Biblioteka
Njësia 24, Dita 4: Efesianëve 1


Njësia 24: Dita 4

Efesianëve 1

Hyrje

Apostulli Pal u shkroi një letër shenjtorëve në Efes lidhur me parashugurimin e tyre për ta pranuar ungjillin. Ai shkroi për periudhën e fundit ungjillore – periudhën ungjillore në të cilën jetojmë tani – gjatë së cilës Perëndia do t’i “sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat” (Efesianëve 1:10). Pali dha mësim se ne mund të arrijmë ta njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin nëpërmjet zbulesës.

Efesianëve 1:1–8

Pali u mëson shenjtorëve se ata ishin parashuguruar për ta pranuar ungjillin

Mendoni për një rast në jetën tuaj kur ratë dakord ta pranonit një përgjegjësi të rëndësishme. Kur detyra u bë sfiduese, si u mbështetët te njohuria se ratë dakord për detyrën dhe që dikush mirëbesoi tek ju se do ta përmbushnit atë? Si u bekuat ose u shpërblyet ngaqë e përmbushët përgjegjësinë tuaj?

Pamja
Pali duke shkruar në tryezë

Apostulli Pal ishte nën arrest shtëpie në Romë.

Në këtë letër Apostulli Pal u përpoq t’i forconte ata që ishin tashmë anëtarë të Kishës dhe t’i ndihmonte të kthyerit e rinj në besim të rriteshin në njohurinë e tyre shpirtërore dhe të qëndronin besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre.

Lexojeni Efesianëve 1:3–8, duke kërkuar të vërtetat që Pali u mësoi shenjtorëve për t’i ndihmuar të qëndronin besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë dy a tre doktrinat bazë që do të jepnit mësim për ta ndihmuar një anëtar të Kishës të mbetet besnikë ndaj besëlidhjeve të tij apo të saj dhe të qëndrojë aktiv në Kishë?

    2. Në ç’mënyrë të kuptuarit e këtyre të vërtetave e ndihmojnë dikë të zgjedhë që të qëndrojë besnik?

Fraza “përpara se të themelohej bota” tek Efesianëve 1:4, i referohet jetës para lindjes dhe fraza “të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit” dhe fjala paracaktoj tek Efesianëve 1:5, i referohet atyre që u zgjodhën ose u parashuguruan atje për ta pranuar ungjillin gjatë vdekshmërisë. Një e vërtetë që mësojmë nga këto vargje, është se fëmijët e Perëndisë ishin parashuguruar për t’i marrë bekimet e ungjillit. Marrja e këtyre bekimeve varet nga besnikëria jonë në këtë jetë.

Teksa lexoni thënien vijuese nga Të Vërtetë ndaj Besimit, mendoni se si të kuptuarit e doktrinës së parashugurimit mund ta ndihmojë dikë të zgjedhë të qëndrojë i vërtetë ndaj besëlidhjeve të tij apo të saj dhe aktiv në Kishë:

“Në botën e shpirtrave para lindjes, Perëndia emëroi shpirtra të caktuar, me qëllim që të përmbushnin misione të veçanta gjatë jetës së tyre të vdekshme. Kjo quhet parashugurim.

Parashugurimi nuk është garanci që individët do të marrin thirrje ose përgjegjësi të caktuara. Mundësi të tilla vijnë në këtë jetë si rezultat i ushtrimit të drejtë të lirisë së zgjedhjes, pikërisht ashtu siç erdhi parashugurimi si një rezultat i drejtësisë në ekzistencën para lindjes. …

Doktrina e parashugurimit zbatohet tek të gjithë anëtarët e Kishës, jo vetëm tek Shpëtimtari dhe profetët e Tij. Përpara krijimit të tokës, grave besnike iu dhanë përgjegjësi të caktuara dhe burrat besnikë u parashuguruan në detyra të caktuara priftërie. Edhe pse nuk e kujtoni atë kohë, sigurisht që ju pranuat të plotësoni detyra të rëndësishme në shërbim të Atit tuaj. Kur jepni prova që jeni i denjë, juve do t’ju jepen mundësi për të përmbushur funksionet që morët atëherë” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 113–114).

Në ç’mënyrë të kuptuarit se ne ishim të parashuguruar për ta pranuar ungjillin dhe bekimet e tij të shumta, me qëllim që të përmbushim detyrat këtu në vdekshmëri, na ndihmon të qëndrojmë besnikë ndaj besëlidhjeve tona?

Efesianëve 1:9–12

Pali flet për periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve

Gjejeni përkufizimin e periudhave ungjillore në pjesën e Doktrinave Bazë në fillim të këtij manuali ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Lexojini paragrafët që shpjegojnë se çfarë është një periudhë ungjillore. Teksa lexoni, kërkoni se në cilën periudhë ungjillore jetojmë.

Nga ajo që lexoni, kur filloi periudha ungjillore në të cilën ne jetojmë?

Lexojeni Efesianëve 1:9–10, duke kërkuar atë që shkroi Pali se do të ndodhte në periudhën tonë ungjillore, “kur të plotësoheshin kohërat”. (Fraza “misterin e vullnetit të tij”, i referohet planeve dhe qëllimeve të Perëndisë.)

Kur Pali shkroi se “në Krishtin, të gjitha gjërat”, si qiellore ashtu edhe tokësore, duhet të sillen “në një krye të vetëm” (Efesianëve 1:10), ai po i referohej Rivendosjes dhe sjelljes së bashku të të gjitha çelësave, fuqive dhe premtimeve që Perëndia ua ka zbuluar fëmijëve të Tij që kur filloi bota, si dhe njohuri të tjera që nuk janë zbuluar asnjëherë më parë (shih DeB 128:18).

Nga Efesianëve 1:10, ne mësojmë të vërtetën vijuese: Gjatë periudhës ungjillore të plotësisë së kohërave, të gjitha gjërat nga periudhat e mëparshme ungjillore do të rivendosen.

Pamja
Plaku B. H. Roberts

Plaku B. H. Roberts, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi se si secila periudhë ungjillore e kaluar lidhet me periudhën ungjillore të plotësisë së kohërave: “Kjo është periudha ungjillore e plotësisë së kohërave dhe ne shohim se po vërshojmë drejt saj, ashtu si rrymat e fuqishme sulen drejt oqeanit, të gjitha periudhat e mëparshme ungjillore, na bashkojnë me to, e ato bashkohen me ne; dhe ne shohim se Perëndia ka pasur parasysh vetëm një qëllim të madh që nga fillimi dhe se ai ka qenë shpëtimi për fëmijët e Tij. Dhe tani ka ardhur dita e fundit, periudha e fundit ungjillore, kur e vërteta dhe drita dhe drejtësia duhet ta përmbytin tokën” (në Conference Report, tetor 1904, f. 73).

Pamja
lumë në male
  1. Plaku Roberts na mësoi se e vërteta, drita dhe drejtësia duhet ta përmbytin tokën në periudhën e fundit ungjillore. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni pesë ose më shumë prej të vërtetave, shkrimeve të shenjta, besëlidhjeve dhe fuqive nga periudhat e mëparshme ungjillore, që janë rivendosur ose janë sjellë në periudhën ungjillore të plotësisë së kohërave. (Nëse ju duhet ndihmë, shih “Rivendosje e Ungjillit” te Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 146–150.)

  2. Plotësojeni njërën ose të dyja sa më poshtë:

    1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si është një bekim për ju të jetuarit në periudhën ungjillore të plotësisë së kohërave? Çfarë burimesh në periudhën tonë ungjillore na mundësojnë ta përmbytim tokën me të vërtetën dhe dritën e ungjillit?

    2. Në një faqe interneti të mediave shoqërore, ju keni të drejtë hyrjeje që të postoni një shpjegim për periudhat ungjillore dhe arsyen përse jeni mirënjohës që jetoni në këtë periudhë ungjillore. Kur të mbaroni, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si ndiheni ngaqë e postuat mesazhin tuaj.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ajo që është përmbushur deri më tani në këtë periudhë ungjillore, duke kumtuar mesazhet e ungjillit nëpërmjet kanaleve të mediave shoqërore, është një fillim i mbarë – por veçse një rrëke e vogël. Tani ju shtroj ftesën për ta ndihmuar këtë rrëke të kthehet në një përmbytje. … Unë ju këshilloj ta mbuloni tokën me mesazhe të mbushura me drejtësi dhe të vërtetë – mesazhe që janë të sakta, lartësuese dhe për t’u lavdëruar – dhe me plot kuptimin e fjalës ta mbuloni tokën sikurse një përmbytje” (“To Sweep the Earth as with a Flood” [takim shpirtëror i Javës Arsimore në Kompleksin e Universitetit “Brigam Jang”, 19 gusht 2014], LDS.org).

Çfarë po bëni ju për të ndihmuar në përmbytjen e tokës me mesazhe të mbushura me drejtësi e të vërtetë? Merrni parasysh se si mund t’ua tregoni të vërtetat kuptimplote që janë rivendosur në këtë periudhë ungjillore atyre pranë jush dhe atyre që jetojnë larg.

Tek Efesianëve 1:11–12 Pali dha mësim se nëpërmjet Jezu Krishtit shenjtorët kishin marrë një trashëgimi në mbretërinë e Perëndisë.

Efesianëve 1:13–23

Pali jep mësim për Frymën e Shenjtë të Premtimit

Lexojeni Efesianëve 1:13–14, duke kërkuar një bekim që kishin marrë shenjtorët për shkak të besnikërisë së tyre dhe mirëbesimit e besimit të tyre në Jezu Krisht.

Të jesh “vulos[ur] [me anë të] Frymë[s së] Shenjtë të premtimit”, do të thotë që Fryma e Shenjtë i “dëshmon Atit se ordinancat shpëtuese janë kryer siç duhet dhe se besëlidhjet që i shoqërojnë ato, janë mbajtur” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpirt i Shenjtë i Premtimit”, f. 185, scriptures.lds.org). Fraza “kapari i trashëgimisë tonë” tek Efesianëve 1:14 tregon se kur shenjtorët besnikë vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, ata do të marrin një siguri vetjake se do ta trashëgojnë më në fund mbretërinë qiellore. (Për më shumë informacion lidhur me thirrjen dhe zgjedhjen, lexoni 2 Pjetër 1 dhe komentet e dhëna për atë kapitull në Njësinë 30: Mësimi i ditës 1.)

Siç shënohet tek Efesianëve 1:15–16, Pali u tha shenjtorëve se ai e falënderonte vazhdimisht Perëndinë për besnikërinë e tyre. Lexojeni Efesianëve 1:17–18, duke kërkuar atë për të cilën Pali iu lut Perëndisë që t’u jepte shenjtorëve.

Mendoni rreth asaj se çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si të mund të arrijmë ta njohim Atin Qiellor.

Një e vërtetë që mund ta përcaktojmë në këto vargje është se ne mund të arrijmë ta njohim Atin Qiellor nëpërmjet shpirtit të zbulesës.

Teksa e lexoni thënien në vijim nga Plaku Dejvid A. Bednar, shenjoni atë që ai dha mësim për shpirtin e zbulesës:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Zbulesa është kumtim që u vjen nga Perëndia fëmijëve të Tij mbi tokë dhe një nga bekimet e mëdha që lidhen me dhuratën dhe shoqërinë e vazhdueshme të Frymës së Shenjtë. Profeti Jozef Smith na mësoi: ‘Fryma e Shenjtë është një zbulues’ dhe ‘asnjë njeri nuk mund ta marrë Frymën e Shenjtë pa marrë zbulesa’ (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 136).

Shpirti i zbulesës i mundësohet çdo njeriu që merr nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë ordinancat shpëtuese të pagëzimit me zhytje për faljen e mëkateve dhe të vënies së duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë – dhe i cili vepron me besim për të përmbushur urdhrin e priftёrisë ‘Merr Frymën e Shenjtë’. Ky bekim nuk kufizohet tek autoritetet kryesuese të Kishës; por, ndryshe, ai i përket dhe duhet të veprojë në jetën e çdo burri, gruaje dhe fëmije që arrin moshën e përgjegjshmërisë dhe hyn në besëlidhje të shenjta. Dëshira e sinqertë dhe denjësia ftojnë në jetën tonë shpirtin e zbulesës” (“Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 87).

Mendoni rreth mënyrës se si zbulesa nëpërmjet Frymës së Shenjtë mund të na ndihmojë që të arrijmë ta njohim Atin Qiellor.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si zbulesa nëpërmjet Frymës së Shenjë ju ka ndihmuar juve apo dikë që njihni të arrini ta njihni më mirë Atin Qiellor.

Të jetuarit denjësisht për shoqërimin e Frymës së Shenjtë, mund t’ju ndihmojë të arrini ta njihni më mirë Atin Qiellor.

Tek Efesianëve 1:19–23, Pali vazhdoi të jepte mësim për trashëgiminë e shenjtorëve dhe vendin e Jezu Krishtit si kreun e Kishës së Tij.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Efesianëve 1 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër