Biblioteka
Njësia 16, Dita 4: Gjoni 20–21


Njësia 16: Dita 4

Gjoni 20–21

Hyrje

Të dielën pas Kryqëzimit, Maria Magdalena zbuloi se varri ku ishte vendosur trupi i Jezusit, ishte i zbrazët dhe ajo shkoi e i tha Pjetrit e Gjonit, të cilët më pas vrapuan drejt varrit. Krishti i ringjallur iu shfaq Marisë dhe më vonë dishepujve të Tij. Në bregun e detit të Galilesë, Jezusi e ftoi Pjetrin ta shfaqte dashurinë e tij për Të duke i ushqyer delet e Tij.

Gjoni 20:1–10

Maria Magdalena zbulon se varri i Jezusit është i zbrazët dhe i tregon Pjetrit e Gjonit, të cilët më pas vrapojnë drejt varrit

Pamja
Varrimi i Jezusit

Përfytyroni se si mund të ishit ndier nëse do të kishit qenë të pranishëm kur trupi i Jezusit të vendosej në varr. Ishte e premte dhe varrimi i Tij duhej të përfundohej përpara se të fillonte Shabati judeas në perëndimin e diellit dhe që vazhdonte deri në perëndimin e diellit të shtunën. Teksa ju lexoni thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përfytyroni se si u ndien dishepujt e Jezusit:

Pamja
Plaku Jozef B. Uirthlin

“Mendoj se sa e errët ishte ajo e premte kur Krishti u ngrit në kryq.

Në atë të premte të tmerrshme toka u dridh dhe u errësua. Stuhitë e frikshme e goditën tokën.

Ata njerëz të ligj, të cilët e kërkuan jetën e Tij, u ngazëllyen. Tani që Jezusi nuk ishte më, sigurisht ata që e pasuan Atë do të zhdukeshin. Në atë ditë ata qëndruan ngadhënjyes.

Atë ditë perdja e tempullit u nda në mes.

Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jezusit, që të dyja u mbushën me hidhërim e dëshpërim. Burri i mrekullueshëm që e kishin dashur e nderuar, qëndronte i varur pa jetë në kryq.

Në atë të premte Apostujt u shkretuan. Jezusi, Shpëtimtari i tyre – burri që kishte ecur mbi ujë dhe ishte ngritur së vdekuri – ishte Vetë në mëshirën e njerëzve të ligj. Ata panë pa shpresë se si Ai u mposht nga armiqtë e Tij.

Në atë të premte Shpëtimtari i njerëzimit u poshtërua dhe u lëndua, u keqtrajtua dhe u tall.

Ishte një e premte e mbushur me hidhërimin dërrmues, shkatërrues, që i breu shpirtrat e atyre që e deshën dhe e nderuan Birin e Perëndisë.

Unë mendoj se nga të gjitha ditët që nga fillimi i historisë së kësaj bote, ajo e premte ishte më e errëta” (“Sunday Will Come”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 29–30).

  1. Përfytyroni se ju kishit qenë një reporter lajmesh në kohën e vdekjes dhe të Ringjalljes së Jezusit dhe se ju ishte kërkuar të shkruanit një seri artikujsh për këto ngjarje. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një raportim lajmesh sikur të kishit intervistuar dishepujt e Jezusit pas vdekjes dhe varrimit të Tij. Ju mund të përmendni mendime ose ndjenja që ata i raportuan se i patën kur panë të vulosej varri i Jezusit.

Pavarësisht nga tragjedia e vdekjes dhe varrimit të Shpëtimtarit, Plaku Uirthlin tha: “Por zymtësia e asaj dite nuk zgjati” (“Sunday Will Come”, f. 30).

Teksa studioni Gjonin 20, kërkoni përse “zymtësia e asaj dite nuk zgjati”.

Lexoni Gjonin 20:1–2, duke kërkuar atë që zbuloi Maria Magdalena kur mbërriti te varri i Jezusit herët në mëngjesin e së dielës.

Çfarë bëri Maria kur zbuloi se guri ishte lëvizur nga hyrja e varrit? Çfarë besoi ajo se ndodhi?

Lexoni Gjonin 20:3–10, duke kërkuar atë që Pjetri e Gjoni, për të cilin flitet si “dishepulli tjetër” (vargu 2 e 3), e bënë pasi dëgjuan lajmin e Marisë.

Si reagoi Gjoni kur pa varrin e zbrazët? Çfarë besoi ai?

Gjersa Gjoni vështroi brenda në varrin e zbrazët, ai nuk i kishte kuptuar tërësisht shpalljet e Shpëtimtarit se Ai do të ringjallej prej së vdekuri në ditën e tretë. Teksa e pa varrin të zbrazët, Gjoni kujtoi dhe besoi (shih Gjoni 20:8–9).

Gjoni 20:11–31

Shpëtimtari i ringjallur u shfaqet Maria Magdalenës dhe më vonë dishepujve të Tij

Lexoni Gjonin 20:11–15, duke kërkuar se kush i foli Marisë pasi Pjetri dhe Gjoni u larguan nga varri.

Lexoni Gjonin 20:16–18, duke kërkuar atë që Jezusi e udhëzoi Marinë të bënte.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi kuptimin e frazës “mos më prek” te Gjoni 20:17: “Varianti i Mbretit Xhejms e citoi Jezusin të thoshte: ‘Mos më prek’. Përkthimi prej Joseph Smith-it lexon: ‘Mos më mbaj’. Përkthime të ndryshme nga greqishtja e japin fragmentin si: ‘Mos u kap pas meje’ ose ‘Mos më mbaj mua’. Disa e japin kuptimin si: ‘Mos u kap më pas meje’ ose ‘Mos më mbaj mua më gjatë’. Disa flasin për të mos e mbajtur më atë ose për të mos u kapur pas tij, duke lënë të kuptohet se Maria ishte tashmë duke e mbajtur atë. Ka arsye të vlefshme për të hamendësuar se mendimi i përçuar Marisë nga Zoti i Ringjallur pati këtë ndikim: ‘Ti nuk mund të më mbash këtu, sepse do të shkoj të ngjitem tek Ati im’” (The Mortal Messiah: From Bethlehem to Calvary, 4 vëll. [1979–1981], 4:264).

Pamja
Krishti dhe Maria

Jezusi i ringjallur iu shfaq Maria Magdalenës.

Sipas Gjonit 20:17, çfarë e udhëzoi Jezusi të bënte Marinë?

  1. Vazhdoni të përfytyroni se ju ishit një reporter lajmesh gjatë këtyre ngjarjeve. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një reportazh lajmesh sikur të kishit intervistuar Maria Magdalenën. Ju mund të shkruani rreth dëshmisë së saj për Zotin e ringjallur dhe përgjigjet e saj për pyetjet vijuese: Çfarë menduat kur e gjetët varrin të ishte i zbrazët? Çfarë bëtë më pas? Kur e kuptuat se Jezu Krishti është ende i gjallë? Në reportazhin tuaj, shkruani nëse ju do ta kishit besuar tregimin e Marisë dhe përse.

Kujtoni që disa dishepuj patën vështirësi ta besonin dëshminë e Marisë (shih Marku 16:11). Lexoni Gjonin 20:19–20, duke kërkuar atë që ndodhi atë mbrëmje.

Nga ky tregim ne mësojmë se Jezu Krishti e mundi vdekjen nëpërmjet Ringjalljes së Tij.

Sipas Gjonit 20:20, si u ndien dishepujt kur e panë Zotin e ringjallur?

Plaku Jozef B. Uirthlin shpjegoi përse “zymtësia e asaj dite [të premtes së zezë] nuk zgjati”.

Pamja
Plaku Jozef B. Uirthlin

“Dëshpërimi nuk qëndroi gjatë pasi të dielën Zoti i ringjallur i shpërtheu prangat e vdekjes. Ai u ngrit nga varri dhe u shfaq ngadhënjyeshëm plot lavdi si Shpëtimtari i gjithë njerëzimit. …

Ne të gjithë do t’i kemi vetë të premtet tona – ato ditë kur gjithësia vetë duket e thërrmuar dhe copëzat e botës sonë shtrihen të shpërndara përreth nesh pjesë-pjesë. Ne të gjithë do t’i përjetojmë ato kohë të copëtuara kur duket sikur ne kurrë nuk mund të mblidhemi së bashku sërish. Ne të gjithë do t’i kemi të premtet tona.

Por ju dëshmoj në emrin e Atij që e mundi vdekjen – e diela do të vijë. Në zymtinë e hidhërimit tonë, e diela do të vijë.

Pavarësisht nga dëshpërimi ynë, pavarësisht nga brengosja jonë, e diela do të vijë. Në këtë jetë apo në jetën pas kësaj, e diela do të vijë” (“Sunday Will Come”, f. 30).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si na ndihmon dijenia që Jezu Krishti u ringjall, ndërkohë që pikëllohemi me vdekjen e dikujt që e duam?

    2. Si mund të na ndihmojë premtimi i Ringjalljes gjatë përvojave të tjera të vështira të jetës?

Gjoni 20:21–23 shënon se pasi Jezusi u tregoi dishepujve të Tij plagët në duart dhe ijën e Tij, Ai u dha atyre autoritetin për të bërë punën e Tij. Ai u tha atyre: “Merrni Frymën e Shenjtë” (Gjoni 20:22), që mund të kishte nënkuptuar se Ai i bekoi të merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë, por ata nuk do t’i gëzonin tërësisht bekimet e saj deri më vonë. Ai gjithashtu u dha mësim rreth përgjegjësisë së tyre për t’i ndihmuar të tjerët që të merrnin një heqje të mëkateve të tyre.

Lexoni Gjonin 20:24–25, duke kërkuar emrin e Apostullit që nuk ishte i pranishëm për atë rast të shenjtë.

Vini re në vargun 25, çfarë tha Thomai se i nevojitej atij me qëllim që të besonte. Si mendoni, përse ishte e vështirë për të që të besonte se Jezusi ishte ringjallur?

Koncepti i ringjalljes ishte i vështirë për shumicën ose të gjithë dishepujt për t’u kuptuar gjatë jetës së Jezusit në vdekshmëri. Si dishepujt e tjerë, Thomai nuk mund ta kuptonte ende se çfarë ishte ringjallja dhe ai kërkoi një dëshmi fizike.

Lexoni Gjonin 20:26–29, duke kërkuar atë që Thomai e përjetoi tetë ditë më vonë.

Vini re që Jezusi e ftoi Thomain të “mos [ishte] mosbesues, por besues” (Gjoni 20:27). Nga përvoja e Thomait mësojmë që ne do të bekohemi nëse zgjedhim të besojmë në Jezu Krishtin edhe kur nuk mund ta shohim Atë.

Plaku Gerit W. Gong, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësimin:

Pamja
Plaku Gerit W. Gong

“Bindja është një zgjedhje. …

Kur zgjedhim të besojmë, ne i kuptojmë dhe shohim gjërat në një mënyrë të ndryshme. Kur shohim dhe jetojmë në atë mënyrë, ne jemi të lumtur dhe të gëzuar në një mënyrë që vetëm ungjilli mund ta sjellë” (“Choose Goodness and Joy”, New Era, gusht 2011, f. 44).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse zgjidhni të besoni në Jezu Krishtin edhe nëse nuk e keni parë Atë me sytë tuaj të vdekshëm?

    2. Çfarë mund të bëjmë për të treguar se kemi zgjedhur të besojmë në Jezu Krishtin?

    3. Si jeni bekuar ju nga zgjedhja për të besuar në Jezu Krishtin?

Lexoni Gjonin 20:30–31, duke kërkuar arsyen përse Gjoni i shënoi këto ngjarje.

Nga këto vargje ne mund të mësojmë të vërtetat vijuese: Apostujt dhe profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin që ne të mund të besojmë se Ai është Biri i Perëndisë. Nëpërmjet zgjedhjes që të besojmë në dëshminë për Jezu Krishtin, të dhënë nga apostujt dhe profetët dhe më pas të jetuarit të vërtetë ndaj asaj dëshmie, ne mund të marrim jetë të përjetshme.

  1. Shkruani të paktën dy paragrafë duke iu përgjigjur pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Nga gjithçka që u shkrua në Ungjijtë sipas Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit, cila histori, ngjarje ose cili mësim nga shërbesa e vdekshme e Shpëtimtarit, ju ka ndihmuar të besoni se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë? Përse? Përgatituni që t’i tregoni klasës tuaj për atë që shkruat.

Gjoni 21:1–17

Zoti i ringjallur u shfaqet disa prej dishepujve të Tij në detin e Tiberiadës

Gjoni 21:1–17 shënon se Zoti i ringjallur iu shfaq sërish disa prej dishepujve të Tij teksa po peshkonin. Kur e panë Jezusin, ata me të shpejtë u kthyen në breg dhe hëngrën peshq e bukë me Të. Gjatë atij vakti Jezusi e ftoi Pjetrin ta tregonte dashurinë e tij për Të duke e lënë jetën e tij si peshkatar dhe duke u shërbyer njerëzve të Zotit.

Gjoni 21:18–25

Jezusi paratregon martirizimin e Pjetrit dhe përndryshimin e Gjonit

Te Gjoni 21:18–19 ne lexojmë se Jezusi profetizoi që, kur Pjetri të bëhej plak, ai do t’i “shtri[nte] duart [e tij]” (Gjoni 21:18) dhe do të çohej atje ku ai nuk donte të shkonte. Besohet si traditë që Pjetri vdiq me anë të kryqëzimit. Megjithatë, thuhet që Pjetri kërkoi të kryqëzohej me kokën poshtë, sepse ai me përulësi e konsideronte vetveten të padenjë që të vdiste në të njëjtën mënyrë sikurse Shpëtimtari (shih Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:151–152).

Pasi dëgjoi rreth kësaj profecie, Pjetri pyeti se çfarë do t’i ndodhte Apostullit Gjon ose Gjon të Dashurit (shih Gjoni 21:20–21). Lexoni Gjonin 21:22–23, duke kërkuar se si Shpëtimtari iu përgjigj Pjetrit.

Fjala mbetetvargun 22 do të thotë që të qëndrojë i gjallë në tokë. Si rrjedhim, Gjoni do të mbetej në tokë si një qenie e përndryshuar deri në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Qenie të përndryshuara janë “persona që ndryshohen që të mos provojnë dhembje ose vdekje, deri në ringjalljen e tyre në pavdekësi” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Qenie të Ngritura në Qiell”, scriptures.lds.org).

Sipas Gjonit 21:22, te çfarë gjëje donte Jezusi që të përqendrohej Pjetri në vend që ta shqetësonte vetveten me atë që do t’i ndodhte Gjonit?

Lexoni Gjonin 21:24–25, duke kërkuar atë që Gjoni donte që ta dinte çdo njeri ndërkohë që ai e përfundoi analin e tij.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 20–21 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër