Biblioteka
Njësia 23, Dita 1: 1 Korintasve 15:1–29


Njësia 23: Dita 1

1 Korintasve 15:1–29

Hyrje

Apostulli Pal mësoi se disa anëtarë të Kishës në Korint po jepnin mësim se nuk kishte Ringjallje të të vdekurve. Ai dëshmoi se Jezu Krishti u ringjall nga të vdekurit dhe shpjegoi atë që Ringjallja nënkupton për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.

1 Korintasve 15:1–10

Pali jep prova për Ringjalljen e Jezu Krishtit

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson: “Vëllezërit dhe motrat e mia, ne qeshim, qajmë, punojmë, luajmë, dashurojmë, jetojmë. Dhe më pas vdesim. Vdekja është trashëgimia jonë e përbotshme. Të gjithë duhet t’i kalojnë portat e saj. Vdekja merr të moshuarit, të lodhurit dhe të munduarit. Ajo i viziton të rinjtë në lule të moshës dhe në pritje të së ardhmes së tyre. As fëmijët e vegjël nuk i shpëtojnë pushtetit të saj. Në fjalët e Apostullit Pal: ‘Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë’ [Hebrenjve 9:27]” (“E Di Se Rron Shëlbuesi Im!” Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 24; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 26).

Reflektoni mbi mendimet ose ndjenjat që keni përjetuar kur dikush që ju e njihni ndërroi jetë.

Ndërsa studioni 1 Korintasve 15:1–29, kërkoni parime që mund t’ju ndihmojnë kur dikush që ju e njihni ndërron jetë.

Kur Apostulli Pal e përfundoi letrën e tij drejtuar shenjtorëve në Korint, ai foli për një bindje të rreme që ishte dhënë mësim nga disa anëtarë të Kishës. Lexojeni 1 Korintasve 15:12, duke kërkuar bindjen e rreme që ishte dhënë mësim.

Si mendoni ju, përse Pali ishte i shqetësuar rreth kësaj bindjeje të rreme?

Lexojeni 1 Korintasve 15:3–8, duke kërkuar atë që shkroi Pali për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës të kuptonin vërtetësinë e Ringjalljes së Shpëtimtarit. (Vini re se Kefa ishte një emër tjetër për Apostullin Pjetër.)

Nga këto vargje ne mund të mësojmë që Apostujt dëshmojnë se Jezu Krishti vdiq për mëkatet tona dhe u ringjall nga të vdekurit. (Ju mund të doni ta shenjoni apo shënoni këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta.)

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Presidenti Monson tregoi dëshminë vijuese: “Me gjithë zemrën time dhe zjarrin e shpirtit tim, unë ngre zërin për të dëshmuar si dëshmitar i veçantë dhe shpall se Perëndia jeton. Jezusi është Biri i Tij, i Vetëmlinduri i Atit në mish. Ai është Shëlbuesi ynë; Ai është Ndërmjetësi ynë me Atin. Ishte Ai që vdiq në kryq për të shlyer mëkatet tona. Ai u bë fryti i parë i Ringjalljes. Për shkak se Ai vdiq, të gjithë do të jetojnë përsëri. “Ç’gëzim më jep, oh kjo fjali: ‘E di, jeton Shëlbuesi im!’” [“E di, Jeton Shëlbuesi im”, Himne, nr. 74.] Qoftë e mundur që e gjithë bota ta dijë atë dhe të jetojë me anë të asaj njohurie” (“E Di Se Rron Shëlbuesi Im!” f. 27).

Përsiatni për mënyrën se si kanë ndihmuar dëshmitë e Apostujve për Ringjalljen e Jezu Krishtit që ta forcojnë besimin tuaj te Shpëtimtari dhe Ringjallja e Tij.

1 Korintasve 15:11–29

Pali shpjegon doktrinën e Ringjalljes

Siç shënohet te 1 Korintasve 15:11–15, Apostulli Pal pyeti përse shenjtorët korintas kishin filluar të dyshonin në vërtetësinë e Ringjalljes. Ai arsyetoi që nëse nuk kishte ringjallje të të vdekurve, atëherë as Jezu Krishti nuk ishte ringjallur. Dhe nëse Jezu Krishti nuk ishte ngritur nga të vdekurit, atëherë të gjitha dëshmitë për Ringjalljen e Tij ishin të rreme dhe nuk do të kishte qëllim për predikimin e ungjillit.

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 52; shtojca janë shtesa të diçkaje ose pjesë që bashkohen në diçka më të madhe).

  1. Kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Më pas lexojini fragmentet e shkrimit të shenjtë të cilat tregohen në kolonën e majtë të tabelës, duke kërkuar mënyrën se si do t’i plotësonit fjalitë përkatëse në kolonën e djathtë. Më pas plotësojini fjalitë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

    Vini re se fjala fryti i parë te 1 Korintasve 15:20, i referohet të korrës së parë që vilet nga një fermer. Ashtu si këto fryte të së vjelës janë të parat e shumë të tjerave që do të vilen, Jezu Krishti ishte njeriu i parë që u ringjall. (Vini në dukje se 1 Korintasve 15:20–22 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, kështu që të mund ta gjeni në të ardhmen.)

    1 Korintasve 15:16–19

    Nëse Jezusi nuk do të ringjallej nga të vdekurit, atëherë …

    1 Korintasve 15:20–22

    Meqë Jezusi u ringjall nga të vdekurit, atëherë …

Referojuni thënies së Palit te 1 Korintasve 15:19: “Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve”. Një e vërtetë që mund të mësojmë nga dëshmia e Palit në vargjet 20–22, është që për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, ne mund të kemi shpresë.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si Ringjallja e Jezu Krishtit mund t’ju sjellë shpresë kur dikush që ju e njihni ndërron jetë, ose kur keni frikë për vetë vdekjen tuaj.

  2. Përgjigjjuni njërës ose të dyja detyrave vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Shkruani dëshminë tuaj për vërtetësinë e Ringjalljes dhe për rëndësinë e saj në planin e Atit Qiellor për shpëtimin. Merreni parasysh ta ndani dëshminë tuaj për Ringjalljen me një person tjetër.

    2. Kërkojini një prindi, shoku/shoqeje ose udhëheqësi/je të Kishës të ndajë me ju dëshminë e tij apo të saj për Ringjalljen. Shkruani rreth asaj që mësuat dhe ndiet ndërsa e dëgjuat atë dëshmi.

Siç shënohet te 1 Korintasve 15:23–24, Pali dha mësim se do të ketë një rend për Ringjalljen. Jezu Krishti u ringjall i pari dhe pasuesit e tij besnikë do të ringjallen më pas. Doktrina e Besëlidhje na mëson se këta pasues besnikë do të trashëgojnë lavdinë çelestiale (shih DeB 76:50–70; 88:97–98). Ata që nuk janë të guximshëm në dëshminë e tyre për Jezu Krishtin dhe ata që janë të ligj do të ringjallen më vonë (shih DeB 76:71–86; 88:99–101). Pali dha gjithashtu mësim se në “fund” (gjatë Mijëvjeçarit), Jezu Krishti do t’ia “dorëzojë mbretërinë” Atit Qiellor pasi t’i ketë asgjësuar të gjitha format e “pushtet[it] e fuqi[së]” tokësore (apo të botës) (1 Korintasve 15:24).

Lexojeni 1 Korintasve 15:25–26, duke kërkuar atë që Pali dha mësim se do t’u ndodhë përfundimisht armiqve të Jezu Krishtit gjatë Mijëvjeçarit.

Vini re armikun e fundit që Jezu Krishti do të shkatërrojë. Përse vdekja mund të konsiderohet një armik i Jezu Krishtit dhe i planit të Atit Qiellor? (Shih Moisiu 1:39.)

Lexojeni 1 Korintasve 15:29, duke kërkuar ordinancën që kishin kryer shenjtorët korintas.

Me vetë fjalët tuaja, përmblidhni atë që Pali u kërkoi shenjtorëve lidhur me pjesëmarrjen e tyre në pagëzimet për të vdekurit:

Një e vërtetë që e mësojmë prej 1 Korintasve 15:29 është se ata që kanë vdekur pa pagëzimin, mund ta marrin këtë ordinancë themelore.

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

Presidenti Gordon B. Hinkli shpjegoi se tempujt qëndrojnë si një simbol i besimit tonë për Ringjalljen: “Çdo tempull, qoftë i madh ose i vogël, i vjetër ose i ri, është një shprehje e dëshmisë tonë se jeta përtej varrit është po aq e vërtetë dhe e sigurt sa është edhe vdekshmëria. Nuk do të ishte nevoja për tempuj nëse fryma dhe shpirti njerëzor nuk do të ishin të përjetshëm. Çdo ordinancë e kryer në këto shtëpi të shenjta është e përhershme në pasojat e saj” (“This Peaceful House of God”, Ensign, maj 1993, f. 74).

Pamja
Tempulli i Pejsënit, Juta

Tempulli i Pejsënit, Juta

Nëse keni jetuar ndonjëherë pranë një tempulli, mendoni për një rast kur kryet pagëzime për të vdekurit apo përgatitët emrat e paraardhësve tuaj për t’i çuar në tempull. Çfarë ndjenjash kishit ndërsa përgatitët emrat apo kryet punën për ta në tempull? Nëse nuk jetoni pranë një tempulli, merrni parasysh atë që mund të bëni për të ndihmuar në punën e shpëtimit për të vdekurit.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë mund të bëni për të marrë pjesë më plotësisht në punën për historinë familjare dhe atë në tempull, dhe si mendoni ju se pjesëmarrja juaj mund t’ju ndihmojë ta forconi dëshminë tuaj për Ringjalljen?

Në një fletë letre, shkruani një synim vetjak lidhur me mënyrën se si mund të merrni pjesë më shumë në punën për historinë familjare dhe atë në tempull. Vendoseni letrën në një vend që do t’ju kujtojë të punoni për synimin tuaj.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 1 Korintasve 15:20–22

  1. Mësimi përmendsh i këtij fragmenti të shkrimit të shenjtë (1 Korintasve 15:20–22) do t’ju ndihmojë të zotëroni fjalët dhe kuptueshmërinë, të cilat do t’ju ndihmojnë për t’ua mësuar doktrinën e Ringjalljes të tjerëve. Kaloni disa çaste duke mësuar përmendsh vargun 22, dhe më pas përsëriteni atë pa i parë shkrimet tuaja të shenjta. Bëni të njëjtën gjë me vargun 21, duke i përsëritur vargjet 21–22; dhe më pas vargun 20, duke i përsëritur të tri vargjet sipas rendit. Në fund, përpiquni ta shkruani të gjithë fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë nga kujtesa në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Korintasve 15:1–29 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër