Biblioteka
Njësia 14, Dita 4: Gjoni 10


Njësia 14: Dita 4

Gjoni 10

Hyrje

Jezusi dha mësim se Ai është Bariu i Mirë dhe se Ai do ta jepte jetën e Tij për delet e Tija. Disa njerëz e akuzuan Atë për blasfemi ngaqë shpalli se Ai ishte Biri i Perëndisë.

Gjoni 10:1–24

Jezusi jep mësim se Ai është Bariu i Mirë dhe se Ai do ta japë jetën e Tij për popullin e Tij

Nëse do të ishit me sy të lidhur dhe do të pyeteshit që të dallonit anëtarët e familjes suaj ose disa shokë apo shoqe të ngushta duke i prekur fytyrat e tyre, a mendoni se do të mund ta bënit atë? Nëse nëna juaj do t’i kishte sytë të lidhur, a mendoni se ajo mund t’i dallonte të gjithë fëmijët e saj thjesht duke prekur fytyrat e tyre?

Një bari në Lindjen e Mesme njëherë u pyet se sa mirë i njihte delet e tij. Ai u përgjigj: “Nëse do të më vini një mbulesë mbi sytë e më sillni cilëndo dele dhe vetëm më lejoni t’i vë duart mbi fytyrën e saj, unë mund të thoja brenda një çasti nëse ajo ishte imja apo jo” (cituar në G. M. Mackie, Bible Manners and Customs [pa datë], f. 35).

Nëse do të ishit një bari, si mendoni, çfarë do t’ju duhej t’i dallonit delet në tufën tuaj, po aq mirë sa ç’e bëri ai bari?

  1. Lexoni Gjonin 10:14 dhe mendoni rreth arsyes përse Jezusi do ta quante veten e Tij Bariu i Mirë. Shkruani thënien vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Jezu Krishti është Bariu i Mirë. Teksa studioni Gjonin 10, kërkoni të vërteta që na mësojnë se si Shpëtimtari është Bariu ynë i Mirë. Shkruajini këto të vërteta nën këtë thënie në ditarin tuaj.

Ata që dëgjuan mësimet e dhëna nga Jezusi, të shënuara te Gjoni 10, dinin rreth deleve, barinjve dhe vathëve. Në kohën e Shpëtimtarit barinjtë i udhëhiqnin tufat e tyre drejt ushqimit, ujit dhe strehimit gjatë ditës. Natën, disa barinj i mblidhnin tufat e tyre individuale në një vathë të përbashkët. Një vathë është një shpellë ose një vend i rrethuar nga mure shkëmbore që kanë gjemba të mprehtë, të vendosura përgjatë kreut për t’i ndaluar kafshët e egra dhe hajdutët që të hyjnë brenda.

Pamja
vatha

Lexoni Gjonin 10:1–5, duke kërkuar atë që bën një bari i mirë. Shkruajeni atë që gjeni nën thënien “Jezu Krishti është Bariu i Mirë” në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Gjoni 10:3 përshkruan se si secili bari do të hynte përmes derës dhe do t’i thërriste delet e tij me emër. Vetëm delet e tufës së tij do ta ndiqnin atë jashtë vathës dhe delet e tjera do të qëndronin brenda.

Përse delet do të ndiqnin vetëm bariun e tyre?

Vini re te vargjet 1 e 5 çfarë i quajti Shpëtimtari ata që u përpoqën të hynin në vathë nëpërmjet mënyrave të ndryshme, por jo nga dera.

Mund të jetë e dobishme të vini re që farisenjtë ishin mes grupit të njerëzve, të cilëve Jezusi po iu fliste (shih Gjoni 9:40). Në çfarë mënyrash ishin shumë prej farisenjve të ngjashëm me vjedhësit, kusarët dhe të panjohurit?

Te Gjoni 10:6 ne mësojmë se farisenjtë nuk e kuptuan atë që po ua jepte mësim Jezusi. Lexoni Gjonin 10:7–10, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari filloi të shpjegonte simbolizmin e vathës.

Vini re që Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] e qartëson atë që Jezusi tha në vargjet 7 e 8:

“Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.

Të gjithë ata që erdhën para meje, të cilët nuk dëshmuan për mua, janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i dëgjuan” (Joseph Smith Translation, Gjoni 10:7–8 [në Biblën në anglisht, shih Gjoni 10:8, shënimi a në fund të faqes]).

Si mendoni, çfarë donte të thoshte Shpëtimtari kur Ai tha: “Unë jam dera” në vargjet 7 e 9?

“Barinjtë në Izrael qëndronin te hyrja e vathës dhe inspektonin çdo dele teksa hynte, duke trajtuar dëmtimet nëse ishte e nevojshme. Pasi delet mblidheshin në vathë për natën, bariu do të ulej për të fjetur në hyrje, duke penguar udhën kështu që grabitqarët ose vjedhësit nuk mund t’i dëmtonin delet” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 231–232).

Si janë veprimet e këtyre barinjve të ngjashme me atë që Shpëtimtari bën për ne?

Si mendoni, në ç’mënyrë u jep Shpëtimtari jetë “me bollëk” (Gjoni 10:10) atyre që e ndjekin Atë?

Lexoni Gjonin 10:11–15, duke kërkuar ç’gjë tjetër tha Shpëtimtari se bëjnë barinjtë e mirë. (Një argat është dikush shtytja kryesore e të cilit për të punuar është thjesht të paguhet.) Shkruajeni atë që gjeni rreth barinjve të mirë nën thënien “Jezu Krishti është Bariu i Mirë” në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Vini re te Gjoni 10:11, 13, 15 se çfarë është i gatshëm të bëjë bariu i mirë, që argati nuk është i gatshëm.

Gjoni 10:11–15 na jep mësim se si Bariu i Mirë, Jezu Krishti e njeh secilin prej nesh dhe e dha jetën e Tij për ne. Shtojeni këtë parim nën titullin “Jezu Krishti është Bariu i Mirë” në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

  1. Sillni ndërmend atë që tha bariu nga Lindja e Mesme rreth sa mirë e njihte ai secilën prej deleve të tij dhe përgjigjiuni pyetjeve vijuese në një fletë të re në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Sa mirë mendoni se ju njeh Shpëtimtari ju? Si mendoni, përse është e rëndësishme që të kuptohet kjo?

    2. Si mund të ndikohet mënyra se si jetoni çdo ditë nga të kuptuarit që Shpëtimtari ju njeh dhe ishte i gatshëm të jepte jetën e Tij për ju?

Pasi dha mësim se Ai do ta jepte jetën e Tij për ne, Shpëtimtari vuri në dukje diçka tjetër që Ai do të bënte. Lexoni Gjonin 10:16, duke kërkuar se çfarë tjetër tha Shpëtimtari që do të bënte për delet e Tij (domethënë popullin e Tij).

Te Gjoni 10:16 Shpëtimtari po u mësonte judenjve në Jerusalem se Ai do të vizitonte fëmijët e Atit Qiellor në toka të tjera, do t’iu mësonte atyre ungjillin e Tij dhe do t’i sillte ata në tufën e Tij (Kishën e Tij). Libri i Mormonit jep më shumë informacion rreth këtij vargu. Lexoni 3 Nefin 15:14–24 dhe merrni parasysh ta shkruani këtë referencë në shkrimet tuaja të shenjta pranë Gjonit 10:16 ose shenjoni Gjonin 10:16, shënimi a në fund të faqes. Gjithashtu merrni parasysh ta shkruani si referencë kryq Gjonin 10:16 pranë 3 Nefit 15:14–24.

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si na ndihmojnë këto vargje në Librin e Mormonit që të kuptojmë më mirë Gjonin 10:16?

Lexoni Gjonin 10:17–18, duke kërkuar një doktrinë rreth Shpëtimtarit.

Përfundojeni frazën vijuese për të përcaktuar këtë doktrinë: Si Biri i mirëfilltë i Perëndisë, Jezu Krishti kishte fuqi që ta . Merrni parasysh shenjimin e fjalëve që na e mësojnë këtë doktrinë në këto vargje.

Nga nëna e Tij, Maria, një grua e vdekshme, Jezusi trashëgoi vdekshmërinë, duke përfshirë aftësinë për të vdekur. Nga Elohimi, Ati i Tij hyjnor, Ai trashëgoi pavdekësinë dhe fuqinë për të jetuar përgjithmonë. Si rrjedhim, Ai i kishte trashëguar aftësitë për të vdekur dhe për t’u ngritur sërish. Kjo ishte e nevojshme për Jezusin që të ishte në gjendje të kryente Shlyerjen.

Gjonin 10:19–24 ne mësojmë që pasi Shpëtimtari i kishte dhënë mësim këto gjëra, njerëzit u ndanë në opinionet e tyre rreth se kush ishte Jezusi. Ata iu afruan Jezusit në tempull dhe e shtynë Atë të shpallte identitetin e Tij të vërtetë si Krishti ose Mesia.

Gjoni 10:25–42

Jezusi shpall se Ai është Biri i Perëndisë

Mendoni për disa njerëz që i takoni çdo ditë dhe përpiquni të kujtoni se si ngjan tingulli i zërave të tyre. Përse disa zëra mund të jenë më të lehtë për ju që t’i dalloni sesa të tjerët?

Lexoni Gjonin 10:25–27, duke kërkuar se si iu përgjigj Shpëtimtari kërkesës së njerëzve për t’u thënë atyre nëse Ai ishte Krishti. Ju mund të doni ta shenjoni se çfarë e përcakton nëse dikush është një nga delet e Shpëtimtarit.

Siç shënohet te Gjoni 10:28–30, Jezusi foli për Atin e Tij dhe dëshmoi: “Unë dhe Ati jemi një” (Gjoni 10:30).

Pamja
Presidenti Jozef F. Smith

Presidenti Jozef F. Smith dha shpjegimin vijues për mënyrën se si Ata janë një: “Jezusi dhe Ati i Tij … janë një në dituri, në të vërtetë, në urtësi, në kuptueshmëri dhe në qëllim; ashtu si Zoti Jezus vetë i këshilloi dishepujt e Tij që të ishin një me Të dhe të ishin në Të, që Ai të mund të ishte në ta. Është në këtë kuptim që unë e kuptoj këtë gjuhë dhe jo siç interpretohet nga disa njerëz, që Krishti dhe Ati i Tij janë një person. Unë ju shpall se ata nuk janë një person, por që ata janë dy persona, dy trupa, të veçuar e të ndarë dhe po aq të dallueshëm sa janë ndonjë atë e bir” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 357).

Lexoni Gjonin 10:28–30, duke kërkuar bekimin që do t’iu jepet atyre që e dëgjojnë zërin e Shpëtimtarit dhe e ndjekin Atë.

Këto vargje na japin mësim që nëse arrijmë ta njohim zërin e Bariut të Mirë dhe e ndjekim Atë, Ai do të na udhëheqë drejt jetës së përjetshme. Shkruajeni këtë parim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta nën fjalët “Jezu Krishti është Bariu i Mirë”. Ju gjithashtu mund të doni ta shkruani ose shënoni atë në shkrimet tuaja të shenjta pranë Gjonit 10:27–28.

Lexoni fragmentet vijuese, duke kërkuar për mënyrën se si ju ndihmojnë ato që ta kuptoni këtë parim: Enosi 1:4–8; Doktrina e Besëlidhje 1:38; 8:2–3; 18:34–36.

Pamja
bariu duke udhëhequr delet

Përsiatni secilën nga pyetjet vijuese:

  • Çfarë keni bërë që të njiheni më mirë me zërin e Shpëtimtarit?

  • Çfarë mund të bëni që të arrini ta njihni më mirë zërin e Shpëtimtarit?

  • Çfarë jeni nxitur të bëni në jetën tuaj për ta ndjekur më mirë Shpëtimtarin?

Në një fletë të veçantë letre, shkruani qoftë 1) një synim për të dëgjuar me më shumë kujdes për zërin e Shpëtimtarit dhe mënyrat e veçanta se si do ta bëni këtë, ose 2) një synim për ta ndjekur më mirë zërin e Tij dhe mënyrën se si planifikoni ta bëni këtë. Vendoseni synimin tuaj diku që do ta shihni dhe do të kujtoheni që të veproni sipas tij.

Gjoni 10:31–42 shënon se pasi Shpëtimtari dëshmoi për marrëdhënien midis Atij dhe Atit të Tij, farisenjtë kërkuan ta godisnin Atë me gurë për blasfemi. Megjithatë, Shpëtimtari iu përgjigj akuzimit të tyre duke cituar nga Psalmi 82:6, i cili thotë: “Unë kam thënë: ‘Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit’” (shih Gjoni 10:34). Shpëtimtari më pas i pyeti judenjtë përse do ta akuzonin Atë për blasfemi ngaqë Ai tha se ishte Biri i Perëndisë, kur shkrimet e shenjta thonë që ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe mund të bëhemi perëndi vetë. Ai i këshilloi ata të besonin në Të dhe në veprat e Tij, të cilat dëshmojnë për Të dhe Atin që e dërgoi Atë.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 10 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër