Biblioteka
Njësia 25, Dita 2: Efesianëve 4–6


Njësia 25: Dita 2

Efesianëve 4–6

Hyrje

Në letrën e tij drejtuar shenjtorëve efesianë, Apostulli Pal dha mësim se Zoti e themeloi Kishën e Tij dhe thirri udhëheqës qoftë për t’i përsosur si dhe për t’i bashkuar shenjtorët. Ai i nxiti gjithashtu anëtarët e Kishës që ta linin prapa jetën e tyre të mëparshme dhe të fillonin një jetë të re si pasues të Krishtit. Pali më pas u mësoi shenjtorëve se si t’i forconin marrëdhëniet e tyre familjare dhe i nxiti ata të “vishni[n] gjithë armatimin e Perëndisë” (Efesianëve 6:11) me qëllim që t’u bënin ballë tundimeve të Satanit.

Efesianëve 4:1–16

Pali jep mësim për rëndësinë e Kishës së Jezu Krishtit

Merrni parasysh dy skenarët vijues:

  • Në shkollë, mësuesi juaj i kërkon klasës të shprehin këndvështrimet e tyre mbi një temë kontradiktore. Ndërsa studentët shprehin mendimet e tyre, ju kuptoni se shumica e tyre përkrahin një qëndrim që është i ndryshëm nga mësimet e Kishës.

  • Ligjvënësit në shtetin tuaj po shqyrtojnë të bëjnë të ligjshme sjellje që udhëheqësit e Kishës ju kanë mësuar se janë të gabuara.

Përse situata si këto mund të jenë të vështira për një anëtar të Kishës?

Teksa studioni Efesianëve 4:1–16, kërkoni një të vërtetë rreth mënyrës se si mund ta dini se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar në një botë që po i ndryshon vlerat dhe bindjet.

Lexojeni Efesianëve 4:1–6, duke kërkuar atë se çfarë dha mësim Apostulli Pal për Kishën dhe doktrinën e saj.

Si mendoni ju, çfarë nënkuptoi Pali kur dha mësim se ka “një Zot …, një besim … [dhe] një pagëzim” (Efesianëve 4:5)?

Në kohën e Palit, siç është edhe në tonën, ka vetëm një Kishë të vërtetë të Jezu Krishtit mbi tokë (shih DeB 1:30).

Siç shënohet tek Efesianëve 4:7–10, Pali dha mësim se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne të gjithëve na është dhënë mundësia për të marrë dhuratën e hirit të Perëndisë (fuqinë e Tij mundësuese për të na shpëtuar). Ai gjithashtu dha mësim se Krishti i kishte dhënë njerëzimit dhunti të tjera.

Lexojeni Efesianëve 4:11, duke kërkuar se çfarë detyrash dha, ose vendosi Zoti, në Kishën e Tij. (Efesianëve 4:11–14 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni atë në një mënyrë të dallueshme, që t’ju ndihmojë ta gjeni në të ardhmen.)

Titujt e detyrave të priftërisë në Kishën e Jezu Krishtit sot, mund të mos jenë të njëjta me titujt e përdorur në kohën e Palit dhe, Kisha e hershme e Jezu Krishtit mund të mos ketë pasur çdo thirrje që Kisha ka sot. Për shembull, Profeti Jozef Smith dha mësim se “një ungjilltar është një Patriark” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 145). Edhe një pastor është një bari ose dikush që e udhëheq tufën – një përshkrim i duhur i peshkopëve, presidentëve të degëve, presidentëve të kunjeve dhe presidentëve të distrikteve të kohëve moderne. Ju mund të doni ta shkruani ose shënoni në shkrimet tuaja të shenjta të barasvlershmen e këtyre termave të kohëve bashkëkohore.

  1. Shkruajeni të vërtetën e paplotë vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Zoti i ka thirrur apostujt, profetët dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës që të ndihmojnë … (Ju do t’ia shtoni [pjesën tjetër] kësaj thënieje.)

Lexojeni Efesianëve 4:12–13, duke kërkuar atë që Pali dha mësim rreth arsyes përse Zoti i dha Kishës apostuj, profetë dhe udhëheqës të tjerë.

Vëreni se Zoti u dha anëtarëve të Kishës së Tij apostuj, profetë dhe udhëheqës të tjerë të Kishës që t’i përsosin shenjtorët. Shtojeni këtë frazë tek e vërteta e paplotë që shkruat në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta edhe disa mënyra, në të cilat apostujt, profetët dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës ndihmojnë për të na përsosur.

Lexojeni Efesianëve 4:14, duke kërkuar një arsye tjetër përse Zoti i dha Kishës së Tij apostuj, profetë dhe udhëheqës të tjerë.

Nga ky varg ne mësojmë se Zoti ua dha gjithashtu shenjtorëve këta udhëheqës për t’i mbrojtur ata nga doktrina e rreme. Shtojani këtë frazë thënies që shkruat në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Nga Efesianëve 4:11–14 ne mësojmë të vërtetën vijuese: Zoti i ka thirrur apostujt, profetët dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës që të ndihmojnë në përsosjen e shenjtorëve dhe t’i mbrojnë ata nga doktrina e rreme.

Pamja
barkë në stuhi

Merrni parasysh se ç’mund t’i ndodhë një barke që lëkundet në ujëra gjatë një stuhie të furishme.

  1. Rilexojini dy skenarët [e dhënë] në fillim të këtij mësimi. Më pas, përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në ç’mënyrë mund të ngjasojë një barkë që lëkundet në ujëra plot dallgë dhe nga erëra të furishme, me dikë që “lëkund[et] dhe … transport[ohet]” (Efesianëve 4:14) nga erërat e ndryshueshme të mësimeve të rreme dhe opinioneve publike?

    2. Në ç’mënyrë i ndihmojnë pasuesit e Perëndisë mësimet e apostujve, profetëve dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës, që të lundrojnë në këto ujëra të trazuara dhe të kthehen shëndoshë e mirë tek Ati Qiellor?

  2. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si një apostull, profet, patriark, peshkop ose mësues ju ka ndihmuar të përmirësoheni apo të rriteni shpirtërisht ose ju ka ndihmuar t’ju mbrojë nga doktrina e rreme dhe mashtrimi. Nëse personi që zgjodhët është një udhëheqës vendor, merrni parasysh që t’i shkruani këtij personi një letër mirënjohjeje, duke përshkruar mënyrën se si ai ose ajo ju ka ndihmuar.

Lexojeni Efesianëve 4:15–16, duke kërkuar mënyrën sipas së cilës udhëheqësit tanë të Kishës duhet të na i mësojnë të vërtetat e ungjillit.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Efesianëve 4:11–14

  1. Për t’ju ndihmuar të ushtroni në praktikë shpjegimin e doktrinës së dhënë mësim tek Efesianëve 4:11–14, mësojuani një pjesëtari të familjes ose shoku/shoqeje, arsyen përse Zoti e themeloi Kishën e Tij dhe thirri udhëheqës për të shërbyer në të. Sigurohuni që të përdorni mësimet e Palit tek Efesianëve 4:11–14 si pjesë të mësimdhënies suaj. Kur ta keni përfunduar mësimin, kërkojini personit që i dhatë mësim, të nënshkruajë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Efesianëve 4:17–32

Pali i nxit shenjtorët ta zhveshin të ligën dhe të bëhen një njeri i ri nëpërmjet Jezu Krishtit

Shumë prej njerëzve të cilëve Pali u shkroi në Efes, mund të kenë qenë të kthyer të rinj në besim në Kishë. Teksa studioni Efesianëve 4:17–32, kërkoni atë që u mësoi Pali këtyre anëtarëve të Kishës që duhej të bënin si dishepuj të Jezu Krishtit.

Lexojeni Efesianëve 4:17–20, duke kërkuar fjalë ose fraza që e përshkruajnë gjendjen shpirtërore të johebrenjve që nuk ishin bashkuar me Kishën. Vëreni atë që tha Pali se ishte arsyeja për të cilën johebrenjtë e tjerë ishin në këtë gjendje shpirtërore.

Lexojeni Efesianëve 4:21–24, duke kërkuar se çfarë i kishte ndihmuar anëtarët e Kishës të bëheshin ndryshe nga njerëzit e tjerë. Merrni parasysh ta shenjoni ose shënoni atë që gjeni në shkrimet tuaja të shenjta.

Çfarë gjëje tha Pali se duhet të “zhvish[te]” një individ, të cilit i ishte mësuar e vërteta (Efesianëve 4:22)?

Ne “vishe[mi] me njeriun e ri” (Efesianëve 4:24) kur e jetojmë me zell ungjillin e Jezu Krishtit përditë, duke zhvilluar besim në Krisht, duke u penduar për mëkatet, duke marrë ordinancat shpëtuese dhe duke zbatuar urdhërimet. Nga mësimet e Palit ne mund të përcaktojmë të vërtetën vijuese: Dishepujt e Jezu Krishtit e zhveshin njeriun e vjetër, sjelljet e mëkatit dhe vishen me njeriun e ri, sjelljet e drejta.

Lexojeni Efesianëve 4:25–32, duke kërkuar gjërat që dishepujt e Krishtit duhet të “zhv[eshin]” (vargu 22) ose “të flak[in]” (vargu 31) dhe gjërat që dishepujt e Krishtit duhet të “v[eshin]” (vargu 24). Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni atë që gjeni në shkrimet tuaja të shenjta. Vini në dukje se Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] për Efesianëve 4:26 fillon: “A mund të zemëroheni dhe të mos mëkatoni?” (tek Efesianëve 4:26, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni një figurë ose përshkruani një skenar që ilustron sjelljen e mundshme të dikujt që duhet ta zhveshë natyrën e tij apo të saj mëkatare, lidhur me një nga fushat që përshkroi Pali. Vizatoni gjithashtu një figurë ose përshkruani një skenar që ilustron se si po i njëjti individ mund të veprojë nëse ai ose ajo vjen te Krishti dhe bëhet një person i ri. Ju mund të doni ta vizatoni vetë përvojën tuaj ose përvojat e të tjerëve ndërsa e plotësoni këtë detyrë.

Kujtoni se zhveshja e sjelljeve tona të vjetra dhe ndjekja në mënyrë të plotë e Jezu Krishtit, është një proces i vazhdueshëm dhe jo një ngjarje që ndodh vetëm një herë.

Efesianëve 5–6

Pali i këshillon shenjtorët lidhur me marrëdhëniet e tyre dhe që të “v[eshin] gjithë armatimin e Perëndisë”

Ne lexojmë tek Efesianëve 5 se Apostulli Pal u mësoi anëtarëve të Kishës se ata duhet të përdornin marrëdhënien e Shpëtimtarit me Kishën si një udhërrëfim në marrëdhëniet e tyre familjare dhe me të tjerët. Fraza “nënshtrohuni njëri-tjetrit” tek Efesianëve 5:21 do të thotë të vendosësh të tjerët përpara vetes dhe fraza “druajtjen e [Perëndisë]”, i referohet dashurisë dhe respektit tonë për Perëndinë.

Lexojeni Efesianëve 6:1–4, duke kërkuar këshillën e Palit drejtuar fëmijëve për marrëdhënien vetjake me prindërit e tyre.

Përsiatni se si marrëdhëniet tuaja familjare do të forcoheshin duke e ndjekur këtë këshillë.

Pasi i shtyu anëtarët e Kishës që të “vishe[shin] me njeriun e ri” (Efesianëve 4:24) për t’u bërë të drejtë dhe të shenjtëruar, Pali i këshilloi ata të vishnin gjëra të tjera për mbrojtje.

Lexojeni Efesianëve 6:11–13, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se duhej të vishnin shenjtorët e Perëndisë.

Cilat ishin arsyet që dha Pali se përse ne duhet të “vishni[m] gjithë armatimin e Perëndisë” (Efesianëve 6:11)? Ju mund të doni t’i shenjoni ose shënoni këto arsye në shkrimet tuaja të shenjta.

Lexojeni Efesianëve 6:14–17, duke kërkuar pjesët e ndryshme të armatimit shpirtëror që Pali tha se përbënin gjithë armatimin e Perëndisë.

Si na ndihmon veshja e këtyre pjesëve të armatimit ta shmangim mëkatin? Çfarë mund të bëni për ta veshur gjithë armatimin e Perëndisë çdo ditë?

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Efesianëve 4–6 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër