Biblioteka
Njësia 22, Dita 2: 1 Korintasve 9–10


Njësia 22: Dita 2

1 Korintasve 9–10

Hyrje

Apostulli Pal trajtoi shqetësimet e shenjtorëve korintas rreth përdorimit të burimeve të Kishës për të siguruar një sasi parash për shpenzimet e tij të jetesës. Ai shpjegoi se qëllimi i predikimit të tij ishte që t’u sillte shpëtim fëmijëve të Perëndisë. Ai i nxiti ata që të shmangnin kryerjen e mëkateve si edhe fyerjen e të tjerëve për bindjet e tyre fetare.

1 Korintasve 9

Pali predikon ungjillin në mënyrë që ai dhe dëgjuesit e tij të mund të shpëtohen

A e keni pasur ndonjëherë të vështirë për t’u zgjuar në mëngjes, dhe si rrjedhojë, humbët diçka të rëndësishme? Si ju bën të ndiheni kur kuptoni se e humbët mundësinë për diçka, ose dështuat për të arritur diçka të rëndësishme ngaqë nuk arritët të përgatiteshit?

Gjëja më e rëndësishme në këtë jetë që ne duhet të punojmë për ta marrë është mundësia për t’u kualifikuar për jetën e përjetshme.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përse jeta e përjetshme është diçka që ju e dëshironi.

Ashtu si vështirësia për t’u zgjuar në mëngjes mund të bëjë që ne t’i humbasim gjërat e rëndësishme apo të mos i marrim ato, disa sjellje mund të bëjnë që të mos ia dalim mbanë për të marrë gjënë më të rëndësishme nga të gjitha gjërat – jetën e përjetshme. Ndërsa studioni 1 Korintasve 9, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë të dini se si të siguroheni se do ta merrni jetën e përjetshme.

Te 1 Korintasve 9:1–21, Pali iu përgjigj pyetjeve të ndryshme nga shenjtorët korintas. Ai shkroi se ndonëse do të ishte plotësisht i shfajësuar po të mbështetej për problemet e tij materiale nga anëtarët e Kishës, ai nuk kishte qenë i varur prej tyre për shpenzimet e tij të jetesës. Ai shpjegoi se duke iu përshtatur rrethanave të ndryshme pa i rrezikuar standardet e ungjillit, ai kishte qenë në gjendje t’i ndihmonte judenjtë, johebrenjtë dhe çdokënd tjetër që ishte i dobët në ungjill që ta pranonte ungjillin.

Lexojeni 1 Korintasve 9:17, duke kërkuar mënyrën se si e predikoi Pali ungjillin.

Lexojeni 1 Korintasve 9:22–23, duke kërkuar arsyen përse Pali e predikoi ungjillin me dëshirë.

Mendoni për një rast kur ju keni praktikuar ose jeni trajnuar për një ngjarje. Sa gjithëpërfshirës ishte plani i praktikës ose programi i trajnimit tuaj? Si ju nxiti të punuarit drejt arritjes së një synimi?

Pali shpjegoi se atletët mund ta mposhtin tundimin për të mos u trajnuar duke u përqendruar te synimi i tyre. Lexojeni 1 Korintasve 9:24–25, duke kërkuar garën e atletikës që përdori Pali për t’u dhënë mësim shenjtorëve korintas.

Çfarë cilësie apo veçorie tha Pali se duhej të kishin vrapuesit me qëllim që të ishin të suksesshëm?

Ta kontrollosh veten në të gjitha gjërat do të thotë të ushtrosh vetëpërmbajtje, ose gjakftoftësi. Kurora që nuk prishet së cilës iu referua Pali, që do të mbetet përgjithmonë, është jeta e përjetshme.

Prej 1 Korintasve 9:25 ne mund të mësojmë parimin vijues: Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet të mësojmë të ushtrojmë vetëpërmbajtje në të gjitha gjërat. Në fund të fundit, sidoqoftë, jeta e përjetshme vjen vetëm “nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit” të Jezu Krishtit (2 Nefi 2:8) se sa nga vetëpërmbajtja jonë.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, përse ushtrimi i vetëpërmbajtjes është i nevojshëm me qëllim që të merrni jetën e përjetshme?

    2. Në cilat aspekte të jetës sonë duhet që të gjithë ne të ushtrojmë vetëpërmbajtje, me qëllim që të mund të marrim jetën e përjetshme?

Lexojeni 1 Korintasve 9:26–27, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Pali vetë përpjekjet e tij për të ushtruar vetëpërmbajtje. Fraza “e mundoj” në vargun 27, do të thotë të disiplinosh në mënyrë të hekurt (shih 1 Korintasve 9:27, poshtëshënimin a [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

Si mendoni ju, çfarë nënkuptoi Pali në vargun 27 kur shkroi, “e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar”?

Merrini në shqyrtim thëniet vijuese nga Presidenti Brigam Jang:

Pamja
Presidenti Brigam Jang

“Ju nuk mund ta trashëgoni jetën e përjetshme nëse dëshirat tuaja nuk i nënshtrohen shpirtit që jeton brenda jush, atij shpirti që na e dha Ati ynë në Qiell. Dua të them, Ati i shpirtrave tuaj, i atyre shpirtrave që i ka vendosur në këta tabernakuj [trupa]. Tabernakulli duhet t’i nënshtrohet në mënyrë të përkryer shpirtit, përndryshe trupi juaj nuk mund të ngrihet për të trashëguar jetën e përjetshme. … Kërkoni me zell, derisa t’ia nënshtroni gjithçka ligjit të Krishtit” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 204).

“Nëse shpirti i dorëzohet trupit, ai [shpirti] prishet; por nëse trupi i dorëzohet shpirtit, ai [trupi] bëhet i kulluar dhe i shenjtë” (Teachings: Brigham Young, f. 205).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë disa nga gjërat që ju mund të bëni për ta ndihmuar trupin tuaj t’i dorëzohet shpirtit tuaj?

1 Korintasve 10

Pali i këshillon shenjtorët korintas që ta shmangin mëkatin dhe fyerjen e të tjerëve

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë paralajmëroi: “Një nga mitet e mëdha në jetë është kur [individët] mendojnë se janë të pamposhtur. Shumë njerëz mendojnë se ata janë [bërë] prej çeliku, mjaft të fortë për t’i bërë ballë çdo tundimi. Ata e mashtrojnë veten duke menduar: ‘Kjo s’mund të më ndodhë mua’” (“It Can’t Happen to Me”, Ensign, maj 2002, f. 46).

Mendoni për situatat kur njerëzit mund ta lejojnë veten e tyre të dalin zbuluar ndaj tundimit, duke menduar se janë mjaft të fortë për t’i bërë ballë atij.

Siç shënohet te 1 Korintasve 10:1–5, Pali iu referua disa gjërave që përjetuan bijtë e Izraelit gjatë kohës së Moisiut, të cilat duhej t’i kishin bërë ata shpirtërisht të fortë. Edhe pse ata u bekuan nga Zoti në shkretëtirë dhe dëshmuan shumë mrekulli, Zoti ishte i pakënaqur me shumë prej tyre, dhe ata u ndëshkuan.

Lexojeni 1 Korintasve 10:6–11, duke kërkuar atë që Pali donte që shenjtorët korintas të mësonin nga shembulli i izraelitëve të lashtë.

Megjithëse izraelitët e lashtë përjetuan bekime të mëdha, ata zgjodhën që t’i jepeshin tundimit. Pali donte t’i paralajmëronte shenjtorët korintas, në mënyrë që ata të shmangnin përsëritjen e mëkateve të izraelitëve të lashtë.

Lexojeni 1 Korintasve 10:12, dhe përmblidheni mesazhin e Palit me vetë fjalët tuaja:

Lexojeni 1 Korintasve 10:13, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth tundimit. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Çfarë mund të mësojmë nga ky varg rreth tundimit?

Merreni parasysh pyetjen vijuese: Nëse Perëndia nuk do të na lejojë që të tundohemi përtej fuqisë sonë për ta përballuar, përse izraelitët e lashtë iu dhanë tundimit?

Lexojeni 1 Korintasve 10:14, duke kërkuar atë që Pali u mësoi shenjtorëve korintas të bënin. Idhujtaria ishte një mëkat me të cilën patën vështirësi si izraelitët e lashtë edhe shenjtorët korintas.

Prej 1 Korintasve 10:13–14 ne mund të mësojmë se, Perëndia do të na japë një mënyrë që t’i shpëtojmë tundimit, por ne duhet të zgjedhim ta veçojmë veten tonë nga tundimi.

Lexojeni Almën 13:28, duke kërkuar atë që ne mund të bëjmë për ta veçuar veten tonë nga tundimi. Merreni parasysh ta shkruani këtë referencë kryq në shkrimet tuaja të shenjta pranë 1 Korintasve 10:13–14.

  1. Përgjigjjuni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Nga ajo që keni mësuar te 1 Korintasve 10:13–14 dhe Alma 13:28, shkruani një titull gazete ose një kushtrim për një stendë afishimi që u tregon njerëzve se si të mund t’i shpëtojnë tundimit.

    2. Si mund të na ndihmojnë përulja e vetvetes, kujdesi dhe lutja e vazhdueshme për ta veçuar veten tonë nga tundimi?

Ju mund të mos jeni gjithmonë në gjendje ta shmangni tundimin. Për shkak të kësaj, ne kemi nevojë të vendosim tani se si do të veprojmë kur të përballemi me tundimin. Merrini në shqyrtim thëniet vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Vendimet e drejta janë më të thjeshta për t’u marrë kur ne i marrim ato shumë më herët, duke pasur në mendje objektivat përfundimtarë; kjo na kursen ankthin e tepërt [gjatë çasteve të vendimit], kur ne jemi të lodhur dhe të tunduar së tepërmi. …

… Koha për të marrë vendimin se nuk do të synojmë asgjë më pak përveçse të jetojmë përjetësisht me Atin tonë është tani, në mënyrë që çdo zgjedhje që bëjmë do të ndikohet nga vendosmëria jonë për të mos lënë asgjë të ndërhyjë për arritjen e atij synimi përfundimtar” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball, [2006], f. 108–109).

“Zhvilloni vetëdisiplinën, në mënyrë që të mos ju duhet të vendosni dhe rivendosni vazhdimisht atë që do të bëni kur të përballeni me po të njëjtin tundim herë pas here. Për disa gjëra ju duhet të vendosni vetëm një herë!

Çfarë bekimi i mrekullueshëm është që të mos ju duhet të merrni vazhdimisht vendime të vështira për sa i përket një tundimi. Bërja e kësaj gjëje të harxhon kohë dhe është shumë e rrezikshme” (Teachings: Spencer W. Kimball, f. 109).

“Koha për të hequr dorë nga mënyrat e liga është përpara se ato të fillojnë. Sekreti i një jete të mirë qëndron te mbrojtja dhe parandalimi. Ata që i jepen së ligës janë zakonisht ata që e kanë vendosur veten e tyre në një pozitë të cenueshme” (Teachings: Spencer W. Kimball, f. 109).

Merreni në shqyrtim se me cilat tundime ju hasni më tepër vështirësi. Çfarë ndryshimesh mund të bëni për t’iu shmangur tundimit, përpara se të përballeni ndonjëherë me të?

Gjeni një çast për të lexuar një temë nga broshura Për Forcën e Rinisë, që mund t’ju ndihmojë të dini se si ta veçoni veten tuaj nga tundimi. Bazuar në atë që lexoni, merreni parasysh të shkruani një synim dhe ta mbani me vete për një farë kohe, në mënyrë që t’ju kujtojë se si t’i shpëtoni tundimit.

Te 1 Korintasve 10:15–33, Pali i këshilloi shenjtorët korintas që t’i respektonin praktikat fetare të të tjerëve pa i vënë në rrezik praktikat e tyre, dhe shkroi sërish se ai po predikonte me qëllim që t’i ndihmonte shumë njerëz të shpëtoheshin.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Korintasve 9–10 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër