Biblioteka
Njësia 16, Dita 2: Gjoni 17


Njësia 16: Dita 2

Gjoni 17

Hyrje

Përpara se Shpëtimtari të vuante në Gjetseman, Ai ofroi Lutjen e Tij të madhërishme Ndërmjetësuese. Ai u lut që dishepujt e Tij dhe të gjithë ata që e ndjekin Atë, do të arrinin ta njihnin Atin Qiellor e të fitonin jetë të përjetshme dhe Ai u lut që ata të mund të ishin një me Të dhe Atin e Tij.

Gjoni 17:1–8

Jezu Krishti i drejtohet Atit Qiellor në lutje

Mendoni për disa njerëz të famshëm për të cilët dini diçka.

Tani mendoni për njerëzit në jetën tuaj të cilët i njihni më mirë nga të tjerët.

Cili është ndryshimi midis njohjes rreth dikujt dhe njohjes me të vërtetë të atij njeriu? Në hapësirën vijuese, shkruani disa gjëra që mund t’i bëni që të arrini ta njihni dikë me të vërtetë:

Shpëtimtari dha mësim rreth rëndësisë së njohjes së Atit Qiellor dhe të Tij. Teksa studioni Gjonin 17, kërkoni të vërteta që do t’ju ndihmojnë ta ndiqni shtegun që, me kohë, do t’ju çojë që jo vetëm të dini më mirë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, por gjithashtu të arrini t’i njihni Ata më mirë.

Pamja
Jezu Krishti

Pas Darkës së Fundit, Shpëtimtari eci me dishepujt e Tij drejt Kopshtit të Gjetsemanit. Përpara se të arrinin te kopshti, Jezusi ndaloi të ofronte një lutje. Ajo njihet tradicionalisht si Lutja Ndërmjetësuese. Një kuptim i fjalës ndërmjetësoj është t’i flasë dikujt në emër të një personi tjetër. Në këtë rast, Jezu Krishti i foli Atit Qiellor në emër të dishepujve të Tij, duke u përgjëruar që ata të mund të merrnin jetë të përjetshme.

Lexoni Gjonin 17:1–3, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari e përshkroi jetën e përjetshme. (Gjoni 17:3 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni këtë varg në një mënyrë të dallueshme, që t’ju ndihmojë ta gjeni në të ardhmen.)

Nga Gjoni 17:3 ne mësojmë të vërtetën vijuese: Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet të arrijmë të njohim Atin Qiellor dhe Birin i Tij, Jezu Krishtin.

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si është të njohurit e Atit dhe Birit i ndryshëm nga thjesht të diturit rreth Tyre?

Pamja
Plaku Brus R. Mek–Konki

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe shenjoni atë që tha ai se do të thotë ta njohim Atin dhe Birin: “Një gjë është të dish rreth Perëndisë dhe një tjetër ta njohësh Atë. Ne dimë rreth Tij kur mësojmë se Ai është një qenie vetjake sipas shëmbëlltyrës së të cilit njeriu krijohet; kur mësojmë se Biri është sipas shëmbëlltyrës së shprehur të personit të Atit të Tij; kur mësojmë se si Ati ashtu dhe Biri zotërojnë tipare dhe fuqi të posaçme, të veçanta. Por ne i njohim Ata, në kuptimin e të fituarit të jetës së përjetshme, kur na pëlqejnë dhe përjetojmë të njëjtat gjëra që bëjnë Ata. Të njohim Perëndinë është të mendojmë atë që Ai mendon, të ndiejmë atë që Ai ndjen, të kemi fuqinë që Ai zotëron, të kuptojmë të vërtetat që Ai kupton dhe të bëjmë atë që Ai bën. Ata që e njohin Perëndinë bëhen si Ai dhe kanë atë lloj jete që ka Ai, që është jeta e përjetshme” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:762).

Të arrijmë ta njohim Perëndinë dhe të bëhemi si Ai është e mundur për ne kur e marrim Frymën e Shenjtë dhe marrim nga të gjitha bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Megjithatë, ky është një proces që do të vazhdojë gjatë gjithë kësaj jete dhe madje pas kësaj jete (shih Moroni 7:48; 10:32–33).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse nuk mund të fitojë një njeri jetë të përjetshme pa e njohur Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin?

    2. Cilat janë disa mënyra se si ju mund të arrini ta njihni më mirë Atin dhe Birin?

Te Gjoni 17:4–5 ne mësojmë që Shpëtimtari i raportoi Atit të Tij se e kishte mbaruar punën që Ai ia kishte dhënë Atij të bënte. Ai i kërkoi Atit të Tij që ta përlëvdonte Atë me të njëjtën lavdi që Ai e kishte pasur në jetën para lindjes.

Lexoni Gjonin 17:6–8, duke kërkuar atë që dishepujt e Tij e kishin bërë që të arrinin ta njihnin Shpëtimtarin. Ju mund të doni të shenjoni atë që gjeni.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Gjoni 17:3

  1. Lexoni me zë të lartë kopjen vijuese të fragmentit të zotërimit të shkrimit të shenjtë Gjoni 17:3:

    “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”.

    Më pas, fshini çdo fjalë të tretë, që të mos mund t’i shihni më ato dhe lexojeni fragmentin me zë të lartë përsëri, duke përfshirë fjalët që i fshitë. Përsëriteni modelin e fshirjes së fjalëve dhe të leximit me zë të lartë të fragmentit derisa të gjitha fjalët të jenë fshirë. Më pas bëni çfarë të mundeni për ta shkruar fragmentin nga kujtesa në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Gjoni 17:9–19

Shpëtimtari lutet për dishepujt e Tij

Lexoni Gjonin 17:9, 11–18, duke kërkuar për atë që Jezusi u lut në emër të dishepujve të Tij.

Vini re që Shpëtimtari përmendi se dishepujt e Tij do të vazhdonin të jetonin në një botë që ishte e ligë dhe që i urrente ata. Nga Gjoni 17:14–16 mësojmë se, si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet të jemi në botë, por jo të botës. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta.

Çfarë mendoni se do të thotë të jini botë, por jo botës?

Thënia vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mund t’ju ndihmojë të kuptoni se si të jetoni në botë dhe të mos jeni të botës:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Në Kishë, ne shpesh themi shprehjen: ‘Jini në botë, por jo të botës’. …

Ndoshta duhet ta shpallim shprehjen … si dy paralajmërime të veçanta. Së pari, ‘Jini në botë’. Përfshihuni; informohuni. Përpiquni të jeni mirëkuptues e tolerantë dhe të vlerësoni larminë. Bëni kontribute kuptimplota në shoqëri nëpërmjet shërbimit dhe përfshirjes. Së dyti, ‘Mos jini të botës’. Mos ndiqni shtigje të gabuara ose të ndryshoni standardet për të përfshirë apo pranuar atë që nuk është e drejtë. …

Ne anëtarët e Kishës duhet të ndikojmë më shumë nga sa ndikohemi. Ne duhet ta ndalim baticën e mëkatit dhe të ligësisë, në vend që të përfshihemi në mënyrë pasive nga ajo. Secili prej nesh duhet të ndihmojë për ta zgjidhur problemin në vend që ta shmangim ose shpërfillim atë” (“The Effects of Television”, Ensign, maj 1989, f. 80).

Përsiatni përse Zoti dëshiron që ne të mbetemi në botë ndërkohë që nuk jemi të botës.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni se si një njeri mund të ishte në botë, por jo i botës, në secilin nga mjediset vijuese: në shkollë, me shoqëri dhe në internet. Më pas shkruani një mënyrë të veçantë se si ata do të përpiqen ta ndjekin më mirë Shpëtimtarin duke qenë në botë, por jo të botës.

Gjoni 17:20–26

Shpëtimtari lutet për gjithë njerëzit që e pranojnë ungjillin e Tij

Pavarësisht nga përpjekjet tona më të mira, ne nuk mbetemi tërësisht të pastër nga mëkatet dhe ligësia që ekziston në botë. Nëse nuk mund të pastroheshim nga mëkatet tona, ne do të veçoheshim nga prania e Perëndisë përgjithmonë, sepse asgjë e papastër nuk mund të banojë në praninë e Tij (shih 1 Nefi 15:33–34.)

Lexoni Gjonin 17:20–23, duke kërkuar atë për të cilën u lut Jezu Krishti. Ju mund të doni ta shenjoni fjalën një kudo ku shfaqet në këto vargje.

Vini re që Shpëtimtari u lut jo vetëm për Apostujt e Tij, por gjithashtu për ata që do të besojnë në fjalën e tyre, se ata të gjithë mund të jenë një si Jezusi dhe Ati janë një. Këto vargje e bëjnë të qartë që Ati dhe Biri janë dy qenie të veçuara. Jezusi u lut për unitet shpirtëror, jo unitet fizik.

Ç’gjë e bën të mundur për ne që të bëhemi një me Atin dhe Birin?

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi mënyrën se si ne mund të bëhemi një me Atin dhe Birin: “Kuptimi i mirëfilltë i fjalës Shlyerje është vetëshpjegues: sjellja së bashku e gjërave që kanë qenë të veçuara ose të tëhuajtura” (“The Atonement of Jesus Christ”, Ensign, mars 2008, f. 34–35).

Një e vërtetë e rëndësishme që mund ta mësojmë nga Gjoni 17:20–23, është që kur vijmë te Jezu Krishti dhe i marrim bekimet e Shlyerjes së Tij, ne mund të bëhemi një me Atin dhe Birin.

Nga ajo që dini për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, përse doni të bëheni një me Ta?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, duke kërkuar bekimin që do t’iu vijë atyre që përpiqen të jenë një me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Ne duhet të kërkojmë me zell jo thjesht që të dimë rreth Mësuesit, por të përpiqemi, sikurse na ftoi Ai, që të jemi një me Të (shih Gjoni 17:21), ‘të forcohe[mi] me fuqi nëpërmjet Frymës së tij në njeriun e përbrendshëm’ (Efesianëve 3:16). …

Është dëshmia ime që ne po përballemi me kohëra të vështira. Ne duhet të jemi të guximshëm dhe të bindur. Dëshmia ime është që ne do të thirremi për të provuar forcën dhe durimin tonë shpirtëror, sepse ditët përpara nesh do të mbushen me vuajtje dhe vështirësi. Por me sigurimin e ngushëllimit të një marrëdhënieje personale me Perëndinë, ne do të na jepet një kurajë qetësuese” (“That We Might Know Thee”, Ensign, janar 1999, f. 2, 5).

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë do të bëni që të arrini t’i njihni më mirë Atin Qiellor e Jezu Krishtin dhe ta forconi marrëdhënien tuaj me Ta?

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 17 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër