Biblioteka
Njësia 15, Dita 3: Gjoni 13


Njësia 15: Dita 3

Gjoni 13

Hyrje

Pas ngrënies së darkës së Pashkës, Shpëtimtari lau këmbët e Apostujve të Tij, përcaktoi Judën si tradhtarin e Tij dhe u dha Apostujve të Tij një “urdhërim të ri” (Gjoni 13:34). Gjatë javës përfundimtare të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti i përqendroi mësimet e Tij te bindja, shërbimi dhe dashuria – tipare që e përcaktuan jetën e Tij dhe duhet ta përcaktojnë jetën tonë si dishepuj të Tij.

Gjoni 13:1–17

Jezusi lan këmbët e Apostujve të Tij

Pamja
vargu i pandërprerë i lumturisë

Përsiatni pyetjet vijuese:

  • Ku do ta vendosnit veten tuaj në këtë varg të pandërprerë?

  • A do të donit të ishit më të lumtur sesa jeni tani?

  • A mund të mendoni për dikë që do të donit ta ndihmonit të bëhej më i/e lumtur?

Teksa studioni Gjonin 13, kërkoni një parim që na mëson se çfarë mund të bëjmë për të qenë më të lumtur.

Pas hyrjes ngadhënjimtare të Jezusit në Jerusalem, Ai kremtoi festën e Pashkës me Apostujt e Tij. Gjoni 13:1–3 tregon se ndërkohë që Jezusi ndante këtë vakt (Darkën e Fundit) me Apostujt e Tij, Ai e dinte se shpejt do të vdiste dhe shpirti i Tij do të kthehej tek Ati i Tij Qiellor.

Pamja
Jezusi Lan Këmbët e Apostujve

Lexoni Gjonin 13:4–5, duke kërkuar atë që Jezusi bëri pasi Ai dhe Apostujt e Tij e mbaruan ngrënien e darkës së Pashkës. Fraza “hoqi rrobat e tij” te Gjoni 13:4 do të thotë që Jezusi e hoqi një rrobë të sipërme. Është e ngjashme me dikë që heq një xhaketë në kohën tonë.

“Në kohët e Dhiatës së Re, njerëzit vishnin sandale të hapura, ecnin në rrugë kryesisht me pluhur që grumbullonin papastërtitë e bagëtive dhe nuk kishin rregullisht mundësinë për ujë që të laheshin. Këmbët e tyre bëheshin shumë të papastra dhe larja e këmbëve të një personi tjetër mund të kishte qenë një detyrë e padëshirueshme. … Ky zakon i mikpritjes zakonisht kryhej nga shërbëtorët e nivelit më të ulët” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 242).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Po të kishit qenë atje kur Jezusi lau këmbët e Apostujve të Tij, si mund të kishit reaguar nëse Jezusi do të kishte filluar të lante këmbët tuaja?

    2. Çfarë zbuloi rreth karakterit të Jezusit veprimi i larjes së këmbëve të Apostujve të Tij?

Lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 13:8 (në fund të kombinimit tresh), duke kërkuar se çfarë tha Pjetri kur Shpëtimtari filloi të lante këmbët e tij.

Më pas, lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 13:9–10 (në fund të kombinimit tresh), duke kërkuar përgjigjen e Pjetrit ndaj asaj që Zoti i tha atij.

Te Gjoni 13:9, çfarë mësojmë rreth Pjetrit nga përgjigjja e tij ndaj asaj që Zoti i tha atij?

Nëpërmjet larjes së këmbëve të Apostujve të Tij, Shpëtimtari jo vetëm që kreu një veprim të bukur shërbimi, por Ai gjithashtu përmbushi një pjesë të ligjit të Moisiut dhe themeloi një ordinancë të shenjtë për t’i ndihmuar pasuesit e Tij besnikë të bëheshin të pastër nga mëkati. Kjo ordinancë u rivendos në periudhën tonë të kujdestarisë ungjillore nëpërmjet Profetit Jozef Smith (shih DeB 88:74–75, 137–41).

Lexoni Gjonin 13:11, duke kërkuar përse Jezusi tha që Apostujt ishin “të pastër, por jo të gjithë”.

Ai po i drejtohej Judë Iskariotit, i cili do ta tradhtonte pas pak kohe.

Lexoni Gjonin 13:12–17, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u dha mësim Apostujve të Tij pasi ua lau këmbët. Merrni parasysh të shenjoni frazat që përshkruajnë shembullin që Shpëtimtari e dha dhe që i ftoi Apostujt e Tij ta ndiqnin.

Nisur nga premtimi i Shpëtimtarit dhënë Apostujve të Tij, i shënuar te Gjoni 13:17, çfarë bekimi do të marrim kur e ndjekim shembullin e Tij për t’u shërbyer të tjerëve? Përgjigjiuni kësaj pyetjeje duke plotësuar parimin vijues: Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve, ne do të jemi ____________________.

  1. Plotësoni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese: Si mendoni, përse do të jemi më të lumtur nëse u shërbejmë të tjerëve ashtu siç bëri Shpëtimtari?

    2. Shkruani për një kohë kur ju ishit të lumtur ngaqë e ndoqët shembullin e Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve.

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

Lexoni thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar atë që tha ai se mund ta bëjmë që të gjejmë mundësi për t’u shërbyer të tjerëve: “Në lutjen tuaj të mëngjesit çdo ditë të re, kërkojini Atit Qiellor t’ju drejtojë që të dalloni mundësi për t’i shërbyer një prej fëmijëve të Tij të çmuar. Pastaj vazhdojeni gjithë ditën me zemrën plot besim e dashuri, duke kërkuar të gjeni dikë që mund ta ndihmoni. … Nëse e bëni këtë, ndjeshmëritë tuaja shpirtërore do të zhvillohen dhe do të zbuloni mundësi për të shërbyer që kurrë më parë nuk i keni menduar të mundshme” (“Përfshihuni me Zell”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 31).

Merrni parasysh ta shkruani thënien e Plakut Ballard në një copë të veçantë letre dhe vëreni atje ku mund t’ju kujtojë të luteni për mundësi për t’u shërbyer të tjerëve. Ju mund të doni të shënoni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dhe ndani me të tjerët se si lutjet tuaja marrin përgjigje kur e zbatoni këshillën e Plakut Ballard.

Gjoni 13:18–30

Jezusi përcakton tradhtarin e Tij

Sipas Gjonit 13:18–30, pasi Jezusi u mësoi Apostujve të Tij që ata do të ishin të lumtur nëse u shërbenin të tjerëve, Ai tha se njëri prej tyre do ta tradhtonte. Kur Gjoni e pyeti Shpëtimtarin se kush do ta tradhtonte Atë, Jezusi i tha se do të ishte “ai të cilit do t’i [jepte] kafshatën [një copë të vogël buke]” (Gjoni 13:26) dhe Ai ia dha Judë Iskariotit.

Gjoni 13:31–38

Jezusi u mëson dishepujve të Tij ta duan njëri-tjetrin

A ju ka akuzuar ndonjëherë dikush se nuk ishit i krishterë ose një pasues i vërtetë i Jezu Krishtit, ngaqë jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? Kjo mund të ishte për shkak të gjërave të caktuara, të pashoqe që besojmë, të cilat i kemi për shkak të Rivendosjes, të tilla si besimi ynë në Librin e Mormonit dhe që anëtarët e Kreut-Perëndi janë tri qenie të veçuara dhe të dallueshme. Në ç’mënyrë u përgjigjët? (Ose, nëse nuk e keni pasur atë përvojë, si do të përgjigjeshit nëse dikush ju thoshte se ju nuk jeni i krishterë?)

Lexoni Gjonin 13:34–35, duke kërkuar atë që Jezusi tha se do t’i ndihmonte të tjerët të kuptonin që Apostujt ishin dishepuj të Jezu Krishtit. Merrni parasysh të shenjoni te Gjoni 13:34 urdhërimin që Jezusi ua dha Apostujve të Tij.

Vini re se Gjoni 13:35 thotë që të tjerët do ta dinin se Apostujt ishin dishepuj të Jezu Krishtit, në qoftë se Apostujt e donin njëri-tjetrin siç i donte Jezusi ata. Nga këto vargje mësojmë se kur e duam njëri-tjetrin sikurse Jezu Krishti na do, të tjerët do ta dinë se ne jemi dishepujt e Tij.

  1. Sipas asaj që keni studiuar këtë vit rreth Jezu Krishtit, renditni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta pesë mënyra se si Ai na tregon që i do njerëzit.

Lexoni tregimin vijues, që u tregua nga Plaku Pol E. Kolliker, i Të Shtatëdhjetëve, duke kërkuar se si misionarët e përshkruar në këtë tregim e ndoqën këshillën e Zotit për ta dashur njëri-tjetrin:

Pamja
Plaku Pol E. Kolliker

“Dy misionarë të rinj trokitën në një derë me shpresën që të gjenin dikë për të pranuar mesazhin e tyre. Dera u hap dhe një burrë trupmadh i përshëndeti ata me një zë antipatik: ‘Mendova se ju thashë të mos trokisni më në derën time. Ju paralajmërova më parë se, nëse do të vinit përsëri, kjo nuk do të ishte një përvojë e këndshme. Tani më lini të qetë.’ Ai me ngut mbylli derën.

Kur misionarët u larguan, misionari më i vjetër e më me përvojë vendosi dorën mbi shpatullën e misionarit më të ri për ta ngushëlluar dhe për t’i dhënë zemër. Pa u vënë re nga ata, burri i pa nga dritarja për t’u siguruar se ata e kishin kuptuar mesazhin e tij. Ai priste që t’i shihte ata tërësisht të qeshur dhe të bënin shaka me përgjigjen e tij të shkurtër e të pasjellshme për përpjekjen e tyre për ta vizituar. Megjithatë, ndërsa ai pa shprehjen e mirësisë midis dy misionarëve, zemra e tij u zbut në çast. Ai e hapi sërish derën dhe u kërkoi misionarëve të ktheheshin e të ndanin mesazhin e tyre me të.

… Ky parim i të pasurit të dashurisë për njëri-tjetrin dhe zhvillimit të aftësisë sonë për të qenë me përqendrimin te Krishti në mënyrën si mendojmë, flasim dhe veprojmë, është thelbësor për t’u bërë dishepuj të Krishtit dhe mësues të ungjillit të Tij” (“Ai me të Vërtetë na Do”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 17).

  1. Lexoni fjalët e himnit “Doni Njëri-Tjetrin” (Himne, nr. 203) dhe mendoni për dikë që e njihni, që dallohet me lehtësi si një dishepull i Jezu Krishtit për shkak të dashurisë që ai ose ajo tregon për të tjerët. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani rreth mënyrës se si ky njeri tregon dashuri për të tjerët dhe në çfarë mënyrash do të donit ta ndiqnit shembullin e tij ose të saj. Gjithashtu shkruani një synim lidhur me atë që do të bëni për t’i dashur të tjerët, ashtu si Shpëtimtari i do ata.

Sipas Gjonit 13:36–38, pasi Pjetri shpalli se do ta jepte jetën e tij për Jezu Krishtin, Jezusi i tha Pjetrit se ai do ta mohonte tri herë Atë përpara se të këndonte gjeli.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 13 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër