Biblioteka
Njësia 15, Dita 1: Gjoni 11


Njësia 15: Dita 1

Gjoni 11

Hyrje

Maria dhe Marta i dërguan fjalë Jezusit se vëllai i tyre, Llazari ishte i sëmurë. Jezusi e vonoi ardhjen e Tij, duke mbërritur katër ditë pasi Llazari kishte vdekur. Me dashuri e dhembshuri, Jezusi e ngriti Llazarin prej së vdekuri. Kjo paraqitje dramatike e fuqisë hyjnore theksoi se Jezusi ishte Mesia dhe kishte fuqi mbi vdekjen. Pasi mësuan për këtë mrekulli, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë komplotuan për t’i vrarë Jezusin dhe Llazarin.

Gjoni 11:1–46

Jezusi ngre Llazarin prej së vdekuri

  1. Mendoni për një sprovë ose sfidë që ju (ose dikush që e njihni) e keni përjetuar ose po e përjetoni tani. Më pas përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa mënyra se si besimi i njerëzve në Perëndinë mund të ndikohet kur ata përjetojnë sprova dhe sfida në jetën e tyre?

    2. Përse disa njerëz zgjedhin ta braktisin besimin e tyre në Perëndinë për shkak të sprovave ose sfidave që hasin?

Teksa studioni Gjonin 11, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë ta shtoni besimin tuaj në Perëndinë, ndërkohë që përjetoni sprova dhe sfida në jetën tuaj.

Lexoni Gjonin 11:1–3, duke kërkuar një sprovë që po e përjetonin disa miq të Jezusit.

Si mendoni, përse motrat e Llazarit i dërguan Jezusit lajm për sëmundjen e tij?

Jezusi ishte në Betabara të Peresë (shih Gjoni 1:28; 10:40), që ishte përafërsisht një udhëtim njëditor nga Betania. Si rrjedhim, do të ishte dashur të paktën një ditë për një njeri që t’ia sillte këtë lajm Jezusit dhe një ditë tjetër për Jezusin që të udhëtonte për në Betani.

Lexoni Gjonin 11:4–7, duke kërkuar mënyrën se si Jezusi u përgjigj pasi dëgjoi për sëmundjen e Llazarit.

Duke e ditur që Jezusi i donte Martën, Marinë dhe Llazarin, dishepujt mund të kishin pritur që Jezusi të udhëtonte menjëherë për në Betani dhe ta shëronte Llazarin. Ose ndoshta Jezusi do të fliste dhe ta shëronte Llazarin nga një largësi, sikurse Ai kishte bërë për djalin e nëpunësit të mbretit (shih Gjoni 4:46–53). Megjithatë, Jezusi qëndroi në Perea edhe dy ditë më shumë.

Sipas Gjonit 11: 4, çfarë tha Jezusi se do të përmbushej nëpërmjet sëmundjes së Llazarit?

Te Gjoni 11:8–10 ne mësojmë se disa prej dishepujve e këshilluan Jezusin të mos kthehej në Jude, sepse udhëheqësit judeas në atë krahinë kërkonin ta vrisnin Atë.

Pamja
Plaku Brus R. Mek–Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha shpjegimin vijues rreth përgjigjes së Shpëtimtarit, të shënuar te Gjoni 11:9–10: “Sigurisht Jezusi do të shkonte në Jude pavarësisht nga kërcënimet e vdekjes që e prisnin atje. [Në këto vargje Jezusi dha mësim:] ‘Edhe pse është ora e njëmbëdhjetë e jetës sime, prapëseprapë ka dymbëdhjetë orë në ditë dhe gjatë asaj periudhe të përcaktuar, unë do të bëj punën që më është caktuar pa u penguar dhe pa u lëkundur. Tani është koha që më është dhënë për ta bërë punën time. Nuk mund të pres për natën kur ndofta kundërshtimi do të shuhet. Ai që i shmanget përgjegjësisë së tij dhe i lë pas dore punët e tij deri natën, do të pengohet në errësirë dhe do të dështojë në punën e tij’” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:531).

Lexoni Gjonin 11:11–15, duke kërkuar atë që Jezusi tha rreth gjendjes së Llazarit.

Merrni parasysh thënien e Shpëtimtarit lidhur me arsyen përse Ai ishte i gëzuar që nuk ishte atje për ta shëruar Llazarin nga sëmundja e tij – “që të besoni[n]” (Gjoni 11:15). Ai tregoi se ajo që Ai do të bënte në Betani, do t’i ndihmonte dishepujt e Tij për ta shtuar besimin e tyre tek Ai.

Te Gjoni 11:16, Apostulli Thoma i nxiti shokët e tij dishepuj që të bashkoheshin me të për të shkuar me Jezusin për në Jude, edhe nëse kjo do të thoshte të vdisnin me Të.

Lexoni Gjonin 11:17, duke kërkuar për sa kohë Llazari kishte qenë i vdekur në kohën kur Jezusi erdhi në Betani.

Plaku Mek-Konki shpjegoi rëndësinë e qenies së Llazarit i vdekur për katër ditë: “Kalbja kishte filluar; vdekja ishte përcaktuar prej kohe si një siguri absolute. … Për judenjtë termi i katër ditëve kishte rëndësi të veçantë; ishte bindja e shumënjohur mes tyre se në ditën e katërt shpirti ishte larguar më së fundi dhe në mënyrë të pakthyeshme nga mjedisi pranë trupit” (Doctrinal New Testament Commentary, 1:533).

Nëse do të ishit Marta ose Maria, çfarë mund të kishit menduar ose ndier kur Jezusi nuk mbërriti deri pasi Llazari kishte qenë i vdekur për katër ditë?

Lexoni Gjonin 11:18–27 për të zbuluar se si Marta u përgjigj gjatë kësaj sprove. Merrni parasysh të shenjoni thëniet që tregojnë zgjedhjen e Martës për të ushtruar besim në Jezu Krishtin gjatë kësaj sprove. Mendoni rreth secilës prej thënieve që i përcaktuat dhe çfarë ju bën më shumë përshtypje rreth tyre.

Nga shembulli i Martës mësojmë që ne mund të zgjedhim të ushtrojmë besim në Jezu Krishtin gjatë sprovave tona.

Në thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shihni për atë që na kërkohet kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Parimi i parë i ungjillit është besimi në Zotin Jezu Krisht. Besimi do të thotë të mirëbesosh – të mirëbesosh në vullnetin e Perëndisë, të mirëbesosh në mënyrën se si Ai i bën gjërat dhe të mirëbesosh në kohën e zgjedhur prej Tij. Ne nuk duhet të përpiqemi që t’ia imponojmë Atij kohën tonë. …

Në të vërtetë, ne nuk mund të kemi besim të vërtetë në Zotin, pa pasur gjithashtu mirëbesim të plotë në vullnetin e Zotit dhe në kohën e Zotit” (“Timing”, Ensign, tetor 2003, f. 12).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni, përse është e rëndësishme për ne që të ushtrojmë besim te vullneti i Zotit dhe te koha e Tij teksa përjetojmë sprova?

    2. Si po zgjidhni të përjetoni besim në sprovat tuaja të kohëve të fundit? (Ose si do të zgjidhni të përjetoni besim kur ju vijnë sprova në jetën tuaj?)

Shqyrtoni Gjonin 11:25–26, duke kërkuar të vërteta që mund t’i mësojmë nga ajo që Shpëtimtari ia dha mësim Martës. Mund të jetë e dobishme të dini se fraza “nuk … vdes kurrë” në vargun 26, i drejtohet të mospërjetuarit kurrë të vdekjes së dytë ose qenies të dëbuar nga mbretëria dhe prania e Perëndisë.

Sa vijojnë janë dy të vërteta që i mësojmë nga fjalët e Shpëtimtarit: Jezu Krishti është ringjallja dhe jeta. Nëse besojmë në Jezu Krishtin, ne mund të fitojmë jetë të përjetshme.

Lexoni Gjonin 11:28–37, duke kërkuar atë që Maria i tha Jezusit dhe mënyrën se si Ai u përgjigj. Vini në dukje që fjala pëshpërit, siç përdoret në vargjet 33 e 38, do të thotë të hidhërohesh apo të shqetësohesh.

Si e pasqyron deklarimi i Marisë në vargun 32 besimin e saj në Shpëtimtarin?

Përsiatni Gjonin 11:35. Si mendoni, përse Jezusi qau?

Lexoni Gjonin 11:38–46, duke kërkuar atë që Shpëtimtari bëri pasi qau me Marinë dhe Martën.

Vini në dukje që Llazari nuk u ringjall prej së vdekuri në një gjendje të pavdekshme. Trupi i tij shpirtëror u soll sërish në trupin e tij fizik, por trupi i tij fizik ishte ende i vdekshëm dhe do t’i nënshtrohej sërish vdekjes.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Mek-Konki dha mësim rreth një qëllimi të rëndësishëm që Shpëtimtari e plotësoi nëpërmjet ngritjes së Llazarit prej së vdekuri: “Ai po krijonte skenën, që në këtë mënyrë të dramatizonte për gjithë kohën, njërin nga mësimet e tij më të madhërishme: Se Ai ishte ringjallja dhe jeta, se pavdekësia dhe jeta e përjetshme erdhën nëpërmjet Tij dhe se ata që i besonin Atij dhe u bindeshin fjalëve të Tij, nuk do të vdisnin kurrë shpirtërisht” (Doctrinal New Testament Commentary, 1:531).

Në çfarë mënyre e paralajmëroi kjo mrekulli Ringjalljen e Shpëtimtarit dhe tregoi fuqinë e Tij mbi vdekjen? Si mund të bekohemi nga të kuptuarit e fuqisë së Shpëtimtarit për të siguruar pavdekësi dhe jetë të përjetshme?

Vini re te Gjoni 11:40 se Jezusi i kujtoi Martës që nëse do të besonte, ajo do të shihte lavdinë e Perëndisë. Mendoni rreth mënyrës se si Marta dhe Maria e treguan besimin e tyre në Jezu Krishtin gjatë kësaj sprove. Kujtojeni klasën që fillimisht ato treguan besim në Jezu Krishtin duke dërguar njerëz tek Ai kur Llazari u sëmur dhe vazhduan të besonin e të mirëbesonin tek Ai edhe pasi Llazari vdiq.

Nga Gjoni 11 ne mësojmë që nëse zgjedhim të ushtrojmë besim në Jezu Krishtin gjatë sprovave tona, atëherë besimi ynë tek Ai do të vërtetohet dhe thellohet. Është e rëndësishme të kujtojmë se, sikurse në përvojën e Martës dhe Marisë, një pohim i tillë i besimit tonë vjen në përputhje me urtësinë dhe kohën e Zotit.

Si mund ta kishte vërtetuar dhe forcuar besimin jo vetëm të Martës e Marisë në Shpëtimtarin, por edhe besimin e dishepujve të Tij, sjellja përsëri në jetë e Llazarit pasi ai kishte qenë i vdekur për katër ditë?

  1. Përgjigjiuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur keni zgjedhur të ushtroni besim në Jezu Krishtin gjatë një sprove dhe e patët besimin tuaj tek Ai të vërtetuar ose forcuar si rrjedhim i kësaj?

    2. Çfarë do të bëni për t’ju ndihmuar të zgjidhni që ta ushtroni besimin në Jezu Krishtin gjatë sprovave që po përjetoni ose që mund të përjetoni?

Gjoni 11:47–57

Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë këshillohen së bashku për ta vrarë Jezusin

Ngritja e Llazarit prej së vdekuri ishte një provë që Jezusi kishte fuqi mbi vdekjen. Lexoni Gjonin 11:47–48, duke kërkuar mënyrën se si krerët e priftërinjve dhe farisenjtë iu përgjigjën raporteve për Jezusin duke e ngritur Llazarin prej së vdekuri.

Siç shënohet te Gjoni 11:49–57, Kajafa, kryeprifti, e mbështeti vrasjen e Jezusit me qëllim që t’i bënin romakët të mos ua merrnin “vendin dhe kombin” e tyre (Gjoni 11:48). “Për shkak të intrigave të priftërinjve dhe paudhësive” (2 Nefi 10:5), udhëheqësit judeas nuk donin t’i humbitnin pozitat e ndikimit brenda kombit të tyre. Ata vendosën ta vrisnin Jezusin dhe urdhëruan se njerëzit që e dinin vendndodhjen e Tij, duhej t’i njoftonin ata me qëllim që Ai të mund të kapej.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 11 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër