Biblioteka
Njësia 10, Dita 2: Lluka 6:1–7:18


Njësia 10: Dita 2

Lluka 6:1–7:18

Hyrje

Jezusi dha mësim për rëndësinë e të bërit mirë ndaj të tjerëve, përfshirë edhe në Shabat. Pasi kaloi një natë duke u lutur, Ai thirri Dymbëdhjetë Apostujt dhe pastaj i dha mësim atyre dhe një turme njerëzish. Ai gjithashtu shëroi shërbëtorin e një centurioni dhe ngriti nga vdekja të birin e një të veje.

Lluka 6

Jezusi shëron në Shabat, zgjedh Dymbëdhjetë Apostujt dhe i jep mësim turmës

Përfytyroni sikur në mbledhjet e Kishës të dielën ju dëgjoni një lajmërim rreth një projekt shërbimi për një familje që jeton pranë jush. Pasi bëhet lajmërimi, ju dëgjoni padashur përgjigjet vijuese:

  • “Ajo familje ka kaluar shumë vështirësi së fundmi. Jam i lumtur që të ndihmoj në çfarëdo mënyre që mundem.”

  • “Do të ishte mirë që më pas të kishte pije freskuese, sepse nëse nuk ka, nuk do të shkoj.”

  • “Në fakt nuk dua të shkoj, por do të më duhet ndihmë javës që vjen me një projekt që po organizoj, kështu që ndoshta duhet të ndihmoj tani.”

  • “Nëse shoku/shoqja ime shkon, do të shkoj edhe unë.”

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që sugjerojnë përgjigjet e mësipërme rreth arsyeve përse njerëzit shërbejnë.

Mendoni rreth mundësive që keni pasur për të shërbyer dhe mënyrës se si jeni ndier rreth shërbimit. Teksa studioni Llukën 6–7, kërkoni parimet që mund t’ju ndihmojnë të jepni shërbim në mënyra më kuptimplota.

Ndërsa Jezusi ishte në Galile në fillim të shërbesës së Tij, Ai shëroi dorën e tharë të një burri në ditën e Shabatit, (shih Lluka 6:6–10), kaloi një natë në lutje dhe thirri Dymbëdhjetë Apostujt (shih Lluka 6:12–13). Më pas Ai filloi t’u mësonte atyre dhe “një num[ri] të madh njerëzish” (Lluka 6:17) se si të merrnin shpërblime qiellore. Kjo ligjëratë te Lluka 6 shpesh përmendet si Ligjërata në Rrëzë të Malit dhe është shumë e ngjashme me Predikimin në Mal te Mateu 5–7. “Ka pikëpamje të ndryshme lidhur me faktin nëse Predikimi në Mal i shënuar nga Mateu dhe Ligjërata në Rrëzë të Malit e shënuar nga Lluka ishin ngjarje të njëjta apo të ndryshme. Sidoqoftë, vendosja kronologjike dhe konteksti i analit të Llukës duket se tregojnë që te Lluka 6 dhe Mateu 5–7 po shkruhet e njëjta ligjëratë” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 152–153); shih edhe Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Sermon on the Mount” [“Ligjërata në Mal”]; Harmonia e Ugjijve). (Shënim: Shumica e përmbajtjes te Lluka 6 u trajtua kur ju studiuat Mateun 5–7; 10:1–4; dhe Markun 3:1–6.)

Lexoni Llukën 6:19, duke kërkuar atë që bëri Jezusi për njerëzit, përpara se të fillonte t’u jepte mësim atyre.

Pas kësaj, lexoni Llukën 6:31, duke kërkuar këshillën e Jezusit për dishepujt e Tij.

Në ç’mënyrë të kujtuarit se ne duhet t’i trajtojmë të tjerët ashtu si do të duam që të trajtohemi, mund të ndikojë në mënyrën se si ju i trajtoni njerëzit?

Lexoni Llukën 6:32–35, duke kërkuar këshillat shtesë që Jezusi u dha dishepujve të Tij rreth dashurisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Ju mund të doni të shenjoni te vargu 35, atë që duhet të presim në këmbim kur bëjmë mirë ndaj të tjerëve. Vini re atë që premton Zoti ndaj atyre që bëjnë mirë për të tjerët, pa pritur ndonjë gjë në këmbim.

Një parim që mësojmë nga këto vargje është se, nëse bëjmë gjëra të mira ndaj të tjerëve pa pritur ndonjë gjë në këmbim, shpërblimi ynë do të jetë i madh dhe ne do të jemi bijtë e Shumë të Lartit.

Vini re frazën “ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit” (vargu 35). Megjithëse ne jemi të gjithë bij të Perëndisë, ata që bëjnë mirë ndaj të tjerëve ashtu siç bëri Krishti, e përmbushin potencialin e tyre hyjnor duke u bërë si Ati ynë në Qiell. Mendoni se si shërbimi ndaj të tjerëve pa pritur ndonjë gjë në këmbim, mund ta ndihmojë një person të jetë më shumë si Krishti.

Lexoni Llukën 6:36–38, duke kërkuar shembujt që dha Jezusi për mënyrat se si ne mund t’u bëjmë mirë të tjerëve. Vini re që Jezusi premtoi se njerëzit që tregojnë mëshirë ndaj të tjerëve, që shmangen nga gjykimi i të tjerëve padrejtësisht dhe që falin bujarisht, do të marrin mëshirën e Perëndisë.

A jeni orvatur ndonjëherë të vendosni më shumë gjëra në një kuti ose valixhe se sa mund të nxinte? Te Lluka 6:38, përshkrimi i mënyrës se sa shumë do të na jepet në këmbim për të mirën që bëjmë, përfshin frazat “një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji”. Si e përshkruajnë këto fraza mënyrën me të cilën na shpërblen Ati Qiellor kur ne u japim të tjerëve?

Një e vërtetë që mësojmë nga Lluka 6:38 është se, kur ne u japim të tjerëve me bujari, Ati Qiellor na bekon më bujarisht. Merrni parasysh ta shkruani këtë parim pranë vargut 38.

  1. Mendoni për disa mënyra se si ne mund të jemi më bujarë kur u japim të tjerëve. Më pas përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur ju ose dikush që ju njihni u keni dhënë bujarisht të tjerëve?

    2. Si jeni bekuar nga Zoti ju apo dikush që ju njihni, ngaqë dhatë me bujari?

    3. Çfarë do të bëni ju që të jeni më bujarë ndaj të tjerëve?

Një mënyrë që ju mund ta konsideroni për të qenë më bujarë ndaj të tjerëve është duke respektuar ligjin e agjërimit, duke dhuruar një ofertë agjërimi kur agjëroni. Prindërit tuaj mund të japin tashmë një ofertë agjërimi për familjen tuaj, por nëse mundeni, edhe ju mund të ndihmoni. Ndërsa kërkoni të jeni më bujarë ndaj të tjerëve, lutuni për ndihmën e Zotit që të shërbeni ashtu siç do të bënte Ai.

Lluka 7:1–10

Jezusi shëron shërbëtorin e centurionit

Te Lluka 7:1, ne mësojmë se pasi i dha turmës mësim, Jezusi hyri në Kapernaum. Lexoni Llukën 7:2–5, për të parë se kush e kërkoi ndihmën e Zotit pasi dëgjoi se Ai kishte hyrë në qytet.

Pamja
rrënoja të një ndërtese të lashtë

Rrënojat e një sinagoge në Kapernaum që datojnë që nga shekulli i katërt ose i pestë ps. K.

Një centurion ishte një drejtues në ushtrinë romake, i cili komandonte një kompani prej 50 deri 100 ushtarësh. Judenjtë në përgjithësi nuk i pëlqenin centurionët, ngaqë ata përfaqësonin fuqinë politike dhe ushtarake romake mbi ta dhe tokën e tyre. Megjithatë, ky centurion kishte qenë dashamirës ndaj judenjve.

Lexoni Llukën 7:6–10, dhe përsiatni se si centurioni tregoi besim të madh te Jezu Krishti dhe se si u shpërblye besimi i tij.

Nga ky rrëfim ne mësojmë se, duke ushtruar besim te Jezu Krishti, ne mund të ndihmojmë për të sjellë bekime në jetën e të tjerëve. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim pranë Llukës 7:10.

Lluka 7:11–18

Jezusi ngre nga vdekja të birin e një të veje

Ditën pasi Shpëtimtari shëroi shërbëtorin e centurionit, Ai kreu një mrekulli tjetër. Lexoni Llukën 7:11–12, duke kërkuar atë që ndeshën Jezusi dhe dishepujt e Tij ndërsa iu afruan një qyteti të quajtur Nain.

Pamja
Jezusi me një burrë të mbështjellë me rroba të bardha

Sipas vargut 12, përse vdekja e këtij të riu qe veçanërisht tragjike për këtë grua?

Kjo grua jo vetëm që kishte humbur birin e saj të vetëm, por kishte humbur më parë edhe bashkëshortin e saj. Përveç pikëllimit të madh që mund të ketë ndier, ajo mund të mos ketë pasur askënd që ta mbështeste financiarisht.

Lexoni Llukën 7:13–15, për të parë atë që bëri Shpëtimtari kur e pa këtë grua duke vajtuar. Një qivur ishte mbështetësja apo mbajtësja në të cilën vendosej trupi.

Sipas vargut 13, përse Jezusi e shëroi të birin e kësaj gruaje? Vëreni që e veja nuk i kërkoi Atij ta shëronte të birin e saj, por Ai e pa nevojën e saj dhe pastaj ndihmoi për ta plotësuar atë. Është e rëndësishme të kuptojmë se ky burrë nuk u ringjall; një ditë ai do të vdiste sërish. Jezu Krishti ishte njeriu i parë që u ringjall.

Nëse është në dispozicion, shikoni videon “The Widow of Nain” [“E Veja e Nainit”] (2:22) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit], që gjendet në LDS.org, duke kërkuar për mënyrën se si Shpëtimtari i shërbeu gruas edhe pse ajo nuk e kërkoi ndihmën e Tij.

Mendoni për ndjenjat që mund të kishit pasur nëse do të kishit qenë në situatën e kësaj të veje dhe do ta kishit parë Shpëtimtarin të ngrinte prej të vdekurve birin tuaj të vetëm.

Nga ky rrëfim ne mësojmë parimin vijues: Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit duke treguar dhembshuri për të tjerët dhe duke u shërbyer nevojave të tyre të pashprehura.

Si mund t’i dallojmë nevojat e të tjerëve kur ata nuk na i kanë treguar ato?

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Pak rrëfime të shërbesës së Mësuesit më prekin më shumë se sa shembulli i Tij i dhembshurisë së treguar ndaj të vesë që vajtonte në Nain. …

Çfarë fuqie, çfarë butësie, çfarë dhembshurie që tregoi Mësuesi ynë! Edhe ne mund ta bekojmë jetën e të tjerëve nëse do të ndjekim shembullin e Tij fisnik. Mundësitë janë kudo. Janë të nevojshme sytë për të parë gjendjen fatkeqe dhe veshët për të dëgjuar përgjërimet e heshtura të një zemre të thyer. Po, dhe një shpirt i mbushur me dhembshuri, që ne të mund të komunikojmë jo vetëm sy më sy apo vesh më vesh, por në stilin madhështor të Shpëtimtarit, madje zemër me zemër” (“Meeting Life’s Challenges”, Ensign, nëntor 1993, f. 71).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Kur keni marrë ju apo familja juaj dhembshuri apo shërbim nga të tjerët, madje edhe kur nuk e kërkuat atë?

Lexoni Llukën 7:16–18, për të parë mënyrën se si reaguan njerëzit ndaj mrekullisë së ringjalljes të birit të së vesë.

Një nga arsyet që njerëzit mund të kenë shpallur se “midis nesh doli një profet i madh” (Lluka 7:16), është për shkak të ngjashmërive midis shërimit të birit të së vesë së Nainit dhe rasteve kur profetët Elia dhe Eliseu të Dhiatës së Vjetër kishin ngritur bij nga të vdekurit (shih 1 Mbretërve 17:17–24; 2 Mbretërve 4:17–22, 32–37).

Në lutjet tuaja vetjake për këtë javë, kërkojini Atit Qiellor që t’ju ndihmojë të shihni dhe të veproni mbi nxitjet që merrni për të plotësuar nevojat e pashprehura të të tjerëve. Gjithashtu, merrni parasysh mënyrat se si mund të shërbeni me bujari dhe pa pritur asgjë në këmbim.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Llukën 6:1–7:18 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër