Biblioteka
Njësia 28, Dita 1: Hebrenjve 5–6


Njësia 28: Dita 1

Hebrenjve 5–6

Hyrje

Apostulli Pal dha mësim se ata që e marrin priftërinë duhet të thirren nga Perëndia dhe se Jezu Krishti u “shpall [për të qenë] kryeprift [prift i lartë] nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut” (Hebrenjve 5:10). Pali i nxiti anëtarët e Kishës që të kishin zell, besim, durim dhe shpresë për marrjen e premtimeve të Perëndisë.

Hebrenjve 5

Pali jep mësim se ata që e marrin priftërinë duhet të thirren nga Perëndia

Përfytyroni sikur një i njohuri juaj shkruan titullin Doktor në një fletë letër dhe e ngjit te bluza e tij. Edhe pse ai ka vënë një etiketë që tregon titullin e përshtatshëm, çfarë shqetësimi do të kishit nëse ky person do të përpiqej t’ju operonte pasi të kishit pësuar një aksident? Çfarë shqetësimesh do të kishit nëse ai do të vinte një etiketë që tregon titullin Inspektor i Zbatimit të Ligjit dhe do të përpiqej që t’ju vinte një gjobë sepse bëtë diçka të gabuar?

Përse do të ngurronit që t’i mirëbesonit këtij personi kryerjen e detyrave që lidhen me titujt që ai ia dha vetë vetes së tij?

Pavarësisht se ka vënë një etiketë me titullin e përshtatshëm, këtij personi do t’i mungonte autoriteti dhe aftësia e duhur për t’i kryer ato detyra. Ashtu sikurse shoqëria ka vendosur mënyra për ta marrë autoritetin që të përmbushen përgjegjësi të caktuara, ashtu edhe Perëndia ka vendosur një mënyrë për ta marrë autoritetin e Tij që të përmbushen përgjegjësi të caktuara në Kishën e Tij. Ndërsa ju studioni Hebrenjve 5, kërkoni modelin që ka caktuar Perëndia për ta marrë autoritetin e Tij.

Apostulli Pal e përshkroi Shpëtimtarin si një “kryeprift [prift të lartë] të madh” (Hebrenjve 4:14). Lexojeni Hebrenjve 5:1–3, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth rolit të priftit të lartë midis izraelitëve që ishin nën ligjin e Moisiut.

“Sipas ligjit të Moisiut, udhëheqësi kryesues i Priftërisë Aarone quhej prifti i lartë. Detyra ishte e trashëguar dhe erdhi prej të parëlindurit mes familjes së Aaronit, duke qenë Aaroni vetë prifti i parë i lartë në rendin e Priftërisë Aarone” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Prift i Lartë”]. Prifti i lartë zakonisht shërbente për gjithë pjesën tjetër të jetës së tij, por kjo detyrë përfundimisht u mor nën kontroll nga njerëz të ligj. “Priftërinjtë e lartë emëroheshin dhe shkarkoheshin në mënyrë të papërshtatshme sipas dëshirës, si nga Herodi dhe nga romakët. Detyra u mbajt nga 28 burra të ndryshëm midis viteve 37 pr.K. dhe 68 ps.K.” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “High priest” [“Prift i Lartë”]).

Lexojeni Hebrenjve 5:4, duke kërkuar mënyrën se si duhej të zgjidhej prifti i lartë.

Për të kuptuar se si Aaroni u “thirr nga Perëndia” (Hebrenjve 5:4), lexoni Eksodin 28:1, i cili shënon një bashkëveprim që ndodhi midis Perëndisë dhe Moisiut në malin Sinai.

Merreni në shqyrtim përse është domethënëse që thirrjen e Aaronit Perëndia ia zbuloi Moisiut, në vend që t’ia jepte vetë Aaronit apo dikujt tjetër. Moisiu ishte profeti, dhe si rrjedhojë, qe autorizuar për të marrë zbulesa të tilla dhe për të qeverisur përdorimin e priftërisë në tokë.

Nga udhëzimi i Palit te Hebrenjve 5:4, ne mësojmë se ata që shugurohen në priftëri duhet të thirren nga Perëndia me anë të zbulesës nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar. Sot në Kishë, udhëheqësit e autorizuar të priftërisë duhet ta intervistojnë çdo kandidat për shugurim dhe të kërkojnë udhëheqjen e Frymës së Shenjtë që të përcaktojnë gatishmërinë dhe denjësinë e kandidatit për t’u shuguruar në priftëri.

Si lidhet kjo e vërtetë me procesin e thirrjes së njerëzve për të shërbyer në pozicione të tjera në Kishë?

Lexoni Nenet e Besimit 1:5, duke kërkuar mënyrën se si pasqyrohet e vërteta e mësipërme e përcaktuar te Hebrenjve 5:4 dhe të qenit “të thirr[ur] nga Perëndia, sikurse Aaroni” në atë që shkroi Profeti Jozef Smith. Vini re se profeci i referohet zbulesës.

Sipas nenit të pestë të besimit, së bashku me të qenit i “thirr[ur] nga Perëndia, me anë të profecisë”, çfarë tjetër duhet të ndodhë në mënyrë që dikush të autorizohet “për të predikuar Ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij”?

Pamja
Moisiu e Thërret Aaronin në Shërbesë

Si Dhiata e Vjetër dhe ajo e Re shënojnë se profetët, mbajtësit e priftërisë dhe mësuesit e ungjillit i merrnin thirrjet e tyre me anë të vënies së duarve nga një mbajtës i autorizuar i priftërisë (shih Numrat 27:18–23; Veprat e Apostujve 6:5–6; 13:2–3; 1 Timoteut 4:14).

  1. Përgjigjjuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në ç’mënyrë procesi i thirrjes së njerëzve në pozicione në Kishë sot, pasqyron modelin që u vendos në shkrimet e shenjta?

    2. Përse është e rëndësishme të dihet se autoriteti i priftërisë mund të merret vetëm në këtë mënyrë?

Lexojeni Hebrenjve 5:5–6, duke kërkuar se kush ia dha Shpëtimtarit autoritetin e Tij.

Sipas këtyre vargjeve, Ati Qiellor ia dha priftërinë Birit të Tij, Jezu Krishtit. Ai duhej të ishte “prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut” (Hebrenjve 5:6).

Si një detyrë në Priftërinë Melkizedeke, detyra e priftit të lartë “zbatohet për Jezu Krishtin si Prift i Lartë i madh. Adami dhe të gjithë patriarkët ishin gjithashtu priftërinj të lartë. Sot, tre priftërinj të lartë kryesues formojnë Presidencën e Kishës dhe kryesojnë mbi të gjithë mbajtësit e tjerë të priftërisë dhe anëtarët e Kishës. Burra të tjerë të denjë shugurohen priftërinj të lartë, siç është e përshtatshme, në mbarë Kishën sot” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Prift i Lartë”, scriptures.lds.org).

Lexojeni Hebrenjve 5:7–10, dhe merreni parasysh të shenjoni në vargun 9 atë që Jezu Krishti u bë. Vargjet 7–8 i referohen Melkizedekut, një profet dhe mbret, i cili jetoi gjatë kohës së Abrahamit.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se këto vargje “gjejnë zbatim si për Melkizedekun edhe për Krishtin, sepse Melkizedeku simbolizoi Krishtin dhe se shërbesa e profetit tipizoi dhe paralajmëroi atë të Zotit tonë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:157).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’mënyrë është Jezu Krishti “vepronjësi i shpëtimit të amshuar” (Hebrenjve 5:9) për të gjithë ata që i binden Atij?

Siç shënohet te Hebrenjve 5:11–14, Pali shprehu dëshirën për të dhënë mësim më shumë mbi këtë temë, por tha se njerëzve u mungonte kuptueshmëria dhe pjekuria shpirtërore për të kuptuar mësime më të thelluara.

Hebrenjve 6

Shenjtorët nxiten të kenë zell, besim, durim dhe shpresë për marrjen e premtimeve të Perëndisë

Perëndia u ka premtuar fëmijëve të Tij bekime të tilla si paqe, lumturi, falje, përgjigje ndaj lutjeve, bekime të përfshira në bekimin patriarkal, ringjallje dhe jetë të përjetshme. Disa nga këto bekime janë të kushtëzuara nga zgjedhjet tona.

Cili është një bekim i premtuar që ju mezi po prisni ta merrni?

Siç shënohet te Hebrenjve 6, Pali i nxiti shenjtorët të mos hiqnin dorë nga përpjekja për t’i marrë bekimet e premtuara të Zotit. Ndërkohë që e lexoni këtë kapitull, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë për t’i marrë bekimet e premtuara nga Perëndia.

Lexojeni Hebrenjve 6:1–3, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se drejt kujt duhet të punonin shenjtorët. Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Hebrenjve 6:1 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta) thotë: “Prandaj duke mos i lënë parimet e doktrinës së Krishtit” (kursivet e shtuara). Përkthimi prej Joseph Smith-it i Hebrenjve 6:3 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta) thotë: “Dhe ne do të shkojmë drejt përsosjes në e lejoftë Perëndia”.

Të jesh i përsosur do të thotë të jesh i matur apo i plotësuar shpirtërisht (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përsosur (I)”, scriptures.lds.org). Te Hebrenjve 6:1–2 ne lexojmë se parimet dhe ordinancat e para të ungjillit formojnë themelin mbi të cilin ne duhet të ndërtojmë ndërsa punojmë drejt përsosjes, apo pjekurisë shpirtërore.

Siç shënohet te Hebrenjve 6:4–8, Pali përshkroi ata të cilët përmenden si bij të humbjes – ata që kanë një njohuri të plotë e të përsosur se Jezusi është Krishti, dhe më pas largohen nga kjo e vërtetë dhe bëhen armiq të Perëndisë. Pali i krahasoi këta individë me shenjtorët të cilëve po u drejtohej në këtë letër, që punonin në emër të Krishtit (shih Hebrenjve 6:9–10).

Lexojeni Hebrenjve 6:11–15, duke kërkuar atë që Pali i nxiti shenjtorët të bënin ndërsa punonin drejt trashëgimit të bekimeve të premtuara të Perëndisë. Mund të jetë me dobi të dini se fraza “të tregojë … të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës” në vargun 11, i referohet të qenit të zellshëm derisa t’i marrim bekimet e premtuara të Perëndisë.

Pali e përshkroi Abrahamin si një shembull të zellit, besimit dhe durimit në kërkimin e bekimeve të premtuara nga Perëndia. Abrahami ishte 75 vjeç kur Perëndia i premtoi atij pasardhës, dhe më pas ai priti 25 vjet me besim që ky premtim të përmbushej nëpërmjet lindjes së Isakut. Nga udhëzimet e Palit ne mësojmë se nëpërmjet zellit deri në fund, besimit në Jezu Krisht dhe durimit, ne mund t’i trashëgojmë bekimet që Perëndia ka premtuar.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, përse zelli, besimi në Jezu Krisht dhe durimi janë të rëndësishëm kur ne përpiqemi t’i marrim bekimet e premtuara të Perëndisë?

    2. Kur keni marrë një bekim të premtuar nëpërmjet zellit, besimit në Jezu Krisht dhe durimit?

Siç shënohet te Hebrenjve 6:16–18, Pali dha mësim se Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij dhe kurrë nuk do të gënjejë. Prandaj, ne mund të kemi shpresë në premtimet e Tij dhe të jemi të sigurt për përmbushjen e tyre.

Lexojeni Hebrenjve 6:19–20, duke kërkuar mënyrën se si ndikon në jetën tonë shpresa jonë në premtimet e Perëndisë.

Një e vërtetë që mund të përcaktojmë te Hebrenjve 6:19 është se shpresa jonë në premtimet e Perëndisë është një spirancë shpirtërore për shpirtin tonë. Shpresa është “pritja me besim dhe dëshirë e bekimeve të premtuara të drejtësisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpresë”, scriptures.lds.org).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni figurën e një spirance. Merreni në shqyrtim se çfarë bën një spirancë për një anije. Shkruani se në ç’mënyrë ka qenë shpresa juaj te premtimet e Perëndisë si një spirancë shpirtërore për ju.

Përsiatni mbi mënyrën se si mund ta zhvilloni më plotësisht zellin, besimin, durimin dhe shpresën. Ju mund të doni t’i shënoni në ditarin tuaj vetjak përshtypjet që merrni.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Hebrenjve 5–6 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër