Biblioteka
Njësia 16, Dita 1: Gjoni 16


Njësia 16: Dita 1

Gjoni 16

Hyrje

Pas darkës së Pashkës, Jezu Krishti vazhdoi t’u jepte mësim dishepujve të Tij. Ai u tha atyre se shpejt do të shkonte tek Ati i Tij dhe se Fryma e Shenjtë, ose Ngushëlluesi, do të vinte dhe do t’i udhëzonte ata drejt së vërtetës. Jezusi profetizoi për vetë vdekjen dhe Ringjalljen e Tij dhe shpalli se Ai e kishte mundur botën.

Gjoni 16:1–15

Jezusi zgjeron rolin e Frymës së Shenjtë.

Përfytyroni se po udhëtoni për herë të parë përmes një terreni të bukur, por të ashpër. Një mik i afërt dhe me përvojë është udhërrëfyesi juaj. Kur mbërrini te një vend veçanërisht i vështirë në udhëtim, ju ktheheni dhe zbuloni se miku juaj ka ikur dhe ju jeni lënë të vetëm dhe të humbur. Çfarë shqetësimesh e ndjenjash mund t’i keni në një situatë të tillë?

A keni pasur shqetësime dhe ndjenja të ngjashme gjatë kohëve sfiduese ose të vetmuara në jetën tuaj? Teksa studioni Gjonin 16, kërkoni parimet që mund t’ju ndihmojnë të dini se si të gjeni udhërrëfim e paqe kur keni nevojë për to.

Pasi kaloi gati tre vjet me dishepujt e Tij, Jezu Krishti u tha atyre se Ai duhet të largohej (shih Gjoni 14:28). Te Gjoni 16:1–4 ne mësojmë se pasi Jezusi e kishte ngrënë darkën e Pashkës me dishepujt e Tij, Ai u tha atyre se koha do të vinte kur njerëzit do t’i urrenin dhe se këta njerëz do të besonin që po i bënin një shërbim Perëndisë duke i vrarë ata.

Lexoni Gjonin 16:5–6, duke kërkuar atë që Jezusi u tha dishepujve të Tij dhe se si u ndien ata rreth saj.

Lexoni Gjonin 16:7, duke kërkuar cilin premtoi Jezusi që ta dërgonte pasi Ai të kishte ikur.

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Për aq kohë sa Jezusi ishte vetë me dishepujt, nuk kishte nevojë të plotë për ta që ta kishin shoqërimin e vazhdueshëm të Shpirtit, që do të ishte atje pasi Jezusi të largohej” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:753).

Te Gjoni 16:8–12 Jezusi shpjegoi se një prej roleve të Frymës së Shenjtë është “ta bindë botën për mëkat[in]” (Gjoni 16:8). Lexoni Gjonin 16:13, duke kërkuar role të tjera që Ngushëlluesi do t’i përmbushte në jetën e dishepujve pasi Jezusi të largohej prej tyre.

Duke komentuar për Gjonin 16:9–11, Plaku Mek-Konki shpjegoi: “Këto janë vargje të vështira të cilat na kanë ardhur në një formë të përmbledhur dhe të shkurtuar, si për ta bërë interpretimin të vështirë. Kuptimi i dukshëm është: ‘Kur e merrni shoqërimin e Shpirtit, që ju të flisni atë që ai ju zbulon, atëherë mësimet tuaja do ta bindin botën për mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin. Bota do të bindet për mëkatin ngaqë më mohoi mua, ngaqë nuk e besoi dëshminë tuaj të frymëzuar nga Shpirti se unë jam Biri i Perëndisë nëpërmjet të cilit vjen shpëtimi. Ata do të binden ngaqë e mohuan dëshminë tuaj për drejtësinë time – ngaqë hamendësuan se unë jam një blasfemues, një mashtrues apo një gënjeshtar – kur në fakt unë kam shkuar tek Ati im, një gjë që nuk mund ta bëj, në qoftë se veprat e mia nuk ishin të vërteta dhe të drejta krejtësisht. Ata do të binden për gjykimin e rremë ngaqë e mohuan dëshminë tuaj kundrejt feve të kohës dhe ngaqë zgjodhën në të kundërt të ndiqnin Satanin, princin e kësaj bote, i cili vetë, me të gjitha filozofitë e tij fetare, do të gjykohet dhe do të gjendet se nuk i ka arritur qëllimet.’” (Doctrinal New Testament Commentary, 1:754).

Si do të përfitonin dishepujt nga udhërrëfimi dhe këndvështrimi që do të siguronte Fryma e Shenjtë?

Çfarë të vërtete rreth Frymës së Shenjtë mund të mësojmë nga Gjoni 16:13?

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa mënyra se si Fryma e Shenjtë na rrëfen udhën drejt së vërtetës?

    2. Në çfarë mënyrash mund të na tregojë Fryma e Shenjtë gjërat që do të vijnë?

Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Perëndia mund të sigurojë shpresë, largpamësi, paralajmërim, sigurim dhe udhërrëfim për të ardhmen tonë.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar mënyrën se si ju mund ta ftoni Frymën e Shenjtë për t’ju udhëhequr në jetën tuaj: “Si e marrim Shpirtin e Shenjtë për udhërrëfyesin tonë? Ne duhet të pendohemi për mëkatet tona çdo javë dhe t’i ripërtërijmë besëlidhjet tona duke marrë sakramentin me duar të pastra e zemër të kulluar, sikurse urdhërohemi të bëjmë (shih DeB 59:8–9, 12). Vetëm në këtë mënyrë ne kemi premtimin hyjnor që do ‘të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]’ (DeB 20:77). Ai Shpirt është Fryma e Shenjtë, misioni i të cilit është të na japë mësim, të na udhëheqë drejt së vërtetës dhe të na dëshmojë për Atin dhe Birin (shih Gjoni 14:26; Gjoni 15:26; Gjoni 16:13; 3 Nefi 11:32, 36)” (“Be Not Deceived”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 46).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë t’ju udhërrëfejë drejt së vërtetës ose t’ju tregojë gjërat që do të vijnë?

    2. Si e ditët që Fryma e Shenjtë po ju rrëfente udhën?

Merrni parasysh zgjedhje që mund t’ju bëjnë ta ftoni Frymën e Shenjtë që të jetë udhërrëfyesi juaj. Përpiquni të jetoni në një mënyrë që e fton ndikimin e Tij udhërrëfyes në jetën tuaj.

Te Gjoni 16:13 Jezusi dha mësim që Fryma e Shenjtë nuk do të “fl[iste] nga vetja, por do të thotë [të] gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë”. Lexoni Gjonin 16:14–15, duke kërkuar ato mesazhe që do të na i kumtojë Fryma e Shenjtë.

Nga ajo që mësuat në këto vargje, plotësoni doktrinën vijuese: Fryma e Shenjtë zbulon të vërtetat dhe udhëzimet që vijnë nga .

Përse është e dobishme të dimë që kur Fryma e Shenjtë na flet, Ai po flet për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

“Komunikimi [nga Fryma e Shenjtë] shpirtit tuaj mbart shumë më tepër siguri se çdo informacion i shkëmbyer nëpërmjet ndjesive natyrore” (Të Vërtetë ndaj Besimit [2004], f. 56). Kjo do të thotë që Fryma e Shenjtë është udhërrëfyesi ynë më i vlefshëm në të mësuarin e së vërtetës. Ndikimi i Tij është më i vlefshëm sesa prova fizike, opinionet e dikujt tjetër apo arsyetimi i botës. Dishepujt e Shpëtimtarit do të kishin nevojë të mësonin që të mbështeteshin te Fryma e Shenjtë si një udhërrëfyes në mungesën e pranisë fizike të Zotit, ashtu sikurse ne kemi nevojë të mbështetemi te Fryma e Shenjtë sot.

Gjoni 16:16–33

Shpëtimtari diskuton vdekjen dhe Ringjalljen e Tij dhe thotë se Ai e ka mundur botën

Mendoni rreth një rasti kur ju desh t’i thonit lamtumirë një shoku ose një pjesëtari të familjes për një kohë të gjatë ose të panjohur. Çfarë thatë që ta ngushëllonit njëri-tjetrin teksa i jepnit lamtumirën njëri-tjetrit?

Lexoni Gjonin 16:16, duke kërkuar se çfarë u tha Jezusi dishepujve që mund t’i kishte ngushëlluar ata ndërsa mendonin rreth largimit të Tij.

Te Gjoni 16:17–19 ne lexojmë se dishepujt nuk e kuptuan atë që donte të thoshte Jezusi kur tha se Ai po largohej, por ata do ta shihnin Atë përsëri.

Lexoni Gjonin 16:20–22, duke kërkuar atë që Zoti tha se dishepujt e Tij do të ndienin kur Ai të largohej dhe atë që ata do të ndienin kur ta shihnin Atë përsëri. Mund t’ju ndihmojë të dini që fraza “gruaja, kur lind” te vargu 21 i drejtohet një gruaje që po kalon përmes dhembjeve përpara se ta lindë fëmijën e saj.

Sipas këtij vargu, si do të ndiheshin dishepujt kur Jezusi të largohej? Çfarë premtoi Ai se do të ndienin ata kur ta shihnin Atë sërish?

Jezusi e dinte që dishepujt do ta shihnin Atë përsëri pasi të ringjallej. Edhe pse hidhërimi i tyre për vdekjen e Tij do të ishte i madh, gëzimi që do të ndienin pas Ringjalljes së Tij do të ishte afatgjatë.

Te Gjoni 16:23–32 ne lexojmë se Jezusi u mësoi dishepujve të Tij që t’i luteshin drejtpërsëdrejti Atit Qiellor në emër të Tij (të Jezu Krishtit) (shih Gjoni 16:23) dhe i siguroi për dashurinë e Atit për ta dhe për Të. Ai i risiguroi ata që lutjet e tyre, drejtuar Atit Qiellor, do të merrnin përgjigje.

Lexoni Gjonin 16:33, duke kërkuar fjalë e fraza që Shpëtimtari i përdori për të ngushëlluar dishepujt e Tij. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Përse është që ne mund të kemi lumturi dhe paqe edhe në një botë të mbushur me mundim, mëkat dhe vdekje?

Nga Gjoni 16:33 ne mund të mësojmë se, ngaqë Jezu Krishti e kishte mundur botën, ne mund të marrim zemër dhe të kemi paqe. Çfarë mendoni se do të thotë që Jezu Krishti e ka mundur botën?

Si i Vetëmlinduri i Atit, Jezu Krishti jetoi një jetë të pamëkatë, duke e mundur çdo tundim të botës. Ai gjithashtu përjetoi çdo lloj dhembjeje e fatkeqësie dhe shleu për mëkatet e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor. Nëpërmjet jetës së Tij, vuajtjes e vdekjes së Tij dhe Ringjalljes së Tij, Ai i mundi të gjitha pengesat që do të na pengonin që të bëheshim të pastër, që të gjenim paqe dhe të jetonim përsëri me Atin tonë në Qiell dhe me njerëzit që i duam.

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në çfarë mënyrash mund t’ju ndihmojë që të merrni zemër dhe të keni paqe, dijenia se Jezu Krishti e mundi botën?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson, duke kërkuar arsyen përse ne mund të marrim zemër pavarësisht nga sprovat dhe vështirësitë e kësaj bote:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Le të marrim zemër ndërsa jetojmë jetën tonë. Ndonëse jetojmë në kohë gjithnjë e më të rrezikshme, Zoti na do dhe kujtohet për ne. Ai është gjithmonë pranë nesh kur ne bëjmë çfarë është e drejtë. Ai do të na ndihmojë në kohë nevoje. … Jeta jonë gjithashtu mund të mbushet me gëzim ndërsa ndjekim mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit.

Zoti këshilloi: ‘Merrni zemër, unë e munda botën’ [Gjoni 16:33]. Çfarë lumturie të madhe duhet të na sjellë kjo njohuri. Ai jetoi për ne dhe Ai vdiq për ne. Ai pagoi çmimin për mëkatet tona. Le ta ndjekim shembullin e Tij. Le ta shfaqim mirënjohjen tonë të madhe ndaj Tij duke e pranuar sakrificën e Tij dhe duke jetuar një jetë që do të na kualifikojë për t’u kthyer e për të jetuar një ditë me Të” (“Perëndia me Ju Qoftë kur Prapë të Takohemi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 110–111).

Përsiatni pyetjen që vijon: Kur ju ka ndihmuar që të merrni zemër dhe të keni paqe dijenia se Jezu Krishti e mundi botën?

Përpiquni të merrni zemër dhe ta jetoni ungjillin e Jezu Krishtit. Kur e bëni këtë, ju do të ndieni paqen dhe shpresën që është në dispozicion nëpërmjet flijimit shlyes dhe Ringjalljes së Zotit.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër