Biblioteka
Njësia 2, Dita 1: Mateu 1–2


Njësia 2: Dita 1

Mateu 1–2

Hyrje

Mateu dha gjenealogjinë e Jezu Krishtit dhe një engjëll i shpalli Jozefit origjinën hyjnore të Jezusit. Dijetarët nga Lindja udhëtuan për ta gjetur dhe adhuruar fëmijën e vogël. Jozefit iu tha në një ëndërr që ta çonte familjen e tij në Egjipt pasi Herodi dëshironte ta vriste Jezusin.

Mateu 1:1–17

Mateu jep gjenealogjinë e Jezusit

Shikoni një fotografi të prindërve tuaj dhe shihni nëse mund të shquani ndonjë tipar fizik dhe tipare të tjera që trashëguat prej tyre. Në vizat më poshtë, renditni disa prej këtyre tipareve (të tilla si ngjyrën e syve, ngjyrën e flokëve, gjatësinë, personalitetin ose intelektin):

Teksa studioni Mateun 1–2, kërkoni të vërteta rreth prindërve të Shpëtimtarit – Atit Qiellor dhe Maries – dhe tipareve që Ai trashëgoi prej tyre.

Mateu 1:1–17 rendit paraardhësit e Shpëtimtarit. Vargu 1 përmend se Jezu Krishti ishte pasardhës i Davidit (i cili vrau Goliathin dhe më vonë u bë mbret i Izraelit) dhe i Abrahamit (i cili njihet si ati i popullit të besëlidhjes të Perëndisë).

Pamja
Mbreti David, Abrahami

Mbreti David Abrahami

“Profecitë e Dhiatës së Vjetër shpallnin që Mesia do të ishte pasardhës i Davidit (shih 2 Samuelit 7:12–13; Isaia 9:6–7; Jeremia 23:5–6) dhe se një pasardhës i Abrahamit do t’i bekonte ‘tërë kombet e tokës’ (Zanafilla 22:18; shih edhe Abraham 2:11)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 12). Mateu i shkroi veçanërisht një audience judease dhe donte që ata të dinin se Jezusi përmbushi profecitë e Dhiatës së Vjetër që lidhen me Mesian. Gjenealogjia e dhënë te Mateu 1:1–17 tregon se Jezusi ishte Mesia i premtuar dhe trashëgimtari i ligjshëm i fronit të Davidit. Teksa studioni librin e Mateut, kërkoni shembuj të tjerë për atë se si Jezu Krishti i përmbushi profecitë e Dhiatës së Vjetër që lidhen me Mesian.

Lexoni Mateun 1:16, duke kërkuar një titull të dhënë Jezusit.

Fjala Krisht është forma greke e fjalës aramaike Mesia, që do të thotë “i vajosuri”. Në ekzistencën para lindjes, Jezu Krishti u vajos nga Ati Qiellor për të qenë “Profe[t] …, Prift, Mbret dhe Çlirimtar” për ne (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vajosur(i) I”, “Mesia”, scriptures.lds.org).

Mateu 1:18–25

Një engjëll i shpall Jozefit origjinën hyjnore të Jezusit

Te Mateu 1:16, në fund të gjenealogjisë së tij për Jezusin, Mateu përmend se Maria ishte gruaja e Jozefit. Mateu 1:18–25 tregon për ngjarjet që çuan në martesën e tyre dhe lindjen e Jezusit.

Siç është shënuar te Mateu 1:18, Mateu shpjegoi se Jozefi dhe Maria i qenë premtuar njëri-tjetrit. Kjo do të thotë që ata ishin të fejuar dhe ligjërisht të lidhur me njëri-tjetrin, por që ende nuk jetonin së bashku si burrë e grua. Mirëpo, përpara dasmës, Jozefi mësoi se Maria ishte shtatzënë.

Lexoni Mateun 1:19, duke kërkuar atë që kishte ndërmend të bënte Jozefi.

“Ta linte fshehtas” do të thotë që Jozefi planifikoi ta zgjidhte çështjen e shtatzënisë së Maries pa e detyruar të përballej me poshtërimin publik.

Çfarë na mësojnë këto vargje për karakterin e Jozefit dhe dashurinë e Tij për Marien?

Lexoni Mateun 1:20, duke kërkuar atë që ndodhi ndërsa Jozefi po merrte parasysh t’i jepte fund vlesës (fejesës zyrtare) së tij me Marien.

Përse i tha engjëlli Jozefit që të mos kishte frikë të vazhdonte ta bënte martesën e tij me Marien?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi sa vijon rreth mënyrës se si e mori Jozefi dëshminë e tij vetjake për të vërtetën:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Jozefi përsiati dhe u lut. A mbeti Maria shtatzënë nga fuqia e Frymës së Shenjtë apo në ndonjë mënyrë tjetër? Për sa i përket atit të vërtetë të fëmijës së palindur, Maria e dinte; Elizabeta e dinte; Zakaria e dinte. Ata të gjithë i morën dëshmitë e veta me anë të zbulesës, dhe Jozefi tani duhet të mësojë vetë në të njëjtën mënyrë. …

Ne mjaft mirë mund të supozojmë që Maria i tregoi Jozefit për gjendjen e saj; që ajo pastaj shkoi te Elizabeta; që Jozefi u përball me problemin e tij për afro tre muaj duke u sprovuar plotësisht; që Gabrieli i solli fjalën e të vërtetës; që Jozefi i dërgoi fjalë Maries për kthimin e tij në besim; që ajo u kthye sërish nxitimthi e me gëzim; që menjëherë u krye pjesa e dytë e ceremonisë së martesës” (The Mortal Messiah: From Bethlehem to Calvary, 4 vëll. [1979–1981], 1:332–333).

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Për ta kuptuar domethënien e frazës “ngjizur … [prej] Frymës së Shenjtë” (Mateu 1:20), lexoni thënien vijuese nga Plaku Mek-Konki: “Ashtu si Jezusi është me të vërtetë Biri i Maries, po kështu është Ai pasardhësi personal dhe i drejtpërdrejtë i Perëndisë, Atit të Amshuar. … Thënia e Mateut, ‘mbeti shtatzënë nga Frym[a] e Shenjtë’, e përkthyer si duhet do të ishte, ‘mbeti shtatzënë nga fuqia e Frymës së Shenjtë’. (Mateu 1:18.) Rrëfimi i Llukës (Lluka 1:35) e shënon me saktësi atë që ndodhi. Alma e përshkruan përsosmërish ngjizjen dhe lindjen e Zotit tonë duke profetizuar: Krishti ‘do të lindet nga Maria …, ajo duke qenë virgjëreshë, një enë e çmueshme dhe e zgjedhur, që do të jetë e mbuluar nga hija dhe do të mbetet shtatzënë nga fuqia e Frymës së Shenjtë dhe do të lindë një djalë, po, madje Birin e Perëndisë.’ (Alma 7:10.) Nefi foli në mënyrë të ngjashme kur tha që në kohën e ngjizjes së saj, Maria ‘u mor në Shpirtin’, me rezultatin që fëmija i lindur prej saj ishte ‘Qengji [i] Perëndisë, po, madje Biri [i] Atit të Amshuar’. (1 Nefi 11:19–21.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:82–83).

Pamja
Maria dhe foshnja Jezus

Këto mësime pohojnë doktrinën vijuese: Jezu Krishti është Biri hyjnor i Atit Qiellor dhe Maries. Merrni parasysh ta shkruani këtë doktrinë pranë Mateut 1:18–25, në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta.

Pamja
Plaku Xhejms E. Talmixh

Kujtoni fotografinë që patë të prindërve tuaj dhe listën që shkruat për tiparet që trashëguat prej tyre. Pastaj lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke marrë parasysh arsyen përse është e rëndësishme të kuptojmë që Jezusi është Biri hyjnor i Atit Qiellor dhe i Maries: “Ai Fëmijë që do të lindej nga Maria ishte i linduri i Elohimit, Atit të Amshuar. … Në karakterin e Tij do të ndërthureshin fuqitë e Perëndishmërisë me zotësinë dhe aftësitë e vdekshmërisë. … Fëmija Jezus do të trashëgonte tiparet, prirjet dhe fuqitë fizike, mendore dhe shpirtërore që i karakterizonin prindërit e Tij – njëri i pavdekshëm dhe i lavdishëm – Perëndia, tjetri njerëzor – gruaja” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 81).

Çfarë trashëgoi Jezusi nga Ati i Tij? Çfarë trashëgoi Ai nga nëna e Tij?

Për shkak se Jezusi ishte Biri i një Ati të pavdekshëm dhe i një nëne të vdekshme, Ai kishte aftësinë për të jetuar përjetësisht nëse dëshironte, si edhe aftësinë për të vdekur. Kjo natyrë hyjnore e cilësoi Atë në mënyrë të veçantë që të ishte në gjendje të vuante për mëkatet tona, të vdiste në kryq dhe të ringjallej (shih Alma 34:9–10).

  1. Përfytyroni sikur keni mundësi të ndihmoni një shok me një traditë jo të krishterë të kuptojë se cili është Jezu Krishti. Si do t’ia shpjegonit natyrën hyjnore të Jezu Krishtit këtij shoku? Shënojeni përgjigjen tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Mateu 2:1–12

Dijetarët drejtohen për te Jezusi

Pamja
Dijetarë me dhurata

Kush i solli dhurata Shpëtimtarit pasi Ai lindi?

Ungjilli i Mateut është i vetmi Ungjill që përfshin rrëfimin për Dijetarët. Shkruajini përgjigjet tuaja për pyetjet vijuese rreth Dijetarëve në hapësirën në të djathtë të pyetjes.

Çfarë dini për Dijetarët?

Nga e dinin Dijetarët që Mesia kishte lindur?

Përse dëshironin Dijetarët që ta gjenin Mesian?

Nga e dinin krerët e priftërinjve dhe skribët se ku do të lindte Mesia?

Çfarë dëshironte Herodi që të bënin Dijetarët pasi ta gjenin Mesian?

Çfarë bënë Dijetarët në vend të kësaj?

Tani lexoni Mateun 2:1–12, duke kërkuar përgjigjet për këto pyetje. Korrigjojini ose rregullojini përgjigjet tuaja sipas nevojës.

A mësuat ndonjë gjë të re për Dijetarët? Nëse është kështu, vizatoni një yll pranë pyetjeve ku mësuat diçka të re.

“Se kush ishin këta burra nuk na thuhet, por është e sigurt që ata nuk ishin burra të zakonshëm. Ngaqë ata ishin të privilegjuar të kërkonin Birin e Perëndisë dhe t’i jepnin dhurata dhe ngaqë ata ishin të ndjeshëm shpirtërisht dhe të urtë, sugjeron se ata në të vërtetë ishin profetë në përmbushje të një detyre hyjnore” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Wise Men of the East” [“Dijetarë nga Lindja”]).

Dijetarët u “udhëhoqën nga Shpirti, për të parë Birin e Perëndisë dhe … u kthyen te njerëzit e tyre për të dhënë dëshmi që mbreti Emanuel kishte lindur me të vërtetë në mish” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Magi” [“Mag”]).

Njerëzit shpesh supozojnë se Dijetarët e vizituan Shpëtimtarin natën e lindjes së Tij, së bashku me barinjtë. Mirëpo, Mateu 2:11 sugjeron që kjo ndodhi diçka më vonë, ndërmjet vitit të parë dhe të dytë (Dijetarët e gjetën Jezusin në një shtëpi, jo në një grazhd dhe Ai ishte “fëmijë”, jo foshnjë). Gjithashtu vini re që arsyeja përse Herodi dëshironte që Dijetarët t’i raportonin pasi ta gjenin Mesian ishte që të mund ta vriste Atë (shih Mateu 2:13).

Si e dinin Dijetarët se ku ta gjenin Mesian?

Pamja
udhëtarë mbi deve natën

Shembulli i Dijetarëve na ndihmon të kuptojmë parimin vijues: Nëse e kërkojmë me sinqeritet dhe zell Shpëtimtarin, ne do të udhëhiqemi për tek Ai.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund ta kërkoni me zell Shpëtimtarin?

Pasi Dijetarët e gjetën Shpëtimtarin, ata i paraqitën Atij dhuratat e tyre. Një arsye për këtë ishte që ta adhuronin dhe nderonin Atë. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Dijetarëve që i dhanë dhurata Jezusit?

Për të kuptuar se si ne mund t’i japim dhurata domethënëse Shpëtimtarit, lexoni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Në kohët e lashta, kur njerëzit dëshironin të adhuronin Zotin dhe të kërkonin bekimet e Tij, ata shpesh sillnin një dhuratë. …

A ka diçka brenda jush ose në jetën tuaj që është e papastër ose e padenjë? Kur hiqni dorë prej saj, ajo është një dhuratë për Shpëtimtarin. A ka ndonjë zakon apo cilësi të mirë që po mungon në jetën tuaj? Kur e përvetësoni atë dhe e bëni pjesë të karakterit tuaj, ju po i jepni një dhuratë Zotit. Ndonjëherë kjo është e vështirë për t’u bërë, por a do të ishin dhuratat tuaja të pendimit dhe bindjes dhurata të denja nëse nuk do t’ju kushtonin asgjë? Mos u frikësoni nga përpjekja që ju kërkohet. Dhe mbani mend, ju nuk duhet t’ia dilni i vetëm. Jezu Krishti do t’ju ndihmojë ta bëni veten tuaj një dhuratë të denjë” (“When Thou Art Converted”, Ensign, maj 2004, f. 12).

  1. Përsiatni për thënien e Plakut Kristoferson dhe merrni parasysh dhuratat që ju ndieni se duhet t’i jepni Shpëtimtarit. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënojini këto ide dhe planifikoni mënyrën se si do t’ia jepni këto dhurata Jezu Krishtit. (Nëse dhuratat që do të dëshironit t’i jepnit Shpëtimtarit janë të një natyre tepër personale, ju mund të dëshironi t’i shkruani ato në një fletë të veçantë letre për t’i ruajtur e për t’iu referuar atyre, dhe pastaj shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se ju e plotësuat këtë detyrë.)

Duke komentuar për vitet e hershme të jetës së Jezu Krishtit në vdekshmëri, Plaku Brus R. Mek-Konki dha përmbledhjen vijuese:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Ndonëse rendi kronologjik i udhëtimeve dhe i ndalesave të viteve të para të Zotit tonë nuk është plotësisht i qartë, sa vijon duket me vend e sigurt:

“1) Në kohën e fejesës dhe martesës së tyre, Jozefi dhe Maria jetonin në Nazaret, në pjesën lindore të krahinës së Galilesë. (Lluka 1:26–35; 1 Nefi 11:13.)

2) Të udhëhequr nga dora hyjnore e Zotit, ata udhëtuan për në Bethlehem, qytetin e Davidit, ku Jezusi u lind në një grazhd. (Lluka 2:1–7.)

3) Ditën e tetë, ndërkohë që çifti ishte ende në Bethlehem, Jezusi u rrethpre. (Lluka 2:21.)

4) Në vijim të ditëve të pastrimit të Maries, një periudhe prej dyzet ditësh (Levitiku 12), familja e shenjtë udhëtoi për në Jerusalem, ku Jezusi u paraqit në tempull, me Simeonin dhe Anën që dhanë atëherë dëshmi për Birninë e Tij hyjnore. (Lluka 2:22–38.)

5) Kështu, pasi ‘i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit’, ata më pas shkuan menjëherë në Nazaret. (Lluka 2:39.) Është e qartë që Dijetarët nuk kishin ardhur ende ta adhuronin Mbretin e tyre, pasi në vijim të vizitës së tyre ndodhi largimi për në Egjipt. Që ata nuk mund të kishin shkuar në Egjipt dhe të ishin kthyer në Bethlehem brenda periudhës dyzet ditore është e qartë, a) ngaqë ata ishin në Egjipt në kohën e vdekjes së Herodit, gjë e cila nuk ndodhi deri afro dy vjet pas lindjes, dhe b) ngaqë ata u kthyen nga Egjipti për në Nazaret, jo në Bethlehem.

6) Pas kësaj, për ndonjë arsye të panjohur dhe të pashënuar, Jozefi dhe Maria e fëmija u kthyen në Bethlehem, morën një shtëpi aty dhe qenë pjesë e jetës së komunitetit kur erdhën Dijetarët. (Mateu 2:1–12.)

7) Të paralajmëruar nga Perëndia, familja e shenjtë tani u largua për në Egjipt për një qëndrim me afat të panjohur, ndoshta një qëndrim për vetëm pak javë ose muaj. (Mateu 2:13–15.)

8) Pas vdekjes së Herodit, ata u kthyen me qëllimin e qartë për t’u vendosur përsëri në Bethlehem, ku duhet të kenë pasur një vend të përshtatshëm për të jetuar. Por duke iu druajtur Arkelaut, birit të Herodit, ata e braktisën krahinën judease për shkak të sigurisë më të madhe që i jepte krahina galilease. Prandaj dhe kthimi e banimi i tyre qe në Nazaret. (Mateu 2:19–23.)

9) Që nga ajo kohë e derisa filloi shërbesa e Tij zyrtare, një periudhe prej ndofta njëzet e shtatë ose njëzet e tetë vitesh, Zoti ynë vazhdoi të jetonte në Nazaret. (Lluka 2:51–52; I. V. Mateu 3:22–26.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 1:108–109).

Mateu 2:13–23

Jozefi, Maria dhe Jezusi ikin për në Egjipt

Siç është shënuar te Mateu 2:13–23, Herodi u zemërua pasi Dijetarët “u kthyen në vendin e tyre” (Mateu 2:12) pa i treguar se ku ishte Mesia. Duke shpresuar që ta vriste Mesian, ai urdhëroi që të vriteshin të gjithë fëmijët nga dy vjeç e poshtë në Bethlehem dhe në rajonin përreth.

Lexoni Mateun 2:13–14, duke kërkuar mënyrën se si e dinte Jozefi se çfarë duhet të bënte për ta mbrojtur familjen e tij.

Ku i çoi Jozefi Marien dhe Jezusin?

Pamja
Jozefi dhe Maria duke ecur me një gomar të ngarkuar

Jozefi, Maria dhe Jezusi qëndruan në Egjipt derisa vdiq Herodi. Siç është shënuar te Mateu 2:19–23, Perëndia e udhëzoi Jozefin nëpërmjet ëndrrave që ta kthente familjen përsëri në Jude dhe ata u vendosën në qytetin e Nazaretit.

Si e bekoi jetën e të tjerëve ndjeshmëria e Jozefit ndaj gjërave shpirtërore?

Plotësoni frazën vijuese për të krijuar një parim që mund të mësojmë nga Jozefi: Nëse jemi të ndjeshëm ndaj Shpirtit, atëherë .

  1. Përsiatni për atë që mund të bëni që të jeni më të ndjeshëm ndaj Shpirtit, në mënyrë që të mund të merrni udhëheqje dhe drejtim në jetën tuaj (shih 2 Nefi 32:3). Shënojini mendimet tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dhe vini një qëllim për të vepruar sipas çdo nxitjeje që merrni.

Ndërkohë që shumë pak është shënuar për fëmijërinë dhe rininë e Jezusit, Përkthimi prej Joseph Smith-it shton tri vargje që do të pasonin Mateun 2:23 në Variantin e Mbretit Jakob të Biblës. Këto vargje japin disa hollësi për këtë periudhë të jetës së Shpëtimtarit. Kur të lexoni shtesën vijuese nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, merrni parasysh se sa i përulur qe Jezusi kur ishte i ri:

“Dhe ndodhi që Jezusi u rrit me vëllezërit dhe motrat e tij, dhe u bë i fortë, dhe priti nga Zoti që koha e shërbesës së tij të vinte.

Dhe ai shërbeu nën atin e tij dhe nuk fliste si njerëzit e tjerë, as nuk mund të mësohej; pasi s’kishte nevojë që dikush ta mësonte.

Dhe pas shumë vitesh, ora e shërbesës së tij u afrua” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 3:24–26 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 1–2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër