Biblioteka
Njësia 10, Dita 1: Lluka 5


Njësia 10: Dita 1

Lluka 5

Hyrje

Pjetri, Jakobi dhe Gjoni ishin peshkatarë, por pas kapjes në mënyrë të mrekullueshme të një sasie të madhe peshqish me ndihmën e Shpëtimtarit, ata braktisën gjithçka për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për t’u bërë peshkatarë njerëzish. Jezusi shëron një lebros dhe një burrë të paralizuar. Ai e thirri Mateun që të ishte një dishepull dhe dha mësim se Ai erdhi për t’i thirrur mëkatarët në pendim. Jezusi dha gjithashtu mësim shëmbëlltyrën e hedhjes së verës së re në kacekë të vjetër.

Lluka 5:1–11

Pjetri, Jakobi dhe Gjoni thirren nga Zoti për t’u bërë peshkatarë njerëzish

Përsiatni pyetjet vijuese: Kur ju është kërkuar të bëni diçka pa i kuptuar të gjitha arsyet për bërjen e saj? Përse mund të jetë e vështirë të ndjekësh udhëzime kur nuk i kupton arsyet për to?

Përse disa të rinj mund ta gjejnë të vështirë që t’i binden këshillave të udhëheqësve Kishës apo urdhërimeve të Zotit, nëse ata nuk i kuptojnë plotësisht arsyet për to?

Pamja
Jezusi duke u bërë thirrje peshkatarëve

Ndërsa studioni Llukën 5:1–11, kërkoni parime që mund t’ju ndihmojnë kur ju nuk e kuptoni plotësisht arsyen përse duhet t’i ndiqni këshillat e udhëheqësve të Kishës apo një urdhërim të Zotit.

Lexoni Llukën 5:1–5, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i kërkoi Pjetrit (i cili këtu quhet Simon; shih Llukën 5:8) të bënte, pasi Ai të mbaronte së predikuari. “Liqeni [i] Gjenezaretit” (Lluka 5:1) është deti i Galilesë dhe fraza “shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja” në vargun 4, ka të bëjë me hedhjen e rrjetave të tyre për të zënë peshq. Merrni parasysh që në vargun 5, të theksoni mënyrën se si iu përgjigj Pjetri kërkesës së Shpëtimtarit.

Çfarë mund të ketë menduar Pjetri, në varësi të përvojës së tij në peshkim, kur Shpëtimtari i tha që t’i hidhte rrjetat sërish?

Lexoni Llukën 5:6–9, duke kërkuar se çfarë ndodhi kur Pjetri bëri atë që Zoti i kërkoi. Merrni parasysh të shenjoni fjalë dhe fraza që tregojnë përse ne duhet ta bëjmë atë që Shpëtimtari kërkon prej nesh, edhe kur nuk e kuptojmë arsyen.

Një parim që mund të mësojmë nga ky rrëfim është se, nëse e bëjmë atë që Zoti na kërkon edhe kur nuk e kuptojmë arsyen, Ai mund të na japë bekime më të mëdha nga sa mund të presim. Merreni parasysh ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta pranë Llukës 5:3–9.

Në çfarë mënyrash të jetuarit e këtij parimi kërkon prej nesh që t’i mirëbesojmë Jezu Krishtit?

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Kjo jetë është një përvojë e një mirëbesimi të thellë – mirëbesim në Jezu Krishtin, mirëbesim në mësimet e Tij, mirëbesim në aftësinë tonë, ashtu siç udhëhiqemi nga Shpirti i Shenjtë, për t’iu bindur atyre mësimeve për të qenë të lumtur tani dhe për një ekzistencë të përjetshme plot qëllim dhe shumë të lumtur. Të mirëbesosh do të thotë të bindesh me dëshirë, pa e ditur fundin që nga fillimi (shih Fjalët e Urta 3:5–7). Që të jepni fryt, mirëbesimi juaj te Zoti duhet të jetë më i fuqishëm dhe i durueshëm sesa besimi juaj te ndjenjat dhe përvojat tuaja vetjake.

Të ushtrosh besim do të thotë të mirëbesosh se Zoti e di atë që po bën me ju dhe se Ai mund ta përmbushë atë për të mirën tuaj të përjetshme, edhe pse ju nuk mund ta kuptoni mënyrën se si Ai mund ta bëjë atë” (“Trust in the Lord”, Ensign, nëntor 1995, f. 17).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund ta zhvilloni atë lloj mirëbesimi te Jezu Krishti që përshkroi Plaku Skot?

    2. Në ç’mënyrë ju apo familja juaj ka marrë bekime më të mëdha nga ato që prisnit, ngaqë i keni ndjekur udhëzimet e Zotit edhe kur nuk i kuptonit plotësisht arsyet?

Në një fletë letre, shkruani ato këshilla ose urdhërime nga Zoti që ju mund t’i ndiqni më besnikërisht, edhe pse nuk i kuptoni plotësisht arsyet për ta bërë këtë. (Nëse keni të drejtë përdorimi të broshurës Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], ju mund të kërkoni atje për ide.) Vendoseni fletën në një vend që do t’ju ndihmojë të kujtoni synimin tuaj për të bërë atë që Zoti kërkon.

Te Lluka 5:10–11 ne lexojmë se Pjetri, Jakobi dhe Gjoni i lanë barkat e tyre të peshkimit për të ndjekur Jezusin.

Lluka 5:12–26

Jezusi shëron një njeri me lebër dhe një njeri të paralizuar

Pamja
fasha, larja e duarve me sapun, duar që mbajnë një shiringë

Cilat janë disa nga sendet që mund të përdoren për të ndihmuar apo shëruar një person me një sëmundje apo plagë?

Përveç një sëmundjeje apo dëmtimi fizik, nga çfarë tjetër mund të ketë nevojë dikush që të shërohet?

Ndërsa studioni Llukën 5:12–25, kërkoni parimet që ju mësojnë se çfarë mund të bëni për ta ndihmuar veten tuaj dhe të tjerët që të merrni shërimin e nevojshëm.

  1. Te Lluka 5:12–25 ne lexojmë rreth faktit që Shpëtimtari shëroi dy burra. Njëri prej burrave kishte lebër dhe burri tjetër ishte i paralizuar, që do të thotë se nuk mund të ecte. Lexoni Llukën 5:12–15 dhe Llukën 5:17–25, dhe krahasojini të dyja rrëfimet. Në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta, krijoni një tabelë si ajo që është më poshtë dhe shënoni se si janë të ngjashme të dy shërimet dhe se si janë të ndryshme.

Ngjashmëritë

Ndryshimet

Përsiatni mbi rolin që luajti besimi në çdo rrëfim. Merrni parasysh të shenjoni frazën “duke parë besimin e tyre” te Lluka 5:20. Shpëtimtari e dalloi besimin e atyre që e sollën burrin e paralizuar tek Ai.

Përkthimi prej Joseph Smith-it na ndihmon që ta kuptojmë më mirë pyetjen që bëri Jezusi te Lluka 5:23: “A kërkon më tepër fuqi të falësh mëkate apo ta bësh të sëmurin të ngrihet dhe të ecë?” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Lluka 5:23 [te Lluka 5:23, shënimi a në fund të faqes]). Duke bërë këtë pyetje, Jezu Krishti po jepte mësim se Ai kishte fuqi që të shëronte si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht.

Çfarë mund të mësoni nga këto rrëfime rreth mënyrës se si mund të shërohemi dhe çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar të tjerët të shërohen?

Nga këto rrëfime ne mund të mësojmë se, kur ushtrojmë besim dhe vijmë te Shpëtimtari, Ai mund të na shërojë dhe se ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të vijnë te Shpëtimtari, që ata të mund të shërohen. Merrni parasysh t’i shkruani këto parime në shkrimet tuaja të shenjta pranë Llukës 5:12–25.

Shërimi mund të mos nënkuptojë domosdoshmërisht se Shpëtimtari do t’i largojë dobësitë prej nesh. Shërimi mund të nënkuptojë gjithashtu se Ai do të na japë guximin, besimin, ngushëllimin dhe paqen që na nevojiten për t’i duruar ose për t’i mposhtur dobësitë tona.

Merrni parasysh këshillën vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Drejtësia dhe besimi sigurisht janë mjete për të lëvizur male – nëse lëvizja e maleve përmbush qëllimet e Perëndisë dhe është në pajtim me vullnetin e Tij. Drejtësia dhe besimi sigurisht janë mjete për të shëruar të sëmurët, të shurdhët ose të çalët – nëse ky shërim i përmbush qëllimet e Perëndisë dhe është në pajtim me vullnetin e Tij. Pra, edhe me besim të fortë, shumë male nuk do të zhvendosen. Dhe jo të gjithë të sëmurët dhe të dobëtit do të shërohen. Nëse i gjithë kundërshtimi do të ndërpritej, nëse të gjitha dobësitë do të zhdukeshin, atëherë do të pengoheshin qëllimet fillestare të planit të Atit.

Shumë prej mësimeve që do të na duhet t’i mësojmë në vdekshmëri, mund të merren vetëm nëpërmjet gjërave që përjetojmë dhe ndonjëherë i vuajmë. Dhe Perëndia pret dhe ka mirëbesim se ne do t’i bëjmë ballë mjerimit të përkohshëm në vdekshmëri me ndihmën e Tij, që të mund të mësojmë atë që duhet të mësojmë dhe në fund të bëhemi çfarë duhet të bëhemi në përjetësi” (“Që Të ‘Mos … Mpakem[i]’ [DeB 19:18]” [Takim shpirtëror i SAK-ut për të rinjtë në moshë madhore, 3 mars 2013], lds.org/broadcasts).

  1. Merrni parasysh dobësitë nga të cilat njerëzit kanë nevojë të shërohen. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjjuni njërës ose më shumë pyetjeve vijuese:

    1. Çfarë mund të bëni që të ndihmoni për t’i sjellë njerëzit te Shpëtimtari, që të marrin fuqinë e Tij shëruese?

    2. Në çfarë rasti, ju apo dikush që ju njihni është shëruar nëpërmjet ushtrimit të besimit te Shpëtimtari?

    3. Kur e keni parë një njeri të sjellë dikë tjetër te Zoti për të marrë fuqinë shëruese të Shpëtimtarit?

Përsiatni atë që mund të bëni për të ushtruar besim më të madh te Jezu Krishti, që të shëroheni, faleni apo ngushëlloheni. Gjithashtu merrni parasysh mënyrat se si ju mund të sillni një mik apo dikë tjetër te Shpëtimtari.

Lluka 5:27–35

Skribët dhe farisenjtë pyesin përse Jezusi ha me tagrambledhësit dhe mëkatarët

Lexoni Llukën 5:27–28 dhe kërkoni ftesën e Shpëtimtarit për Mateun (i cili këtu quhet Levi; shih Mateun 9:9).

Çfarë ju bën përshtypje rreth mënyrës se si Mateu iu përgjigj ftesës së Shpëtimtarit?

Mateu ishte një tagrambledhës, që do të thotë se ai mblidhte taksa nga bashkatdhetarët e tij hebrenj për qeverinë romake. Judenjtë përgjithësisht i urrenin tagrambledhësit dhe i shikonin ata si të dëbuar dhe mëkatarë. Te Lluka 5:29–35, ne lexojmë se ndërsa Jezusi po hante me Mateun dhe të tjerët, skribët dhe farisenjtë e qortuan Atë që hante me mëkatarët. Jezusi dha mësim se Ai erdhi për t’i thirrur mëkatarët në pendim.

Merrni parasysh se si do t’i trajtonte Shpëtimtari ata [njerëz] në shkollën tuaj sot, të cilët janë të vetmuar dhe ndihen të përjashtuar. Përsiatni se si ju, ashtu siç bëri Jezusi, mund t’i përfshini ata që janë të vetmuar dhe ndihen të përjashtuar, ose që konsiderohen më pak të njohur, pa i rrezikuar standardet tuaja.

Lluka 5:36–39

Jezusi jep shëmbëlltyrën e verës së re në kacekë të vjetër

Shpëtimtari përdori një shëmbëlltyrë për t’u dhënë mësim skribëve dhe farisenjve. Lexoni Llukën 5:36–39, duke kërkuar objektet që përdori Shpëtimtari për të dhënë mësim shëmbëlltyrën e Tij. Merrni parasysh që t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta.

Përfytyroni një vrimë ose një të çarë në një copë të vjetër rrobe që arnohet me një copë të re rrobe. Stili i rrobës së re mund të mos përputhet me atë të rrobës së vjetër, ose copa e rrobës së re mund të zvogëlohet kur lahet dhe e bën vrimën ose të çarën më keq se më parë. Në mënyrë të ngjashme, ungjilli i Jezu Krishtit nuk ishte thjesht një arnim i bindjeve dhe praktikave të vjetra, por një rivendosje e plotë e së vërtetës.

Lluka 5:37, shënimi a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht] shpjegon se fjala kacekë atje, nënkupton “torba prej lëkure ose calikë”. Lëkura e re është e butë dhe elastike, ndërsa lëkura e vjetër mund të bëhet e fortë dhe e thyeshme.

Pamja
calik vere

Calik Vere

Ndërsa vera e re fermentohej, brenda krijoheshin gazra dhe e tendosnin lëkurën. Kjo tendosje do të bënte që kacekët e vjetër dhe të thyeshëm të pëlcisnin. Në shëmbëlltyrë, vera e re përfaqëson mësimet e Shpëtimtarit dhe ungjillin, dhe vera e vjetër përfaqëson praktikat, zakonet dhe bindjet e farisenjve sipas ligjit të Moisiut.

Në ç’mënyrë “kacekë[t e] vjetër” përfaqësojnë skribët dhe farisenjtë të cilëve Jezusi po u jepte mësim?

Merrni parasysh se si “kacekë[t e] rinj” mund të përfaqësonin ata njerëz, të cilët ishin të përulur dhe të gatshëm që të ndryshonin, për ta pranuar Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij. Një parim që ne mund të mësojmë nga shëmbëlltyra e Shpëtimtarit është se, për ta pranuar Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij, ne duhet të jemi të përulur dhe të gatshëm që të ndryshojmë.

  1. Për t’ju ndihmuar që ta kuptoni më mirë këtë parim, rishikoni Llukën 5. Kërkoni shembuj nga llojet e mëposhtme të njerëzve dhe shkruajeni atë që gjeni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Individë që ishin të ngurtë dhe kokëfortë në qëndrimin e tyre ndaj Shpëtimtarit dhe mësimeve të Tij.

    2. Individë që ishin të përulur dhe të gatshëm të ndryshonin dhe të rriteshin shpirtërisht teksa ndiqnin Shpëtimtarin.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Llukën 5 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër