Biblioteka
Njësia 8, Dita 1: Marku 4–5


Njësia 8: Dita 1

Marku 4–5

Hyrje

Jezusi dha mësim duke përdorur shëmbëlltyra në brigjet e detit të Galilesë. Ndërsa ishte në det, Shpëtimtari fashiti një furtunë dhe dishepujt e Tij u mahnitën me fuqinë e Tij mbi elementët. Jezusi tregoi epërsinë e Tij mbi demonët duke i dëbuar ata nga një njeri. Ndërsa shërbente në Kapernaum, Ai shëroi një grua me një fluks gjaku dhe ngriti nga të vdekurit të bijën e Jairit.

Marku 4

Jezusi jep mësim rreth mbretërisë së Perëndisë duke përdorur shëmbëlltyra dhe fashit një furtunë

Pamja
Fashitja e Furtunës

Mendoni për furtunën më të keqe që keni përjetuar. Përsiatni mbi mënyrën se si do t’ia përshkruanit përvojën tuaj dikujt që nuk ishte atje gjatë furtunës.

Në ç’mënyrë janë disa sfida dhe vështirësi në jetë të ngjashme me një furtunë?

  1. Kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Më pas, në hapësirën nën secilën kategori, shkruani shembuj të furtunave fizike, shpirtërore, mendore dhe shoqërore që rinia mund të përjetojë.

Fizike

Shpirtërore

Mendore

Shoqërore

Ndërsa studioni Markun 4–5, kërkoni parime që mund t’ju ndihmojnë kur përjetoni furtunat e jetës.

Te Marku 4:1–34, ne lexojmë se ndërsa ishte në brigjet e detit të Galilesë, Jezu Krishti i mësoi disa shëmbëlltyra një turme njerëzish. (Ky mësim nuk do t’i përfshijë këto vargje sepse ju i keni studiuar tashmë këto shëmbëlltyra te Mateu 13.)

Lexoni Markun 4:35–38, për të parë se çfarë problemi u krijua ndërkohë që Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij kaluan detin e Galilesë.

Pamja
Deti i Galilesë

Deti i Galilesë gjendet 213.36 metra nën nivelin e detit dhe rrethohet nga të treja anët me male. Me raste, erëra vijnë nga shpatet e malit dhe krijojnë stuhi të papritura e të forta, me dallgë të mëdha mbi këtë masë deri diku të vogël uji. Disa prej dishepujve ishin peshkatarë me përvojë, por për shkak të furtunës, e cila bënte që dallgët të përplaseshin mbi barkë, “ata ishin pushtuar nga frika dhe ishin në rrezik” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Lluka 8:23 [te Lluka 8:23, shënimi a në fund të faqes]).

Nëse ju do të kishit qenë në barkë me Jezusin dhe dishepujt në këto kushte, çfarë mendimesh dhe ndjenjash do të kishit patur po të ktheheshit nga Shpëtimtari për ndihmë dhe ta gjenit Atë në gjumë?

Lexoni Markun 4:39–40, për të kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj përgjërimit të dishepujve për ndihmë. Ju mund të doni t’i shenjoni frazat “Pusho dhe fashitu” dhe “qetësi e madhe” (Marku 4:39) në shkrimet tuaja të shenjta. Ju gjithashtu mund të doni ta shkruani parimin vijues në shkrimet e shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Nëse e kërkojmë ndihmën e Shpëtimtarit në kohë shqetësimesh ose frike, Ai mund të na sjellë paqe.

Përsiatni për një çast se çfarë do të thotë ta kërkosh ndihmën e Shpëtimtarit në kohë shqetësimesh ose frike. Merrni në shqyrtim disa mënyra se si ne mund ta bëjmë këtë.

Lexoni Markun 4:41, duke kërkuar atë pyetje që dishepujt i bënë Jezusit. Merrni parasysh theksimin e pyetjes në shkrimet tuaja të shenjta.

Nëse ju do të kishit qenë atje për t’iu përgjigjur pyetjes së dishepujve, çfarë do t’u kishit thënë atyre për Jezu Krishtin dhe fuqinë e Tij?

Në ç’mënyrë të kujtuarit se Jezu Krishti ka fuqinë të fashitë furtuna dhe të sigurojë paqe, mund të ndikojë në besimin tuaj gjatë kohëve shqetësuese?

  1. Lexoni fjalët ose dëgjoni himnin “M’sues, Furtuna po Shtohet” (Himnet, nr. 55) dhe përsiatni mbi mesazhin. Mendoni për një rast kur ju ose dikush që e njihni u kthye te Zoti gjatë një furtune të jetës. Në çfarë mënyrash ndihmoi Shpëtimtari për ta fashitur furtunën ose për të siguruar paqe? Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që mund të bëni për të kërkuar ndihmën e Shpëtimtarit gjatë kohëve sfiduese në jetën tuaj.

Marku 5:1–20

Jezusi shëron një njeri duke i dëbuar demonët prej tij

Marku 5:1–18 shënon se Jezusi shëroi një njeri plot me frymëra të “ndyr[a]” ose të liga. Pasi këto frymëra të ndyra u dëbuan nga njeriu, ato hynë te një tufë derrash, e cila u hodh poshtë nga shkëmbi në det. Pasi u shërua, burri donte të qëndronte me Jezusin.

Lexoni Markun 5:19–20, duke kërkuar atë që Jezusi e udhëzoi këtë burrë të bënte.

Një parim që mund të mësojmë nga kjo histori është që, kur e përjetojmë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë, ne mund t’u dëshmojmë të tjerëve për bekimet dhe dhembshurinë e Tij. Sidoqoftë, nëse një përvojë është shumë e shenjtë, ju nuk duhet ta tregoni atë, vetëm nëse nxiteni nga Fryma e Shenjtë për ta treguar.

Përsiatni se si ose kujt mund t’i dëshmoni për bekimet dhe dhembshurinë e Shpëtimtarit në jetën tuaj.

Marku 5:21–43

Jezusi shëron një grua me fluks gjaku dhe ngre nga të vdekurit të bijën e Jairit

Plaku Shejn M. Bouen, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi një përvojë të dhimbshme të jetës së tij familjare:

Pamja
Plaku Shejn M. Bouen

“Më 4 shkurt 1990, u lind djali ynë i tretë apo fëmija i gjashtë. E quajtëm Tajson. …

Kur qe tetë muajsh, Tajsoni kapërdiu [futi në gojë] një copë shkumës që e kishte gjetur mbi tapet. Shkumësi ngeci në fytin e Tajsonit dhe ai ndaloi së marri frymë. Vëllai i tij më i madh e solli Tajsonin sipër, duke thirrur me furi: ‘Bebja nuk merr frymë. Bebja nuk merr frymë’. Ne filluam t’i aplikonim ringjalljen zemër-mushkëri dhe telefonuam 911 [urgjencën].

Personeli i ndihmës së parë erdhi dhe e çoi Tajsonin me ngut në spital. Në dhomën e pritjes ne vijuam me lutje të zjarrta teksa i përgjëroheshim Perëndisë për një mrekulli. Pas një periudhe që u duk e gjatë sa një jetë, doktoresha hyri në dhomë dhe tha: ‘Më vjen shumë keq. Nuk mund të bëjmë më asgjë. Merrni gjithë kohën që ju nevojitet’. Pastaj ajo u largua” (“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 16).

Nëse Tajsoni do të kishte qenë vëllai juaj, çfarë do të kishit menduar ose ndier në atë çast?

Në ç’mënyrë një përvojë si kjo e provon besimin e dikujt?

Lexoni Markun 5:21–24, duke kërkuar se si një udhëheqës judeas i quajtur Jair u përball me një sfidë të ngjashme që mund ta ketë sprovuar besimin e tij.

Lexoni Markun 5:25–26, duke kërkuar se kush ishte midis turmës që e ndoqi Jezusin drejt shtëpisë së Jairit.

Megjithëse rrëfimet e Dhiatës së Re nuk e përcaktojnë natyrën e “fluks[it] t[ë] gjaku[t]” të gruas (Marku 5:25) ose hemorragjinë, ne e dimë se kjo ishte personalisht shqetësuese për të. Për më tepër, nën ligjin e Moisiut, dikush me një fluks gjaku konsiderohej ritualisht i papastër (shih Levitiku 15:19–33). Ka gjasa të nënkuptonte se kjo grua qe dëbuar dhe përjashtuar gjatë 12 viteve të lëngatës së saj. Dëshpërimi që ajo ndjente për situatën e saj është e qartë nga fakti se ajo kishte “shpenzuar gjithë pasurinë e vet” (Marku 5:26) duke kërkuar një kurë nga doktorët.

Lexoni Markun 5:27–34, për të parë se çfarë bëri kjo grua për të marrë ndihmën e Shpëtimtarit. (Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “u fut në turmë dhe pas shpinës” (Marku 5:27) i referohet përpjekjes së saj për të çarë përmes turmës së njerëzve që të mund të prekte rrobën e Jezusit (ose veshjen). Fjala fuqivargun 30 do të thotë “pushtet” ose “forcë”.

Nga rrëfimi i përvojës së kësaj gruaje, ne mund të mësojmë që, nëse e tregojmë besimin tonë te Jezu Krishti nëpërmjet përpjekjeve tona për të ardhur tek Ai, Ai mund të na shërojë.

Është e rëndësishme të kujtojmë se shërimi ynë nga çdo sëmundje nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, varet jo vetëm nga përpjekjet tona për të ardhur tek Ai, por edhe nga koha dhe vullneti i Perëndisë, siç ndodhi me gruan që preku rrobën e Jezusit.

Merrni parasysh se kur Jezu Krishti ndaloi për ta ndihmuar gruan me fluks gjaku, Jairi ka gjasa të ketë pritur me ankth që Shpëtimtari të shkonte me të dhe ta ndihmonte të bijën.

Lexoni Markun 5:35, duke kërkuar mesazhin që iu dha Jairit kur Jezusi ndaloi për ta ndihmuar gruan.

Nëse do të kishit qenë në vend të Jairit, çfarë mendimesh apo ndjenjash mund të kishit patur në atë çast?

Lexoni Markun 5:36, duke kërkuar atë që tha Shpëtimtari për ta mbështetur besimin e Jairit. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Nga kjo histori ne mund të mësojmë se ushtrimi i besimit në Jezu Krisht na kërkon që të vazhdojmë të besojmë në Të, madje edhe në kohë paqartësie.

Përsiatni pyetjet vijuese: Cilat janë disa nga mënyrat se si ne mund ta zbatojmë këtë parim në jetën tonë? Si mendoni ju, përse në raste të caktuara Perëndia e provon besimin tonë?

Lexoni Markun 5:37–43, për të parë atë që i ndodhi të bijës së Jairit. Vini re se ata që e “përqeshën [Jezusin]” (Marku 5:40) ishin “fyelltarë[t] dhe turm[a] që zhurmonte” (shih Mateu 9:23–24), jo Pjetri, Jakobi, Gjoni apo prindërit e vajzës.

Pamja
Jezusi duke Bekuar të Bijën e Jairit

Jezusi ngriti nga të vdekurit të bijën e Jairit.

Ndonjëherë Shpëtimtari i fashit furtunat në jetën tonë duke e hequr vështirësinë ose frikën që ne përjetojmë. Në raste të tjera, Ai mund të mos e heqë sprovën tonë, siç ilustrohet në rrëfimin e Plakut Bouen për vdekjen e të birit. Megjithatë, kur ne ushtrojmë besim te Jezu Krishti, edhe në kohë pasigurie, Ai do të na japë paqe gjatë sfidave tona.

Lexoni dëshminë vijuese që tregoi Plaku Bouen dhe merrni në shqyrtim se si mund ta ruajmë besimin tonë pavarësisht nga rrjedhojat e sprovës sonë:

“Teksa ndjeva të më gërryenin faji, zemërimi dhe keqardhja për veten, u luta që zemra ime të mund të ndryshonte. Përmes shumë përvojash të shenjta vetjake, Zoti më dha një zemër të re dhe megjithëse ndihesha ende i vetmuar dhe plot dhimbje, gjithë perspektiva ime ndryshoi. M’u dha njohuria që nuk më kishin vjedhur, por përkundrazi një bekim i madh më priste nëse do të tregoja besnikëri. …

Dëshmoj se … ‘kur mbështetemi te Shlyerja e Jezu Krishtit, Ai mund të na ndihmojë që t’i durojmë sprovat, sëmundjet dhe dhembjet tona. Ne mund të mbushemi me gëzim, paqe dhe ngushëllim. Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit’ [Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 52]” (“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, f. 17).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur ju apo dikush që ju e njihni, e ka ruajtur besimin te Jezu Krishti gjatë një kohe sprove dhe pasigurie?

    2. Çfarë bekimesh erdhën si rezultat i të qëndruarit besnik? (Ju mund të doni t’i ktheheni tabelës që vizatuat në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta në fillim të këtij mësimi dhe të shkruani disa fjali që përshkruajnë mënyrën se si ju ka ndihmuar Shpëtimtari gjatë sprovave që lidhen me secilën kategori – fizike, shpirtërore, mendore dhe shoqërore.)

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Markun 4–5 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër