Biblioteka
Njësia 13, Dita 1: Gjoni 2


Njësia 13: Dita 1

Gjoni 2

Hyrje

Në Kanë, Shpëtimtari kreu mrekullinë e parë publike të shërbesës së Tij tokësore kur e ktheu ujin në verë. Ai shkoi në Jerusalem për Pashkën e parë të shërbesës së tij mes njerëzve dhe pastroi tempullin për herë të parë duke i dëbuar këmbyesit e monedhave që po e përdhosnin shtëpinë e Atit të Tij.

Gjoni 2:1–11

Jezusi ndryshon ujin në verë

Mendoni rreth “gjërave të para” vijuese që mund të kenë ndodhur në jetën tuaj: dita juaj e parë e shkollës, puna juaj e parë ose hera e parë që mbani mend se e ndiet Frymën e Shenjtë. Çfarë gjërash të tjera të para keni përjetuar, që kanë qenë domethënëse për ju?

Përse ne nganjëherë vendosim rëndësi mbi “gjërat e para” në jetën tonë?

Pak kohë pasi Jezusi u pagëzua, Ai dhe dishepujt e Tij morën pjesë në një festë dasme në Kanë, një fshat pranë qytezës së lindjes së Jezusit, Nazaretit. Ishte në Kanë që Jezusi kreu mrekullinë e tij të parë, të shënuar.

Lexoni Gjonin 2:1–3, duke kërkuar një problem që doli gjatë festës së dasmës.

Vera ishte një pije tradicionale në një festë dasme. Nganjëherë festa e dasmës do të vazhdonte për shumë ditë. Po të mbarohej vera, do të kishte qenë diçka turpëruese për organizuesit e festës. Nëna e Jezusit, Maria, iu drejtua Jezusit për ndihmë për ta rimbushur verën. Nuk jemi të sigurt se çfarë roli kishte Maria në festën e dasmës, por është e dukshme që ajo ndjeu njëfarë përgjegjësie kur vera u mbarua.

Përkthimi prej Joseph Smith-it na ndihmon të kuptojmë përgjigjen e Jezusit dhënë nënës së Tij: “Jezusi i tha: ‘Ç’dëshiron që unë të bëj për ty, o grua? Unë do ta bëj atë; se ora ime nuk ka ardhur akoma.’” (Joseph Smith Translation, Gjoni 2:4 [në Biblën në anglisht te Gjoni 2:4, shënimi a në fund të faqes]). Në kohën e Jezusit, titulli “grua” ishte një mënyrë e dashur dhe e respektueshme për t’iu drejtuar nënës së dikujt.

Lexoni Gjonin 2:5, duke kërkuar atë që Maria u tha shërbëtorëve. Merrni parasysh çfarë na mësojnë udhëzimet e Marisë dhënë shërbëtorëve rreth besimit të saj në Jezusin.

Lexoni Gjonin 2:6–7, duke kërkuar atë që Jezusi i udhëzoi shërbëtorët të bënin.

Pamja
enë të bëra me gur gëlqeror

Enë të bëra me gur gëlqeror nga koha e Dhiatës së Re në Izrael

Fraza “pastrimin e Judenjve” te vargu 6 i drejtohet praktikës judease të larjes në mënyrë ceremoniale të duarve të tyre me ujë përpara se të hanin një vakt ushqimi. Enë të mëdha prej guri mbanin ujin e përdorur në rite të tilla si ky. “Një ‘masë’ ishte rreth 34 litra, kështu që të gjashtë enët mund të kishin mbajtur midis 380 dhe 600 litra” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 207). Vini re te Gjoni 2:7 se sa plot ishte mbushur secila nga këto enë.

Lexoni Gjonin 2:8, duke kërkuar atë që Jezusi i udhëzoi shërbëtorët të bënin më pas.

Nëse ishit njëri prej shërbëtorëve, çfarë mund të kishit menduar ose ndier teksa i çuat një gotë të mbushur me këtë lëng të parit të festës?

Lexoni Gjonin 2:9–10, duke kërkuar atë që i pari i festës tha pasi e shijoi pijen që i ishte sjellë atij.

Çfarë i kishte ndodhur ujit?

Për ta kuptuar atë që tha i pari i festës, mund të ndihmojë që ju të dini se vera më e mirë përdorej shpesh në fillim të festës dhe vera me cilësi më të ulët përdorej më vonë në festë.

Jezusi nuk dha një interpretim të posaçëm të kuptimit ose simbolikës së kësaj mrekullie të parë, të shënuar për shërbesën e Tij në vdekshmëri. Megjithatë, ka shumë të vërteta domethënëse që mund t’i mësojmë nga ky rrëfim i mrekullisë së parë, të shënuar të Jezusit.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditini të vërteta që ju mund t’i përcaktoni nga Gjoni 2:1–10 rreth Jezu Krishtit, marrëdhënies së Tij me nënën e tij dhe rreth fuqisë së Tij.

Një prej të vërtetave që përcaktuat nga Gjoni 2:1–10 mund të ngjajë me sa vijon: Jezu Krishti ka fuqi mbi elementët fizikë.

Lexoni Gjonin 2:11, duke kërkuar çfarë ndikimi pati kjo mrekulli mbi dishepujt e Jezusit.

Përkthimi prej Joseph Smith-it thotë që “besimi i dishepujve të tij u forcua në të” (Joseph Smith Translation, Gjoni 2:11, në Biblën në anglisht).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund ta forcojë besimin tuaj në Jezu Krishtin kuptueshmëria e kësaj mrekullie dhe kuptueshmëria që Jezu Krishti është Krijuesi i qiellit e i tokës dhe ka fuqi mbi elementët fizikë?

    2. Çfarë rrëfimesh të tjera në Dhiatën e Re ilustrojnë gjithashtu që Jezu Krishti ka fuqi mbi elementët fizikë?

Gjoni 2:12–25

Jezusi pastron tempullin

Mendoni për një lojë vepruese në natyrë, të cilën e luajtët kur ishit fëmijë. Edhe pse loja është e pafajshme dhe argëtuese, a do të ndiheshit rehat ta luanit atë në oborrin rrethues të tempullit të shenjtë? Përse jo?

Gjatë vitit të parë të shërbesës së Tij, Ai shkoi në Jerusalem që të festonte Pashkën. Lexoni Gjonin 2:12–17, duke kërkuar se çfarë po ndodhte në tempull kur Jezusi mbërriti.

Pamja
Jezusi pastron tempullin

Si mendoni, përse u zemërua Jezusi nga ajo që po ndodhte në tempull? Vini re çfarë bëri Jezusi që ta korrigjonte problemin.

Mijërat e vizitorëve që vinin në Jerusalem për kremtimin e Pashkës, kishin nevojë të blinin kafshë për t’i ofruar si flijime në tempull si pjesë e adhurimit të tyre. Këmbyesit e monedhave shkëmbenin monedha romake dhe monedha të tjera për monedhat e tempullit, që të mund të bliheshin kafshët flijuese, dhe shitës të tjerë i shitnin kafshët e nevojshme. Edhe pse ky tregtim ishte i nevojshëm, kryerja e një tregtie të tillë në oborret më të jashtme të tempullit tregonte mungesë respekti dhe nderimi. Përveç kësaj, këta këmbyes të monedhave po caktonin çmime mjaft të larta për kafshët, duke u përpjekur të bënin përfitime të paarsyeshme.

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përshkroi skenën: “Ndërsa Jezusi hyri në oborret më të jashtme të tempullit, … përpara tij ishin stallat e qeve, vathët e deleve, kafazet e pëllumbave dhe vidanëve, me pramatarë [shitës shëtitës] lakmues duke i ofruar ato me çmime të tepruara [jashtëzakonisht të larta] për qëllime flijuese. Të mbushura plot në çdo anë ishin tavolinat e këmbyesve të monedhave, të cilët, për përfitim, i shkëmbenin monedhat romake dhe monedha të tjera me monedhat e tempullit, me qëllim që kafshët e flijimeve të mund të bliheshin” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:137–138).

Nëpërmjet veprimeve dhe fjalëve të Tij, Jezusi dha mësim për shenjtërinë e shtëpisë së Atit të Tij.

Vini re te Gjoni 2:16 që Jezusi tha se tempulli ishte shtëpia e Atit të Tij. Nga kjo ne mësojmë të vërtetën vijuese: Tempulli është shtëpia e Perëndisë.

Tempujt janë shtëpitë e Perëndisë, sepse janë vende ku Perëndia mund të vijë. Ordinancat që lidhen me shpëtimin e fëmijëve të Perëndisë, kryhen në tempuj dhe ata që e frekuentojnë tempullin mund ta ndiejnë Shpirtin e Zotit atje. Ngaqë tempulli është “Shtëpia e Zotit”, siç shkruhet jashtë tij, me raste Zoti Vetë mund të jetë i pranishëm atje. Tempujt janë vendet më të shenjta të adhurimit në tokë.

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter, duke kërkuar përse Jezusi i dëboi këmbyesit e monedhave dhe tregtarët nga tempulli:

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

“Në procesin e rënies morale, nderimi është një nga virtytet e para që zhduket. … Dashuria për para i kishte çoroditur zemrat e shumë bashkatdhetarëve të Jezusit. Ata kujdeseshin më shumë për fitimin sesa për Perëndinë. Ngaqë nuk kujdeseshin për Perëndinë, përse duhej të kujdeseshin për tempullin e tij? Ata i kthyen oborret e tempullit në një vend tregtie dhe nxorën jashtë lutjet dhe psalmet e besnikëve me këmbimin e tyre lakmitar të monedhave dhe blegërimën e deleve të pafajshme. Kurrë Jezusi nuk tregoi një stuhi më të madhe emocioni sesa në pastrimin e tempullit. …

Arsyeja për stuhinë qëndron në katër fjalë të thjeshta: ‘Shtëpia e Atit Tim’. Nuk ishte një shtëpi e zakonshme; ishte shtëpia e Perëndisë. Ajo u ngrit për adhurimin e Perëndisë. Ishte një shtëpi për zemrën nderuese. Kishte si qëllim të ishte një vend i ngushëllimit për mjerimet dhe shqetësimet e njerëzve, pikërisht porta e qiellit. ‘Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie’. (Gjoni 2:16.) Përkushtimi i Tij ndaj Më të Lartit ndezi një zjarr në shpirtin e Tij dhe u dha fjalëve të Tij forcën që i shpoi fyesit si një shpatë” (“Hallowed Be Thy Name”, Ensign, nëntor 1977, f. 52).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani thënien vijuese: Unë mund të tregoj nderim për tempullin duke … Më pas renditni sa më shumë mënyra të mundeni që kjo thënie të plotësohet brenda dy minutash. Mbani mend që ju mund të tregoni nderim për tempullin edhe kur nuk jeni aktualisht tek tempulli.

Zgjidhni një nga idetë në listën tuaj dhe përdoreni atë që të caktoni një qëllim për të treguar nderim për tempullin.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër