Biblioteka
Njësia 22, Dita 4: 1 Korintasve 12–14


Njësia 22: Dita 4

1 Korintasve 12–14

Hyrje

Apostulli Pal shkroi për dhuntitë e shumta të Shpirtit. Ai e krahasoi Kishën me një trup fizik dhe shpjegoi se ashtu si trupi ka nevojë që çdo pjesë e tij të funksionojë siç duhet, ashtu edhe çdo anëtar i Kishës mund t’i përdorë dhuntitë e tij apo të saj të Shpirtit për ta ndihmuar Kishën dhe për ta forcuar atë. Pali i këshilloi shenjtorët që të kërkonin dashurinë hyjnore dhe dhuntinë frymërore të profecisë.

1 Korintasve 12

Pali jep mësim rreth dhuntive frymërore

Lexojini thëniet vijuese dhe qarkoni atë që ju mendoni se është më e saktë:

  • Dëshmia fitohet.

  • Dëshmia është një dhunti.

Shpjegoni përgjigjen tuaj:

Ndërsa studioni 1 Korintasve 12, kërkoni një parim që do t’ju ndihmojë të dini mënyrën se si të merrni një dëshmi të fortë vetjake për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.

Te 1 Korintasve 12:1–2 ne lexojmë se Apostulli Pal donte t’u mësonte anëtarëve të Kishës në Korint rreth dhuntive frymërore.

Lexojeni 1 Korintasve 12:3, duke kërkuar mënyrën se si mund ta dimë vetë se Jezusi është Zoti dhe Shpëtimtari. Profeti Jozef Smith dha mësim se fjala thotë te 1 Korintasve 12:3 duhet të kuptohet si di (shih History of the Church, 4:602–603).

Duke përdorur atë që keni mësuar nga 1 Korintasve 12:3, plotësoni të vërtetën vijuese: Vetëm nëpërmjet ne mund të marrim një dëshmi vetjake se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth nevojës sonë për të marrë një dëshmi vetjake:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Një dëshmi është zotërimi më i çmuar për shkak se nuk merret vetëm me anë të logjikës apo arsyes, nuk mund të blihet me zotërime tokësore, dhe nuk mund të jepet si dhuratë ose të trashëgohet nga paraardhësit tanë. Ne nuk mund të varemi nga dëshmitë e njerëzve të tjerë. Ne kemi nevojë ta dimë vetë. Presidenti Gordon B. Hinkli tha: ‘Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme ka përgjegjësi që të dijë vetë me siguri, përtej çdo dyshimi, se Jezusi është Biri i ringjallur, i gjallë, i Perëndisë së gjallë’ (“Fear Not to Do Good”, Ensign, maj 1983, f. 80). …

Ne e marrim këtë dëshmi kur Shpirti i Shenjtë i flet shpirtit tonë brenda nesh. Ne do të marrim një siguri qetësuese dhe të palëkundur që do të jetë burimi i dëshmisë dhe bindjes sonë” (“Forca e Një Dëshmie Personale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 38; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 54).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse është e rëndësishme të kuptojmë se një dëshmi për Jezu Krishtin vjen vetëm nëpërmjet Frymës së Shenjtë?

    2. Çfarë mund të bëjmë ne për ta ftuar Frymën e Shenjtë në jetën tonë dhe për ta marrë atë dëshmi?

Siç shënohet te 1 Korintasve 12:4–31, Pali u mësoi shenjtorëve në Korint se dhuntitë e shumta frymërore jepen për dobinë e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor dhe për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës që t’i shërbejnë njëri-tjetrit. Dhuntitë e Shpirtit janë bekime ose aftësi që jepen nga Fryma e Shenjtë, dhe Perëndia i jep të paktën një dhunti çdo anëtari të Kishës (shih DeB 46:11). Pali e krahasoi Kishën me një trup fizik. Ashtu si trupi ka nevojë që çdo pjesë e tij të funksionojë siç duhet, ashtu dhe çdo anëtar i Kishës mund t’i përdorë dhuntitë e tij apo të saj të Shpirtit për ta ndihmuar dhe forcuar Kishën. Për këtë qëllim, Pali i këshilloi shenjtorët që të “kërkoni[n] [ose të synonin] me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira” (1 Korintasve 12:31).

1 Korintasve 13

Pali jep mësim mbi rëndësinë e të paturit dashuri hyjnore

Lexojini skenarët vijues dhe merrni në shqyrtim se çfarë pasojash të dëmshme mund të vijnë si rrjedhojë e këtyre qëndrimeve dhe sjelljeve.

  • Ju shpesh bezdiseni dhe mërziteni nga sjellja e një vëllai apo motre.

  • Një shok i klasës sillet në mënyrë të pahijshme me ju, prandaj edhe ju ndiheni i shfajësuar që t’ia ktheni në mënyrë të pasjellshme.

  • Ju ndiheni ziliqar për talentet dhe arritjet e një shokut/shoqes suaj.

  • Nganjëherë ju e keni të lehtë të bëni thashetheme dhe të flisni keq për të tjerët në kuorumin tuaj të priftërisë apo në klasën e Të Rejave.

Teksa studioni 1 Korintasve 13, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të shmangni qëndrime dhe sjellje që mund ta prishin lumturinë tuaj vetjake dhe marrëdhëniet pozitive me të tjerët.

Lexojeni 1 Korintasve 13:1–3, duke kërkuar një cilësi dhe dhunti të Shpirtit që Pali e lëvdoi së tepërmi.

Dashuria hyjnore është “lloji më i lartë, më fisnik, më i fuqishëm, i dashurisë, jo thjesht pëlqim” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dashuri Hyjnore”).

Vini re në këto vargje mënyrën se si i përshkroi Apostulli Pal ata që kanë dhunti të tjera frymërore, por nuk kanë dashuri hyjnore (shih edhe DeB 88:125).

Frazat “bronz që kumbon” dhe “cimbali që tingëllon” në vargun 1, u referohen instrumenteve që krijojnë tinguj të lartë. Në kontekstin e 1 Korintasve 13:1, këto fraza mund të nënkuptojnë thënien e fjalëve boshe ose të pakuptimta kur folësi nuk nxitet nga dashuria hyjnore.

Pali i përshkroi cilësitë dhe karakteristikat e dashurisë hyjnore që t’i ndihmonte shenjtorët korintas ta kuptonin më mirë këtë dhunti. Lexojeni 1 Korintasve 13:4–8, duke kërkuar përshkrimin e Palit për dashurinë hyjnore. Ju mund të merrni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.

Merrrini në shqyrtim shpjegimet vijuese të frazave që mund të jenë të vështira për t’u kuptuar: Fraza “është e durueshme” (vargu 4) përshkruan dikë që i përballon me durim sprovat. “Nuk ka smirë” (vargu 4) përshkruan dikë që nuk është ziliqar për të tjerët. “Nuk vë në dukje” (vargu 4) përshkruan dikë që nuk mburret. “Nuk krekoset” (vargu 4) përshkruan cilësinë e të qenit i përulur. “Nuk sillet në mënyrë të pahijshme” (vargu 5) përshkruan dikë që nuk është i pasjellshëm ose i patakt. “Nuk kërkon të sajat” (vargu 5) përshkruan cilësinë e vendosjes së Perëndisë dhe të të tjerëve përpara vetes. “Nuk pezmatohet” (vargu 5) përshkruan dikë që nuk inatoset lehtësisht. “I beson të gjitha” (vargu 7) përshkruan dikë që e pranon të gjithë të vërtetën.

Jeta e kujt është një shembull i të gjitha këtyre cilësive të dashurisë hyjnore që përshkroi Pali?

Te Moroni 7:47 ne lexojmë se profeti Mormoni dha mësim se “dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit”. Ju mund të merrni parasysh ta shkruani këtë përkufizim dhe referencë pranë 1 Korintasve 13:4–8.

  1. Zgjidhni dy ose tre përshkrime të dashurisë hyjnore nga 1 Korintasve 13:4–8. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shpjegoni mënyrën se si e përshkruajnë ato Jezu Krishtin, dhe jepni një shembull nga jeta e Tij për secilin përshkrim që ju zgjodhët.

Një e vërtetë që mund të mësojmë prej 1 Korintasve 13:4–8 është se kur kërkojmë të marrim dhuntinë frymërore të dashurisë hyjnore, ne bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.

Çfarë mendoni se do të thotë në vargun 8 që “dashuria [hyjnore] nuk ligështohet kurrë”?

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi një mënyrë se si dashuria hyjnore nuk dështon kurrë: “Jeta ka pjesën e vet të frikërave dhe dështimeve. Ndonjëherë gjërat dështojnë. Ndonjëherë njerëzit na lënë në baltë, ose ekonomitë apo bizneset, ose qeveritë na lënë në baltë. Por një gjë në kohë ose përjetësi nuk na lë në baltë – dashuria e pastër e Krishtit” (Christ and the New Covenant [1997], f. 337).

Te 1 Korintasve 13:9–12 ne lexojmë atë që dha mësim Pali rreth arsyes përse dhuntitë frymërore të njohurisë dhe profecisë përfundimisht do të zhdukeshin. Pali vërejti se njohuria e vënë në dispozicion në këtë jetë është e paplotë dhe se ne do të marrim një njohuri të përsosur në përjetësi.

Lexojeni 1 Korintasve 13:13, duke kërkuar tri dhuntitë e Shpirtit që Pali dha mësim se do të mbeten, çka do të thotë se do të zgjasin ose do të mbeten të pandryshueshme.

Bazuar te 1 Korintasve 13:13, plotësoni të vërtetën vijuese: ____________________ është dhuntia më e madhe e Shpirtit.

Si mendoni ju, përse dashuria hyjnore është dhuntia më e madhe e Shpirtit?

Siç shënohet te 1 Korintasve 14:1, Pali i këshilloi shenjtorët të “kërkoni[n] dashurinë [hyjnore]”. Lexojeni Moronin 7:48, duke kërkuar atë që Mormoni i mësoi popullit të tij të bënte për të marrë dhuntinë e dashurisë hyjnore.

Si e marrim ne këtë dhe dhunti të tjera frymërore? Sipas Mormonit, kujt ia dhuron Ati Qiellor dhuntinë e dashurisë hyjnore?

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në ç’mënyrë të paturit e dashurisë hyjnore i përmirëson marrëdhëniet tona me familjen, miqtë dhe bashkëmoshatarët?

    2. Kur e keni parë dashurinë hyjnore në mënyrën se si dikush ju trajtoi juve apo të tjerët?

    3. Cilat prej cilësive të dashurisë hyjnore të renditura te 1 Korintasve 13:4–7 mendoni se i keni më të vështira për t’i patur? Përse? Shkruani një synim lidhur me atë që do të bëni për ta kërkuar dhe për ta marrë dhuntinë e dashurisë hyjnore.

1 Korintasve 14

Pali jep mësim se dhuntia e profecisë është më e madhe sesa dhuntia e gjuhëve

Te 1 Korintasve 14:1–3 Pali i këshilloi shenjtorët që ta kërkonin dhuntinë e profecisë. Ai tha se dhuntia e profecisë i ndërton apo i udhëzon të tjerët më shumë sesa dhuntia e gjuhëve.

“Një profeci përbëhet nga fjalë ose shkrime të frymëzuara në mënyrë hyjnore, që një njeri i merr nëpërmjet zbulesës nga Fryma e Shenjtë. Dëshmia e Jezusit është shpirti i profecisë (Zbulesa 19:10). … Kur një njeri profetizon, ai flet ose shkruan atë që Perëndia dëshiron që ai të dijë, për të mirën e tij ose të të tjerëve” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profeci, Profetizoj”, scriptures.lds.org).

Prej 1 Korintasve 14:1–3 ne mësojmë se ndërsa japim mësim dhe dëshmojmë me anë të frymëzimit, ne mund të ndihmojmë për t’i ndërtuar dhe ngushëlluar të tjerët. Një mënyrë se si mund t’i këshillojmë të tjerët (shih vargun 3) është duke i nxitur ata.

Merreni në shqyrtim rastin kur mësimdhënia ose dëshmia e dikujt ju udhëzoi, nxiti apo ngushëlloi juve.

Te 1 Korintasve 14:4–40, Pali i porositi shenjtorët korintas rreth dhuntisë së të folurit në gjuhë [tjetër]. Ai paralajmëroi se nëse ajo nuk përdorej siç duhej, dhuntia e gjuhëve nuk do të arrinte ta ndërtonte Kishën dhe do t’i shpërqendronte anëtarët nga të kërkuarit e dhuntive më të mira frymërore. Pali dha gjithashtu mësim se “Perëndia nuk është Perëndi trazimi” (1 Korintasve 14:33) dhe se të gjitha gjërat në Kishë duhet të bëhen në rendin e duhur.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Korintasve 12–14 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër