Biblioteka
Njësia 10, Dita 4: Lluka 8:1–10:37


Njësia 10: Dita 4

Lluka 8:1–10:37

Hyrje

Shpëtimtari vazhdoi të shërbente në Galile, ku Ai profetizoi për vdekjen dhe Ringjalljen e Tij. Duke u larguar nga Galilea, Jezusi udhëtoi drejt Jerusalemit. Në Samari, Ai u mësoi dishepujve të Tij se kishte ardhur t’i shpëtonte njerëzit, jo t’i shkatërronte ata. Ai dha mësim edhe për dishepullimin e vërtetë dhe dha mësim shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë.

Lluka 8:1–9:56

Shpëtimtari kryen mrekulli, jep mësim duke përdorur shëmbëlltyra dhe udhëton për në Jerusalem

Lexoni skenarët vijues. Shkruani si do të ndiheshit dhe si do të reagonit në secilën situatë.

  • Kur ju me edukatë i kërkoni vëllait apo motrës suaj që t’ju ndihmojë të pastroni rrëmujën, ai me vrazhdësi ju thotë që ta bëni vetë.

  • Ndërkohë që planifikoni një veprimtari shkollore, disa shokë klase ju kritikojnë dhe qeshin me idenë që po i tregoni.

  • Ndërsa e ndani ungjillin me një shoqe, ajo ju thotë se bindjet tuaja janë të çuditshme.

Ndërsa studioni mësimet e Shpëtimtarit te Lluka 8–9, kërkoni të vërteta që mund t’ju udhëheqin kur ndiheni të fyer nga veprimet ose fjalët e të tjerëve.

Lexoni përmbledhjet e kapitujve të Llukës 8–9, duke kërkuar ngjarjet që shënohen në këta kapituj. Për shkak se ju i studiuat këto ngjarje me hollësi në mësimet mbi Mateun dhe Markun, ky mësim do të përqendrohet te Lluka 9:51–62.

Lexoni Llukën 9:51, duke kërkuar vendin ku Shpëtimtari vendosi të shkonte. Fraza “duhet të ngrihej” i referohet afrimit të Ngritjes së Shpëtimtarit në qiell.

Ndërsa udhëtonte për në Jerusalem, Jezusi dhe dishepujt e Tij iu afruan një fshati samaritan. Lexoni Llukën 9:52–54, për të parë reagimin e samaritanëve, kur mësuan se Jezusi dhe dishepujt e Tij donin të hynin në fshatin e tyre.

Si reaguan Jakobi dhe Gjoni ndaj samaritanëve për mosmikëpritjen dhe mospranimin e Shpëtimtarit?

Lexoni Llukën 9:55–56, për të parë përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj Jakobit dhe Gjonit.

Kur Shpëtimtari tha: “Ju nuk e dini nga cili frymë jeni” (Lluka 9:55), Ai po sugjeronte se kërkesa e Jakobit dhe Gjonit nuk ishte në përputhje me Shpirtin e Perëndisë.

Merrni në shqyrtim mënyrat se si njerëzit sot mund të kundërveprojnë ndaj ofendimeve dhe fyerjeve të të tjerëve. Rishikojini skenarët në fillim të këtij mësimi dhe përsiatni mbi mënyrat se si mund të kundërveprojë dikush në situata të tilla.

Si ndryshonte reagimi i Shpëtimtarit ndaj mospranimit të samaritanëve nga reagimi i Jakobit dhe Gjonit?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky rrëfim është se, ne e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, kur zgjedhim t’i përgjigjemi fyerjeve me këmbëngulje dhe durim. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në anë të shkrimeve tuaja të shenjta pranë Llukës 9:52–56.

Thënia vijuese nga Plaku Dejvid A Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ndihmon të kuptojmë se të qenit i fyer është një zgjedhje, jo një gjendje:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Kur ne besojmë ose themi që jemi fyer, ne zakonisht nënkuptojmë se ndihemi të ofenduar, të keqtrajtuar, të shpërfillur ose të trajtuar pa respekt. Dhe sigurisht, gjëra pa takt, që vënë në siklet, të paskrupullta dhe keqdashëse, ndodhin vërtet gjatë ndërveprimeve tona me njerëz të tjerë, të cilat do të na bënin të fyheshim. Sidoqoftë, në fund të fundit, është e pamundur që një njeri tjetër t’ju fyejë juve ose të më fyejë mua. …Të fyhesh është një zgjedhje e bërë nga ne; nuk është një gjendje që na shkaktohet ose na imponohet nga dikush ose nga diçka tjetër. …

… Nëse një person thotë ose bën diçka që e konsiderojmë fyese, detyrimi ynë i parë është të mos pranojmë të fyhemi, dhe pastaj të bisedojmë veçan, me ndershmëri dhe drejtpërdrejt me atë njeri. Një trajtim i tillë fton frymëzim nga Fryma e Shenjtë dhe lejon që keqkuptimet të qartësohen dhe qëllimi i vërtetë të kuptohet” (“Dhe Nuk Ka Asgjë që Mund t’i Rrëzojë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 90, 92; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 121.)

  1. Rimerrni në shqyrtim skenarët në fillim të këtij mësimi. Pastaj përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cili është rreziku apo dëmi i mundshëm në këto situata, kur zgjedhim të fyhemi?

    2. Në secilin skenar, si mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit?

    3. Si mund të bekohemi kur ne zgjedhim t’i përgjigjemi fyerjes me këmbëngulje dhe durim?

Përsiatni nëse ju keni zgjedhur të fyheni nga fjalët apo veprimet e dikujt. Vendosni një synim për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit duke zgjedhur që t’i përgjigjeni fyerjeve me këmbëngulje dhe durim. Merrni parasysh që t’ia tregoni synimin tuaj një pjesëtari të familjes apo një miku, në mënyrë që ai ose ajo të mund t’ju ndihmojë t’ia dilni mbanë.

Shënim: Përpjekja për t’u përgjigjur me këmbëngulje dhe durim kur merrni në shqyrtim padrejtësitë e kryera kundër jush nuk do të thotë se ju duhet ta lejoni abuzimin seksual ose fizik, përfshirë ngacmimin, që të vazhdojë. Nëse jeni viktimë e një abuzimi të tillë, lini menjëherë një takim me peshkopin ose presidentin tuaj të degës për të marrë ndihmë dhe këshilla.

Lluka 9:57–62

Jezusi jep mësim rreth dishepullimit të vërtetë

Llogaritni numrin e rrathëve poshtë. Ndërsa bëni numërimin, këndoni fjalët e këngës suaj të parapëlqyer.

Pamja
shumë rrathë të vegjël

Çfarë ishte sfiduese rreth numërimit të rrathëve ndërsa këndonit fjalët e një kënge?

Merrni në shqyrtim se si shpërqendrimi nga të kënduarit ndërsa përpiqeshit të numëronit, mund të jetë i ngjashëm me përpjekjen për të ndjekur Jezu Krishtin.

Ndërsa vazhdoni të studioni Llukën 9, merrni parasysh se si mund t’i mposhtni ndikimet që mund t’ju shpërqendrojnë ose pengojnë nga ndjekja e Shpëtimtarit.

Lexoni Llukën 9:57–58, për të parë mënyrën se si iu përgjigj Jezusi një burri që dëshironte të ishte dishepull i Tij.

Fraza “Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën” tregon se mënyrës së jetesës së Shpëtimtarit i mungonte rehatia dhe çlodhja.

Lexoni Llukën 9:59–60, duke kërkuar atë që burri i dytë donte të bënte përpara se ta ndiqte Shpëtimtarin.

Jezusi nuk la të kuptonte se është e gabuar të vajtojmë vdekjen e një njeriu të dashur apo ta nderojmë në një varrim (shih DeB 42:45). Përkundrazi, Ai po i mësonte këtij burri një mësim të rëndësishëm rreth dishepullimit. Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjja e Shpëtimtarit te Lluka 9:60 rreth përparësive të një dishepulli të vërtetë?

Lexoni Llukën 9:61–62, për të parë atë që Shpëtimtari i tha një burri të tretë që dëshironte të ishte dishepulli i Tij.

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

Thënia vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter na ndihmon të kuptojmë analogjinë te Lluka 9:62, të vënies së duarve tona në parmendë dhe e të mos parit prapa: “Që të gërmojë një brazdë të drejtë [ose kanal], fermeri ka nevojë që t’i mbajë sytë e tij te një pikë e fiksuar përpara tij. Kjo e mban atë në një drejtim të saktë. Megjithatë, nëse ndodh që ai shikon prapa për të parë se ku ka qenë, mundësitë e tij për të devijuar në drejtim të gabuar shtohen. Rezultatet janë brazda të shtrembra dhe të parregullta. … Nëse energjitë tona përqendrohen jo prapa nesh, por përpara nesh – te jeta e përjetshme dhe gëzimi i shpëtimit – ne me siguri do ta marrim atë” (“Am I a ‘Living’ Member?” Ensign, maj 1987, f. 17).

Në ç’mënyrë të qenit një dishepull i Jezu Krishtit është si vënia e duarve tona te parmenda dhe e të mos parit prapa?

Pamja
një burrë dhe një kalë duke lëruar

Një parim që mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit për këta burra është se, për të qenë një dishepull i Jezu Krishtit, ne nuk duhet të lëmë asgjë që të ketë përparësi mbi ndjekjen e Tij.

Merrni parasysh përse ndonjëherë ne vendosim përparësi të tjera mbi përgjegjësitë tona si dishepuj të Jezu Krishtit.

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Satani ka një mjet të fuqishëm që e përdor kundër njerëzve të mirë. Ai është shpërqendrimi. Ai do të donte që njerëzit e mirë ta mbushnin jetën me ‘gjëra të mira’, kështu që të mos ketë vend për ato që janë të rëndësishme” (“First Things First”, Ensign, maj 2001, f. 7).

  1. Për t’ju ndihmuar të merrni parasysh atë që mund t’ju pengojë nga ndjekja e plotë e Jezu Krishtit, kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Pastaj renditni në tabelën tuaj katër ose pesë përgjegjësi të një dishepulli të Jezu Krishtit, (për shembull, shërbimin ndaj të tjerëve, ndarjen e ungjillit, pjesëmarrjen në kishë rregullisht ose pagimin e së dhjetës). Për çdo përgjegjësi që përcaktuat, renditni shembuj të përparësive të tjera që dikush mund të vendosë mbi atë përgjegjësi.

Përgjegjësitë e një dishepulli të Jezu Krishtit

Përparësi të tjera

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një përvoje kur ju e patë dikë të zgjedhë që të lërë mënjanë synime ose përparësi të tjera, me qëllim që të ndjekë Shpëtimtarin.

Përsiatni për atë që ju mund të lini të marrë përparësi mbi ndjekjen e Jezu Krishtit dhe të mësimeve të Tij. Në një fletë letre shkruani një synim se çfarë do të bëni, për ta bërë Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij një përparësi më të madhe. Vendoseni këtë letër atje ku mund ta shihni çdo ditë.

Lluka 10:1–24

Zoti i thërret, i fuqizon dhe i udhëzon Të Shtatëdhjetët

Lexoni Llukën 10:1–2, për të parë se kë caktoi Zoti që ta ndihmonin për të kryer punën e Tij.

Fjala shtatëdhjetë te Lluka 10:1 jo vetëm që përshkruan numrin e shërbëtorëve që dërgoi Jezusi, por i referohet edhe një detyre në priftëri. E njëjta detyrë priftërie ekziston në Kishën e rivendosur sot. Tani ka tetë kuorume të Të Shtatëdhjetëve, megjithëse vetëm anëtarët e dy kuorumeve të para thirren si Autoritete të Përgjithshme. Puna e tyre për të predikuar ungjillin dhe për të ndihmuar në administrimin e Kishës, drejtohet nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Presidenca e Të Shtatëdhjetëve.

Nga këto vargje ne mësojmë se Zoti thërret punëtorë përveç Apostujve, që ta përfaqësojnë Atë dhe ta ndihmojnë në punën e Tij. Si mendoni ju, përse Zoti thërret të tjerë që ta përfaqësojnë dhe ndihmojnë Atë?

Lluka 10:3–24 përmban udhëzime që Shpëtimtari i dha Të Shtatëdhjetëve mbi mënyrën se si t’i përmbushnin përgjegjësitë e tyre. Të Shtatëdhjetët më vonë i raportuan Jezusit për punët e tyre dhe Ai u dha udhëzime shtesë dhe u gëzua me ta. Vini re se Lluka 10:10–11 përmban udhëzimet që Zoti u dha Të Shtatëdhjetëve, të cilat janë të ndryshme nga udhëzimet që marrin misionarët sot. Të Shtatëdhjetëve iu dha leja të shkundnin pluhurin e një qyteti si një dëshmi kundër atyre që nuk do t’i pranonin ata. Sot kjo bëhet vetëm në rrethana të skajshme dhe mund të kryhet vetëm nën drejtimin e Presidencës së Parë. Misionarët kohëplotë sot nuk janë të autorizuar për ta bërë këtë me zgjedhjen e tyre.

Lluka 10:25–37

Jezusi jep mësim shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë

Pamja
rrugë në shkretëtirën e pabanuar

Rruga për në Jeriko

Lexoni Llukën 10:25, duke kërkuar pyetjen që bëri një doktor i ligjit për ta tunduar apo provuar Shpëtimtarin.

Si do të përgjigjeshit nëse dikush do t’ju bënte këtë pyetje?

Lexoni Llukën 10:26–28, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit për pyetjen e doktorit të ligjit.

Bazuar tek ajo që lexuat në Llukën 10:25–28, plotësoni parimin vijues: Që të marrim jetë të përjetshme, ne duhet .

Lexoni Llukën 10:29, duke kërkuar pyetjen e dytë që doktori i ligjit i bëri Jezusit.

Pamja
Samaritani i Mirë

Samaritani i mirë

Për t’iu përgjigjur pyetjes së doktorit të ligjit, Shpëtimtari dha një shëmbëlltyrë rreth një samaritani (shih Lluka 10:30–35). Në kohët e Dhiatës së Re ekzistonte një urrejtje e madhe midis judenjve dhe samaritanëve (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Samaritanë”). Të dyja grupet bënin një përpjekje të madhe për ta shmangur njëri-tjetrin.

Lexoni Llukën 10:30–37, duke kërkuar atë që na mëson shëmbëlltyra rreth asaj se kush janë të afërmit tanë.

Presidenti Tomas S. Monson tha se ne duhet të kujtojmë shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë ndërsa marrim në shqyrtim mënyrën se si t’u përgjigjemi atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Secili prej nesh, në udhëtimin gjatë vdekshmërisë, do të shkelë vetë Rrugën e tij për në Jeriko. Cila do të jetë përvoja juaj? Cila do të jetë përvoja ime? Vallë mos nuk do të arrij ta vë re atë që ka rënë në duart e kusarëve dhe kërkon ndihmën time? Po ju? A do të jem personi që e shikon të lënduarin dhe e dëgjon lutjen e tij e prapëseprapë kalon në anën tjetër? Po ju? Apo do të jem personi i cili shikon, i cili dëgjon, i cili ndalon dhe i cili ndihmon? Po ju?

Jezusi na dha kushtrimin: ‘Shko dhe bëj kështu edhe ti’. Kur i bindemi asaj deklarate, neve na shpaloset një tablo gëzimi e pakrahasueshme dhe që kurrë nuk tejkalohet.

Tani, Rruga për në Jeriko mund të mos jetë e shenjuar qartësisht. As të plagosurin që bërtet mund të mos e dëgjojmë. Por kur ne ecim në hapat e atij samaritani të mirë, ne ecim në udhën që çon te përsosuria” (“Your Jericho Road”, Ensign, shkurt 1989, f. 2, 4).

  1. Përfytyroni sikur keni një mik i cili po përpiqet me mundim që të dojë dikë që e mërzit, e zhgënjen apo e zemëron atë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruajini një letër të shkurtër mikut tuaj, duke shpjeguar atë që mund të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë rreth dashurisë për të tjerët dhe mënyrës se si mund të përpiqemi të jemi si samaritani i mirë.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Llukën 8:1–10:37 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër