Biblioteka
Njësia 15, Dita 4: Gjoni 14–15


Njësia 15: Dita 4

Gjoni 14–15

Hyrje

Pas darkës të Pashkës, Jezusi u mësoi Apostujve të Tij se si të ktheheshin tek Ati Qiellor dhe se si ta tregonin dashurinë e tyre për Të. Jezusi më pas u premtoi Apostujve të Tij se do t’iu dërgonte atyre një Ngushëllues tjetër. Ai dha mësim se Ai është Hardhia e Vërtetë dhe dishepujt e Tij janë shermendet. Shpëtimtari gjithashtu i urdhëroi dishepujt e Tij ta donin njëri-tjetrin dhe i paralajmëroi kundrejt përndjekjes që do të përjetonin për shkak të bashkëpunimit të tyre me Të.

Gjoni 14:1–14

Shpëtimtari u mëson Apostujve të Tij se si të kthehen tek Ati Qiellor

Përfytyroni që një shok pyet: “Më ishte thënë që ka shumë shtigje drejt qiellit dhe që fe të ndryshme na tregojnë udhë të ndryshme për në mbretërinë e Perëndisë. A e beson që ajo është e vërtetë?” Në hapësirën e dhënë, shkruani se si do t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje dhe shpjegoni përse besoni ose nuk besoni që thënia është e vërtetë.

Lexoni Gjonin 14:1–6, duke kërkuar mësimet e Shpëtimtarit rreth mënyrës se si të kthehemi te mbretëria e Atit Qiellor. (Gjoni 14:6 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që të mund ta gjeni në të ardhmen.)

Nga Gjoni 14:6 mësojmë se vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe me anë të ndjekjes së udhës së Tij, ne mund të hyjmë në mbretërinë e Atit Qiellor.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si është Shpëtimtari Udha e vetme për t’u kthyer tek Ati Qiellor?

    2. Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti e Vërteta?

    3. Në çfarë mënyrash Jezusi është Jeta?

Mënyra e Shpëtimtarit përfshin zhvillimin e besimit tek Ai dhe Ati Qiellor; pendimin; marrjen e ordinancave të shpëtimit, të tilla si pagëzimi dhe ordinancat e tempullit; dhe durimin deri në fund me besim e bindje.

Lexoni Gjonin 14:7–14, duke kërkuar atë që Jezusi u tha dishepujve të Tij rreth marrëdhënies së Tij me Atin e Tij. Merrni parasysh të shenjoni frazën “kush më ka parë mua, ka parë Atin” në vargun 9.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se Ati dërgoi Birin e Tij për të na ndihmuar që ta njohim, ta duam dhe t’i bindemi Atit tonë në Qiell:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Në gjithçka që Jezusi erdhi të thoshte dhe të bënte, duke përfshirë vuajtjen dhe flijimin e Tij shlyes dhe veçanërisht në to, Ai po na tregonte se cili është Perëndia dhe se si është Ai, Ati ynë i Përjetshëm, se sa tërësisht i përkushtuar është Ai ndaj fëmijëve të Tij në çdo epokë e komb. Me fjalë dhe vepra Jezusi po përpiqej të zbulonte dhe të bënte vetjake për ne natyrën e vërtetë të Atit të Tij, Atit tonë në Qiell.

Ai e bëri këtë të paktën pjesërisht, sepse atëherë dhe tani ne të gjithë kemi nevojë ta njohim Perëndinë më tërësisht, me qëllim që ta duam Atë më thellësisht dhe t’i bindemi Atij më plotësisht. …

Pasi breza të profetëve ishin përpjekur t’i mësonin familjes njerëzore vullnetin dhe udhën e Atit, zakonisht me pak sukses, Perëndia në përpjekjen e Tij përfundimtare që të na bënte ta njihnim Atë, dërgoi në tokë Birin e Tij të Vetëmlindur dhe të përsosur, të krijuar sipas vetë ngjashmërisë dhe shëmbëlltyrës së Tij, për të jetuar e shërbyer mes të vdekshmëve në ashpërsitë e përditshme të jetës. …

… Jezusi … erdhi për ta përmirësuar këndvështrimin e njerëzve për Perëndinë dhe për t’u lutur me ta që ta donin Atin e tyre Qiellor, ashtu sikurse Ai i ka dashur gjithmonë dhe do t’i dojë gjithmonë ata. Planin e Perëndisë, fuqinë e Perëndisë, shenjtërinë e Perëndisë, po, madje, zemërimin dhe gjykimin e Perëndisë ata patën rastin t’i kuptonin. Por dashurinë e Perëndisë, thellësinë e madhe të përkushtimit të Tij ndaj fëmijëve të Tij, ata ende nuk i kuptuan tërësisht – derisa erdhi Krishti.

Prandaj duke ushqyer të uriturit, duke shëruar të sëmurët, duke qortuar hipokrizinë, duke bërë thirrje për besim – ky ishte Krishti duke na treguar udhën e Atit, Atij që është ‘i dhembshur dhe i hirshëm, i ngadalshëm në zemërim, i duruar dhe plot mirësi’ [Lectures on Faith (1985), f. 42.]” Në jetën e Tij dhe veçanërisht në vdekjen e Tij, Krishti po shpallte: ‘Kjo është dhembshuria e Perëndisë që po ju tregoj, si edhe dhembshuria ime’” (“The Grandeur of God”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 70–72).

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Gjoni 14:6

  1. Mësimi përmendsh i fragmentit të zotërimit të shkrimit të shenjtë te Gjoni 14:6 mund t’ju ndihmojë t’u përgjigjeni pyetjeve si ajo në fillim të këtij mësimi. Mësojeni përmendsh këtë fragment duke e përsëritur atë me zë të lartë disa herë. Më pas recitojani atë një pjesëtari të familjes ose një shoku apo shoqeje. Më pas, shkruani Unë e kam mësuar përmendësh Gjonin 14:6 në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dhe kërkojini njeriut të cilit ia thatë përmendsh atë, të nënshkruajë në ditarin tuaj.

Gjoni 14:15–31

Jezusi i udhëzon Apostujt e Tij se si ta tregojnë dashurinë e tyre për Të

Mendoni për dikë që doni. Si e tregoni dashurinë tuaj për këtë njeri?

Lexoni Gjonin 14:15, duke kërkuar atë që Jezusi u tha Apostujve të Tij të bënin për ta treguar dashurinë e tyre për Të. (Gjoni 14:15 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që të mund ta gjeni në të ardhmen.)

Në bazë të asaj që u mësoi Jezusi Apostujve të Tij, plotësoni të vërtetën vijuese: Ne e tregojmë dashurinë tonë për Jezu Krishtin duke .

Merrni parasysh se si zbatimi i secilit prej urdhërimeve vijuese tregon dashurinë tuaj për Jezu Krishtin: mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë, nderimi i babait dhe nënës suaj, pagimi i të dhjetës dhe dashuria për të afërmin tuaj.

Harxhoni tri ose katër minuta dhe mendoni thellësisht se sa mirë po e tregoni dashurinë tuaj për Shpëtimtarin nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Tij.

Lexoni Gjonin 14:16–17, 26, duke kërkuar premtimin e Shpëtimtarit dhënë Apostujve të Tij.

Fraza “një Ngushëllues tjetër” në vargun 16 i drejtohet Frymës së Shenjtë. Ngaqë Shpëtimtari kishte qenë një Ngushëllues për Apostujt e Tij gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Ai e quajti Frymën e Shenjtë një Ngushëllues tjetër. Për njëfarë arsyeje, Fryma e Shenjtë nuk ishte tërësisht veprues gjatë shërbesës së Jezusit në vdekshmëri, ndërkohë që Ai ishte tërësisht veprues si përpara ashtu edhe pas shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri (shih Bible Dictionary, “Holy Ghost”).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rolin e Frymës së Shenjtë si Ngushëlluesi:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Për aq kohë sa Jezusi ka qenë me ta, Ai ka qenë Ngushëlluesi i tyre; Ai u ka folur paqe shpirtrave të tyre; ata që ishin të rënduar me hidhërimet, vuajtjet dhe vështirësitë e botës, vinin tek Ai dhe gjenin prehje për shpirtrat e tyre. Ai ngushëlloi të venë dhe ishte një atë për jetimët. Fjalët e Tij i ngritën shpirtrat besimtarë në lartësi të reja të qetësisë e paqes. Tani Ai po largohet, por do të dërgojë një tjetër Ngushëllues – Frymën e Shenjtë – të qëndrojë me besnikët përgjithmonë.

Për të gjithë njerëzit, përveç atyre pak vetave që e dëgjuan zërin e Tij në vdekshmëri, Fryma e Shenjtë është Ngushëlluesi i parë. Ky anëtar i Kreut-Perëndi iu flet paqe shpirtrave të të drejtëve në të gjitha epokat. Fryma e Shenjtë ‘është dhurata e Perëndisë te të gjithë ata që e kërkojnë atë me zell, si në kohërat e vjetra, ashtu edhe në kohën kur ai do t’u shfaqet fëmijëve të njerëzve’ (1 Nefi 10:17) dhe, po ashtu, në kohët që do të vijnë. Ai është Shpirti i së vërtetës – sikurse është edhe Krishti – por bota nuk mund ta marrë Frymën e Shenjtë, sepse Shpirti nuk do të banojë në tabernakuj të papastër” (Mortal Messiah: From Bethlehem to Calvary, 4 vëll. [1979–1981], 4:74–75).

Sipas Gjonit 14:16–17, 26, cilat janë tri gjëra që mund t’i bëjë Fryma e Shenjtë për ne? Përgjigjiuni kësaj pyetjeje duke plotësuar të vërtetën vijuese: Fryma e Shenjtë mund .

  1. Përgjigjiuni njërës ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë që t’ju ngushëllojë?

    2. Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë që t’ju japë mësim?

    3. Kur ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë që të kujtoni diçka?

Lexoni Gjonin 14:18–23, duke kërkuar premtimin e dhënë nga Shpëtimtari atyre që e tregojnë dashurinë e tyre për Të duke i zbatuar urdhërimet e Tij.

Nga këto vargje mësojmë që nëse i zbatojmë urdhërimet, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të jenë me ne.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 130:3, duke kërkuar atë që do të thotë ta kemi Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin të jenë me ne.

Lexoni Gjonin 14:27, duke kërkuar fjalët e nxitjes të dhënë nga Shpëtimtari Apostujve të Tij.

Përsiatni ndryshimin midis paqes që ofron Shpëtimtari dhe paqes që ofron bota.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Mek-Konki përshkroi paqen që ofron Shpëtimtari: “[Është] një paqe e brendshme, e lindur nga një bindje e sigurt për hyjnishmërinë e mbretërisë tokësore të Zotit; një paqe që mbart një siguri për një botë më të mirë që do të vijë; një paqe që banon në shpirtrat e njerëzve edhe pse ata mund të jenë në mes të luftës e trazirës” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:742).

Te Gjoni 14:28–30 ne mësojmë se Jezusi u tha Apostujve të Tij që ata duhej të gëzoheshin, sepse Ai ishte gati të largohej prej tyre për t’u kthyer tek Ati Qiellor. Siç u sqarua në Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it në Biblën në anglisht], Jezusi gjithashtu u tha atyre se Satani nuk kishte fuqi mbi Të, sepse Ai e kishte mundur botën, por Satani ende mund t’i ndikonte ata ngaqë nuk e kishin përfunduar punën e tyre në tokë (shih Joseph Smith Translation, Gjoni 14:30 [në Biblën në anglisht te Gjoni 14:30, shënimi a në fund të faqes]).

Lexoni Gjonin 14:31, duke kërkuar se si Shpëtimtari e tregoi dashurinë e Tij për Atin e Tij. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Gjoni 14:15

  1. Shihni se sa kohë ju duhet të mësoni përmendsh Gjonin 14:15. Thuajeni atë me zë të lartë. Më pas shkruajeni atë nga kujtesa në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Rilexoni Gjonin 14:31, duke kërkuar shembullin që dha Jezu Krishti për ne lidhur me parimin që Ai e dha mësim te Gjoni 14:15. Vini re fjalinë “Çohuni, ikim prej këndej” (Gjoni 14:31). Shpëtimtari kishte mundësi që po i drejtohej largimit nga dhoma e sipërme ku Darka e Fundit ishte mbajtur dhe më pas përmbushjes së detyrës së Tij ndaj Perëndisë në Gjetseman dhe në Golgotë. Urdhërimi më i vështirë nga Ati dhënë Birit ishte për Jezusin që të vuante dhe të vdiste për ne (shih 3 Nefi 27:13–14). Merrni parasysh urdhërimet e Zotit dhe standardet që janë të vështira për ju që t’iu bindeni. Përsiatni mënyrën se si zbatimi i atyre urdhërimeve do ta tregonte dashurinë tuaj për Shpëtimtarin. Në ditarin tuaj vetjak, shkruani një synim që të jeni të bindur sipas mënyrave që i përsiatët.

Gjoni 15:1–11

Jezusi shpjegon se Ai është Hardhia e Vërtetë

Përfytyroni që jeni 60 vjet në të ardhmen dhe po e hidhni vështrimin pas në jetën tuaj. Rrethoni cilat prej fjalëve vijuese do t’i pëlqenit për ta përshkruar jetën tuaj më së fundi: i suksesshëm, i palumtur, i gëzuar, i vlefshëm, i pafrytshëm, i frytshëm, i dobishëm, i begatë, i pasuksesshëm.

Jezusi përdori një metaforë të një vreshti për t’i ndihmuar dishepujt e Tij të kuptonin se si të kishin një jetë të frytshme, të dobishme dhe të begatë.

Pamja
vreshti

Lexoni Gjonin 15:1–5, duke kërkuar atë që përfaqësojnë elementët e ndryshëm të kësaj metafore.

Nga këto vargje ne mësojmë se hardhia përfaqëson Jezu Krishtin dhe shermendet [degët] përfaqësojnë dishepujt e Jezu Krishtit. Fryti mund të përfaqësojë punët dhe veprimet e mira që duhet të bëjnë dishepujt e Jezu Krishtit. Shkruajini këto kuptime pranë emërtimeve në figurë. Vreshtari, sikurse tha Shpëtimtari te Gjoni 15:1, është Ati Qiellor. Një vreshtar është një njeri që kujdeset për një vresht.

Merrni parasysh ta shenjoni çdo rast të fjalëve qëndroj ose qëndroni te Gjoni 15:4–5. Fjala qëndroj, siç përdoret në këto vargje, do të thotë të mbetemi vendosmërisht dhe përherë të lidhur me Jezu Krishtin dhe Kishën e Tij.

Te Gjoni 15:5 mësojmë që nëse qëndrojmë në Shpëtimtarin, ne do të bëjmë vepra të drejta.

Pamja
dega

Te Gjoni 15:6–8 ne mësojmë që Shpëtimtari dha mësim se ata që nuk do të qëndronin në Të, janë si një shermend që është prerë – ai thahet dhe vdes. Individët që qëndrojnë në Jezu Krishtin, bëjnë vepra të drejta që e përlëvdojnë Perëndinë.

Çfarë mund të bëjmë që të qëndrojmë ose të lidhemi qëndrueshëm me Shpëtimtarin?

Lexoni Gjonin 15:9–11, duke kërkuar atë që Jezusi i mësoi dishepujt e Tij të bënin dhe çfarë bekimesh do të merrnin ata. Merrni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.

Ati dhe Biri na duan me një dashuri të përsosur e të pafundme dhe zbatimi i urdhërimeve të Tyre na lejon të marrim një plotësi të bekimeve që Ata dëshirojnë të na i japin plot dashuri (shih 1 Nefi 17:35; DeB 95:12; 130:20–21.)

Nga Gjoni 15:10–11 mësojmë që nëse i zbatojmë urdhërimet, ne do të qëndrojmë në dashurinë e Shpëtimtarit dhe do të marrim një plotësi të gëzimit.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni, përse të qëndruarit në Shpëtimtarin na lejon të marrim një plotësi të gëzimit?

    2. Si mendoni, përse ata që qëndrojnë në Shpëtimtarin do të bëjnë vepra të drejta?

Mendoni për mënyra se si mund të qëndroni të lidhur në mënyrë të qëndrueshme me Shpëtimtarin dhe si rrjedhim të merrni gëzim më të madh.

Gjoni 15:12–17

Jezusi i urdhëron dishepujt e Tij që ta duan njëri-tjetrin

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Sigurisht prova më e mirë e adhurimit tonë për Jezusin është përngjasimi ynë me Të” (“The Mission and Ministry of Jesus Christ”, Ensign, prill 2013, f. 38).

Adhurimi është dashuri e respekt i madh dhe përngjasimi do të thotë të imitojmë ose kopjojmë.

Lexoni Gjonin 5:12, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari na kërkoi t’i përngjasojmë Atij. Ju mund të doni të shenjoni atë që gjeni.

Lexoni Gjonin 15:13–17, duke kërkuar mënyrën se si na ka dashur Shpëtimtari. Te vargu 13, merrni parasysh të shenjoni çfarë tha Shpëtimtari është shfaqja më e madhe e dashurisë.

Pamja
Plaku Klaudio R. M. Kosta

Theksoni që Plaku Klaudio R. M. Kosta, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, sugjeroi çfarë të bëjmë për ta dhënë jetën tonë për njerëzit që i duam: “Ne mund ta japim jetën tonë për ata që i duam, jo duke vdekur fizikisht për ta, por përkundrazi duke jetuar për ta – duke dhënë nga koha jonë; gjithmonë duke qenë të pranishëm në jetën e tyre; duke u shërbyer atyre; duke qenë të njerëzishëm, të dhembshur dhe duke treguar dashuri të vërtetë për njerëzit e familjes sonë dhe të gjithë njerëzit – sikurse dha mësim Shpëtimtari” (“Don’t Leave for Tomorrow What You Can Do Today”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 74).

Mendoni rreth dikujt që e ka dhënë jetën e tij ose të saj në njërën nga këto mënyra për ju.

Gjoni 15:18–27

Jezusi i paralajmëron dishepujt e Tij për përndjekjen që do të përjetojnë ngaqë dëshmojnë për Të

Pasi Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij rreth të qëndruarit në Të dhe të treguarit të dashurisë për njëri-tjetrin, Ai u dha mësim për atë që do t’u ndodhte atyre për shkak të shoqërimit të tyre me Të. Te Gjoni 15:18–25 ne mësojmë se bota, ose njerëzit që janë mëkatarë, do t’i urrejnë Apostujt. Jezu Krishti tha se ata që e urrejnë Atë, gjithashtu e urrejnë Atin dhe që ata do të mbahen përgjegjës për zgjedhjet e tyre.

Pavarësisht nga urrejtja dhe përndjekja e të tjerëve ndaj pasuesve të Tij, Jezu Krishti siguroi mënyra se si bota të marrë një dëshmi për Të. Lexoni Gjonin 15:26–27, duke kërkuar dëshmitarët që do t’i dëshmonin botës për Jezu Krishtin.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 14–15 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër