Biblioteka
Njësia 10, Dita 3: Lluka 7:18–50


Njësia 10: Dita 3

Lluka 7:18–50

Hyrje

Jezusi lëvdoi Gjon Pagëzorin dhe dëshmoi se Gjoni përgatiti udhën për shërbesën e Tij. Ndërsa Jezusi po hante me një farise, një grua e penduar tregoi besimin e saj te Jezusi dhe dashurinë e saj për Të.

Lluka 7:18–35

Jezusi e lëvdon Gjon Pagëzorin dhe dëshmon për misionin e Gjonit

Çfarë kujtoni rreth Gjon Pagëzorit?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, aq sa mbani mend, renditni sa më shumë fakte që të mundeni rreth Gjon Pagëzorit.

Përfytyroni një kallam (një fije të gjatë bari) dhe dikë të veshur me një rrobë të shtrenjtë e që jeton në një pallat. Ndërsa mendoni për këto gjëra, lexoni Llukën 7:24–26, duke kërkuar atë që Jezusi dha mësim rreth Gjon Pagëzorit.

Në ç’mënyrë ishte i ndryshëm Gjon Pagëzori nga një kallam apo dikush që jetonte në luks?

Ndryshe nga një kallam, që tundet ose e merr era, Gjon Pagëzori ishte i vendosur dhe i palëkundur në dëshminë e tij dhe në kryerjen e misionit të tij. Ai jetonte në shkretëtirë dhe vishte rroba të bëra prej leshi deveje, të cilat ishin shumë të ashpra. Në vend që të kërkonte rehati tokësore, Gjoni kërkoi të bënte vullnetin e Perëndisë.

Pamja
Gjon Pagëzori duke dhënë mësim

Jezusi shpalli se Gjon Pagëzori ishte “akoma më shumë se një profet” (Lluka 7:26). Lexoni Llukën 7:27–28, duke kërkuar arsyen përse Gjon Pagëzori ishte i veçantë midis profetëve.

Kur Jezusi tha: “Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje” (Lluka 7:27), Ai po citonte një profeci të shkruar qindra vite më parë, që fliste për një “lajmëtar” i cili do të “përgati[ste] rrugën para [Mesias]” (Malakia 3:1). Nga këto vargje ne mësojmë se Gjon Pagëzori ishte profeti i parashuguruar që të përgatiste udhën për Birin e Perëndisë dhe ta pagëzonte Atë.

Si e përgatiti udhën Gjon Pagëzori për ardhjen e Jezu Krishtit?

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith tha sa vijon lidhur me Llukën 7:28: “Jezusin e konsideronin sikur të kishte pretendimin më të vogël për mbretërinë e Perëndisë dhe, [me sa duket], kishte të drejtën më të pakët ndaj besueshmërisë [gatishmërisë së tyre për ta besuar] si profet; pra, sikur të kishte thënë – ‘Ai që konsiderohet më i vogli midis jush, është më i madh se Gjoni – domethënë, vetë Unë’” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 86).

Te Lluka 7:29–35, ne lexojmë se shumë njerëz i besuan mësimet e Jezusit, por farisenjtë dhe doktorët e ligjit që ishin të pranishëm nuk i pranuan mësimet e Tij. Jezusi shpjegoi se ata nuk e pranonin të vërtetën, pavarësisht nëse ua mësonte Ai apo Gjon Pagëzori.

Lluka 7:36–50

Ndërsa Jezusi po hante darkë me Simon fariseun, një grua i lan këmbët e Jezusit me lotët e saj

A e keni pyetur ndonjëherë veten nëse ju mund të faleni për mëkatet tuaja?

Ndërsa studioni pjesën tjetër të Llukës 7, kërkoni të vërtetat që mund t’ju ndihmojnë kur ju e pyesni veten tuaj nëse mund të faleni.

Te Lluka 7:36, ne lexojmë se një farise, i quajtur Simon, e ftoi Jezusin në një gosti në shtëpinë e tij. Në gosti të këtij lloji, miqtë do të uleshin ose do të mbështeteshin në jastëkë përreth një tavoline të ulët, me këmbët e tyre të shtrira larg tryezës. Të varfrit lejoheshin që të mblidhnin ushqimin e mbetur nga banketet, pra, nuk ishte e pazakontë për njerëzit e paftuar që të hynin në shtëpi gjatë një gostie (shih James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 261).

Lexoni Llukën 7:37–39, për të parë se kush hyri në këtë gosti të veçantë pa ftesë.

Vëreni se gruaja e tregoi dashurinë e saj për Shpëtimtarin duke i larë, duke i puthur dhe duke i vajosur këmbët e Tij. Një “enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm” (Lluka 7:37) ishte një shishe e mbushur me vaj aromatik të kushtueshëm.

Sipas Llukës 7:39, çfarë mendoi Simoni kur pa atë që po bënte gruaja?

Duke i kuptuar mendimet e Simonit, Jezusi dha mësim një shëmbëlltyrë rreth dy huamarrësve dhe një huadhënësi. Një huadhënës është dikush që jep para borxh; një huamarrës është një njeri që merr para borxh. Huamarrësi bie dakord që ta shlyejë huadhënësin ose të shkojë në burg.

Lexoni Llukën 7:40–43 dhe shqyrtoni se cilin individ mund të përfaqësojë shëmbëlltyra.

  1. Kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Plotësojini vendet bosh me Simon fariseun, gruan, dhe Jezusin, sipas asaj që mund të përfaqësojë çdo individ në shëmbëlltyrë. (Në kolonat “Huamarrësi” lini hapësirë bosh që të shkruani më shumë informacione për detyrën e radhës.)

Huadhënësi =

Huamarrësi që ka borxh 50 denarë =

Huamarrësi që ka borxh 500 denarë =

Pamja
Plaku Xhejms E. Talmixh

Plaku Xhejms E. Tallmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth mikpritjes që i zoti i shtëpisë do të tregonte zakonisht për miqtë e tij në kohën e Jezusit: “Ishte zakoni i kohës që ta trajtoje një mik të shquar me një vëmendje të veçantë; ta prisje me një puthje përshëndetëse, t’i jepje ujë që të lante pluhurin nga këmbët e tij dhe vaj që të vajoste flokët e kokës dhe mjekrën” (Jesus the Christ, f. 261).

Lexoni Llukën 7:44–46, për të parë dallimet ndërmjet mënyrës se si e mirëpriti Simoni Jezusin në gostinë e tij dhe mënyrës se si e trajtoi gruaja Jezusin.

  1. Në tabelën në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni në kolonat e duhura disa nga dallimet ndërmjet mënyrës se si e trajtoi Simoni Jezusin dhe mënyrës se si e trajtoi gruaja Atë.

Duke e krahasuar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë Simonin me humamarrësin që ka borxh 50 denarë, Jezusi po sugjeronte që edhe Simoni kishte nevojë të falej për mëkatet e tij.

Lexoni Llukën 7:47–50, për të parë se çfarë e bëri të mundur që kjo grua të merrte falje. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, komentoi mbi besimin e kësaj gruaje: “Në fakt Jezusi po thotë: ‘Mëkatet e saj ishin të shumta, por ajo besoi tek unë, u pendua për mëkatet e saj, u pagëzua nga dishepujt e mi dhe mëkatet e saj u lanë në ujërat e pagëzimit. Tani, ajo më ka kërkuar për të treguar mirënjohjen e pakufishme të një njeriu që ishte i pisët, por që tani është i pastër. Mirënjohja e saj nuk njeh kufij dhe dashuria e saj është e pamasë, sepse asaj iu fal shumë’” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:265.)

Sa vijon janë disa parime që ne mund të mësojmë nga ky rrëfim: Kur e ushtrojmë besimin tonë duke treguar dashurinë dhe përkushtimin tonë ndaj Zotit, ne mund ta përjetojmë faljen e Tij, dhe kur e marrim faljen e Zotit, ne mbushemi me dëshirën për ta dashur dhe për t’i shërbyer Atij edhe më shumë.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për dashurinë dhe faljen që është në dispozicion për të gjithë ne:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Ka shumë shkallë të denjësisë dhe drejtësisë vetjake. Prapëseprapë, pendimi është një bekim për të gjithë ne. Secili prej nesh ka nevojë të ndiejë krahët e mëshirës së Shpëtimtarit nëpërmjet faljes së mëkateve tona.

Vite më parë, m’u kërkua që të takoja një burrë, i cili, kohë përpara vizitës sonë, kishte patur një periudhë jete të shfrenuar. Si pasojë e zgjedhjeve të tij të këqia, ai humbi anëtarësinë në Kishë. Ai qe rikthyer prej kohësh në Kishë dhe po i zbatonte me besnikëri urdhërimet, por veprimet e mëparshme e mundonin. Kur e takova, kuptova turpin e tij dhe keqardhjen e thellë që i kishte lënë mënjanë besëlidhjet e tij. Pas intervistës sonë, unë i vendosa duart mbi kokën e tij për t’i dhënë një bekim priftërie. Ende pa thënë një fjalë, unë pata një ndjesi gjithëpushtuese të dashurisë dhe të faljes së Shpëtimtarit për të. Mbas bekimit, ne u përqafuam dhe ai burrë qau haptas.

Unë mahnitem nga krahët qarkues të mëshirës dhe dashurisë së Shpëtimtarit për të penduarin, pavarësisht se sa egoist është mëkati i braktisur. Unë dëshmoj që Shpëtimtari është në gjendje dhe pret me padurim t’i falë mëkatet tona. Me përjashtim të mëkateve të pak atyre që zgjedhin humbjen mbasi e kanë njohur plotësinë, nuk ka mëkat që nuk mund të falet. Sa privilegj i mrekullueshëm është për secilin prej nesh, që të largohemi nga mëkatet tona e të vijmë te Krishti. Falja hyjnore është një nga frytet më të ëmbla të ungjillit, që na heq fajin e dhimbjen nga zemra jonë dhe i zëvendëson ato me gëzim e me paqe në ndërgjegje” (“Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 40–41).

  1. Plotësoni njërën ose të dyja detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Mendoni për një rast kur ju përjetuat faljen e Zotit. Pa zbuluar ndonjë ngjarje që është tepër vetjake, e cila kërkoi faljen e Zotit, shkruani për vetë mendimet dhe ndjenjat tuaja për Shpëtimtarin.

    2. Përdorni atë që keni mësuar nga studimi juaj i Llukës 7, për të shkruar rreth mënyrës se si do t’i përgjigjeshit miqve që e pyesin veten nëse mund të falen për mëkatet e tyre.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Llukën 7:18–50 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër