Biblioteka
Njësia 16, Dita 3: Gjoni 18–19


Njësia 16: Dita 3

Gjoni 18–19

Hyrje

Pasi udhëheqësit judeas e arrestuan dhe e morën në pyetje Jezusin, ata e çuan Atë te Pilati për ta gjykuar dhe dënuar. Pilati ra dakord për Kryqëzimin e Jezusit, edhe pse ai u bë i bindur për pafajësinë e Tij. Ndërsa ishte në kryq, Jezusi e udhëzoi Apostullin Gjon që të kujdesej për nënën e Tij, Marinë. Pasi Jezusi vdiq, trupi i Tij u vendos në një varr.

Gjoni 18:1–32

Jezusi arrestohet dhe merret në pyetje nga udhëheqës judeas, të cilët më pas e dorëzojnë Atë te Pilati

Kur është më e vështira për ju që të shqetësoheni rreth mirëqenies së të tjerëve?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, hiqni një vijë nga lart poshtë në mes të një faqeje për të formuar dy kolona. Emërtojeni njërën kolonë Shqetësimet e Jezu Krishtit dhe kolonën tjetër Shqetësimet e Pilatit. Gjatë arrestimit, gjyqit dhe Kryqëzimit të Shpëtimtarit, Jezusi dhe guvernatori romak, Pilati, zgjodhën të vlerësonin ose t’iu jepnin përparësi gjërave të ndryshme. Teksa studioni Gjonin 18–19, kërkoni të vërteta që mund t’i mësoni nga shembujt e Jezusit dhe të Pilatit, të cilat mund t’ju ndihmojnë të dini se çfarë shqetësimesh duhet të marrin përparësi në jetën tuaj. Shkruani të vërtetat që i zbuloni përgjatë këtij mësimi në kolonat e duhura në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Ne lexojmë te Gjoni 18:1–3 që pasi Jezusi vuajti në Kopshtin e Gjetsemanit, Judë Iskarioti mbërriti me një grup ushtarësh që kishin ardhur për ta arrestuar Jezusin. Nëse do ta dinit që një grup ushtarësh të armatosur po afrohej për t’ju arrestuar dhe më së fundi për t’ju vrarë, cili mund të ishte reagimi juaj?

Lexoni Gjonin 18:4–11 dhe Llukën 22:50–51, duke kërkuar mënyrën se si u përgjigj Jezusi kur ky grup mbërriti.

Fjalët këta te Gjoni 18:8 dhe ata te Gjoni 18:9 u drejtohen Apostujve që ishin me Jezusin. Sipas këtyre vargjeve, për çfarë shqetësohej Jezu Krishti?

Pas leximit të Gjonit 18:4–11 dhe Llukës 22:50–51, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, në kolonën e emërtuar “Shqetësimet e Jezu Krishtit”, gjërat për të cilat shqetësohej Shpëtimtari.

Pamja
Krishti përpara Kajafës

Ne lexojmë te Gjoni 18:12–32 se Jezusi i lejoi ushtarët ta arrestonin Atë. Ata e çuan te Ana, ish-prifti i lartë, i cili e dërgoi Jezusin të merrej në pyetje nga Kajafa, dhëndri i Anës (shih Gjoni 18:13). Kajafa ishte prifti i lartë i caktuar në atë kohë dhe ai po përpiqej ta bënte Jezusin të vritej (shih Gjoni 18:14). Pjetri dhe dishepujt e tjerë e ndoqën Jezusin dhe vëzhguan Kajafën duke e marrë Atë në pyetje (shih Gjoni 18:15–16). Kur tre njerëz të ndryshëm e pyetën Pjetrin nëse ai ishte njëri prej dishepujve të Jezusit, Pjetri e mohoi se e njihte Atë çdo herë (shih Gjoni 18:17, 25, 26–27). Pasi Kajafa e mori në pyetje Jezusin, udhëheqësit judeas e çuan Jezusin, herët në mëngjes, te Pilati, guvernatori romak i provincës së Judesë, që të gjykohej dhe t’i jepej dënimi (shih Gjoni 18:28–30). Vetëm romakët kishin autoritet ta kryenin një dënim me vdekje në Jerusalem (shih Gjoni 18:31).

Gjoni 18:33–19:16

Jezusi nxirret në gjyq përpara Pilatit

Lexoni Gjonin 18:33–35, duke kërkuar atë që Pilati dëshironte të dinte rreth Jezusit.

Udhëheqësit judeas e akuzuan Jezusin se shpallte që ishte mbreti i judenjve, sepse, në qoftë se Jezusi shpallte të ishte një mbret, Ai mund të gjendej fajtor për kryengritje ose tradhti kundër qeverisë romake (shih Gjoni 19:12) dhe si rrjedhim mund të dënohej me vdekje.

Lexoni Gjonin 18:36–37, duke kërkuar atë që Jezusi i shpjegoi Pilatit.

Lexoni Gjonin 18:38, duke kërkuar se çfarë përfundimi nxori Pilati rreth Jezusit.

Te Gjoni 18:39–19:5 ne mësojmë se Pilati ofroi ta lironte Jezusin në përputhje me një traditë judease të çlirimit të një të burgosuri në kohën e festës së Pashkës (shih Gjoni 18:39). Krerët e priftërinjve dhe oficerët zgjodhën të lirohej në vend të Tij kusari Baraba (shih Gjoni 18:40) dhe kërkuan që Jezusi të kryqëzohej (shih Gjoni 19:6). Pilati e fshikulloi Jezusin dhe ushtarët romakë vunë një kurorë me gjemba mbi kohën e Tij dhe u tallën me Të (shih Gjoni 19:1–2) dhe më pas Pilati e paraqiti Jezusin përpara njerëzve.

Lexoni Gjonin 19:4, 6, duke kërkuar se çfarë u tha Pilati në mënyrë të përsëritur judenjve.

Çfarë kishte të ngjarë të besonte Pilati se ishte gjëja e drejtë për t’u bërë?

Sipas Gjonit 19:7, udhëheqësit judeas i thanë Pilatit se Jezusi shpalli që Ai ishte Biri i Perëndisë. Lexoni Gjonin 19:8–11, duke kërkuar përgjigjen e Pilatit kur dëgjoi se Jezusi kishte thënë që Ai ishte Biri i Perëndisë. Gjithashtu kërkoni atë që Jezusi i tha Pilatit rreth fuqisë së Pilatit si guvernator.

Nëse do të ishit në pozitën e Pilatit, si mund të ishit ndier pasi të dëgjonit Jezusin të thoshte se ju ishit të pafuqishëm kundrejt Tij “po të mos të qe [ajo fuqi e] dhënë prej së larti” (Gjoni 19:11)?

Deklarimi i Jezusit te Gjoni 19:11 rreth udhëheqësve judeas që kishin “faj më të madh”, vuri në dukje që nëse Pilati i dorëzohej kërkesës së turmës dhe urdhëronte që Jezusi të kryqëzohej, Pilati do të ishte fajtor për mëkatin – edhe pse jo në të njëjtën shkallë si ata që e kërkonin me këmbëngulje vdekjen e Jezusit.

Lexoni Mateun 27:19, duke vënë re atë që gruaja e Pilatit e këshilloi atë të bënte. Më pas lexoni Gjonin 19:12–15, duke kërkuar atë që Pilati u përpoq të bënte lidhur me Jezusin dhe mënyrën se si u përgjigjën judenjtë që kërkonin ta vrisnin Jezusin.

Vini re te Gjoni 19:12 se si e kërcënuan udhëheqësit judeas Pilatin kur mësuan se ai donte ta lironte Jezusin.

Që të vinin shtytje mbi Pilatin, judenjtë i kujtuan Pilatit që nëse e lironte Jezusin, ai mund të shihej si të mos ishte besnik ndaj Cezarit. Nëse judenjtë e raportonin këtë mungesë besnikërie, Cezari mund t’ia kishte hequr Pilatit pozitën dhe pushtetin si guvernator. Në këtë pikë Pilati duhej të zgjidhte midis mbrojtjes së vetë interesave të tij dhe lirimit të Jezusit, të cilin e dinte që ishte i pafajshëm.

Lexoni Gjonin 19:16, duke kërkuar se çfarë zgjodhi të bënte Pilati.

Pamja
Krishti dhe Pilati

Çfarë na mësojnë veprimet e Pilatit rreth shqetësimeve të tij kryesore?

Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, në kolonën e emërtuar “Shqetësimet e Pilatit”, shkruani se për çfarë shqetësohej Pilati.

Nga studimi ynë për shqetësimet e Pilatit, të treguara te Gjoni 18–19, ne mësojmë se vënia e vetë interesave tona përpara bërjes së asaj që është e drejtë, do të na udhëheqë drejt mëkatit. Shkruajeni këtë parim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta në kolonën e emërtuar “Shqetësimet e Pilatit”.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa situata në të cilat ne mund të tundohemi për t’i vënë vetë interesat tona përpara bërjes së asaj që është e drejtë?

    2. Cilat janë disa gjëra që mund t’i bëni për ta mposhtur tundimin që t’i vini interesat tuaja përpara bërjes së asaj që është e drejtë, edhe nëse ajo nuk gëzon popullaritet?

Gjoni 19:17–42

Jezusi kryqëzohet dhe trupi i Tij vendoset në një varr

Ne lexojmë te Gjoni 19:17–24 se Jezusi e mbarti kryqin e Tij drejt Golgotës, ku Ai u kryqëzua në orën e tretë (shih Mark 15:25; kjo do të kishte qenë ora e tretë pas lindjes së diellit). Lexoni Gjonin 19:25–27, duke kërkuar cilët njerëz ishin pranë kryqit kur Jezusi u kryqëzua.

Teksa ishte i varur në kryq, për cilët u shqetësua Jezusi?

Fraza “dishepullin që [Jezusi e] donte” (Gjoni 19:26) i drejtohet Apostullit Gjon, gjithashtu të njohur si Gjon i Dashuri. Kur Jezusi i tha Gjonit: “Ja nëna jote”, ai po e udhëzonte Gjonin që të kujdesej për Marinë, nënën e Tij, si të ishte vetë nëna e Gjonit. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, në kolonën e emërtuar “Shqetësimet e Jezu Krishtit”, shkruani se për cilët tregojnë këto vargje që shqetësohej Jezusi.

Nisur nga shqetësimet e përcaktuara gjatë studimit tuaj të Gjonit 18–19, si do ta përshkruanit karakterin e Jezu Krishtit të krahasuar me karakterin e Pilatit?

Nga studimi ynë i karakterit të Shpëtimtarit, të treguar te Gjoni 18–19, mësojmë se ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke zgjedhur që t’i ndihmojmë të tjerët edhe kur jemi vetë nevojtarë. Shkruajeni këtë parim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta në kolonën e emërtuar “Shqetësimet e Jezu Krishtit”.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Karakteri zbulohet … në fuqinë për të dalluar vuajtjen e njerëzve të tjerë kur ne vetë po vuajmë; në aftësinë për të dalluar urinë e të tjerëve kur ne jemi të uritur; dhe në fuqinë për të ndihmuar dhe shtrirë dhembshuri për agoninë shpirtërore të të tjerëve kur ne jemi në mes të vetë ankthit tonë shpirtëror. Kështu, karakteri shfaqet duke kërkuar dhe duke u drejtuar jashtë vetes, kur përgjigjja e natyrshme dhe instinktive është që të jemi të përqendruar te vetja dhe të kthyer drejt vetes sonë. Nëse një zotësi e tillë është me të vërtetë kriteri përfundimtar i karakterit moral, atëherë Shpëtimtari i botës është shembulli i përsosur i një karakteri të tillë, të qëndrueshëm dhe bamirës” (“The Character of Christ” [Simpozium Fetar i Universitetit “Brigam Jang” – Ajdaho, 25 janar 2003], byui.edu/devotionalsandspeeches).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur e keni parë dikë që ta ndjekë shembullin e Shpëtimtarit duke zgjedhur që t’i ndihmojë të tjerët edhe kur ai ose ajo ishte në nevojë?

    2. Si mendoni se mund ta zhvillojmë këtë lloj karakteri si të Krishtit dhe të kërkojmë t’i ndihmojmë të tjerët edhe kur jemi vetë nevojtarë?

    3. Çfarë mund të bëni që ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit duke zgjedhur që t’i ndihmoni të tjerët edhe kur jeni vetë nevojtarë?

Ne mësojmë te Gjoni 19:28–42 se pasi Jezusi vdiq në orën e nëntë (shih Marku 15:34), Jozefi nga Arimatea i kërkoi Pilatit trupin e Jezusit. Jozefi dhe Nikodemi më pas e përgatitën trupin e Shpëtimtarit dhe e vendosën në një varr që Jozefi e kishte dhuruar.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 18–19 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër