Të gjithë ata që nuk fitojnë plotësinë e ekzaltimit çelestial, do të kufizohen në një farë shkalle në përparimin dhe privilegjet e tyre dhe do të mallkohen deri në atë shtrirje” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mallkim”, scriptures.lds.org).

Mbani mend se “ju nuk duhet të jeni i përkryer që të merrni sakramentin, por duhet të keni një shpirt përulësie dhe pendimi në zemrën tuaj” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin (2005), f. 152). Nëse e marrim sakramentin me një zemër të papenduar dhe nuk kemi dëshirë që ta kujtojmë dhe ndjekim Shpëtimtarin, ne po e marrim sakramentin padenjësisht.

Mendoni rreth arsyes përse marrja e sakramentit padenjësisht mund të sjellë mallkim për shpirtin tuaj.

Rilexoni 1 Korintasve 11:28, duke kërkuar atë që Pali i këshilloi anëtarët e Kishës të bënin ndërkohë që merrnin sakramentin. Merreni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.

Nga ky varg ne mësojmë se kur marrim sakramentin, ne duhet ta shqyrtojmë jetën tonë.

Si mendoni ju, në çfarë mënyre duhet ta shqyrtojmë jetën tonë?

Qëllimi i shqyrtimit të jetës sonë nuk është që të analizojmë vetëm nëse jemi të denjë për ta marrë sakramentin, por të analizojmë edhe se sa shumë po përpiqemi për t’i mbajtur besëlidhjet tona me Perëndinë dhe se si mund të përpiqemi për t’u penduar e përmirësuar.

Lexojini thëniet vijuese dhe merrini parasysh mënyrat se si mund ta shqyrtoni jetën tuaj ndërsa merrni sakramentin.

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

Duke përshkruar një përvojë që pati ndërkohë që merrte sakramentin, Presidenti Hauard W. Hanter tha: “I bëra vetes këtë pyetje: ‘A e vendos unë Perëndinë mbi të gjitha gjërat e tjera dhe a i zbatoj të gjitha urdhërimet e Tij?’ Atëherë erdhën reflektimi dhe vendosmëria. Bërja e një besëlidhjeje me Zotin për t’i zbatuar gjithmonë urdhërimet e Tij është një detyrim serioz dhe ripërtëritja e asaj besëlidhjeje me anë të marrjes së sakramentit është po aq serioze. Çastet solemne të të menduarit, ndërkohë që po shërbehet sakramenti, kanë domethënie të madhe. Ato janë çaste të vetëanalizës, të vetëshqyrtimit, të zbulimit të vetvetes – një kohë për të reflektuar dhe për të vendosur” (“Thoughts On the Sacrament”, Ensign, maj 1977, f. 25).

Pamja
Ted R. Kelister

Ted R. Kelister, president i përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, kur ishte një anëtar i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim se sakramenti është një kohë reflektimi dhe vetëvlerësimi: “Sakramenti është … një kohë vetëshqyrtimi dhe vetëanalize. … Sakramenti është një kohë kur ne jo vetëm që e kujtojmë Shpëtimtarin, por e matim jetën tonë me atë të Shembullit të Madhërishëm [Jezu Krishtit]. Është koha për të lënë mënjanë të gjithë vetëmashtrimin; është koha për të vërtetën absolute sublime. Të gjitha shfajësimet, të gjitha fasadat duhet të shemben përgjatë rrugës, duke i dhënë mundësi shpirtit tonë, ashtu siç vërtetë është, që të komunikojë shpirt më Shpirt, me Atin tonë. Në këtë çast ne bëhemi gjykatësit e vetes, duke medituar se çfarë është jeta jonë në të vërtetë dhe se çfarë duhet të jetë ajo në të vërtetë” (The Infinite Atonement [2000], f. 291).

Një mënyrë se si ta zbatojmë këtë parim të shqyrtimit të jetës sonë ndërsa e marrim sakramentin, është duke menduar pyetje që mund t’i analizojmë ndërkohë që përgatitemi për të marrë sakramentin. Për shembull, ju mund të bëni pyetjen, “Si mund të jem një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit?” “Në ç’mënyrë është jeta ime si ajo e Shpëtimtarit? Në ç’mënyra nuk është e tillë ajo?” “Me cilën dobësi kam probleme që po më mban larg rritjes shpirtërore?” “Çfarë mund të bëj këtë javë për t’u bërë paksa më i mirë?”

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni disa pyetje shtesë që mund t’i bëni vetes përpara dhe gjatë sakramentit.

  2. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta një plan lidhur me atë që do të bëni për t’u përgatitur më mirë kur t’ju [vijë] mundësia e radhës për të marrë sakramentin.

Ndërsa e shqyrtoni jetën tuaj përpara dhe gjatë sakramentit, Zoti mund t’ju ndihmojë të dini se si mund t’i përmbushni më mirë besëlidhjet tuaja dhe të kualifikoheni për të marrë bekimet që Ai dëshiron t’ju japë. Zotohuni për të ndjekur çfarëdo nxitjeje që merrni.

Te 1 Korintasve 11:33–34, ne lexojmë udhëzimet shtesë që Pali u dha shenjtorëve korintas për sa i takon vaktit që hanin kur mblidheshin së bashku për të marrë sakramentin. Ai u tha shenjtorëve të mendonin për njëri-tjetrin dhe ta shmangnin grindjen.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Korintasve 11 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër