Biblioteka
Njësia 27, Dita 4: Hebrenjve 1–4


Njësia 27: Dita 4

Hebrenjve 1–4

Hyrje

Apostulli Pal u mësoi shenjtorëve hebrenj apo të krishterëve judeas, rreth natyrës së vërtetë të Jezu Krishtit. Ai u mësoi gjithashtu atyre për Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe për disa bekime që vijnë si rrjedhojë e Shlyerjes. Pali e tregoi përvojën e izraelitëve të lashtë që u endën në shkretëtirë për t’u mësuar shenjtorëve atë që duhet të bënin për të hyrë në prehjen e Zotit.

Hebrenjve 1

Pali jep mësim rreth natyrës hyjnore të Jezu Krishtit

Lexoni skenarët vijues:

  • Një e re është e lodhur duke u quajtur vajza “e mirë” ngaqë nuk merr pjesë me miqtë e saj në disa prej veprimtarive të tyre. Ajo po mendon t’i ulë pak standardet e saj që të jetë pjesë e grupit.

  • Një i ri që po shërben në një mision kohëplotë kupton se puna misionare është më e vështirë nga sa e priste dhe po mendon të kthehet në shtëpi.

Çfarë kanë të përbashkët këta skenarë? Cilat janë disa nga arsyet për të cilat njerëzit mund të mendojnë të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për të bërë atë që ata e dinë se është e drejtë?

Apostulli Pal e shkroi Letrën e tij drejtuar Hebrenjve në kohën kur disa judenj (apo hebrenj) të kthyer në besim nuk po merrnin pjesë në mbledhjet e Kishës për shkak të përndjekjes dhe llojeve të tjera të trysnisë. Ata po ktheheshin tek ajo me të cilën ishin mësuar dhe, si rrjedhojë, te siguria e përkohshme e adhurimit tradicional judeas, i cili nuk përfshinte një besim në Jezu Krishtin (shih Hebrenjve 10:25, 38–39). Pali e shkroi këtë letër për t’u dhënë kurajë këtyre anëtarëve të Kishës që të qëndronin besnikë ndaj Jezu Krishtit.

Ndërsa e studioni këtë letër drejtuar Hebrenjve, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të qëndroni besnikë ndaj Krishtit [edhe] kur mund të ndieni se doni të dorëzoheni.

Lexojeni Hebrenjve 1:1–3, 10, duke kërkuar doktrinat që u mësoi Pali shenjtorëve judeas për Shpëtimtarin.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani doktrinat që ju gjeni te Hebrenjve 1:1–3, 10 rreth Jezu Krishtit. Për shembull, nga vargjet 2 dhe 10 ju mund të përcaktoni doktrinën vijuese: Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën. Teksa vështroni me kujdes, ju do të zbuloni se këto vargje na mësojnë disa doktrina të tjera domethënëse rreth Shpëtimtarit.

Vini re frazën “vula e qenies së tij” te Hebrenjve 1:3. Kjo frazë do të thotë se Jezu Krishti duket si Ati Qiellor dhe ka karakterin e Tij hyjnor. Fraza “i mba[n] të gjitha me fjalën e fuqisë së Tij” në të njëjtin varg do të thotë se Jezu Krishti është i gjithëpushtetshëm.

Merreni në shqyrtim se cila nga të vërtetat që përcaktuat te Hebrenjve 1:1–3, 10 mund të jetë e dobishme për ju nëse tundoheni që të largoheni nga bërja e vullnetit të Zotit.

Një temë që haset shpesh në librin e Hebrenjve është epërsia e Jezu Krishtit. Për shembull, te Hebrenjve 1:4–14, Pali tregoi se Shpëtimtari është më i madh se engjëjt. Në kapitujt vijues, ai vazhdoi të tregonte përsosurinë dhe epërsinë e Krishtit.

Përse njohuria se Jezu Krishti është më i madh se të gjitha gjërat mund ta ndihmojë dikë që po lufton për të qëndruar besnik ndaj Tij?

Vazhdoni të kërkoni për këtë temë ndërsa studioni pjesën tjetër të letrës së Palit drejtuar Hebrenjve.

Hebrenjve 2

Pali jep mësim se Jezu Krishti është Realizuesi i shpëtimit tonë

Merreni në shqyrtim procesin e zgjedhjes së një kapiteni [realizuesi] apo udhëheqësi në ekipet ose grupet e ndryshme ku ju mund të merrni pjesë (për shembull, në atletikë, debate, dramatizime apo klubet e shkollës). Çfarë cilësish do të kërkonit po të zgjidhnit një kapiten apo udhëheqës?

Te Hebrenjve 2, Apostulli Pal u shpjegoi judenjve të kthyer në besim më shumë mbi natyrën dhe identitetin e Jezu Krishtit, që t’i ndihmonte ata të kuptonin arsyen përse duhej të vazhdonin ta ndiqnin Atë. Lexojeni Hebrenjve 2:10, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth asaj se realizuesi i kujt është Jezu Krishti.

Nga ky varg ne mund të mësojmë se Jezu Krishti është Realizuesi i shpëtimit tonë.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’mënyrë është Jezu Krishti Realizuesi i shpëtimit tonë?

Lexojeni Hebrenjve 2:8–9, 14–18, duke kërkuar fraza që përshkruajnë arsyen përse Shpëtimtari është i kualifikuar për të qenë Realizuesi i shpëtimit tonë. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Te Hebrenjve 2:9, mësimi i Palit se Jezu Krishti “u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt”, i referohet zbritjes së Shpëtimtarit nga froni i Tij para lindjes për të përjetuar vdekshmërinë dhe vuajtjen dhe vdekjen e Tij, përmes të cilave Ai “zbriti nën gjithçka” (DeB 88:6). Fraza “kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku” te Hebrenjve 2:14 do të thotë se ne jemi të vdekshëm. Fraza “për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit” te Hebrenjve 2:17 do të thotë se Krishti mundi të shlyhej për mëkatet tona.

Sipas vargut 9, çfarë bëri Jezusi për të gjithë njerëzit? Sipas vargut 14, kë mposhti Ai nëpërmjet Shlyerjes së Tij?

Vini re se Pali iu referua Shpëtimtarit jo vetëm si Realizuesi i shpëtimit tonë, por e quajti Atë edhe “i mëshirshëm e kryeprift [prift i lartë] besnik” (Hebrenjve 2:17). Pali e krahasoi Jezu Krishtin me një prift të lartë judeas, ngaqë prifti i lartë shikohej si një ndërmjetës midis njerëzve dhe Perëndisë.

Sipas Hebrenjve 2:18, përse Shpëtimtari është në gjendje të na vijë në ndihmë (ngushëllojë apo përkrahë)?

Lexojeni Hebrenjve 4:14–16, duke kërkuar idetë shtesë që dha Pali për mënyrën se si Shpëtimtari është një prift i lartë i mëshirshëm dhe besnik.

Nga Hebrenjve 2:17–18 dhe 4:14–16, ne mund të përcaktojmë të vërtetën vijuese: Për shkak se Jezu Krishti vuajti dhe u tundua në të gjitha gjërat, Ai na kupton në mënyrë të përsosur dhe mund të na ndihmojë në kohë nevoje. (Shih edhe Alma 7:11–13.)

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani ndjenjat tuaja rreth mënyrës se si mund t’ju ndihmojnë të vërtetat që përcaktuat te Hebrenjve 2, që të keni vetëbesim në vendimin tuaj për ta ndjekur Jezu Krishtin si udhëheqësin tuaj.

Hebrenjve 3–4

Pali na mëson se si mund të hyjmë në prehjen e Zotit

Cila është ajo gjë për të cilën ndonjëherë ju mund të ndiheni të shqetësuar apo në ankth? Mendoni për mënyrën se si mund të gjeni paqe dhe prehje nga këto dhe burime të tjera të trazirës e ankthit.

Gjatë kohës së Palit shenjtorët judeas po përndiqeshin ngaqë po jetonin ungjillin e Jezu Krishtit. Siç shënohet te Hebrenjve 3–4, Pali iu referua një përvoje nga Dhiata e Vjetër për t’u mësuar shenjtorëve mënyrën se si të gjenin prehje në këtë jetë dhe në tjetrën.

Në kohët e lashta, pasi u çliruan nga Egjipti, fëmijët e Izraelit e provokuan zemërimin e Zotit për shkak të mosbindjes të tyre. Si pasojë, ata nuk u lejuan të hynin në prehjen e Zotit (shih Numrat 14; Jakobi [LiM] 1:7–8; Alma 12:33–37; 13:6, 12–13, 28–29).

Merreni parasysh ta shenjoni frazën “prehjen time” te Hebrenjve 3:11.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 84:24, duke kërkuar atë që na mëson ai fragment rreth prehjes së Zotit.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Shenjtorët e vërtetë hyjnë në prehjen e Zotit ndërkohë që janë në këtë jetë dhe, duke u mbështetur tek e vërteta, ata vazhdojnë në atë gjendje të bekuar derisa të prehen me Zotin në qiell. … Prehje e Zotit, për sa u takon të vdekshmëve, do të thotë të marrësh një njohuri të përsosur të karakterit hyjnor të punës së madhërishme të ditëve të mëvonshme. … Prehje e Zotit, në përjetësi, do të thotë të trashëgosh jetë të përjetshme, të marrësh plotësinë e lavdisë së Zotit” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 633).

Lexojeni Hebrenjve 4:1, duke kërkuar atë që e shqetësonte Palin se disa anëtarë të Kishës nuk do të arrinin të bënin.

Lexoni fragmentet vijuese: Hebrenjve 3:7–8, 12–15, 18–19; 4:2–3, 6–7, 11. Lexoni gjithashtu Përkthimin prej Joseph Smith-it të Hebrenjve 4:3 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Ndërsa i lexoni këto fragmente, kërkoni atë që Pali dha mësim në mënyrë të përsëritur rreth asaj se si mund të hyjmë në prehjen e Zotit.

Vini re frazën “mos i ngurtësoni zemrat tuaja” (Hebrenjve 3:8, 15; 4:7). Kjo frazë do të thotë që ne nuk duhet t’i mbyllim zemrat tona ndaj së vërtetës dhe frymëzimit; ne duhet t’i mbajmë zemrat të hapura, të gatshme e të bindura ndaj Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij.

Nga mësimet e Palit ne mund të mësojmë që nëse qëndrojmë besnikë ndaj Shpëtimtarit dhe nuk i ngurtësojmë zemrat tona, ne do të hyjmë në prehjen e Zotit.

Si na ndihmojnë zgjedhja për të besuar te Shpëtimtari dhe mbajtja e zemrës sonë të hapur ndaj qëllimit dhe planit të Perëndisë, që të qëndrojmë besnikë ndaj Zotit? Mendoni për dikë që ju e njihni, i cili është një shembull i mirë i këtij parimi. Çfarë bën konkretisht ky person për të qëndruar besnik?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se çfarë do të bëni për të qëndruar besnikë ndaj Jezu Krishtit dhe për ta mbajtur zemrën tuaj të hapur ndaj Tij.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Hebrenjve 1–4 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër