Biblioteka
Njësia 14, Dita 3: Gjoni 9


Njësia 14: Dita 3

Gjoni 9

Hyrje

Jezusi shëroi një burrë që ishte lindur i verbër. Farisenjtë e morën në pyetje këtë burrë dhe e nxorën jashtë sinagogës ngaqë ai nuk pranoi ta mallkonte Jezusin si një mëkatar për shërimin në Shabat. Shpëtimtari e kërkoi burrin dhe e pyeti se çfarë besonte dhe burri e adhuroi Jezusin si Birin e Perëndisë.

Gjoni 9:1–7

Jezusi shëron një burrë që ishte lindur i verbër

Përcaktoni disa shembuj të fatkeqësive që përjetojnë njerëzit përreth jush ose që përjetojnë njerëzit që i shihni në lajmet tuaja vendore:

Disa njerëz pyesin veten përse Perëndia e lejon fatkeqësinë që ta ndikojë thellësisht jetën e tyre. Teksa studioni Gjonin 9:1–5, kërkoni një të vërtetë që mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë një arsye përse Perëndia e lejon fatkeqësinë për të na e ndikuar jetën tonë.

Ndërsa Jezusi ishte në Jerusalem, Ai takoi një burrë që kishte përjetuar fatkeqësi që nga lindja. Lexoni Gjonin 9:1–2, duke kërkuar fatkeqësinë me të cilën përballej ky burrë.

Çfarë pyetën dishepujt lidhur me shkakun e fatkeqësisë së këtij burri?

Shumë njerëz në kohën e Shpëtimtarit besonin se fatkeqësitë që i hasnin njerëzit, ishin pasojat e mëkateve që ata ose prindërit e tyre i kishin kryer. A mendoni se ishte e saktë kjo gjë që e besonin? Përse po ose përse jo?

Lexoni Gjonin 9:3–5, duke kërkuar mësimet e Shpëtimtarit dhënë dishepujve të Tij rreth verbërisë së këtij burri.

Si mendoni, çfarë do të thotë që “tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë”? (Gjoni 9:3).

Nga mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje, ne mësojmë se Perëndia mund t’i përdorë fatkeqësitë tona që të vërë në dukje veprat dhe fuqinë e Tij. Me fjalë të tjera, ndërkohë që mund të ketë shumë shkaqe për fatkeqësinë në jetën tonë, Perëndia mund t’i përdorë sfidat tona që të na ndihmojë të përmbushim qëllimet e Tij të drejta.

Për ta kuptuar më mirë këtë të vërtetë, lexoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ne jemi dërguar këtu për t’u provuar. Duhet të ketë kundërshtim në të gjitha gjërat. Ne duhet të mësojmë dhe rritemi nëpërmjet këtij kundërshtimi, nëpërmjet përmbushjes së sfidave tona dhe duke i mësuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. … Zoti jo vetëm që do t’i shenjtërojë vuajtjet tona për të mirën tonë, por Ai do t’i përdorë ato për të bekuar jetën e njerëzve të panumërt.

Jezusi e dha këtë mësim kur Ai dhe dishepujt e Tij takuan një burrë i cili kishte lindur i verbër. [Plaku Ouks më pas citoi Gjonin 9:2–3.]

Në qoftë se e shohim jetën nëpërmjet syve të shpirtshmërisë, ne mund të shohim shumë shembuj të veprave të Perëndisë, të çuara më tej nëpërmjet fatkeqësive të fëmijëve të Tij. …

Kur e kuptojmë këtë parim, që Perëndia na ofron mundësi për bekime dhe na bekon nëpërmjet vetë fatkeqësive tona dhe fatkeqësive të të tjerëve, ne mund të kuptojmë pse Ai na ka urdhëruar përsëri e përsëri ta ‘falëndero[jmë] Zotin, Perëndinë t[onë] në të gjithë gjërat’ (DeB 59:7)” (“Give Thanks in All Things”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 97–98).

Mendoni për një fatkeqësi me të cilën jeni përballur ose po përballeni kohët e fundit. Teksa vazhdoni të studioni Gjonin 9, përsiatni mënyra sipas të cilave Perëndia mund t’i tregojë veprat dhe fuqinë e Tij nëpërmjet jush për shkak të asaj fatkeqësie.

Lexoni Gjonin 9:6–7, duke kërkuar mënyrën sipas së cilës Perëndia i dëftoi veprat dhe fuqinë e Tij nëpërmjet përvojës së burrit të verbër.

Si e përfytyroni se do të ishte për këtë burrë që të shihte për herë të parë?

Gjoni 9:8–41

Shpëtimtari kërkon burrin që Ai e kishte shëruar, pasi farisenjtë e nxjerrin jashtë

Siç shënohet te Gjoni 9:8–15, pasi burri i verbër ishte shëruar, disa njerëz debatuan nëse ai ishte me të vërtetë burri që ishte lindur i verbër. Të tjerët pyesnin veten se si ishte shëruar ai dhe e sollën atë te farisenjtë, të cilët filluan ta merrnin në pyetje.

Shqyrtoni Gjonin 9:14 për ditën në të cilën Shpëtimtari e shëroi burrin e verbër.

Çfarë reagimi mendoni se patën farisenjtë ndaj Jezusit që e shëroi burrin në Shabat?

Lexoni Gjonin 9:16, duke kërkuar se cilat ishin përfundimet e farisenjve rreth Jezusit.

Lexoni Gjonin 9:17, duke kërkuar se çfarë përfundimi nxori burri i verbër rreth Jezusit.

Teksa e vazhdoni studimin tuaj të Gjonit 9, vini re përparimin e shikimit të burrit të verbër për Shpëtimtarin.

Duke dyshuar që burri kishte qenë me të vërtetë i verbër, farisenjtë i sollën prindërit e tij për t’i marrë në pyetje. Te Gjoni 9:19–23 ne mësojmë se kur u pyetën, prindërit e tij dëshmuan se ai ishte biri i tyre dhe se ishte lindur i verbër, por ata shpallën se nuk e dinin se si ishte shëruar ai. Të frikësuar që do të dëboheshin nga sinagoga dhe komuniteti, ata nuk donin të thonin se besonin që Jezusi ishte Mesia, kështu që sugjeruan që biri i tyre të fliste për veten e tij.

Lexoni Gjonin 9:24–27, 30–33, duke kërkuar përgjigjen e burrit dhënë farisenjve. Merrni parasysh të shenjoni fjalët e përdorura për ta mbrojtur Jezusin dhe për të dëshmuar se Ai ishte “nga Perëndia” (Gjoni 9:33).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë ju bie në sy rreth përgjigjeve të këtij burri?

Te Gjoni 9:34 ne mësojmë se ky burrë ishte nxjerrë jashtë (duke nënkuptuar prej sinagogës [shih Gjoni 9:22]) ngaqë e mbrojti pa frikë Shpëtimtarin.

“Sinagogat shërbenin si qendra fetare dhe shoqërore për shumë komunitete judease. Sinagogat ofronin mundësi për udhëzim dhe adhurim shpirtëror, si edhe mundësitë arsimore dhe shoqërore. Ngaqë sinagoga ishte kaq e rëndësishme për shoqërinë judease, të nxirreshe jashtë nga sinagoga … do të thoshte më shumë se sa të shkishëroheshe dhe të humbisje shoqërimin me komunitetin fetar. Do të thoshte të dëboheshe nga veprimtaritë kulturore dhe shoqërore gjithashtu” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 230).

Si mendoni, përse ishte ky burrë i gatshëm të qëndronte i vërtetë ndaj asaj që dinte rreth Jezu Krishtit, edhe pse do të thoshte që ai do të nxirrej jashtë nga sinagoga?

Pasi burri ishte nxjerrë jashtë nga sinagoga, Shpëtimtari e gjeti atë dhe e pyeti nëse ai “beson[te] … në Birin e Perëndisë” (Gjoni 9:35). Lexoni Gjonin 9:36–33, duke kërkuar përgjigjen e burrit.

Shpallja e tij “unë besoj, o Zot” dhe fakti që ai “e adhuroi” (Gjoni 9:38) tregojnë se sytë e tij shpirtërorë ishin hapur dhe se ai e njohu Jezu Krishtin për atë që Ai është, Mesia i premtuar dhe Biri i Perëndisë.

Nga ky rrëfim ne mësojmë se teksa mbetemi të vërtetë ndaj asaj që e njohim, pavarësisht nga kundërshtimi, dëshmitë tona do të forcohen. Me kalimin e kohës, dëshmitë tona do të rriten edhe më të forta.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni, përse dëshmitë tona forcohen pasi i bëjmë ballë kundërshtimit ose sprovave të besimit?

    2. Si është forcuar dëshmia juaj kur e duruat kundërshtimin me besnikëri?

Që të përcaktoni një parim tjetër nga ky rrëfim, mbyllini sytë pjesërisht me qëllim që mund të shihni vetëm një pjesëz të vogël të dritës. Më pas hapini ata përgjysmë. Pastaj hapini sytë tërësisht. Vini re se si ndryshon shikimi juaj në secilin rast.

Kujtoni që shikimi fizik i burrit të verbër u bë i qartë sapo Jezusi e shëroi atë. Lexoni Gjonin 9:11, 17, 33, 35–38, duke kërkuar fraza që përshkruajnë pjekurinë e shikimit shpirtëror ose të kuptueshmërisë së burrit lidhur me kush është Jezusi.

Fillimisht ai iu drejtua Jezusit si “një njeri që quhet Jezus” (Gjoni 9:11) dhe më pas iu drejtua Atij si “një profet” (Gjoni 9:17) dhe e mbrojti Atë se ishte “nga Perëndia” (Gjoni 9:33). Me kalimin e kohës shikimi i tij shpirtëror u bë më i qartë derisa më së fundi ai pa që Jezu Krishti është Mesia i premtuar dhe Biri i Perëndisë.

Si mendoni, përse shikimi shpirtëror dhe kuptueshmëria e tij për Shpëtimtarin u bënë më të qarta? Në çfarë mënyrash ushtroi ai besim në Jezu Krishtin gjatë gjithë kësaj përvoje?

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

Duke folur për përvojën e këtij burri, Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim: “Tani shikimi ishte dhënë dy herë – një herë për të shëruar një defekt të bashkëlindur [një defekt fizik që nga lindja] dhe një herë për të vështruar Mbretin e Mbretërve përpara se Ai të ngjitej në fronin e Tij të përjetshëm. Jezusi e kishte përshpejtuar si shikimin fizik ashtu edhe shikimin shpirtëror. Ai e kishte hedhur dritën e Tij në një vend të errët dhe ky burrë, si shumë të tjerë në atë kohë, si edhe në vetë kohën tonë, e kishte pranuar dritën dhe kishte parë” (“The God That Doest Wonders”, Ensign, maj 1989, f. 16–17).

Nga ky rrëfim ne mësojmë se kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, vështrimi ynë shpirtëror dhe kuptueshmëria jonë bëhen më të qarta.

Si mendoni, përse është i domosdoshëm ushtrimi i besimit me qëllim që ta shohim e kuptojmë të vërtetën shpirtërore më qartësisht?

Disa farisenj po qëndronin aty pranë kur burri e pa dhe e adhuroi Jezusin si Birin e Perëndisë. Lexoni Gjonin 9:39–41, duke kërkuar se çfarë mësimi dha Shpëtimtari rreth verbërisë.

Në përgjigje të pyetjes së farisenjve: “Jemi të verbër edhe ne?” (Gjoni 9:40), “Shpëtimtari përdori një metaforë, duke dhënë mësim se individët që ishin ‘të verbër’ – ata që nuk e dinin se kush ishte Ai – ‘nuk do të kishi[n] asnjë mëkat’ (Gjoni 9:41). Nga ana tjetër, individët që mund të ‘shihnin’ – ata që kishin marrë dëshmi të mjaftueshme lidhur me Shpëtimtarin dhe misionin e Tij hyjnor, që duhej ta kishin ditur se cili ishte Ai – do të ishin të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Farisenjtë ishin mes atyre që mund të ‘shihnin’ dhe kështu ‘mëkati [i tyre] mbete[j]’. Duke folur nga ana shpirtërore, ata zgjodhën të ishin të verbër ngaqë nuk pranuan ta dallonin Jezusin si Birin e Perëndisë, pavarësisht nga dëshmitë e shumta që kishin marrë” (New Testament Student Manual, f. 231).

  1. Shihni dy parimet e fundit që i mësuat në këtë mësim dhe përsiatni mënyrën se si ju mund t’i zbatoni ato në jetën tuaj. Shkruajini synimet tuaja për t’i zbatuar këto parime në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Lutuni për udhërrëfim që t’i arrini synimet tuaja.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 9 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër