Biblioteka
Njësia 23, Dita 4: 2 Korintasve 4–7


Njësia 23: Dita 4

2 Korintasve 4–7

Hyrje

Apostulli Pal dha mësim se sprovat dhe vuajtjet e kësaj jete janë të përkohshme dhe të vogla në krahasim me bekimet e përjetësisë. Ai gjithashtu u dha mësim shenjtorëve në Korint rreth Gjykimit dhe dëshmoi se Jezu Krishti bëri të mundur që ne të pajtohemi me Perëndinë. Ndërsa Pali vazhdonte ta mbronte sjelljen e tij si një shërbëtor i Perëndisë, ai i këshilloi shenjtorët që ta veçonin veten e tyre nga të gjitha padrejtësitë dhe të gëzoheshin që kishin përjetuar trishtimin sipas Perëndisë dhe ishin penduar.

2 Korintasve 4

Pali dëshmon që edhe pse ka mundime, ai nuk është i frikësuar apo i shqetësuar

Pamja
një burrë duke shtyrë një burrë tjetër

Çfarë duket se do të portretizojë kjo figurë? Çfarë mund të mendojë personi që po shtyhet për personin që po e shtyn atë?

Varianti i zgjeruar i kësaj figure shpalos se burri në të vërtetë po e shtyn burrin tjetër nga rruga ku po vjen një makinë.

Pamja
një burrë duke shtyrë një burrë tjetër nga rruga ku po vjen një makinë

Në ç’mënyrë të parit e situatës në një kontekst ose këndvështrim më të gjerë, e ndryshon gjykimin tuaj për atë që portretizon figura e parë?

Siç shënohet te 2 Korintasve 4, Apostulli Pal u shkroi shenjtorëve në Korint që t’i ndihmonte ata të shihnin kontekstin e gjerë të mundimeve të tyre. Ndërsa studioni këtë kapitull, merrni parasysh mënyrën se si mund ta zbatoni atë që Pali u mësoi shenjtorëve rreth mundimeve të tyre.

Te 2 Korintasve 4:1–7 ne lexojmë për mënyrën se si i siguroi Pali shenjtorët se ai ua kishte predikuar me vërtetësi ungjillin. Ai dha mësim se Satani, “perëndia i këtij shekulli” (2 Korintasve 4:4), punon për t’i penguar njerëzit që të mos e pranojnë ungjillin. Pali e krahasoi veten e tij dhe bashkëshërbestarët e tij me enët prej balte që mbajnë “thesar[in]” e “[dritës] [së] njohuri[s]ë [së] lavdisë së Perëndisë” (2 Korintasve 4:6–7).

Lexojeni 2 Korintasve 4:8–9, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Pali sfidat e punës së tij misionare.

Si mendoni ju, përse Pali mundi të ruante një qëndrim pozitiv ndërkohë që i përjetonte këto sfida?

Siç shënohet te 2 Korintasve 4:11–14, Pali dha mësim që edhe pse disa njerëz do të vdisnin për ungjillin e Jezu Krishtit, vdekja e tyre do të ishte e përkohshme.

Lexojeni 2 Korintasve 4:14–16, duke kërkuar se çfarë dinte Pali që e ndihmoi të përballonte sprovat dhe përndjekjen.

Fraza “edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë” (2 Korintasve 4:16), do të thotë që edhe pse Pali dhe shokët e tij [të misionit] do të vdisnin fizikisht, shpirti i tyre po forcohej çdo ditë.

Lexojeni 2 Korintasve 4:17–18, duke kërkuar të vërtetat që Pali u mësoi shenjtorëve rreth sprovave dhe vuajtjeve.

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje është se sprovat dhe vuajtjet tona në këtë jetë, janë të vogla kur krahasohen me bekimet dhe rritjen e përjetshme që vijnë, kur i durojmë ato besnikërisht.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse është e rëndësishme që t’i shohim vuajtjet tona në një kontekst më të gjerë në planin e Atit Qiellor?

    2. Kur e keni parë dikë të qëndrojë i fortë gjatë sprovave, për shkak se ai ose ajo i pa vuajtjet në një kontekst më të gjerë në planin e Atit Qiellor?

2 Korintasve 5

Pali u jep mësim shenjtorëve rreth Gjykimit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit

Paloseni një fletë letre më dysh. Hapeni fletën. Shkruani emrin tuaj në njërën gjysmë të fletës dhe shkruani Ati Qiellor në gjysmën tjetër. Kur erdhëm në tokë, ne u larguam nga prania e Atit Qiellor. Griseni fletën më dysh dhe mbajini veçmas të dyja gjysmat. Merreni në shqyrtim se si fleta e grisur mund të përfaqësojë atë që ndodhi kur ne u larguam nga prania e Atit Qiellor dhe erdhëm në tokë për të provuar vdekshmërinë. Te 2 Korintasve 5 ne lexojmë rreth disa të vërtetave që tregoi Pali, të cilat mund të na ndihmojnë të kuptojmë atë që duhet të bëjmë për t’u kthyer në praninë e Atit Qiellor.

Lexojeni 2 Korintasve 5:6–10, duke kërkuar të vërteta që mund të na ndihmojnë për ta mbajtur në perspektivë marrëdhënien tonë me Atin Qiellor. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni në shkrimet tuaja të shenjta atë që gjeni.

Sa vijon janë dy të vërteta që ne mund t’i mësojmë nga këto vargje: Për shkak se jemi të ndarë nga Perëndia në vdekshmëri, ne duhet të ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit. Secili prej nesh do të gjykohet nga Jezu Krishti sipas asaj që ka bërë në vdekshmëri.

Mendoni se çfarë do të thotë të “ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit” (2 Korintasve 5:7). Kush është ai person që ju e njihni, i cili ecën nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit?

Merreni në shqyrtim se çfarë mund të bëni në jetën tuaj që të punoni për t’i “pëlq[yer Zotit]” (2 Korintasve 5:9).

Lexojeni 2 Korintasve 5:15–16, duke kërkuar se çfarë bëjnë pasuesit e Jezu Krishtit për shkak të Shlyerjes. Lexoni gjithashtu tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.lds.org, 2 Korintasve 5:16. Fraza “të mos jetojmë më sipas mishit” do të thotë se ne duhet ta braktisim mënyrën e jetesës sipas botës.

Në gjysmën e fletës që ka emrin tuaj në të, shkruani atë që ju mësuat rreth mënyrës se si duhet të jetojnë pasuesit e Jezu Krishtit.

Lexojeni 2 Korintasve 5:17–19, duke kërkuar mënyrën se si mund të na ndihmojë Shlyerja e Jezu Krishti për t’u kthyer në praninë e Atit Qiellor. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni në shkrimet tuaja të shenjta atë që gjeni.

Shkruani të vërtetën vijuese në gjysmën e fletës që ka të shkruar në të “Ati Qiellor”: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi krijesa të reja dhe të pajtohemi me Perëndinë.

Si mendoni ju, çfarë do të thotë të bëhesh “një krijesë e re” (2 Korintasve 5:17)?

Puthitini sërish të dyja gjysmat e fletës suaj. Të pajtohemi me Perëndinë do të thotë që nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit ne mund të ndryshohemi dhe pastrohemi, duke nënkuptuar se ne bëhemi krijesa te reja, në mënyrë që të mund të kthehemi për të jetuar në praninë e Atit Qiellor.

Te 2 Korintasve 5:20–21 ne lexojmë se Pali iu referua vetes së tij dhe atyre që po jepnin mësim me të si “lajmëtarë për Krishtin”, dhe i këshilloi shenjtorët që të pajtoheshin me Perëndinë.

2 Korintasve 6

Pali përshkruan karakteristikat e shërbëtorëve të Perëndisë dhe i këshillon shenjtorët që të dalin nga mesi i të ligjve

A jeni tallur ose kritikuar ndonjëherë kur po përpiqeshit t’i shërbenit dikujt tjetër apo ta ndihmonit atë? Te 2 Korintasve 6:1–13 ne lexojmë për mënyrën se si i nxiti Pali shenjtorët që të ishin shërbëtorë të Perëndisë dhe të ishin të duruar e të kujdesshëm që të mos fyenin, edhe kur trajtoheshin keq.

Te 2 Korintasve 6:14–18 ne mësojmë se Pali u dha mësim shenjtorëve rreth bekimeve [që vijnë] prej veçimit të vetes të tyre nga padrejtësia.

Plotësojeni tabelën vijuese duke lexuar 2 Korintasve 6:14–18 dhe duke renditur këshillat e premtimet shoqëruese të Palit:

Këshilla për Shenjtorët

Premtime nga Zoti

Te 2 Korintasve 6:15 fjala harmoni do të thotë përputhje, fjala belial do të thotë ligësi (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Belial” [“Belial”]), dhe jobesimtar i referohet një njeriu të pafe apo dikujt që beson në perëndi të rreme. Për të krishterët e hershëm, ata që nuk ishin të krishterë ishin jobesimtarë.

Frazat “ndahuni” dhe “mos prekni asgjë të ndyrë” (vargu 17) janë paralajmërime për t’i shmangur adhuruesit e idhujve dhe praktikat e tyre të rreme, dhe kanë zbatim edhe për ne në kohën tonë. “Pali i krahasoi shenjtorët korintas me ‘tempulli[n e] Perëndisë së gjallë’ (2 Korintasve 6:16). Ai më pas i shkurajoi ata që të hynin në marrëdhënie me adhuruesit e idhujve apo të merrnin pjesë në praktikat e tyre të ‘papast[ra]’ (shih Isaia 52:11). Me këto mësime, Pali përsëriti një premtim që iu bë popullit të Perëndisë në lashtësi – që nëse ata do të ‘dilni[n] nga mesi’ i të ligjve, Perëndia do të banonte midis tyre dhe do të ishte Perëndia i tyre (2 Korintasve 6:17; shih edhe … Jeremia 32:38; dhe Ezekiel 11:19–20)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 402). Pali i paralajmëroi veçanërisht anëtarët që të shmangnin të gjithë adhurimin e rremë, idhujtarët dhe praktikat e rreme, pikërisht ashtu siç Dhiata e Vjetër u kishte mësuar njerëzve të adhuronin Perëndinë dhe të bëheshin populli i Tij i zgjedhur, duke i refuzuar gjithë perënditë e tjera.

Një parim që mund të mësojmë prej 2 Korintasve 6:14–18 është se kur ne veçohemi nga praktikat e rreme dhe gjërat e ndyra, Zoti do të na pranojë. (Ky parim nuk do të thotë se ne duhet t’i trajtojmë njerëzit e besimeve të tjera në mënyrë të vrazhdë ose të mos pranojmë të shoqërohemi me ta.)

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në kohën tonë, çfarë do të thotë që ne duhet të veçohemi nga praktikat e rreme dhe gjërat e ndyra? (Shih DeB 1:15–16.)

    2. Kur jeni ndier të bekuar sepse e veçuat veten tuaj nga një situatë që mund t’ju kishte larguar nga Zoti?

2 Korintasve 7

Pali gëzohet në pendimin e vërtetë të shenjtorëve

Te 2 Korintasve 7, Apostulli Pal shpjegoi se ndërsa ai dhe shokët e tij misionarë po kalonin mundime të mëdha në Maqedoni, Titi i solli fjalë nga Korinti, të cilat e mbushën Palin me gëzim dhe ngushëllim. Pali kishte dërguar më parë një letër në Korint, duke u bërë thirrje disa shenjtorëve që të pendoheshin, dhe Titi i tregoi për reagimin e anëtarëve të Kishës.

Lexojeni 2 Korintasve 7:8–10, duke kërkuar mënyrën se si reaguan shenjtorët në Korint ndaj letrës së Palit.

Përse Pali ishte i kënaqur që shenjtorët ndien trishtim për shkak të letrës së tij?

Merreni në shqyrtim nëse trishtimi që ju ndieni për mëkatet tuaja është trishtim sipas Perëndisë, i cili “sjell pendim për shpëtim” apo “trishtimi i botës” (2 Korintasve 7:10), që do të thotë se ju vjen keq që u kapët apo që do t’ju duhet të përballeni me pasojat e keqbërjeve tuaja.

Lexojeni 2 Korintasve 7:11, duke kërkuar llojet e ndryshimeve që bënë shenjtorët në jetën e tyre për shkak se trishtimi sipas Perëndisë i ndihmoi që të pendoheshin.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 2 Korintasve 4–7 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër