Biblioteka
Njësia 12, Dita 4: Gjoni 1


Njësia 12: Dita 4

Gjoni 1

Hyrje

Apostulli Gjon, i njohur gjithashtu si Gjon i Dashuri, shënoi doktrina të rëndësishme lidhur me rolin e Jezu Krishtit në ekzistencën para lindjes. Gjon Pagëzori gjithashtu dha dëshmi për Jezu Krishtin dhe e pagëzoi Atë. Jezu Krishti i ftoi të tjerët të mësojnë për Të.

Gjoni 1:1–18; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–19

Gjoni dëshmon për Jezu Krishtin si Birin e Perëndisë

Në këtë mësim ju do të filloni studimin tuaj të librit të Gjonit. Apostulli Gjon shënoi atë që ai i dëshironte të tjerët ta dinin rreth Jezu Krishtit. Gjoni ishte një dëshmitar okular i shumë prej ngjarjeve për të cilat ai shkroi. Shumica e materialit në Ungjillin sipas Gjonit nuk gjendet në Ungjijtë sipas Mateut, Markut dhe Llukës, të cilët u shkruan për t’i ndihmuar judenjtë dhe johebrenjtë të besonin se Jezusi ishte Mesia dhe Shpëtimtari i gjithë njerëzimit. Gjoni shkroi për ata që tashmë i kuptonin shkrimet e shenjta dhe besonin se Jezusi ishte Krishti, Mesia i premtuar.

  1. Përfytyroni se po flisni me dikë që di shumë pak rreth Jezu Krishtit dhe që ju ka pyetur se çfarë dini rreth Tij. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni tri gjëra që do t’ia mësonit atij njeriu rreth Jezu Krishtit.

Pamja
Jezu Krishti

Teksa studioni Gjonin 1, kërkoni të vërteta rreth Shpëtimtarit që mund të ndihmojnë për ta forcuar besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe dëshminë për Të.

Lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–2 (në fund të kombinimit tresh), duke kërkuar të vërteta që Gjoni i dha mësim rreth Jezu Krishtit. (Teksa studioni këtë mësim, ju do të lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–34. Fjalët kursive janë ato që Profeti Jozef Smith i shtoi ose i ndryshoi.)

Një e vërtetë që mund ta përcaktojmë nga këto vargje, është që Jezu Krishti ishte me Perëndinë në fillim. Shtojeni këtë të vërtetë në listën që shkruat në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Fraza “nga fillimi” i drejtohet ekzistencës para lindjes. Kur shkrimet e shenjta vënë në dukje që Jezu Krishti ishte me Perëndinë që “nga fillimi”, ato na mësojnë se Jezusi ishte i Parëlinduri i Atit në shpirt (shih DeB 93:21), se Ai ishte “sikurse Perëndia” mes shpirtrave të mbledhur “përpara se bota të ishte” (shih Abraham 3:22–24) dhe se Ai u zgjodh nga Ati që nga fillimi (shih Moisiu 4:2).

Lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:3, duke kërkuar një të vërtetë shtesë që Gjoni e dha mësim rreth Jezu Krishtit. Ju mund të dëshironi ta shenjoni atë që gjeni.

Nga ky fragment ne mësojmë se të gjitha gjërat u bënë me anë të Jezu Krishtit. Shtojani këtë listës së të vërtetave rreth Jezu Krishtit që i keni shkruar në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Jezu Krishti krijoi qiejt, tokën dhe “botë pa numër” nën drejtimin e Atit (Moisiu 1:33).

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

Megjithatë, Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi se Ati Qiellor i ruajti “dy ngjarje krijuese” për veten e Tij: “Së pari, Ai është Ati i të gjithë shpirtrave, përfshirë Krishtin. … Së dyti, ai është Krijuesi i [trupave fizikë të Adamit dhe Evës]” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 63; shih edhe Moisiu 2:27).

“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” sqaron më tej se “të gjitha qeniet njerëzore, meshkuj dhe femra, janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor” (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).

Lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:4–5, duke kërkuar mënyrën se si Gjoni i përshkroi Jezusin dhe ungjillin e Tij.

Çfarë mendoni se do të thotë që Jezu Krishti dhe ungjilli janë drita që “shkëlqe[jnë] në botë dhe bota nuk [i] kupton at[o]”?

Apostulli Gjon më pas na mësoi rreth Gjon Pagëzorit. Lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:6–10, duke kërkuar për çfarë të vërtete shtesë dha dëshmi Gjon Pagëzori.

Shtojani të vërtetën vijuese listës në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Jezu Krishti është Drita e Botës. Përsiatni në çfarë mënyrash Jezu Krishti është drita e botës. Shihni Doktrina e Besëlidhje 88:5–13 për ide shtesë.

Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:11–18 përmban, mes mësimeve të tjera, dëshminë e Gjon Pagëzorit se të gjithë ata që besuan në Jezu Krishtin, do të marrin pavdekësi dhe jetë të përjetshme. Vini re në vargjet 14 e 16 që Gjoni iu drejtua Jezu Krishtit si “Fjala”. Ky është një titull i Jezu Krishtit, që gjendet në disa vende në shkrimet e shenjta (shih edhe Gjoni 1:1; 1 Gjoni 1:1; Zbulesa 19:13; DeB 93:8; Moisiu 1:32).

Ngaqë përdorim fjalë për t’ua përçuar ose shprehur diçka të tjerëve, në çfarë mënyrash është “Fjala” një titull i përshtatshëm për Jezu Krishtin?

Përsiatni disa nga arsyet vijuese që ky është një titull i përshtatshëm: Ai është shprehja e Atit për botën; Ai shpall fjalët e Atit; Ai është lajmëtari i shpëtimit (shih DeB 93:8); Ai është shembulli i përsosur për mënyrën se si ta jetojmë fjalën e Perëndisë; Ai jep fjalët e jetës së përjetshme; dhe fjalët e Tij japin jetë.

Krahasoni Gjonin 1:18 me vargun përkatës të Përkthimit prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:19. Pa Përkthimin prej Joseph Smith-it, disa lexues të Gjonit 1:18 mund ta keqkuptonin atë dhe të besonin se askush në tokë nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë, Atin. Si e qartëson Përkthimi prej Joseph Smith-it i Gjonit 1:19 Gjonin 1:18 sikurse gjendet normalisht në Dhiatën e Re?

  1. Merrni parasysh veprimtarinë në fillim të këtij mësimi, ku juve ju kërkua të përfytyronit se po i jepnit mësim dikujt që dinte pak rreth Jezu Krishtit. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani arsyen përse mendoni që është e rëndësishme për dikë të dijë doktrinat shtesë rreth Jezu Krishtit, që ju i keni përcaktuar te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–19?

Gjoni 1:19–34; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:20–34

Gjon Pagëzori jep dëshmi për Jezu Krishtin dhe e pagëzon Atë

Te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:20–28 (në fund të kombinimit tresh), judenjtë dërguan priftërinj te Gjon Pagëzori që ta pyesnin nëse ai ishte Mesia. Gjoni shpjegoi se roli i tij ishte që të jepte dëshmi për Mesian, i cili do të pagëzonte me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë. Të nesërmen, Gjon Pagëzori e pa Jezusin, të cilin ai e kishte pagëzuar më parë.

Lexoni fjalët e Gjon Pagëzorit te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:29–33, duke kërkuar atë që Gjon Pagëzori dëshironte që të tjerët të dinin rreth Jezu Krishtit.

Drejtojuni të vërtetave që keni renditur në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth Jezu Krishtit. Çfarë të vërteta ose përshkrime të tjera rreth Jezu Krishtit mund t’i shtoni nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:29–33? (Renditini gjetjet tuaja poshtë të vërtetave të tjera që i renditët në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.)

Vini re që Gjoni iu drejtua Jezu Krishtit si “Qengji i Perëndisë”. Ashtu si gjaku i qengjave të Pashkës e shpëtoi Izraelin nga vdekja dhe solli shpëtim nga skllavëria egjiptiane, titulli “Qengji i Perëndisë” simbolizon që Jezusi do ta derdhte gjakun e Tij për t’i shpëtuar njerëzit e Tij dhe për t’i çliruar ata nga mëkati.

Gjoni 1:35–51

Jezusi i fton pasuesit e Tij të mësojnë më shumë rreth Tij

Përfytyroni që një adoleshent duke marrë pjesë në një mbledhje të agjërimit e dëshmive, dëgjon disa shokë duke dhënë dëshmi që ata e dinë se Jezu Krishti është Shpëtimtari i tyre. Ky i ri pyet veten se si këta shokë i “dinë” ato gjëra. Përsiatni se si do t’i përgjigjeshit një pyetjeje të tillë.

Teksa studioni Gjonin 1:35–51, kushtojini vëmendje çfarë japin mësim këto vargje rreth asaj që mund të bëni për ta marrë ose forcuar dëshminë tuaj për Jezu Krishtin si Shpëtimtari juaj.

Lexoni Gjonin 1:35–37, duke kërkuar atë që Gjon Pagëzori ua tha dy prej dishepujve të tij ditën pasi Jezusi u pagëzua.

Më pas lexoni Gjonin 1:38–39, duke kërkuar atë që Jezusi ua tha dy dishepujve dhe se si u përgjigjën ata.

Çfarë ftese u bëri Jezusi dy dishepujve?

Lexoni Gjonin 1:40–42. Teksa lexoni, shënoni se çfarë mësoi njëri nga burrat pasi e pranoi ftesën e Shpëtimtarit “ejani e shikoni”.

Te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:42 ne mësojmë që Jezusi tha se Pjetri do të quhej “Kefa, që është, me anë të interpretimit, një shikues ose një gur” (në Biblën në anglisht Gjoni 1:42, shënimi a në fund të faqes), duke vënë në dukje që Pjetri do të bëhej një profet, shikues e zbulues.

Lexoni Gjonin 1:43–46, duke kërkuar atë që Shpëtimtari e ftoi të bënte burrin tjetër, Filipin.

Shenjoni në vargun 45 fjalët që tregojnë se Filipi kishte marrë një dëshmi për Jezu Krishtin pasi e pranoi ftesën e Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë. Çfarë ftese i dha atëherë Filipi Natanaelit?

Shqyrtoni Gjonin 1:47–51, duke kërkuar atë që ndodhi teksa Natanaeli e pranoi ftesën për të mësuar për Jezusin.

Në bazë të asaj që mësuat nga këto rrëfime, plotësoni parimin vijues: Kur e pranojmë ftesën për të mësuar për Jezu Krishtin dhe për ta ndjekur Atë, ne do të marrim .

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar përse është e rëndësishme për ne që ta pranojmë ftesën për të mësuar për Zotin dhe për ta ndjekur Atë: “Duket se thelbi i udhëtimit tonë në vdekshmëri dhe përgjigjet ndaj pyetjeve më të rëndësishme në jetë vijnë dalëngadalë nga pikërisht këto dy pjesë të shkurtra përbërëse në këto skena filluese të shërbesës tokësore të Shpëtimtarit. Njëra pjesë përbërëse është pyetja drejtuar çdonjërit prej nesh në këtë tokë: ‘Ç’kërkoni? Ç’dëshironi?’ Pjesa e dytë përbërëse është përgjigjja e Tij dhënë përgjigjes sonë, cilado qoftë ajo përgjigje. Kushdo që jemi dhe çfarëdo që përgjigjemi, përgjigjja e Tij është gjithmonë e njëjtë: ‘Ejani’, tha Ai me dashuri. ‘Ejani, më ndiqni.’ Kudo që të shkoni, fillimisht ejani dhe shihni se çfarë bëj unë, shihni ku dhe si e kaloj kohën time. Mësoni për mua, ecni me mua, flisni me mua, besoni. Dëgjomëni kur lutem. Në këmbim, ju do të gjeni përgjigje për vetë lutjet tuaja. Perëndia do t’iu japë prehje shpirtrave tuaj. Ejani, më ndiqni” (“He Hath Filled the Hungry with Good Things”, Ensign, nëntor 1997, f. 65).

Nisur nga fundi i thënies së Plakut Holland, cilat janë dy gjëra që do t’i marrim teksa pranojmë ftesën e Shpëtimtarit “ejani e shikoni”?

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në çfarë mënyrash është rritur dëshmia juaj për Jezu Krishtin kur keni mësuar për Të dhe e keni ndjekur Atë?

Përsiatni përpjekjet tuaja që të mësoni vetë për Jezu Krishtin dhe që ta ndiqni Atë. Mendoni se çfarë mund të bëni për ta pranuar më tërësisht ftesën që të vini e ta ndiqni Atë, me qëllim që besimi dhe dëshmia juaj të rriten.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrës së sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 1 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër