Biblioteka
Njësia 23, Dita 3: 2 Korintasve 1–3


Njësia 23: Dita 3

2 Korintasve 1–3

Hyrje

Apostulli Pal u shkroi shenjtorëve në Korint dhe u shpjegoi mënyrën se si ata do të mund t’i ngushëllonin të tjerët. Ai i këshilloi gjithashtu ata që ta falnin një mëkatar, i cili kishte qenë në bashkësinë e tyre. Pali u mësoi shenjtorëve se ndërsa ktheheshin te Zoti, ata do të bëheshin më shumë si Perëndia.

2 Korintasve 1

Pali u mëson shenjtorëve korintas se si t’i ngushëllojnë të tjerët

Mendoni për një rast kur dikush që ju e njihni përjetoi një sprovë të vështirë apo një vuajtje [të madhe]. Çfarë bëtë për ta ndihmuar atë?

A keni dashur ndonjëherë ta ngushëllonit dikë që po përjetonte një sprovë të vështirë në jetën e tij apo të saj, por nuk dinit se si ta bënit?

Ndërsa studioni 2 Korintasve 1, kërkoni një të vërtetë që mund t’ju ndihmojë të dini se si t’i ngushëlloni të tjerët në sprovat dhe vuajtjet e tyre.

Apostulli Pal ishte në Efes kur ua shkroi 1 Korintasve anëtarëve të Kishës në Korint. Më vonë, në Efes, shpërtheu një trazirë si kundërpërgjigje ndaj mësimeve të Palit atje (shih Veprat e Apostujve 19:23–41; Azia që përmendet në këto vargje ishte një krahinë romake në Turqinë e ditëve të sotme). Pali u largua nga Efesi dhe shkoi në Maqedoni, ku Titi i solli lajmin se letra e mëparshme e Palit ishte pritur mirë nga shenjtorët në Korint. Pali mësoi gjithashtu se shenjtorët po përjetonin mundime dhe se disa mësues të rremë në Korint po e prishnin doktrinën e vërtetë të Krishtit. Pali e shkroi 2 Korintasve për t’i ngushëlluar shenjtorët dhe për të trajtuar problemet që ishin shkaktuar nga mësuesit e rremë.

Lexojeni 2 Korintasve 1:1–5, duke kërkuar atë që Pali u tha shenjtorëve në Korint rreth mundimeve të tyre. Merreni parasysh ta shenjoni ose shënoni në shkrimet tuaja të shenjta atë që Pali tha në vargjet 3–4, që mund t’i ketë ndihmuar ata të ngushëllohen.

Prej 2 Korintasve 1:4 ne mësojmë të vërtetën vijuese: Për shkak se Ati Qiellor na ngushëllon në mundimet tona, ne jemi në gjendje t’i ndihmojmë të tjerët që ta marrin ngushëllimin e Tij.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për një rast kur ju morët ngushëllimin e Perëndisë gjatë një sprove. Si mendoni se ju ndihmoi ajo përvojë që ta ndihmonit dikë tjetër të merrte ngushëllimin e Tij?

Te 2 Korintasve 1:6–8, ne mësojmë atë që Pali u tregoi shenjtorëve në Korint rreth mundimeve të mëdha e kërcënuese për jetën që kishin përjetuar ai dhe shokët e tij [të misionit] ndërsa predikonin ungjillin në Efes.

Lexojeni 2 Korintasve 1:9–11, duke kërkuar atë që e ndihmoi Palin dhe shokët e tij [të misionit] gjatë sprovave të tyre.

Bazuar në vargun 11, plotësoni të vërtetën vijuese rreth mënyrës se si mund t’i ndihmoni njerëzit që janë duke përjetuar sprova: mund t’i ndihmojnë ata që po përjetojnë sprova.

  1. Përgjigjjuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund ta ndihmojnë lutjet tuaja dikë që po përjeton sprova?

    2. Si ju kanë ndihmuar lutjet e të tjerëve gjatë një sprove që keni përjetuar?

Te 2 Korintasve 1:12–24, ne mësojmë se Pali gëzohej për ata, të cilët i kishin pranuar këshillat që ai u kishte dhënë në letrën e tij të parë. Në vargjet 15–20 ai iu përgjigj atyre që gjetën gabime tek ai, kur ai i ndryshoi planet e tij për t’i vizituar ata. Disa nga kritikët e Palit me sa duket thoshin që për shkak se Pali i ndryshoi planet e udhëtimit, ata nuk mund t’i mirëbesonin më atij apo mësimeve të tij. Pali shpalli se mesazhi i ungjillit ishte i vërtetë, pavarësisht nga ndryshimi i planeve të tij.

2 Korintasve 2

Pali i nxit shenjtorët në Korint që ta falin mëkatarin

Mendoni për një rast kur një person iu lëndoi juve apo dikë që ju doni. Mendoni se përse mund të jetë e vështirë ta falni atë person.

Ndërsa studioni 2 Korintasve 2, kërkoni të vërteta që do t’ju ndihmojnë të kuptoni se përse është e rëndësishme që t’i falni të gjithë njerëzit.

Në letrën e parë të Apostullit Pal drejtuar korintasve, ai i qortoi ata për mosbindjen e tyre dhe mungesën e besimit. Lexojeni 2 Korintasve 2:1–4, duke kërkuar atë që Pali shpresonte se shenjtorët në Korint do të kuptonin nga qortimi i tij. Merreni parasysh të shenjoni ose shënoni në vargun 4 arsyen që dha Pali për qortimin e tij.

Në ç’mënyrë është qortimi apo korrigjimi një provë e dashurisë së dikujt për ne?

Siç shënohet te 2 Korintasve 2:5–6, Pali shkroi për një anëtar të Kishës, i cili kishte mëkatuar ndaj anëtarëve të tjerë të Kishës dhe u kishte shkaktuar pikëllim. Si rrjedhojë, Kisha e disiplinoi këtë njeri.

Lexojeni 2 Korintasve 2:7–8, duke kërkuar atë që tha Pali rreth mënyrës se si duhet ta trajtonin shenjtorët këtë njeri. Fjala përkundrazivargun 7 do të thotë përndryshe ose në të kundërt.

Edhe pse ky njeri kishte mëkatuar, vlera e shpirtit të tij është e madhe në sytë e Perëndisë (shih DeB 18:10). Pali i këshilloi shenjtorët që ta falnin, ngushëllonin dhe donin këtë njeri, për ta ndihmuar që të pendohej.

Lexojeni 2 Korintasve 2:9–11, duke kërkuar një arsye tjetër përse Pali tha se shenjtorët duhet t’i falin të tjerët.

Sipas asaj që Pali u mësoi shenjtorëve në vargun 11, ne mund të përcaktojmë të vërtetën vijuese: Nëse nuk i falim të tjerët, atëherë Satani do të ketë epërsi mbi ne. Merreni parasysh ta shenjoni ose shënoni këtë të vërtetë te 2 Korintasve 2:11. Në zbulesën bashkëkohore, Zoti na urdhëron që të falim çdokënd (shih DeB 64:8–11).

Të falësh dikë nuk do të thotë që mëkatari/ja nuk duhet të mbahet përgjegjës/e për veprimet e tij apo të saj. As nuk do të thotë që ne duhet ta vëmë veten tonë në situata ku njerëzit mund të vazhdojnë të na keqtrajtojnë. Për më tepër, falje do të thotë t’i trajtosh me dashuri si të Krishtit ata që na kanë keqtrajtuar dhe të mos ushqejmë mëri ose zemërim përkundrejt tyre, gjë e cila do të ndikonte në përparimin tonë shpirtëror (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Fal”, scriptures.lds.org).

“Nëse keni qenë viktimë e abuzimit, dijeni se ju jeni të pafajshëm dhe se Perëndia ju do. Flisni me prindërit tuaj ose një të rritur tjetër të besuar dhe kërkoni menjëherë këshillën e peshkopit tuaj. Ata mund t’ju mbështetin shpirtërisht dhe t’ju ndihmojnë për të marrë mbrojtjen dhe ndihmën që ju nevojitet. Procesi i shërimit mund të kërkojë kohë. Besoni te Shpëtimtari. Ai do t’ju shërojë dhe do t’ju japë paqe” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 36).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni ju, si ka epërsi Satani mbi ne kur nuk i falim të tjerët?

Mendoni për dikë që mund t’ju duhet ta falni. (Mbani mend se të falni nuk do të thotë ta lejoni veten tuaj të keqtrajtoheni. Do të thotë ta falni shkelësin, në mënyrë që ju të mund të ecni përpara në përparimin tuaj shpirtëror.) Vini një synim për ta falur atë person, në mënyrë që Satani të mos ketë epërsi mbi ju. Kërkoni ndihmën e Atit Qiellor teksa përpiqeni që t’i falni të tjerët.

Siç shënohet te 2 Korintasve 2:12–17, Pali u tha shenjtorëve se e falënderonte Perëndinë, që “[e] bën[te] të ngadhnje[nte] gjithnjë në Krishtin” (vargu 14), madje edhe në kohë të vështira.

2 Korintasve 3

Pali u mëson shenjtorëve në Korint se ndërsa kthehen te Zoti, ata do të bëhen më shumë si Perëndia

Pasi Apostulli Pal u largua nga Korinti, disa mësues të rremë filluan t’i kundërshtonin mësimet e tij dhe u përpoqën që ta diskreditonin atë duke u thënë të kthyerve në besim se ata duhej të ndiqnin ende ligjin e Moisiut. Te 2 Korintasve 3:1, në përgjigje ndaj atyre që u përpoqën ta diskreditonin atë, Pali u bëri një pyetje retorike anëtarëve të Kishës në Korint – një pyetje që ai e bëri për ndikimin qortues që ajo kishte mbi ta, duke mos pritur përgjigje prej tyre – nëse ai duhej t’u jepte atyre një “let[ër] rekomandimi” apo të merrte prej tyre një letër, gjë e cila dëshmonte për karakterin e tij dhe ligjshmërinë e tij si një Apostull i vërtetë i Jezu Krishtit. (Në kohën e Palit, të sapoardhurit në një bashkësi mbanin me vete letra rekomandimi. Këto letra i përshkruanin të sapoardhurit dhe jepnin siguri për karakterin e tyre të mirë.)

Lexojeni 2 Korintasve 3:2–3, duke kërkuar atë që Pali tha se shërbente si letra e tij e rekomandimit.

Pali dha mësim se jeta e ndryshuar e shenjtorëve ishte si një letër nga Vetë Krishti, që shërbente si një letër rekomandimi për karakterin e Palit. Fraza “e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit” në vargun 2, do të thotë se shumë njerëz do të arrinin ta njihnin së pari Kishën dhe të gjykonin për vërtetësinë e saj nëpërmjet sjelljes dhe shembujve vetjakë të anëtarëve të Kishës.

Pamja
Moisiu me rrasa guri

Merreni parasysh të shenjoni ose shënoni frazën “jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi” te 2 Korintasve 3:3. Gjatë kohës së Moisiut, urdhërimet ishin shkruar mbi rrasa guri. Pali e përdori këtë frazë për t’i ndihmuar shenjtorët në Korint të kuptonin se urdhërimet ishin shkruar në zemrën e tyre nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Te 2 Korintasve 3:5–13, Pali u mbështet te një rrëfim i Dhiatës së Vjetër për t’i ndihmuar shenjtorët të kuptonin gjendjen shpirtërore të kohës së tyre. Ai u kujtoi shenjtorëve në Korint se Moisiu vuri një vel mbi fytyrën e tij kur zbriti pasi foli me Zotin në malin Sinai, sepse fëmijët e Izraelit patën frikë nga lavdia që rrezatonte prej fytyrës së tij.

Lexojeni 2 Korintasve 3:14–15, duke kërkuar se si i krahasoi Pali izraelitët, të cilët patën frikë nga lavdia që rrezatonte prej fytyrës së Moisiut, me judenjtë në kohën e tij. Merreni parasysh të shenjoni ose shënoni atë që gjeni në shkrimet tuaja të shenjta.

Çfarë mendoni se do të thotë që “mendjet e tyre u errën” (vargu 14) dhe ata kishin “një vel … mbi zemrat e tyre” në (vargun 15)?

Ashtu si izraelitët në kohën e Moisiut nuk mund ta duronin lavdinë që vinte nga fytyra e Moisiut për shkak të padenjësisë së tyre, ashtu dhe judenjtë në kohën e Palit nuk mund t’i kuptonin profecitë e Dhiatës së Vjetër mbi Jezu Krishin për shkak të ligësisë së tyre.

Lexojeni 2 Korintasve 3:16–18, duke kërkuar atë që premtoi Pali se do ta hiqte velin e keqkuptimit nga zemrat dhe mendjet e njerëzve.

Përkthimi prej Joseph Smith-it e ndryshon frazën “kur Izraeli të kthehet te Zoti” në vargun 16 me “kur zemra e tyre të kthehet te Zoti” (Joseph Smith Translation, [Përkthimi prej Joseph Smith-it, në variantin shdm të Biblës në anglisht], 2 Korintasve 3:16; kursivet e shtuara).

Sipas 2 Korintasve 3:18, çfarë u ndodh atyre që kthehen te Zoti dhe u hiqet veli i keqkuptimit? Merreni parasysh ta shenjoni ose shënoni përgjigjen që gjeni në shkrimet tuaja të shenjta.

Fraza “transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi” (vargu 18) i referohet ndryshimit gradual që ne marrim nëpërmjet Shpirtit, i cili na ndihmon të bëhemi më shumë si Perëndia. Nga këto vargje ne mësojmë se kur e kthejmë zemrën tonë te Zoti, ne do të kemi Shpirtin, i cili na ndryshon gradualisht që të bëhemi më shumë si Perëndia.

  1. Plotësoni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Shpjegoni se çfarë mendoni se do të thotë ta kthejmë zemrën tonë te Jezu Krishti.

    2. Bëni një listë të mënyrave se si mund ta ktheni zemrën tuaj te Jezu Krishti.

Mendoni për mënyrën se si ju ka ndryshuar Shpirti që nga koha kur filluat studimin tuaj të Dhiatës së Re këtë vit. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një synim që do t’ju ndihmojë të ktheheni më plotësisht te Zoti, në mënyrë që të mund të merrni Shpirtin dhe të bëheni më shumë si Perëndia.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 2 Korintasve 1–3 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër