Biblioteka
Njësia 13, Dita 4: Gjoni 5–6


Njësia 13: Dita 4

Gjoni 5–6

Hyrje

Jezusi mori pjesë në një festë (si Pashka) në Jerusalem dhe shëroi një burrë të paralizuar te pellgu i Betesdës. Ai gjithashtu përshkroi dëshmitarë të tjerë të cilët kishin dëshmuar për hyjnishmërinë e Tij. Pasi u kthye në Galile, Ai ushqeu në mënyrë të mrekullueshme një turmë prej më shumë se 5.000 njerëzish dhe dha mësim se Ai është Buka e Jetës.

Gjoni 5:1–30

Jezusi shëron një burrë të paralizuar në Shabat dhe jep mësim rreth marrëdhënies së Tij me Atin

Merrni parasysh një rast kur ju ose dikush që njihni thyet diçka të rëndësishme ose me vlerë.

Pamja
vazo balte e thyer

Si fëmijë të Atit Qiellor, ne jemi të rëndësishëm dhe kemi vlerë të madhe. Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve tona ose sfidave që hasim, me raste ne mund të ndihemi të thyer ose sikur të kemi vlerë të paktë.

Cilat janë disa mënyra sipas të cilave dikush mund të ndihet i thyer shpirtërisht, fizikisht apo emocionalisht?

Mendoni për raste kur ju mund të jeni ndier në këtë mënyrë. Teksa studioni Gjonin 5:1–9, kërkoni një të vërtetë që mund t’ju ndihmojë të ngushëlloheni dhe t’ju japë shpresë kur ndiheni të thyer.

Te Gjoni 5:1 ne lexojmë se pasi Jezu Krishti dha shërbesë në Galile, Ai udhëtoi drejt Jerusalemit që të vëzhgonte një festë judease, ka shumë të ngjarë Pashkën (shih Gjoni 5:1, shënimi a në fund të faqes në Biblën angleze). Teksa ishte në Jerusalem, Ai shkoi te një pellg me ujë pranë tempullit.

Lexoni Gjonin 5:2–4, duke kërkuar se cilët ishin mbledhur rreth pellgut dhe për çfarë po prisnin ata.

Fjalët të lënguar, të verbër, të çalë dhe të paralizuarvargun 3 përshkruajnë njerëz që ishin të sëmurë, të pazotë ose të gjymtuar në njëfarë mënyre. Atje mund të ketë pasur një përrua që me raste derdhte ujë në pellg dhe shkaktonte që sipërfaqja e ujit të krijonte flluska (shih Bible Dictionary, “Bethesda”).

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësimin që vijon: “S’ka dyshim që pellgu i Betesdës ishte një përrua me ujë mineral, ujërat e të cilit kishin disa aftësi shëruese. Por ndonjë ide që një engjëll zbriste dhe i turbullonte ujërat, me qëllim që njeriu i parë i cili do të hynte më pas, do të shërohej, ishte thjesht paragjykim. Mrekullitë shëruese nuk sillen në ndonjë mënyrë të tillë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:188).

Merrni parasysh se me çfarë mund të ishte e ngjashme skena te pellgu, me kaq shumë njerëz duke shpresuar të shëroheshin nëse ishin njeriu i parë që do të hynte në pellg.

Lexoni Gjonin 5:5–7, duke kërkuar atë që Shpëtimtari pa të shtrirë pranë pellgut.

Çfarë thonë këto vargje rreth burrit që Shpëtimtari e pa? Përse burri nuk kishte qenë kurrë në gjendje të ishte i pari që hynte në ujë?

Pamja
Krishti Shëron të Sëmurin në Betesda

Lexoni Gjonin 5:8–9, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari iu përgjigj burrit.

Merrni parasysh frazën “njeriu u shërua” te vargu 9. Ky shërim ndodhi te pellgu i Betesdës. Fjala Betesda mund të përkthehet si “shtëpia e mëshirës” (Bible Dictionary, “Bethesda”). Mëshira është dhembshuri ose mirësi. Vepra më e madhërishme e mëshirës, e kryer ndonjëherë, ishte Shlyerja e Jezu Krishtit.

Përse ishte Betesda një emër i përshtatshëm për këtë vendndodhje, veçanërisht pasi Shpëtimtari e shëroi këtë burrë?

Në çfarë mënyrash mund të jemi ne të gjithë si ky burrë në buzë të pellgut të Betesdës?

Një e vërtetë që mund ta mësojmë nga shërimi i këtij burri prej Shpëtimtarit është që nëpërmjet fuqisë dhe mëshirës së Jezu Krishtit, ne mund të shërohemi.

Pamja
Plaku Merrill J. Beitmen

Për ta kuptuar më mirë këtë të vërtetë, lexoni thënien vijuese nga Plaku Merrill J. Beitman, i Të Shtatëdhjetëve, duke kërkuar mënyra që ai tha se Shpëtimtari mund të na shërojë: “Sikurse burri i paralizuar te Pellgu i Betesdës kishte nevojë për dikë më të fortë se ai vetë që të shërohej (shih Gjoni 5:1–9), po ashtu ne jemi të varur nga mrekullitë e Shlyerjes së Krishtit nëse shpirtrat tanë duhet të shërohen nga brengosja, hidhërimi dhe mëkati. … Nëpërmjet Krishtit, zemrat e thyera shërohen dhe paqja i zëvendëson ankthin e hidhërimin” (“The Power to Heal from Within”, Ensign, maj 1995, f. 13).

Është e rëndësishme të kujtojmë që ne mund të shërohemi qoftë në këtë jetë ose në jetën që vjen, bazuar në kohën e Zotit.

  1. Përsiatni raste kur e keni dëshmuar ose ndier fuqinë, mëshirën apo dhembshurinë e Jezu Krishtit t’ju ndihmojë ju ose dikë tjetër që ndihej i thyer, qoftë shpirtërisht, fizikisht ose emocionalisht. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani dhe më pas mbaroni thënien e paplotë vijuese: Unë e di që Shpëtimtari është i mëshirshëm dhe i dhembshur, sepse …

Te Gjoni 5:10–30 lexojmë se Shpëtimtari më vonë e gjeti burrin në tempull dhe e këshilloi të mos mëkatonte më. Kur udhëheqësit judeas mësuan se burri ishte shëruar nga Jezusi në Shabat, ata e përndoqën dhe u përpoqën ta vrisnin Shpëtimtarin. Jezusi u mësoi udhëheqësve judeas se, nëpërmjet shërimit të burrit, Ai po bënte veprën e Atit Qiellor. Më pas Shpëtimtari dha mësim rreth marrëdhënies së Tij me Atin. Ai gjithashtu dha mësim se atyre që ishin në botën e shpirtrave, shpejt do t’iu mësohej ungjilli.

Gjoni 5:31–47

Jezusi dha mësim rreth dëshmitarëve të shumtë që dëshmojnë për hyjnishmërinë e Tij

Merrni parasysh një rast kur dikush ju tregoi diçka që ishte e pamundur ose e vështirë për t’u besuar.

Si forcohet vërtetësia e ndonjë shpalljeje duke pasur më shumë se një dëshmitar?

Lexoni Gjonin 5:31, duke kërkuar atë që tha Shpëtimtari rreth vetë dëshmisë së Tij për marrëdhënien e Tij me Atin Qiellor.

Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it në Biblën në anglisht] e qartëson Gjonin 5:31–32:

“Prandaj, nëse unë dëshmoj për veten time, prapëseprapë dëshmia ime është e vërtetë.

Sepse unë nuk jam vetëm, është një tjetër që dëshmon për mua” (Joseph Smith Translation, Gjoni 5:32–33).

Shpëtimtari po u jepte mësim judenjve që ata kishin dëshmitarë të tjerë përveç dëshmisë së Tij.

Lexoni vargjet vijuese dhe përcaktoni dëshmitarë të tjerë që dëshmojnë për hyjnishmërinë e Jezusit:

Gjoni 5:32–35:

Gjoni 5:36:

Gjoni 5:37–38:

Gjoni 5:39:

Gjoni 5:45–47:

Pavarësisht nga të pasurit e shumë dëshmitarëve për Jezu Krishtin, udhëheqësit judeas nuk besonin në hyjnishmërinë e Jezusit. Vini në dukje te Gjoni 5:39 se teksa Jezusi foli për shkrimet e shenjta, Ai tha: “Sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme”. “Shumë judenj në kohën e Jezusit i studionin shkrimet e shenjta, duke besuar se nëpërmjet këtij studimi ata do të kishin jetë të përjetshme. … Shpëtimtari u përpoq ta korrigjonte këtë besim të rremë duke u dhënë mësim se shkrimet e shenjta, të cilat judenjtë i shihnin si autoritetin përfundimtar, dëshmonin se jeta e përjetshme nuk gjendet në shkrimet e shenjta, por në ndjekjen e Jezu Krishtit. Judenjtë gjithashtu nuk arritën ta kuptonin se shkrimet e shenjta janë fjalët e Krishtit dhe qëllimi i tyre është t’i sjellin njerëzit te Krishti, sepse Ai është burimi përfundimtar i së vërtetës dhe jetës” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 219–220).

Lexoni Gjonin 5:40, duke kërkuar atë që judenjtë duhej të bënin për të fituar jetë të përjetshme.

Edhe pse judenjtë i studionin shkrimet e shenjta, çfarë nuk pranuan të bënin ata që do t’i kishte ndihmuar të merrnin jetë të përjetshme?

Nga ajo që mësoni prej mësimeve të Shpëtimtarit te Gjoni 5:39–40, plotësoni parimin vijues: Vetëm duke ardhur te mund të marrim jetë të përjetshme.

Mbani mend që jeta e përjetshme përfshin bërjen si Ati Qiellor dhe të jetuarin përgjithmonë me anëtarët e denjë të familjeve tona në praninë e Tij. Për ta marrë këtë dhuratë, ne duhet të vijmë te Jezu Krishti nëpërmjet ushtrimit të besimit në Të, pendimin për mëkatet tona, marrjes së ordinancave të ungjillit, nderimit të besëlidhjeve tona dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Zotit.

Merrni parasysh përse ardhja te Jezu Krishti është thelbësore për marrjen e jetës së përjetshme.

  1. Shihni te dëshmitarët e Jezu Krishtit që i renditët më lart. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si njëri nga këta dëshmitarë të Jezu Krishtit ju ka ndihmuar (ose mund t’ju ndihmojë) që të vini tek Ai.

Përsiatni atë që do të bëni për të ardhur më plotësisht te Shpëtimtari, që ju të mund të merrni jetë të përjetshme.

Gjoni 6:1–59

Jezusi jep mësim se Ai është Buka e Jetës

Te Gjoni 6:1–13 ne lexojmë se pasi u kthye në Galile, Jezusi ushqeu në mënyrë të mrekullueshme më shumë se 5.000 njerëz me pesë bukë dhe dy peshq të vegjël. (Ju e studiuat këtë ngjarje në mësimin për Mateun 14 e Markun 6.)

Lexoni Gjonin 6:14–15, duke kërkuar atë që njerëzit donin të bënin pasi Jezusi t’i ushqente në mënyrë të mrekullueshme.

Një traditë mes judenjve në kohën e Jezusit sugjeronte që kur Mesia ose Mbreti i Izraelit të vinte, Ai do t’i ushqente njerëzit me bukë nga qielli.

Gjoni 6:16–21 shënon që Shpëtimtari i dërgoi dishepujt e tij në anën tjetër të detit të Galilesë dhe më pas natën vonë, ndërkohë që dishepujt po hasnin vështirësi që të lundronin kundër valëve dhe erës, Jezusi eci përmes detit që të bashkohej me ta. Tregimi i Gjonit për këtë ngjarje thekson se kur dishepujt “deshnin” ta merrnin Jezusin në anijen e tyre, ata “menjëherë” (Gjoni 6:21) mbërritën të sigurt në vendmbërritjen e tyre. Kur i pranojmë me dëshirë Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij, Ai mund të ndihmojë për të na udhëhequr të sigurt përmes vështirësive të vdekshmërisë.

Gjoni 6:22–59 shënon që shumë njerëz, të cilët Jezusi i kishte ushqyer në mënyrë të mrekullueshme, udhëtuan drejt Kapernaumit duke e kërkuar Atë, duke dëshiruar që të ushqeheshin me më shumë bukë. Disa njerëz mërmëritën kundër Shpëtimtarit ngaqë u mësoi se Ai është buka që zbriti nga qielli. Jezusi dha mësim se Ai është Buka e Jetës dhe që nëse njerëzit do të vijnë tek Ai dhe do t’i pranojnë mësimet dhe Shlyerjen e Tij, ata do të merrnin jetë të përjetshme.

Gjoni 6:60–71

Pjetri dëshmon se Jezusi ka fjalët e jetës së përjetshme

Mendoni për një rast kur juve ju desh të zgjidhnit midis vazhdimit për të bërë diçka të vështirë ose heqjes dorë prej saj.

Pamja
violinist, vrapues

Pasi Jezusi dha mësim se Ai është Buka e Jetës, një numër prej dishepujve të Tij u përballën me vendimin për të vazhduar ose jo që ta ndiqnin Atë. Lexoni Gjonin 6:60, 66, duke kërkuar përgjigjen e shumë prej dishepujve të Jezusit ndaj mësimeve të Tij.

Fraza “e folur … e rëndë” në vargun 60 do të thotë që ata e ndien se mësimet e Jezusit ishin shumë të vështira për t’u ndjekur.

Cili nga mësimet e Jezu Krishtit mund të ishte i vështirë për disa njerëz në kohën tonë për t’u ndjekur? (Nëse nevojitet, kërkoni mësimet te broshura Për Forcën e Rinisë që mund të jenë sfiduese për disa të rinj.)

Lexoni Gjonin 6:67–69, duke kërkuar pyetjen që Jezusi ia bëri Apostujve të Tij dhe përgjigjen e Pjetrit për atë pyetje.

Një e vërtetë që mund ta mësojmë nga përgjigjja e Pjetrit është se një dëshmi e palëkundur për Jezu Krishtin do të na ndihmojë të mbetemi besnikë gjatë kohëve kur mund të jetë e vështirë për ta ndjekur Shpëtimtarin ose për t’i jetuar mësimet e Tij. Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta pranë Gjonit 6:67–69.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si ju ka ndihmuar një dëshmi e palëkundur për Shpëtimtarin ju ose dikë që e njihni, që të mbeteni besnikë edhe kur mësimet e ungjillit dukeshin të vështira për t’u ndjekur.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 5–6 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër