Biblioteka
Njësia 27, Dita 1: 2 Timoteut


Njësia 27: Dita 1

2 Timoteut

Hyrje

Në letrën e tij të dytë drejtuar Timoteut, Apostulli Pal dha mësim se frika nuk vjen nga Perëndia dhe e këshilloi Timoteun që të mos kishte turp nga dëshmia e tij për Jezu Krishtin. Ai e nxiti Timoteun që t’i duronte me besnikëri sprovat dhe e udhëzoi atë t’u mësonte shenjtorëve që të pendoheshin. Pali shpjegoi se pavarësisht se braktisja dhe ligësia do të sundonin në kohën e tyre si edhe në ditët e fundit, Timoteu duhet të qëndronte besnik ndaj të vërtetave që i kishte mësuar tashmë. Pali dha mësim edhe për qëllimet e shkrimeve të shenjta. Ai e mbylli letrën e tij duke e nxitur Timoteun që ta përmbushte me zell shërbesën e tij.

2 Timoteut 1

Pali e këshillon Timoteun të mos ketë turp për ungjillin

Mendoni për një rast kur keni përjetuar frikë. Ku ndodheshit? Çfarë po bënit?

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

Presidenti Gordon B. Hinkli shpjegoi se çfarë ndikimi mund të ketë frika tek ne: “Cili prej nesh mund të thotë se ai apo ajo nuk e ka ndier frikën? Unë nuk njoh askënd që mos të jetë prekur fare prej saj. Disa, sigurisht, e përjetojnë frikën në një shkallë më të lartë sesa të tjerët. Disa janë në gjendje ta kalojnë shpejt atë, por disa të tjerë mbërthehen dhe fundosen prej saj e madje çohen deri në shkatërrim. Ne vuajmë nga frika e talljes, frika e dështimit, frika e vetmisë, frika e paditurisë. Disa kanë frikë për të tashmen, disa për të ardhmen. Disa mbartin barrën e mëkatit dhe do të jepnin pothuajse gjithçka që ta shkëputnin vetveten nga ato barrë, por kanë frikë ta ndryshojnë jetën e tyre. Le të kuptojmë se frika nuk vjen nga Perëndia, porse ky element brejtës e shkatërrues vjen nga e anasjella e së vërtetës dhe drejtësisë. Frika është antiteza e [kundërta] e besimit. Efektet e saj janë gërryese, madje vdekjeprurëse” (“God Hath Not Given Us the Spirit of Fear”, Ensign, tetor 1984, f. 2).

Si mund të ndikojë frika në aftësinë tonë për ta jetuar ungjillin?

Ndërsa studioni 2 Timoteut 1, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë ta mposhtni frikën.

Ndërkohë që Pali ishte i burgosur në Romë, afër fundit të jetës së tij, ai shkroi letrën e tij të dytë drejtuar Timoteut. Siç shënohet te 2 Timoteut 1:1–5, Pali shprehu dëshirën e tij për ta takuar Timoteun dhe e rishprehu besimin e sinqertë të Timoteut.

Lexojeni 2 Timoteut 1:6–8, duke kërkuar se çfarë i solli ndër mend Pali Timoteut që të bënte për ta mposhtur frikën.

“Dhunti[a] e Perëndisë” e marrë me anë të vënies së duarve (2 Timoteut 1:6), me gjasë i referohet Frymës së Shenjtë. Folja “zgjosh” në vargun 6 do të thotë të përtërish ose të gjallërosh (shih 2 Timoteut 1:6, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Pali e këshilloi Timoteun ta zgjonte dhuntinë e Frymës së Shenjtë, ose ta ftonte Frymën e Shenjtë të ishte me të.

Sipas 2 Timoteut 1:7, çfarë bekimesh mund të vijnë kur e kemi Shpirtin me ne?

Pali përmendi frikën e botës, e cila krijon ankth, pasiguri e alarm dhe ndryshon nga ajo që në shkrimet e shenjta përmendet si “frika e Zotit” (Fjalët e Urta 9:10). Të kesh frikë Zotin është “të ndiesh nderim e adhurim për të dhe t’u bindesh urdhërimeve të tij” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Frikë”, f. 51, scriptures.lds.org). Frika ose nderimi ynë për Zotin mund të na forcojë kundër frikës së botës.

Një parim që mund të mësojmë nga këshillat e Palit dhënë Timoteut është se, kur përpiqemi me zell për ta pasur Shpirtin me vete, ne mund ta mposhtim frikën dhe të mos kemi turp nga dëshmia jonë për Jezu Krishtin.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë mënyrat në të cilat ju mund të tregoni se nuk keni turp nga dëshmia juaj për Jezu Krishtin?

    2. Kur ju ka ndihmuar Shpirti ta mposhtni frikën e botës apo ju ka dhënë kurajë që të qëndroni të palëkundur në dëshminë tuaj për Jezu Krishtin?

Përsiatni për atë që mund të bëni për ta ftuar Shpirtin që të jetë me ju, në mënyrë që të mund ta mposhtni frikën e botës dhe të mos keni turp nga dëshmia juaj për Jezu Krishtin.

Siç shënohet te 2 Timoteut 1:9–18, Pali e shtyu Timoteun të qëndronte besnik ndaj doktrinës së vërtetë. Ai dëshmoi për fuqinë shpëtuese të Jezu Krishtit, e cila e bën të mundur Ringjalljen, pavdekësinë dhe jetën e përjetshme.

2 Timoteut 2

Pali e udhëzon Timoteun t’i durojë vështirësitë me besnikëri

Siç shënohet te 2 Timoteut 2:1–9, Pali e nxiti Timoteun të mbështetej tek ungjilli dhe t’i duronte vështirësitë siç do të bënte një ushtar i mirë. Pali tha gjithashtu se përjetoi shumë sprova ngaqë ishte një dishepull i Krishtit.

Lexojeni 2 Timoteut 2:10–12, duke kërkuar se çfarë tha Pali rreth arsyes përse ai duhej t’i duronte të tilla vështirësi. “Të zgjedhurve” (vargu 10) i referohet anëtarëve besnikë të Kishës (shih DeB 29:7), dhe fjala vuajvargun 12 do të thotë të durosh e të qëndrosh i pandryshueshëm (shih 2 Timoteut 2:12, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Një parim që mund të mësojmë nga këto vargje është se, kur i durojmë vështirësitë dhe qëndrojmë besnikë ndaj Zotit, ne mund ta ndihmojmë veten dhe të tjerët të marrin shpëtim nëpërmjet Jezu Krishtit.

Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të marrin shpëtim nëpërmjet Jezu Krishtit duke i duruar me besnikëri vetë sprovat tona?

Te 2 Timoteut 2:13–19 Pali e këshilloi Timoteun që t’u kujtonte shenjtorëve të shmangnin grindjen dhe t’i “largohe[shin] paudhësisë” (vargu 19). Merrni parasysh ta shenjoni fjalinë e fundit te 2 Timoteut 2:19.

Pamja
kupa, fuçi

Për ta ndihmuar Timoteun të kuptonte nevojën e shenjtorëve për pendim, Pali përdori lloje të ndryshme enësh, ose mbajtësesh, si një metaforë për anëtarët e shtëpisë, ose Kishës, së Jezu Krishtit.

Lexojeni 2 Timoteut 2:20, duke kërkuar se çfarë lloje enësh gjenden “në një shtëpi të madhe”. Fraza “disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar” sugjeron se disa anëtarë të Kishës ishin të denjë dhe ia kishin përkushtuar veten qëllimeve fisnike, ndërkohë që të tjerët nuk e bënin.

Lexojeni 2 Timoteut 2:21, duke kërkuar se çfarë e bën dikë një “enë … [të përshtatshme] për të zotin”. Fraza “pastrohet nga këto gjëra” i referohet të bërit tërësisht i pastër nga paudhësia (shih 2 Timoteut 2:19).

Një parim që mund të mësojmë nga metafora e Palit është se, nëse e pastrojmë veten nga paudhësia, mund t’i shërbejmë më mirë Zotit.

Çfarë mund të bëjmë që ta pastrojmë veten nga paudhësia?

Lexojeni 2 Timoteut 2:22, duke kërkuar disa gjëra që Pali shkroi se mund të bëjmë ne për ta pastruar veten nga paudhësia.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një shembull se si ky parim gjen zbatim për misionarët:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Zoti ka vizatuar vija denjësie për ata që janë thirrur të punojnë me Të në këtë punë. Asnjë misionar nuk mund t’i ftojë të tjerët të pendohen për shkelje seksuale, gjuhë përdhosëse apo për shikimin e pornografisë nëse nuk është penduar vetë më parë që i ka bërë këto gjëra. Ju nuk mund ta bëni këtë! Shpirti nuk do të jetë me ju dhe fjalët do t’ju ngecin në grykë ndërkohë që i thoni. Ju nuk mund të ecni nëpër ato që Lehi i quajti ‘shtigje të ndaluara’ [1 Nefi 8:28] dhe të prisni që t’i drejtoni të tjerët për tek ‘shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar’ [2 Nefi 31:18], kjo – nuk mund të bëhet.

Por ka një mënyrë që ju t’i kapërceni mëkatet tuaja po aq sa ka dhe për një kërkues të cilin ju do ta mësoni të kapërcejë mëkatet e tij. Kushdo që të jeni dhe çfarëdo të keni bërë, ju mund të merrni falje. Secili prej jush … mund të lerë pas çdo shkelje me të cilën është duke luftuar. Kjo është ‘mrekullia e faljes’, kjo është mrekullia e Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht. Por ju nuk mund ta bëni pa një zotim veprues ndaj ungjillit dhe nuk mund ta bëni pa pendim, aty ku është i nevojshëm. Unë po ju kërkoj … të jeni aktivë dhe të jeni të pastër. Nëse është e nevojshme, unë po ju kërkoj të bëheni aktivë dhe të bëheni të pastër” (“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 45).

Përsiatni përse është thelbësore të jemi të pastër nga mëkati kur shpallim ungjillin. Merrni parasysh çdo mëkat për të cilin duhet të pendoheni që të mund t’i shërbeni më mirë Zotit. Kujtohuni se peshkopi ose presidenti juaj i degës mund të jetë një burim i rëndësishëm ndihme teksa përpiqeni të bëheni të pastër dhe të kulluar.

2 Timoteut 3

Pali përshkruan kohët e vështira të ditëve të fundit

A jeni shqetësuar ndonjëherë nëse ju apo fëmijët tuaj të ardhshëm mund të mos jeni në gjendje t’i bëni ballë ligësive të botës në kohën tonë?

Apostulli Pal e mësoi Timoteun se si t’i mposhtte vështirësitë e botës. Lexojeni 2 Timoteut 3:1–5, duke kërkuar disa nga vështirësitë që Pali tha se Timoteu dhe ne do të përjetonim apo do të shihnim në jetën tonë. Ju mund të doni të përdorni poshtëshënimet për t’ju ndihmuar të kuptoni disa fjalë të vështira.

Mendoni për një rast të fundit kur mund të keni vëzhguar këto lloje sjelljesh të vështira.

Te 2 Timoteut 3:6–13 Pali vazhdoi t’i përshkruante këto vështirësi dhe ai profetizoi se në ditët e fundit ato veçse do të përkeqësoheshin.

Vëreni te 2 Timoteut 3:7 se Pali përmendi ata të cilët “mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës”. Cilat janë disa filozofi apo ide që spikatin sot por që bien në kundërshtim me të vërtetën që Perëndia ka zbuluar nëpërmjet profetëve të Tij?

Pasi i përshkroi këto vështirësi, Pali i dha këshilla Timoteut – dhe neve – se në ç’mënyrë t’i mposhtim këto vështirësi shpirtërore.

Lexojeni 2 Timoteut 3:14–17, duke kërkuar këshillat e Palit. (Vini në dukje se 2 Timoteut 3:15–17 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, kështu që të mund ta gjeni në të ardhmen.)

Mendoni rreth asaj se ç’mund të nënkuptojë të “qëndro[sh] në ato që mësove dhe u binde plotësisht ” (2 Timoteut 3:14).

Ne mund të mësojmë dy parimet vijuese nga këto vargje: Nëse vazhdojmë me të vërtetat që kemi mësuar nga burimet e besuara dhe në shkrimet e shenjta, ne mund ta mposhtim rrezikun shpirtëror të ditëve të fundit. Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mund të mësojmë doktrinën e të marrim ndreqje dhe edukim që do të na ndihmojnë të zhvillohemi drejt përsosjes.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një rasti kur shkrimet e shenjta ju kanë ndihmuar në një ose më shumë nga mënyrat vijuese:

    1. Për ta kuptuar një doktrinë të ungjillit

    2. Duke iu dhënë bindje ose ndreqje lidhur me diçka në të menduarin, zgjedhjet ose sjelljen tuaj që nuk ishte e drejtë

    3. Duke iu dhënë një përgjigje për një lutje apo duke iu dhënë edukim mbi mënyrën se si mund ta zgjidhni një problem

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – 2 Timoteut 3:15–17

  1. Merrni disa çaste dhe mësojeni përmendsh 2 Timoteut 3:16–17. Më pas, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Unë e kam mësuar përmendsh 2 Timoteut 3:16–17. Merrni parasysh se si mund t’i studioni shkrimet tuaja të shenjta këtë javë në një mënyrë që i fton premtimet e këtyre vargjeve në jetën tuaj.

2 Timoteut 4

Pali shpall se ai ka luftuar një luftë të mirë dhe i vë detyrë Timoteut që të vazhdojë të predikojë

Ka të ngjarë që 2 Timoteut ishte letra e fundit që Apostulli Pal shkroi përpara se të vdiste. Lexojeni 2 Timoteut 4:1–5, duke kërkuar dy gjëra: 1) këshillat e Palit drejtuar Timoteut dhe 2) profecinë e Palit rreth të ardhmes së Kishës së lashtë të krishterë. Përdorni poshtëshënimet për t’ju ndihmuar ta kuptoni atë që lexoni. Fraza “ngul këmbë me kohë e pa kohë” në vargun 2 do të thotë të ngutesh në punën e Zotit dhe t’i heqësh vërejtje ose t’i korrigjosh ata që nuk e bëjnë këtë (shih Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], 2 Timoteut 4:2, poshtëshënimi b, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Shkruajini ato që gjetët në tabelën vijuese:

Këshillat e Palit drejtuar Timoteut

Profecia e Palit rreth Kishës së lashtë të krishterë

Përse mendoni se Pali e nxiti Timoteun që të vazhdonte të predikonte dhe t’u shërbente njerëzve edhe pse e dinte se shumë njerëz do të largoheshin nga e vërteta?

Lexojeni 2 Timoteut 4:6–8, duke kërkuar atë që shkroi Pali për vetë përpjekjet e tij për ta përhapur ungjillin.

Vëreni se referencat për veprimtaritë atletike të Palit për të luftuar një luftë të mirë dhe për ta përfunduar vrapimin, përshkruajnë se si ai e përfundoi me sukses misionin e tij. Sipas vargut 8, çfarë dinte Pali se e priste pas vdekjes së tij?

Ne mund të mësojmë parimin vijues nga këto vargje: Nëse qëndrojmë besnikë në gjithçka që Zoti kërkon prej nesh, ne do të marrim një kurorë drejtësie. Një “kuror[ë] e drejtësisë” përfshin të bërit si Ati Qiellor.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni disa nga kërkesat që Zoti i ka dhënë rinisë së Kishës për t’i ndihmuar ata të bëhen më shumë si Ati i tyre në Qiell. (Nëse ju duhet ndihmë, shikoni te broshura Për Forcën e Rinisë.) Pastaj shkruajini përgjigjet për pyetjet vijuese:

    1. Përse rinia mund të zgjedhë që të heqë dorë nga të qenët besnik ndaj disa prej këtyre kërkesave?

    2. Cilin njihni që, ashtu si Pali, është një shembull i mirë i të qëndruarit besnik madje edhe kur është e vështirë? Çfarë kanë bërë ata që e ilustron konkretisht këtë parim?

Siç shënohet te 2 Timoteut 4:9–22, Pali e mbylli letrën e tij duke shpjeguar se edhe pse hera-herës ishte ndier i vetmuar gjatë punës së tij, ai e dinte se Zoti ishte me të dhe e kishte forcuar atë.

Kujtohuni që të qëndroni besnikë në atë që Zoti kërkon prej jush. Ju mund të doni të shkruani rreth çfarëdo mbrese apo nxitjeje nga Ati Qiellor që mund ta keni pasur gjatë këtij mësimi. Merrni parasysh të vini një synim për të vepruar sipas mbresave tuaja.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 2 Timoteut dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër