Biblioteka
Njësia 2, Dita 2: Mateu 3


Njësia 2: Dita 2

Mateu 3

Hyrje

Gjon Pagëzori predikoi dhe pagëzoi në Jude. Jezu Krishti udhëtoi nga Galilea për në lumin Jordan, ku Ai u pagëzua nga Gjoni. Perëndia Ati dëshmoi se Jezusi është Biri i Tij i Dashur.

Mateu 3:1–12

Gjon Pagëzori predikon në Jude

Përfytyroni sikur jeni ulur në klasë dhe një shok klase merr diçka që ju përket juve (të tillë si stilolapsin, librin apo xhaketën tuaj). Ai kërkon falje për marrjen e sendit, por vazhdon të marrë sende nga studentë të tjerë. Ai kërkon falje në çdo rast, por vazhdon të marrë sende që nuk i përkasin atij. Çfarë do të mendonit për shfajësimet e këtij studenti?

Si mund të jenë veprimet e këtij studenti të ngjashme me përpjekjen për t’u penduar pa një dëshirë të sinqertë?

Kur ta studioni Mateun 3, kërkoni të vërteta që na ndihmojnë të kuptojmë atë që duhet të bëjmë që të pendohemi me të vërtetë.

Jezu Krishti kishte arritur moshën kur Ai do të fillonte shërbesën e Tij. (Mosha e zakonshme kur meshkujt izraelitë fillonin shërbesën ishte 30 vjeç [shih Numrat 4:3].) Lexoni Mateun 3:1–4, duke kërkuar atë që po ndodhte në atë kohë, që do të ndihmonte në përgatitjen e njerëzve për shërbesën e Shpëtimtarit.

Pamja
Gjoni duke dhënë mësim

Gjon Pagëzori ishte i “biri i Zakarias dhe Elizabetës, duke qenë me prejardhje priftërore nga të dy prindërit. Kjo linjë trashëgimie ishte thelbësore, pasi Gjoni ishte mishërimi i ligjit të Moisiut, i përcaktuar për të përgatitur udhën për Mesian dhe për të bërë gati një popull që ta pranonte Atë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjon Pagëzori”). Elizabeta ishte gjithashtu e afërme e Maries, nënës së Jezusit. Gjoni mbante çelësat e Priftërisë Aarone (shih DeB 13; 84:27–28). Veshja dhe të ushqyerit e tij, të përshkruara te Mateu 3:4, tregojnë gjendjen e tij të përulur.

Nga ajo që mësuat te Mateu 3:1–4, çfarë po bënte Gjoni?

Misioni i Gjonit ishte parathënë nga Isaia (Esaia) dhe profetë të tjerë (shih Isaia 40:3; Malakia 3:1; 1 Nefi 10:7–10). Gjoni duhej të përgatiste udhën për Mesian (Jezu Krishtin) duke shpallur pendim dhe pagëzim me ujë.

Lexoni Mateun 3:5–6, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigjën njerëzit mesazhit të Gjonit.

Si iu përgjigjën njerëzit mesazhit të Gjonit?

Të qenit të gatshëm për t’ia rrëfyer mëkatet vetjake Atit Qiellor dhe, kur është nevojshme, udhëheqësve të caktuar të priftërisë është thelbësore për pendimin (shih Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f.117–118).

Lexoni Mateun 3:7, duke kërkuar njerëzit të cilëve u foli Gjoni.

Farisenjtë ishin një grup fetar i judenjve, emri i të cilëve sugjeron të qenit i ndarë ose i veçuar. Ata krenoheshin për bindjen me përpikëri ndaj ligjit të Moisiut dhe besonin se shtesat e bëra ligjit nga njeriu, të njohura si ligji gojor, ishin po aq të rëndësishme sa vetë ligji i Moisiut (shih Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Farisenj”). Saducenjtë ishin një grup i vogël, por politikisht i fuqishëm i judenjve që besonin në bindjen fjalë për fjalë ndaj ligjit të Moisiut, por nuk besonin në doktrinën e ringjalljes ose të jetës së përjetshme (shih Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Saducenj”).

Si i quajti Gjoni farisenjtë dhe saducenjtë?

Nepërka palestineze është gjarpri helmues më i zakontë në Izrael. Nepërkat janë aktive gjatë natës dhe në mënyrë tipike gjuajnë duke u fshehur dhe më pas duke iu afruar tinëzisht presë së tyre. Kur ndihen të kërcënuara, nepërkat e mbështjellin trupin e tyre rrotull, fishkëllejnë dhe i godasin kundërshtarët e tyre.

Pamja
Nepërkë palestineze

Nepërkë palestineze

© taviphoto/Shutterstock.com

Përse mendoni që Gjoni i quajti farisenjtë dhe saducenjtë nepërka?

Përkthimi prej Joseph Smith-it përmban fjalë të tjera që Gjoni ua tha farisenjve dhe saducenjve. Pasi iu drejtua atyre te Mateu 3:7, Gjoni paralajmëroi:

“Si është e mundur që nuk e pranuat predikimin e atij që Perëndia kishte dërguar? Në qoftë se ju nuk e pranoni këtë në zemrat tuaja, ju nuk më pranoni mua; dhe në qoftë se ju nuk më pranoni mua, ju nuk pranoni Atë për të cilin unë jam dërguar të jap dëshmi; dhe për mëkatet tuaja ju nuk keni asnjë shfajësim mbrojtës.

Pendohuni, pra, dhe sillni fryte të denja të pendesës” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 3:34–35 [te shtojca e Biblës]).

Sipas Gjonit, nëse farisenjtë dhe saducenjtë nuk e pranonin predikimin e tij, kë nuk do të pranonin ata gjithashtu?

Si do ta përmblidhnit mesazhin e Gjonit për ta?

Merrni parasysh ta shenjoni frazën “Jepni pra fryte të denja të pendesës” te Mateu 3:8.

Pamja
frutë në pemë

Në shkrimet e shenjta njerëzit ndonjëherë janë simbolizuar me pemë që prodhojnë ose frutë të mirë ose frutë të keq. Fruti përfaqëson dëshirat dhe veprimet tona. Fraza “të denja të” te vargu 8 do të thotë “që meritojnë” (shih Mateun 3:8, shënimin b në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Merrni parasysh skenarin në fillim të këtij mësimi – për studentin që merrte sende nga studentët e tjerë. A e tregoi ky student në mënyrë të përshtatshme parimin e vërtetë të pendimit përmes dëshirave dhe veprimeve të tij? Përse jo?

Mateu 3:8 na ndihmon te kuptojmë që ne i tregojmë pendim të vërtetë Zotit, kur i ndryshojmë dëshirat dhe veprimet tona për të ndjekur mësimet e Tij. Merrni parasysh ta shkruani këtë parim në anë të faqes pranë Mateut 3:8.

Përsiatni mbi mënyrën se si dëshirat dhe veprimet tona mund të tregojnë se jemi penduar me të vërtetë për mëkatet tona ndërsa merrni parasysh sjelljet vijuese: të kopjuarit në shkollë, të sjellurit keq ndaj motrave e vëllezërve, përdorimin e një të foluri të pahijshëm dhe shikimin e pornografisë.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni se si mund të mendojë e të veprojë dikush që është penduar për këto mëkate.

Lexoni Mateun 3:10, duke kërkuar pasojën e të mos penduarit me të vërtetë.

Përsiatni mbi çdo dëshirë apo veprim që ju mund të keni nevojë ta ndryshoni në mënyrë që të pendoheni me të vërtetë. Mendoni për mënyrën se si mund të tregoni pendim të vërtetë duke ndryshuar ndonjë nga dëshirat dhe veprimet që nuk janë në përputhje me mësimet e Perëndisë.

Lexoni Mateun 3:11, duke kërkuar atë që tha Gjon Pagëzori se do të bënte Shpëtimtari.

Jezusi do të pagëzonte “me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin” (Mateu 3:11). Ky pagëzim është i nevojshëm në vijim të pagëzimit me ujë dhe i referohet marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, që i shenjtëron dhe i pastron shpirtrat tanë njësoj si të ishte nga zjarri (shih 2 Nefi 31:13–14, 17).

Mateu 3:12 përshkruan atë që do t’u ndodhë në mënyrë simbolike të drejtëve që e pranojnë Jezu Krishtin dhe të ligjve që e mohojnë Atë.

Mateu 3:13–17

Jezu Krishti pagëzohet dhe Ati e quan Atë Birin e Tij të Dashur

  1. Gjeni një çast për të reflektuar mbi vetë pagëzimin tuaj. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni atë që ju kujtohet për këtë ngjarje të rëndësishme në jetën tuaj.

Siç është shënuar te Mateu 3:13–17, Jezu Krishti u pagëzua. Kur t’i studioni këto vargje, kërkoni ngjashmëritë midis pagëzimit tuaj dhe të Shpëtimtarit.

Lexoni Mateun 3:13–17, duke kërkuar përgjigjet e tri pyetjeve vijuese për pagëzimin e Jezusit:

Nga kush?

Në ç’mënyrë?

Përse?

Nëse është e nevojshme, rregullojini përgjigjet tuaja bazuar në informacionin vijues:

Jezusi udhëtoi nga Galilea për në lumin Jordan për t’u pagëzuar nga Gjoni, pasi Gjoni mbante çelësat e Priftërisë Aarone dhe kishte autoritetin të kryente ordinancën e pagëzimit. Shkruani Gjon Pagëzori dhe Autoriteti i duhur në vijën pranë “Nga kush?”

Pamja
Gjon Pagëzori Pagëzon Jezusin

Jezusi doli “nga uji” (Mateu 3:16), tregon se Ai u pagëzua me anë të zhytjes – që do të thotë se Ai ishte mbuluar tërësisht nga uji. Shkruani Me zhytje në vijën pranë “Në ç’mënyrë?”

Gjon Pagëzori e dinte se pozita dhe autoriteti i Jezusit ishin më të larta se të tijat. Megjithatë, sipas Mateut 3:15, Jezusi tha se Ai duhej të pagëzohej për të “përmbush[ur] çdo drejtësi”. Shkruajeni këtë frazë në vijën pranë “Përse?”

Që të “përmbush[ësh] çdo drejtësi” do të thotë të bësh gjithçka që Ati Qiellor kërkon prej nesh në mënyrë që të mund të jetojmë me Të përsëri. Kjo përfshin marrjen e ordinancave të shpëtimit. Duke u pagëzuar, Jezusi dha shembullin e përsosur që ne duhet të ndjekim. Lexoni 2 Nefin 31:4–9 dhe shkruajeni atë si një referencë-kryq në anë të faqes pranë Mateut 3:15. Shenjoni fjalë dhe fraza që ju ndihmojnë të kuptoni se çfarë do të thotë të “përmbush[ësh] çdo drejtësi”.

Përdorni përgjigjet e tri pyetjeve të mëparshme për të përcaktuar një doktrinë për pagëzimin në mënyrën e duhur nga Mateu 3:13–17.

Si krahasohet pagëzimi juaj me shembullin që dha Shpëtimtari për ne?

Një tjetër doktrinë e rëndësishme te Mateu 3:16–17 lidhet me Kreun–Perëndi. Rilexojini këto vargje, duke kërkuar atë që na mësojnë rreth Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë.

Në vijat e mëposhtme, shkruani vendndodhjen e zakonshme të çdo anëtari të Kreut-Perëndi gjatë pagëzimit të Shpëtimtarit:

Ati:

Biri:

Fryma e Shenjtë:

Është e rëndësishme të kuptohet se Fryma e Shenjtë nuk u transformua vërtet në një pëllumb. Përkundrazi, pëllumbi ishte një shenjë ose simbol i asaj që Fryma e Shenjtë kishte zbritur mbi Jezusin (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pëllumb, shenjë e”).

Çfarë doktrine na mësojnë këto vargje rreth Kreut-Perëndi? (Shih edhe DeB 130:22–23.)

Shumë njerëz nuk kanë një njohuri të saktë ose të plotë për Kreun-Perëndi. Sa më shumë e kuptojmë natyrën e vërtetë të Kreut-Perëndi, aq më e madhe është dashuria që mund të ndjejmë për Ta dhe aq më mirë do të jemi të përgatitur për t’u mësuar dhe dëshmuar të tjerëve për Ata.

  1. Kërkoni pjesën “Perëndia” te Bible Dictionary [Fjalori Biblik] ose “Perëndi, Kokë e Perëndisë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.lds.org). Lexojeni pjesën, duke kërkuar informacion për çdo anëtar të Kreut-Perëndi. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një ose dy fjali për secilin anëtar të Kreut-Perëndi që përfshijnë informacion që ju ndieni se është i rëndësishëm të dihet.

Merrni parasysh ta ndani dëshminë tuaj për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë me dikë që e njihni.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 3 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër