Biblioteka
Njësia 8, Dita 3: Marku 9:1–29


Njësia 8: Dita 3

Marku 9:1–29

Hyrje

Rreth gjashtë muaj përpara Kryqëzimit të Tij, Jezusi u shpërfytyrua (u pa në gjendjen e Tij të lavdishme) ndërkohë që Ai dhe Pjetri, Jakobi e Gjoni ishin në një mal. Ai më pas u mësoi këtyre dishepujve se Gjon Pagëzori ishte një Elia ose një profet që përgatit udhën për Mesian. Pasi Jezusi u kthye te dishepujt e Tij të tjerë, një burrë iu përgjërua Jezusit që ta dëbonte frymën e ligë nga i biri. Jezusi e dëboi frymën e ligë dhe u mësoi dishepujve të Tij rreth nevojës për lutje dhe agjërim.

Marku 9:1–13

Jezusi shpërfytyrohet dhe i jep mësim Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit rreth Elias

Shihni se sa ushtrime për krahët ose për barkun mund të bëni në një minutë. Shënojini përfundimet tuaja këtu: ____________________

Përse dikush do të donte apo do t’i duhej ta shtonte forcën e tij apo të saj fizike?

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund të krahasohet forca fizike me forcën shpirtërore ose besimin në Jezu Krisht?

    2. Cilat janë disa situata në të cilat ju mund të keni nevojë ta forconi besimin tuaj në Jezu Krisht?

Ndërsa studioni Markun 9:1–29, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë për ta forcuar besimin tuaj.

Marku 9:1–13 përmban një rrëfim të shpërfytyrimit të Jezusit në prani të Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në një mal dhe shfaqjen atje të Moisiut dhe Elias (Elijas), për të cilin ju mësuat gjatë mësimit tuaj mbi Mateun 17. Jezusi gjithashtu u mësoi këtyre Apostujve se Gjon Pagëzori e përmbushi rolin e profetizuar të një Elie. “Elia” është një titull për ata që përgatitin udhën për ardhjen e Mesias.

Përkthimi prej Joseph Smith-it na ndihmon të kuptojmë më shumë rreth përgjigjes së Shpëtimtarit për pyetjen e Apostujve: “Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?” (Marku 9:11):

“Dhe ai iu përgjigj dhe u tha atyre: Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të përgatitë çdo gjë; dhe t’ju mësojë për profetët; ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, se ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet.

Përsëri, unë po ju them se Elia me të vërtetë erdhi, por ata bënë me të atë që deshën; dhe ashtu siç është shkruar për të; dhe ai dëshmoi për mua dhe ata nuk e pranuan atë. Me të vërtetë ky ishte Elia” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Marku 9:10–11 [te Marku 9:12, shënimi a në fund të faqes; Marku 9:13, shënimi b në fund të faqes]).

Kush është Elia? Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rolin e Elias në Rivendosje:

Pamja
Plaku Brus R. Mek–Konki

Ka tre lloje të ndryshme zbulesash të cilat e quajnë Elian sikur të ishin tre persona të ndryshëm. Çfarë duhej të nxjerrim si përfundim?

… Shumë shërbestarë engjëllorë janë dërguar nga oborret e lavdishme për të dhënë çelësa dhe fuqi, për t’ia besuar sërish njeriut në tokë periudhat ungjillore dhe lavditë. Të paktën, sa vijon kanë ardhur: Moroni, Gjon Pagëzori, Pjetri, Jakobi, dhe Gjoni, Moisiu, Elia, Eliasi, Gabrieli, Rafaeli, dhe Mikaeli. (DeB 13; 110; 128:19–21.) Meqenëse është e dukshme që asnjë lajmëtar nuk e ka mbajtur vetë të gjithë barrën e rivendosjes, por përkundrazi, gjithësecili ka ardhur me një dhurim të veçantë nga lart, bëhet e qartë se Elia është një personazh i përbërë. Shprehja duhet të jetë kuptuar si një emër dhe një titull për ata, misioni i të cilëve, ishte që t’i besonin çelësat dhe fuqitë njerëzve në këtë periudhë të fundit ungjillore [shih Doctrines of Salvation, përp. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:170–174]” (Mormon Doctrine, bot. 2-të [1966], f. 221).

Marku 9:14–29

Jezusi dëbon një frymë të ligë nga biri i një njeriu

Lexoni Markun 9:14–18, për të parë se çfarë po ndodhte kur Shpëtimtari u kthye nga mali te dishepujt e Tij të tjerë.

Pamja
Jezusi duke mbajtur një të ri

Djali i këtij burri ishte pushtuar nga një frymë e ligë, e cila shkaktonte humbjen e aftësisë për të folur, shurdhësi dhe probleme të tjera (shih Marku 9:17–18, 22, 25) Përfytyroni sikur jeni babai i tij. Si mund të jetë ndikuar besimi juaj te Shpëtimtari dhe fuqia e Tij, kur dishepujt e Tij nuk mundën ta shëronin birin tuaj?

Lexoni Markun 9:19–22, duke përfytyruar se si mund të jetë ndier ky baba kur foli me Shpëtimtarin.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një këndvështrim tjetër mbi ndjenjat dhe përgjërimet e këtij babai: “Pa asnjë shpresë tjetër të mbetur, ky baba e pohon atë besim që ka dhe i përgjërohet Shpëtimtarit të botës: ‘Nëse [ti] mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne, dhe na ndihmo’ [Marku 9:22; kursivet e shtuara]. Nuk mund t’i lexoj këto fjalë pa u përlotur. Përemri në shumës ne përdoret qartësisht me qëllim. Në fakt, ky burrë po thotë: ‘E tërë familja jonë po përgjërohet. Mundimi ynë nuk ndalon kurrë. Jemi të dërrmuar. Djali ynë bie në ujë. Bie në zjarr. Ai është vazhdimisht në rrezik dhe ne kemi vazhdimisht frikë për të. Nuk dimë se kujt tjetër t’i drejtohemi. A mundesh ti të na ndihmosh? Do të të jemi vërtet mirënjohës për gjithçka – një bekim të pjesshëm, veç një grimcë shprese, një lehtësim të paktë të barrës që mbahet nga nëna e këtij djali çdo ditë të jetës së saj’” (“Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 93).

Lexoni Markun 9:23, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i mësoi babait.

Ju mund të doni t’i shenjoni frazat në vargun 23, që na mësojnë parimin vijues: Nëse besojmë te Jezu Krishti, të gjitha gjërat do të jenë të mundura për ne. (Vini re se “çdo gjë” ka të bëjë me të gjitha bekimet e drejta që janë në përputhje me qëllimet dhe kohën e Atit Qiellor.)

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’mënyrë të besuarit e këtij parimi mund ta ndihmojë dikë që has vështirësi, të cilat i duken të pamundura për t’i kaluar?

Lexoni Markun 9:24, duke kërkuar përgjigjen e babait për parimin që Shpëtimtari dha mësim. Vini re të dy pjesët e përgjigjes së babait.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Holland, i cili dha mësim atë që na mëson deklarata e babait rreth asaj që mund të bëjmë në kohë “mosbesimi” apo në kohë dyshimi ose frike: “Kur ndodhet përballë sfidës së besimit, babai fillimisht vë në pah forcën e tij dhe vetëm më pas e pranon kufizimin e tij. Deklarimi i tij fillestar është pohues dhe pa ngurrim: ‘Unë Besoj, o Zot.’ Do t’iu thoja të gjithë atyre që dëshirojnë më shumë besim, kujtojeni këtë burrë! Në çaste frike apo dyshimi, ose në kohë shqetësimi, mos u largoni nga besimi që keni fituar tashmë, edhe pse ai mund të jetë i kufizuar. Gjatë rritjes që ne të gjithë duhet të përjetojmë në vdekshmëri, gjëra të ngjashme shpirtërore me mundimin e këtij djali apo dëshpërimin e këtij prindi do të na ndodhin të gjithëve. Kur ato çaste vijnë dhe shqetësimet shfaqen, zgjidhja e të cilave nuk po afrohet menjëherë, mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa të vijë dija e mëtejshme” (“Unë Besoj, o Zot”, f. 93–94).

Merrni në shqyrtim pjesën e dytë të përgjigjes së babait: “Ndihmo mosbesimin tim” (Marku 9:24). Përsiatni se çfarë mund të bëni në kohë mosbesimi, dyshimi ose frike.

Lexoni Markun 9:25–27, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari në përgjigje të përgjërimeve të babait.

Një parim që mund të mësojmë nga ky rrëfim është që nëse mbahemi tek ajo që ne besojmë dhe e kërkojmë ndihmën e Zotit, Ai do të na ndihmojë ta forcojmë besimin tonë.

  1. Përgjigjjuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Referojuni situatave që renditët në detyrën 1 të mësimit të sotëm. Si mund të përdoret ky parim në ato situata?

    2. Kur e keni marrë ju ose dikush që ju njihni, ndihmën e Zotit në kohë mosbesimi, dyshimi ose frike duke u mbajtur te bindja dhe duke e kërkuar Atë?

Përpiquni ta zbatoni këtë parim gjatë kohëve të mosbesimit, dyshimit ose frikës që ju hasni. Ju mund t’ia tregoni këtë parim një anëtari të familjes apo një miku që mund të jetë duke përjetuar sfida.

Mbani mend se ky baba, e solli fillimisht djalin e tij te disa nga dishepujt e Jezusit për ta shëruar. Përfytyroni sikur të jeni një nga këta dishepuj. Çfarë mund të keni menduar ose si mund të jeni ndier pasi nuk arritët ta dëbonit frymën e ligë nga djali?

Lexoni Markun 9:28, duke kërkuar pyetjen që dishepujt i bënë Jezusit.

Te Marku 9:19, Jezusi i përshkroi njerëzit si një “brez që s’beson”. Ky qortim mund t’i jetë drejtuar edhe dishepujve të Tij që ishin të pranishëm. Fjala s’beson këtu i referohet mungesës së besimit në Jezu Krisht. Nevojitet besim në Jezu Krisht që bekimet e priftërisë të jenë të efektshme.

Lexoni Markun 9:29, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit për pyetjen e dishepujve të Tij.

Nga ky varg ne mësojmë se, ne mund ta shtojmë besimin tonë te Jezu Krishti nëpërmjet lutjes dhe agjërimit. Merreni parasysh ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta pranë vargut 29.

Thënia vijuese na ndihmon të kuptojmë situata të ndryshme në të cilat mund të zbatohet kjo e vërtetë: “Ky rrëfim [i Jezusit që dëbon një frymë të ligë nga djali i një burri] na mëson se lutja dhe agjërimi mund t’u japin forcë të shtuar atyre që japin dhe marrin bekime priftërie. Rrëfimi mund të gjejë zbatim edhe në përpjekjet tuaja vetjake për ta jetuar ungjillin. Në rast se keni një dobësi ose mëkat të cilin jeni munduar ta mposhtni, juve mund t’ju nevojitet të agjëroni dhe të luteni për të marrë ndihmën ose faljen që dëshironi. Ashtu si demoni që Krishti e dëboi, telashi juaj mund të jetë i atij lloji që ikën vetëm nëpërmjet lutjes dhe agjërimit” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 11).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një përvoje kur ju ose dikush që ju njihni përjetoi besim të shtuar nëpërmjet lutjes dhe agjërimit. Si ju kanë ndihmuar lutja dhe agjërimi të merrni bekimet e drejta që kërkuat?

Merrni në shqyrtim se si besimi juaj ka nevojë të forcohet. Planifikoni një kohë kur ju mund të kërkoni ta shtoni besimin tuaj nëpërmjet lutjes dhe agjërimit. Ju mund të doni t’i shkruani planet tuaja në një fletë të veçantë letre dhe ta vendosni atë në një vend ku mund t’ju kujtojë për synimin tuaj.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Markun 9:1–29 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër