Biblioteka
Njësia 28, Dita 2: Hebrenjve 7–10


Njësia 28: Dita 2

Hebrenjve 7–10

Hyrje

Apostulli Pal dha mësim se Jezu Krishti është Ndërmjetësi i një “besëlidhje[je] të re me shtëpinë e Izraelit” (Hebrenjve 8:8). Ai shpjegoi se flijimi i Shpëtimtarit kishte epërsi ndaj flijimeve që kryenin priftërinjtë e lartë nën ligjin e Moisiut. Ai shpjegoi gjithashtu se ordinancat e ligjit të Moisiut i drejtonin njerëzit te Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij.

Hebrenjve 7–8

Pali dha mësim se Jezu Krishti është Ndërmjetësi i besëlidhjes së re

Pamja
hije karrigeje, violonçeli, rose

Në hapësirën e dhënë, përcaktoni sendin që e krijon secilën hije.

Përse jeni në gjendje ta përcaktoni sendin bazuar në hijen e tij [/shenjën që le]?

Dhiata e Vjetër na tregon për shumë ceremoni dhe ordinanca që simbolizonin dhe paralajmëronin Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij. Ngaqë Pali e dinte se të krishterët judeas, apo hebrenjtë, i njihnin këto ceremoni dhe ordinanca, ai iu referua atyre në letrën e tij kur u mësoi këtyre shenjtorëve rreth Jezu Krishtit.

Të gjitha shkrimet e shenjta përmbajnë simbole, shenja, emblema dhe ngjashmëri me Jezu Krishtin. Simbolet, shenjat, emblemat dhe ngjashmëritë janë pasqyrime të realiteteve më të mëdha. Një pjesë e madhe e kësaj gjuhe të figurshme është në formën e njerëzve, sendeve, ngjarjeve dhe rrethanave.

Ligji i Moisiut kishte për qëllim të ishte një simbol dhe shenjë e Jezu Krishtit, apo një emblemë që i drejtonte izraelitët te Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shyes (shih 2 Nefi 11:4; Jakobi [LiM] 4:4–5). Apostulli Pal shpjegoi mënyrën se si disa pjesë të ligjit e bënin këtë. Ai donte t’i ndihmonte shenjtorët judeas që të qëndronin besnikë ndaj Jezu Krishtit në vend që të ktheheshin te ndjekja e ligjit të Moisiut, siç po bënin disa.

Te Hebrenjve 2:17 ju lexuat se Pali iu referua Jezu Krishtit si “i mëshirshëm e kryeprift [prift i lartë] besnik”. Që nga koha e Moisiut e deri te Jezu Krishti, prifti i lartë ishte udhëheqësi kryesues i Priftërisë Aarone, e cila nganjëherë quhet Priftëria Levitike, duke iu referuar autoritetit të Priftërisë Aarone që mbahej nga anëtarët e fisit të Levit (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Aaronic Priesthood” [“Priftëri Aarone”]).

Pamja
Moisiu e Thërret Aaronin në Shërbesë

Moisiu e shuguroi Aaronin si prift të lartë të Priftërisë Aarone.

Lexoni Hebrenjve 7:1–4, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth Melkizedekut. Lexoni edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it të Hebrenjve 7:3 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta), që të qartësoheni rreth asaj që dha mësim Pali në vargun 3.

Melkizedeku ishte “një profet dhe udhëheqës i shquar, i cili jetoi rreth vitit 2000 pr.K. Ai thirrej mbreti i Salemit (Jeruzalemit), mbret i paqes dhe ‘prift i Shumë të Lartit Perëndi’ [Hebrenjve 7:1]” (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Melkizedek”; shih edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:25–40 [tek Udhëzuesi për Shkrime e Shenjta]). Pali e kuptoi madhështinë e Melkizedekut dhe e përdori atë si një simbol dhe shenjë të Jezu Krishtit.

Te Hebrenjve 7:15–17, Pali iu referua një profecie në Dhiatën e Vjetër rreth ardhjes së një prifti “sipas rendit të Melkisedekut” (Hebrenjve 7:17; shih edhe Psalmeve 110:4). Pali dha mësim se Jezu Krishti e përmbushi këtë profeci.

“Një nga qëllimet e Palit te Hebrenjve 7 ishte që të tregonte epërsinë e Priftërisë Melkizedeke ndaj Priftërisë Levitike ose asaj Aarone dhe ordinancave që e shoqërojnë atë. Nëse përsosja dhe ekzaltimi do të ishin të arritshme nëpërmjet Priftërisë Levitike, përse nevojitej një ndryshim për një priftëri më të lartë? Pali dha mësim se përsosuria, ose të qenit ‘i përngjashëm me Birin e Perëndisë’ (Hebrenjve 7:3), nuk vjen me anë të Priftërisë Levitike por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe rendit të Tij të priftërisë. Jezu Krishti ‘lindi nga fisi i Judës’ jo i Levit, prandaj Pali dha mësim se e drejta e Tij për priftërinë nuk do të bazohej te prejardhja, por te ‘fuqi[a e] jetës së pashkatërrueshme’ (shih Hebrenjve 7:14–16). [I njohur] si Jehova në jetën para lindjes, Ai kishte krijuar tokën dhe i kishte qeverisur ngjarjet e Dhiatës së Vjetër me të njëjtën fuqi priftërie që do të mbante gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 480).

Lexoni Hebrenjve 7:23–28, duke kërkuar dallimet midis Jezu Krishtit dhe priftërinjve të lartë levitë që administronin ordinancat e Priftërisë Aarone për njerëzit. Fraza “vë kryepriftërinj [priftërinj të lartë] njerëz që kanë dobësi” në vargun 28 do të thotë se ata kanë të meta. Lexoni gjithashtu Përkthimin prej Joseph Smith-it të Hebrenjve 7:25–26 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta).

Te Hebrenjve 7:25, fraza “gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” do të thotë se misioni i Jezu Krishtit është të ndërhyjë në emrin tonë, që të na ndihmojë të kthehemi në prani të Perëndisë.

Pamja
Jezusi Lutet në Gjetsemani

Si do t’i shpjegonit dallimet midis Jezu Krishtit dhe priftërinjve të lartë levitë?

Lexojeni Hebrenjve 8:1–4, duke kërkuar dhuratën, apo flijimin që ofroi Jezu Krishti. Vini re se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Hebrenjve 8:4 thotë: “Prandaj, ndërkohë që ishte mbi dhѐ, ai ofroi si një flijim vetë jetën e tij për mëkatet e njerëzve. Tani çdo prift që është nën ligj, duhet të ofrojë dhurata, apo flijime sipas ligjit” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Hebrenjve 8:4, [te Hebrenjve 8:4, poshtëshënimi a, në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga Përkthimi prej Joseph Smith-it i Hebrenjve 8:4 rreth asaj që Jezu Krishti bëri për ne?

  1. Përsiatni se ç’do të thotë për ju personalisht flijimi shlyes i Jezu Krishtit dhe plotësojeni njërën prej thënieve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Merreni parasysh të gjeni një kohë të përshtatshme për t’ia treguar atë që shkruat një pjesëtari të familjes apo një miku.

    1. Jam mirënjohës për Shpëtimtarin tim sepse …

    2. E di që Shpëtimtari im më do sepse …

    3. Jam bekuar nga flijimi shlyes i Jezu Krishtit sepse …

Një ndërmjetës është një person që zgjidh mosmarrëveshjet midis dy personave apo grupeve. Shlyerja e Jezu Krishtit i pajton qeniet njerëzore (që të gjithë janë mëkatarë) me Perëndinë, Atin. Për shkak të flijimit të Tij, Jezu Krishti është “ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë” (Hebrenjve 8:6), i një besëlidhjeje në të cilën Zoti shpalli se Ai “do t’i shti[jë] ligjet e [Tij] në mendjet e tyre dhe do t’i shkruaj[ë] në zemrat e tyre”, dhe Ai “do të je[të] Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli [i Tij]” (Hebrenjve 8:10). Kjo besëlidhje, nëse pranohej nga njerëzit, do t’i ndihmonte ata që të arrinin ta “njih[nin] Perëndinë” (Hebrenjve 8:11) dhe të pastroheshin nga “mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre” (Hebrenjve 8:12).

Hebrenjve 9–10

Pali tregoi se si ordinancat e ligjit të Moisiut i drejtonin njerëzit te Shlyerja e Shpëtimtarit

Te Hebrenjve 9–10 ne lexojmë se Apostulli Pal vazhdoi t’i krahasonte priftërinjtë e lartë levitë me Jezu Krishtin, duke diskutuar mbi detyrat që kryenin ata priftërinj të lartë në Ditën e Shlyerjes.

Pamja
skicë, tabernakull

Një herë në vit, në ditën e shenjtë judease të quajtur Dita e Shlyerjes (e quajtur edhe Yom Kippur [Jom Kipur]), priftit të lartë i lejohej të hynte në Vendin Shumë të Shenjtë (të quajtur edhe Shenjtërorja e Shenjtëroreve ose Vendi Më Shumë i Shenjtë) në tabernakull, ose, më vonë, në tempullin e Jeruzalemit. Përpara se të hynte, prifti i lartë flijonte një dem si një veprim shlyes “për vete dhe për shtëpinë e tij” dhe më pas flijonte një cjap si një veprim shlyes “për asamblenë e Izraelit”. Ai e spërkaste gjakun e kafshëve në vende të veçanta dhe mbi sende të caktuara në Vendin Shumë të Shenjtë si veprime të mëtejshme shlyese. Më pas, ai “i rrëfente të gjitha mëkatet e shtëpisë së Izraelit” mbi një cjap tjetër (të quajtur cjapi fajshlyes), i cili më pas nxirrej në shkretëtirë, duke simbolizuar heqjen e mëkateve të popullit. Më pas, ai i ndërronte veshjet e tij dhe “ofronte si flijim dy desh për veten e tij dhe popullin e tij” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Fasts” [“Agjërime”]; shih edhe Levitiku 16).

Lexojeni Hebrenjve 9:11–12, 24, 28 dhe Hebrenjve 10:1, 4, 10–12, duke kërkuar mënyrën se si ngjarjet në Ditën e Shlyerjes ishin simbole dhe shenja të flijimit shlyes të Jezu Krishtit.

Priftërinjve të lartë u lejohej të hynin në Vendin Shumë të Shenjtë të tabernakullit një herë në vit, në Ditën e Shlyerjes. Në cilën “shenjtërore” (Hebrenjve 9:12) mund të hynte Shpëtimtari (si dhe gjithë njerëzimi) për shkak të Shlyerjes së Tij?

Çfarë mund të bënte flijimi i Jezu Krishtit që nuk mund ta bënte “gjaku i demave dhe i cjepve” (Hebrenjve 10:4)?

Edhe pse gjaku i kafshës nuk mund t’i shlyente me të vërtetë mëkatet e njerëzve, priftërinjtë e lartë levitë i kryenin këto ordinanca për të treguar “hijen e të mirave që kishin për të ardhur” (Hebrenjve 10:1), apo për të tërhequr vëmendjen drejt Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Lexojeni Hebrenjve 10:17–20, duke kërkuar atë që bën të mundur flijimi i Shpëtimtarit.

Sipas Hebrenjve 10:19, ne mund të hyjmë në “shenjtërore” apo në prani të Perëndisë në mbretërinë çelestiale, për shkak të flijimit të Jezu Krishtit. Fraza “udh[a e] re dhe [e] gjallë” te Hebrenjve 10:20, i referohet ungjillit të Jezu Krishtit, ose planit me anë të të cilit ne mund të falemi e të shenjtërohemi nëpërmjet Shlyerjes së Tij, dhe si rrjedhojë, të bëhemi të denjë për t’u kthyer në prani të Perëndisë.

Lexojeni Hebrenjve 10:22–24, duke kërkuar atë që duhet të bëjmë për të hyrë në mbretërinë çelestiale. Më pas plotësoni parimin vijues: Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të hyjmë në mbretërinë çelestiale nëse .

Si mendoni ju, çfarë do të thotë të “mba[hemi] të patundur” (Hebrenjve 10:23) te besimi ynë në Jezu Krisht?

Lexojeni Hebrenjve 10:35, duke kërkuar këshillën që dha Pali, e cila mund të na ndihmojë të mbahemi të patundur te besimi ynë në Jezu Krisht. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Çfarë mendoni se do të thotë “mos e hidhni tej guximin tuaj”? (Hebrenjve 10:35).

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë të “mos e h[edhim] tej guximin [tonë]”: “Në gjuhën e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme kjo do të thotë: Sigurisht që është e vështirë – përpara se ju të bashkoheni me Kishën, ndërkohë që po përpiqeni të bashkoheni dhe pasi të jeni bashkuar me të. Kjo është mënyra se si ka qenë gjithmonë, thotë Pali, por mos u tërhiqni. Mos u lebetitni dhe mos u zmbrapsni. Mos e humbisni besimin tuaj. Mos harroni se si u ndiet një herë e një kohë. Mos e vini në dyshim përvojën që ju patët. Ishte ajo këmbëngulje [qëndrueshmëri] që e shpëtoi Moisiun dhe Jozef Smithin kur djalli u përball me ta, dhe është ajo që do t’ju shpëtojë juve” (“Cast Not Away Therefore Your Confidence”, Ensign, mars 2000, f. 8).

  1. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth dikujt që ju e njihni, i cili është një shembull i mirë i të mbajturit i patundur në besimin e tij apo të saj në Jezu Krisht dhe që nuk e hedh tej besimin e tij apo të saj.

  2. Mendoni rreth zotimit tuaj për t’u mbajtur i patundur te besimi juaj në Jezu Krisht. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth mënyrës se si do ta shtoni zotimin dhe aftësinë tuaj për ta bërë këtë.

  3. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Hebrenjve 7–10 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër