Biblioteka
Njësia 14, Dita 1: Gjoni 7


Njësia 14: Dita 1

Gjoni 7

Hyrje

Jezusi frekuentoi Festën e Tabernakujve në Jerusalem dhe u dha mësim njerëzve në tempull se si ata mund të merrnin dëshmi që mësimet e Tij ishin nga Perëndia, Ati. Ngaqë njerëzit po grindeshin se kush ishte Ai, Jezusi përdori shëmbëlltyrat e ujit dhe të dritës që të dëshmonte për hyjnishmërinë e Tij. Ai gjithashtu u dha mësim atyre rreth Frymës së Shenjtë.

Gjoni 7:1–13

Jezusi merr pjesë në Festën e Tabernakujve

A e keni pyetur ndonjëherë veten nëse Jezusi kishte vëllezër e motra?

Sipas shkrimeve të shenjta, Jozefi e Maria patën fëmijë që u lindën pas Jezusit dhe të cilët do të ishin rritur në të njëjtën vatër familjare me Të. Megjithatë, ngaqë Jezu Krishti ishte biri i Marisë dhe Perëndisë, Atit, jo i Jozefit, këta individë ishin thjeshtër dhe thjeshtra të Jezusit (shih Mateu 13:55–56; Marku 6:3).

Përsiatni se me çfarë do të ngjante të rriteshe në të njëjtën shtëpi me Jezusin.

A mendoni se do të ishte më e lehtë të besonit në Të, në qoftë se ju do të ishit rritur me Të? Përse po ose përse jo?

Te Gjoni 7 ne mësojmë se si disa nga “vëllezërit” e Jezusit (Gjoni 7:3, 5) e panë Atë. Këtu fjala vëllezërit ndoshta u drejtohet thjeshtërve të Jezusit, megjithëse mund të përfshijë edhe të afërm të tjerë.

Lexoni Gjonin 7:1–5, duke kërkuar se çfarë shënoi Gjoni rreth vëllezërve të Jezusit.

Merrni parasysh thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Një dëshmi për hyjnishmërinë e Krishtit dhe për fuqinë shpëtuese të ungjillit të Tij nuk jepet në mënyrë të vetvetishme për shkak të marrëdhënies familjare. Ajo vjen vetëm nëpërmjet bindjes vetjake ndaj atyre ligjeve të përjetshme mbi të cilat bazohet marrja e saj. …

Referencë e shpeshtë, e veçantë bëhet për bijtë e Jozefit dhe të Marisë si ‘vëllezërit’ e Jezusit. … Edhe pse u rritën në të njëjtën vatër familjare dhe erdhën nën ndikimin e mirë [të kujdesshëm] të Jozefit e Marisë, edhe pse ata ishin të vetëdijshëm për mësimet, shërbesën dhe mrekullitë e Jezusit vetë, prapëseprapë këta të afërm të Tij deri më tani nuk e kishin pranuar Atë si Mesian” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:437).

Përsiatni pyetjen vijuese: Si është e mundur që disa nga anëtarët e vetë familjes së Jezusit nuk e besuan Atë, megjithëse ishin të vetëdijshëm për mësimet dhe mrekullitë e Tij?

Pasi vuri në dukje se në kohën e ngjarjeve të shënuara te Gjoni 7, vëllezërit e Jezusit nuk e kishin “pranuar Atë si Mesian”, Plaku Mek-Konki shpjegoi: “Megjithatë, ata të gjithë, mesa duket, u kthyen në besim më vonë (Veprat e Apostujve 1:14); njëri prej tyre, i përcaktuar nga Pali si ‘Jakobi, vëllai [i] Zotit’ (Galatasve 1:19), do të shërbente në apostullimin e shenjtë; dhe një tjetër, Juda, që e quan veten e tij, ‘Juda, … vëllai i Jakobit’ (Juda 1), shkroi letrën e Judës” (Doctrinal New Testament Commentary, 1:437).

Gjoni 7 shënon ngjarje që ndodhën gjatë Festës së Tabernakujve në Jerusalem (shih Gjoni 7:2). Gjatë kësaj feste, “e konsideruar nga [judenjtë] të ishte festa më e madhe dhe më e gëzueshme nga të gjitha” (Bible Dictionary, “Feasts”), shumë judenj udhëtonin për në Jerusalem që të përkujtonin bekimet e Perëndisë për fëmijët e Izraelit kur banuan në shkretëtirë, pas çlirimit të tyre nga skllavëria në Egjipt (shih Levitiku 23:39–43). Ata gjithashtu kremtonin dhe jepnin falënderime për të vjelat vjetore të frutave dhe të korrat vjetore të drithërave (shih Eksodi 23:16). Kjo festë zgjaste tetë ditë.

Vini re te Gjoni 7:3–4 se vëllezërit e Jezusit e donin Atë të shkonte në Festën e Tabernakujve në Jerusalem, në dukje duke thënë që, në qoftë se Ai me të vërtetë ishte Mesia, Ai duhej të shkonte në Jerusalem dhe t’ua shpallte atë të gjithë njerëzve atje.

Siç shënohet te Gjoni 7:6–10, Jezusi vendosi ta vononte vajtjen në festë, por Ai i nxiti vëllezërit e Tij të shkonin. Disa ditë pasi festa kishte filluar, Jezusi mbërriti në fshehtësi – duke e ditur që disa nga udhëheqësit judeas në Jerusalem donin ta vrisni, por që koha e Tij për të vdekur nuk kishte ardhur ende.

Lexoni Gjonin 7:11–13, duke kërkuar atë që njerëzit në Jerusalem po thonin rreth Jezusit.

Sikurse në kohën e Jezusit, ka opinione të ndryshme për Jezu Krishtin në kohën tonë. Disa njerëz e dinë dhe dëshmojnë se Ai është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i gjithë njerëzimit. Disa besojnë se Ai ishte një mësues i madh ose një profet. Megjithatë, njerëz të tjerë e mohojnë hyjnishmërinë e Jezu Krishtit dhe vërtetësinë e mësimeve të Tij ose kanë frikë ta ndjekin Atë haptazi. Teksa vazhdoni të studioni Gjonin 7, kërkoni mënyrën se si mund të dimë që Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe që mësimet e Tij janë të vërteta.

Gjoni 7:14–36

Jezusi Krishti u jep mësim judenjve në tempull

Tempulli ishte vendi qendror i festimeve që ndodhnin gjatë Festës së Tabernakujve. Lexoni Gjonin 7:14–15, duke kërkuar atë që Jezusi bëri atje. Merrni parasysh të shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta reagimin e njerëzve.

Judenjtë u habitën që Jezusi mund të jepte mësim me kaq thellësi e urtësi pa “shkronjat”, ose pa qenë i mësuar nga rabinët judeas, ose pa i ndjekur shkollat e tyre. Lexoni Gjonin 7:16–18, duke kërkuar atë që Jezusi tha se njerëzit mund të bënin me qëllim që të dinin nëse doktrina ose mësimet e Tij ishin të vërteta. Merrni parasysh të theksoni se cilëve ua mësoi Jezusi doktrinën që e dha mësim.

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund të dijë dikush që doktrina e Jezu Krishtit është me të vërtetë nga Perëndia?

    2. Nga mësimet e Zotit të dhëna në tempull, ne mësojmë që, në qoftë se e bëjmë vullnetin e Atit Qiellor, atëherë ne do të marrim një dëshmi për doktrinën e Tij. Shpjegoni përse ju mendoni që ky parim është i vërtetë.

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, tha: “Ne marrim një dëshmi për parimet e ungjillit duke u përpjekur me bindje t’i jetojmë ato. Tha Shpëtimtari: ‘Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë … doktrinë[n]’ [Gjoni 7:17]. Një dëshmi për efektshmërinë e lutjes vjen nëpërmjet lutjes së përulur dhe të sinqertë. Një dëshmi për të dhjetën vjen duke e paguar të dhjetën” (“Lord, I Believe; Help Thou Mine Unbelief”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 22).

Çfarë na mësoi Presidenti Faust se duhet të bëjmë që të fitojmë një dëshmi për parimet e ungjillit?

Kujtoni që disa vëllezër të Jezusit prapëseprapë nuk besuan që Ai ishte Mesia i premtuar, por më vonë ata fituan dëshmi dhe u kthyen në besim. Si mund t’i kishte ndihmuar parimi më sipër ata pjesëtarë të familjes që të fitonin dëshmi për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij?

Pamja
Boni L. Oskarson

Pasi citoi Gjonin 7:17, Motra Boni L. Oskarson, presidente e përgjithshme e Të Rejave, na mësoi: “Ndonjëherë përpiqemi ta bëjmë këtë së prapthi. Për shembull, ne mund të shfaqim këtë qasje: Unë do të jem e lumtur ta jetoj ligjin e të dhjetës, por së pari duhet të di nëse është i vërtetë. Ndoshta lutemi madje që të fitojmë një dëshmi për ligjin e të dhjetës dhe shpresojmë që Zoti do të na bekojë me atë dëshmi përpara se të kemi plotësuar ndonjëherë një mandat të së dhjetës. Vetëm se nuk funksionon në këtë mënyrë. Zoti pret nga ne që të ushtrojmë besim. Ne duhet të paguajmë rregullisht një të dhjetë të plotë dhe të ndershme në mënyrë që të fitojmë dëshmi për të dhjetën. Po i njëjti model zbatohet për të gjitha parimet e ungjillit qoftë ai ligji i dëlirësisë, parimi i thjeshtësisë, Fjala e Urtësisë, apo ligji i agjërimit” (“Kthehuni në Besim”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 77).

Për njërën ose të dyja detyrat e mëposhtme, në qoftë se gjëja që ndiheni të frymëzuar për ta shkruar është shumë vetjake, ju mund ta shkruani përgjigjen tuaj në ditarin tuaj vetjak ose në një fletë të veçantë letre dhe shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se ju e plotësuat detyrën.

  1. Përfundojeni thënien vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta duke shkruar rreth një urdhërimi ose parimi të ungjillit që keni arritur ta dini se është i vërtetë nëpërmjet përpjekjeve tuaja për ta jetuar atë: E di që është i vërtetë, sepse teksa e kam jetuar atë, unë kam . Merrni parasysh t’ia tregoni atë që shkruat dikujt që mendoni se mund të përfitojë duke e dëgjuar dëshminë tuaj.

  2. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një të vërtetë, urdhërim ose mësim të ungjillit, për të cilin do të donit të merrnit një dëshmi më të fortë. Më pas shkruani se çfarë do të bëni që të merrni një dëshmi më të madhe për këtë të vërtetë, urdhërim ose mësim, duke e zbatuar parimin që e mësuat te Gjoni 7:17.

Gjoni 7:19–36 shpjegon se Jezusi i qortoi udhëheqësit judeas për mohimin e mësimeve dhe të mrekullive të Tij dhe për përpjekjen për ta vrarë Atë. Këto vargje gjithashtu tregojnë se shumë njerëz pyesnin veten nëse Ai ishte Mesia dhe se krerët e priftërinjve dhe farisenjtë dërguan ushtarë për ta kapur Atë.

Gjoni 7:37–53

Jezusi jep mësim rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë

Mendoni për një kohë kur ju keni qenë të etur. Përfytyroni se ju mbajtët në dorën tuaj një gotë të zbrazët. A do ta shuante kjo gotë e zbrazët etjen tuaj? Çfarë tjetër do t’ju nevojitej?

Përdorni një çast dhe pini pak ujë. Ndërsa pini, merrni parasysh se sa i nevojshëm është uji në jetën tuaj. Ju mund të ofroni një lutje mirënjohjeje ndaj Atit Qiellor për sigurimin e ujit për ju dhe familjen tuaj.

Toka e Izraelit nuk kishte një sasi të madhe uji të pijshëm për t’i plotësuar nevojat e njerëzve. Jeta mund të mbështetej vetëm nëpërmjet shirave që i rimbushnin furnizimet e tyre ujore. Plaku Brus R. Mek-Konki shpjegoi se si uji ishte pjesë e “një prej çasteve më solemne dhe më dramatike të adhurimit judeas” gjatë kremtimit që po vazhdonte:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Në secilën prej tetë ditëve të festës së Tabernakujve, … ishte tradita, për priftin si pjesë e shërbimit në tempull, që të merrte ujë në enë [broke] të arta nga rrëkeja e Siloamit, e cila rridhte nën malin e tempullit, dhe ta derdhte atë mbi altarin. Më pas fjalët e Isaias këndoheshin: ‘Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit’. (Isaia 12:3.) Dhe ishte pikërisht në këtë çast të kulmit të ceremonisë fetare që Jezusi doli përpara dhe ofroi gllënjka [pijeje] të freskimit të gjallë, të cilat do të kënaqnin dëshirat më të thella shpirtërore të shpirtit të etur” (Doctrinal New Testament Commentary, 1:446).

Lexoni Gjonin 7:37–39, duke kërkuar se çfarë u ofroi Shpëtimtari njerëzve.

Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] për Gjonin 7:39 thotë që “Fryma e Shenjtë iu premtua atyre që besojnë, pasi ai, Jezusi u përlëvdua” (Joseph Smith Translation, Gjoni 7:39 [në Biblën në anglisht Gjoni 7:39, shënimi b] në fund të faqes; shkrimi kursiv i shtuar).

Fraza “nga brendësia e tij” (Gjoni 7:38) sugjeron që uji i gjallë do të jetë brenda besimtarit dhe do të rrjedhë prej tij, në vend që të dalë nga një burim i jashtëm. Merrni parasysh të shenjoni te Gjoni 7:39 çfarë përfaqëson uji i gjallë.

Bible Dictionary shpjegon se “për njëfarë arsyeje që nuk shpjegohet tërësisht në shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë nuk veproi plotësisht mes judenjve gjatë viteve të qëndrimit të Jezusit në vdekshmëri (Gjoni 7:39; 16:7). Thëniet për ndikimin që Fryma e Shenjtë nuk erdhi deri pasi Jezusi u ringjall, për shkak të nevojës duhet t’i drejtohen vetëm asaj periudhe të caktuar të kujdestarisë ungjillore, sepse është tepër e qartë që Fryma e Shenjtë ishte vepruese në periudhat e mëparshme ungjillore. Për më tepër, ajo i drejtohet vetëm dhuratës së Frymës së Shenjtë që nuk ishte e pranishme, përderisa fuqia e Frymës së Shenjtë ishte vepruese gjatë shërbesave të Gjon Pagëzorit dhe Jezusit; përndryshe askush nuk do të kishte marrë dëshmi për të vërtetat që këta burra dhanë mësim (Mateu 16:16–17; shih edhe 1 Korintasve 12:3)” (Bible Dictionary, “Holy Ghost”).

Nisur nga mësimet e Shpëtimtarit te Gjoni 7:37–39, ne mësojmë që nëse vijmë te Jezu Krishti dhe besojmë tek Ai, atëherë ne do të mbushemi me Frymën e Shenjtë. Ata njerëz që mbushen me Frymën e Shenjtë, janë në gjendje t’i ndikojnë të tjerët për mirë.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruani një kohë kur ju u ndikuat nga Fryma e Shenjtë (ose u mbushët me Frymën e Shenjtë) dhe, si rrjedhim, ishit në gjendje ta ndikonit dikë tjetër për mirë.

Te Gjoni 7:40–53 ne lexojmë se farisenjtë sërish dëshiruan që Jezusi të arrestohej. Ushtarët që u dërguan për ta marrë Atë, e dëgjuan Jezusin të predikonte. Ata u kthyen pa e arrestuar Atë dhe u thanë farisenjve se nuk kishin dëgjuar kurrë dikë që të predikonte siç kishte predikuar Shpëtimtari, gjë që i zemëroi farisenjtë. Nikodemi, fariseu që kishte ardhur te Shpëtimtari natën (shih Gjoni 3:1–2), i kujtoi farisenjtë e tjerë si ai vetë dhe krerët e priftërinjve, se vetë ligji i tyre nuk do ta lejonte një individ të dënohej derisa atij ose asaj t’i jepej një mundësi për t’u dëgjuar.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 7 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër