Biblioteka
Njësia 2, Dita 3: Mateu 4


Njësia 2: Dita 3

Mateu 4

Hyrje

Në vijim të pagëzimit të Tij, Jezusi kaloi 40 ditë duke agjëruar e biseduar me Atin Qiellor në shkretëtirë. Pas kësaj përvoje, djalli e tundoi Jezusin. Duke përdorur shkrimet e shenjta, Jezusi i bëri ballë secilit tundim. Shpëtimtari shkoi në Galile, ku Ai thirri Pjetrin dhe të tjerë që ta ndiqnin Atë dhe shkoi kudo duke dhënë mësim, predikuar e shëruar.

Mateu 4:1–11

Jezusi i bën ballë tundimeve të djallit

Shkoni te një dritare aty pranë dhe për 30 sekonda përqendrojeni vëmendjen tuaj te një send i veçantë përjashta, pa ia ndarë sytë. (Nëse nuk jeni në gjendje të shikoni nga dritarja, përqendrohuni te një send brenda.)

A pati ndonjë gjë që ju shpërqendroi nga sendi tek i cili u përqendruat? Për çfarë menduat gjatë 30 sekondave?

Kur përpiqemi të qëndrojmë të përqendruar te bindja ndaj urdhërimeve të Atit Qiellor, shpërqendrimet në formën e tundimeve orvaten të na e heqin përqendrimin dhe të na bëjnë që të mëkatojmë. Mendoni për mënyrat se si Satani ju tundon që të mëkatoni. Teksa studioni Mateun 4, kërkoni një parim që mund ta zbatoni për t’i bërë ballë tundimit.

Në vijim të pagëzimit të Tij, Shpëtimtari pati një përvojë që e ndihmoi Atë të përgatitej për shërbesën e Tij tokësore. Lexoni Mateun 4:1–2, duke përdorur korrigjimet nga Përkthimi prej Joseph Smith-it [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]. Kur të lexoni, kërkoni atë që përjetoi Jezusi në shkretëtirë. (Vini re që në këtë kontekst, bisedoj do të thotë të kesh një ndërveprim të afërt, shpirtëror.)

Si do ta kenë ndihmuar Jezusin agjërimi dhe të biseduarit me Atin Qiellor që të përgatitej për shërbesën e Tij tokësore?

Pamja
Tundimi i Jezusit

Jezusi i bëri ballë tundimeve të Satanit.

Tundimi i Jezusit, nga Carl Heinrich Bloch. Mirësi e Muzeut Historik Kombëtar në Kështjellën Frederiksborg të Hilerodit në Danimarkë. Nuk lejohet kopjimi.

Tabela vijuese mund t’ju ndihmojë të mësoni për përvojën e Jezusit kur Ai u tundua nga djalli. Studioni fragmentet e shkrimeve të shenjta në kolonën e majtë të tabelës. Pastaj shkruani atë që Satani e tundoi Jezusin të bënte dhe përshkruani mënyrën se si Jezusi iu përgjigj tundimit. Ndërsa studioni, kini parasysh që Përkthimi prej Joseph Smith-it i korrigjon thëniet te Mateu 4:5, 8 duke treguar se Shpirti, jo djalli, e çoi Shpëtimtarin në vendet e ndryshme (shih edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it, Lluka 4:5 [te Lluka 4:5, shënimi a në fund të faqes (në variantin SHDM të Biblës në anglisht)]; Lluka 4:9 [te Lluka 4:9, shënimi a në fund të faqes (në variantin SHDM të Biblës në anglisht)]).

Çfarë e tundoi Satani Jezusin që të bënte

Si iu përgjigj Jezusi tundimit

Mateu 4:3–4

Mateu 4:5–7

Mateu 4:8–11

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë ilustron ky rrëfim për strategjitë [që përdor] djalli për të na tunduar që të mëkatojmë?

Vini re ngjashmërinë në përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj secilit tundim. Shkrimet e shenjta që Shpëtimtari solli ndër mend e bënë të qartë mënyrën e drejtë se si duhej të veprohej ndaj secilit tundim, dhe Ai zbatoi të vërtetat e mësuara në ato shkrime të shenjta. Sa vijon është një parim që ne mund ta mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit: Kur i sjellim ndër mend dhe i zbatojmë të vërtetat e mësuara në shkrimet e shenjta, ne mund t’i bëjmë ballë tundimeve të djallit. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta diku pranë Mateut 4:3–11.

Duke pasur parasysh këtë parim, përse është e rëndësishme që t’i studiojmë rregullisht shkrimet e shenjta?

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këshillën vijuese për studimin dhe mësimin përmendsh të fragmenteve të shkrimit të shenjtë: “Jini të urtë në mënyrën se si e përdorni teknologjinë. Shënoni shkrime të shenjta të rëndësishme në mjetin tuaj dhe kthehuni shpesh tek ato. Nëse ju të rinj do ta rishikonit një varg të shkrimit të shenjtë aq shpesh sa disa prej jush dërgojnë mesazhe celulari, ju shpejt do të kishit mësuar përmendsh qindra pjesë nga shkrimi i shenjtë. Ato pjesë do të bëheshin një burim i fuqishëm frymëzimi dhe udhëzimi nga Fryma e Shenjtë në kohë nevoje” (“Për Paqe në Shtëpi”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 30).

  1. Plotësoni veprimtarinë vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Bëni tri kolona në një faqe. Në kolonën e parë, shkruani tri mëkate të cilat të rinjtë e moshës suaj mund të tundohen t’i bëjnë. Në kolonën e dytë, shkruani një mënyrë se si Satani përpiqet ta joshë një person që të kryejë secilin mëkat që renditët në kolonën e parë. Pastaj gjeni një referencë të posaçme të shkrimit të shenjtë që na mëson të vërteta, që një person mund t’i sjellë ndër mend dhe t’i zbatojë, kur tundohet të kryejë secilin mëkat që renditët dhe shkruajeni referencën e shkrimit të shenjtë në kolonën e tretë. (Merrni parasysh t’i drejtoheni fragmenteve për zotërimin e shkrimit të shenjtë, të tilla si Zanafilla 39:9 ose Doktrina e Besëlidhje 10:5.)

    2. Në një faqe tjetër, shkruani një shkrim të shenjtë që do ta sillni ndër mend dhe do ta zbatoni herën tjetër që tundoheni për të mëkatuar. Merrni parasysh ta mësoni përmendsh shkrimin e shenjtë që zgjodhët.

Mateu 4:12–17

Jezusi jeton në Galile

Disa ngjarje ndodhën në kohën ndërmjet fundit të 40 ditëve të Shpëtimtarit në shkretëtirë (Mateu 4:11) dhe burgosjes së Gjon Pagëzorit (Mateu 4:12; shih “Harmonia e Ungjijve” [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 193–199]).

Te Mateu 4:12–15, ne mësojmë që në vijim të përvojës së Tij në shkretëtirë, Jezusi shkoi në Galile dhe jetoi në qytetin e Kapernaumit. Mateu vërejti se shërbesa e Shpëtimtarit në Galile përmbushi një profeci të bërë nga Isaia (shih Isaia 9:1–2). Lexoni Mateun 4:16 dhe merrni parasysh të shenjoni atë që Isaia profetizoi se do të ndodhte.

Nga kjo profeci ne mësojmë se Jezu Krishti sjell dritë në jetën e atyre që janë në errësirë. Kur të vazhdoni me studimin tuaj të Mateut dhe të Ungjijve të tjerë, kërkoni mënyrën se si Shpëtimtari e bëri këtë gjatë gjithë shërbesës së Tij.

Siç është shënuar te Mateu 4:17, Shpëtimtari filloi të predikonte pendim në përgatitje të ngritjes së mbretërisë së qiejve (Kishës së Tij) mes njerëzve.

Mateu 4:18–22

Jezusi i thërret Pjetrin dhe të tjerët që ta ndjekin Atë

Shikoni figurën e Shpëtimtarit tek thërret Pjetrin dhe Andrean, dhe vini re atë që Pjetri dhe Andrea po bëjnë me rrjetën e peshkimit.

Pamja
Thirrja e Peshkatarëve

Ndërsa njerëzit e tjerë në atë kohë ndoshta i shihnin Pjetrin dhe Andrean si peshkatarë të zakonshëm, Jezu Krishti pa potencialin e tyre të madh dhe e dinte se çfarë mund të bëheshin ata. Mendoni për mënyrat se si ne jemi të ngjashëm me Pjetrin dhe Andrean.

Teksa vazhdoni të studioni Mateun 4, kërkoni atë që duhet të bëjmë për t’u bërë gjithçka që Zoti dëshiron që ne të bëhemi.

Lexoni Mateun 4:18–22, duke kërkuar ndërveprimet mes Shpëtimtarit dhe disa peshkatarëve.

Vendoseni veten tuaj në pozitën e njërit prej këtyre burrave. Mendoni rreth asaj se çfarë do të sakrifikonit për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për ta ndihmuar në punën e Tij me kohë të plotë. Përse mund të jetë e vështirë kjo?

Vini re se si këta peshkatarë – Pjetri, Andrea, Jakobi dhe Gjoni – iu përgjigjën ftesës së Shpëtimtarit. Çfarë tregon përgjigjja e tyre e menjëhershme për karakterin e tyre?

Çfarë janë “peshkatarë[t] [e] njerëz[ve]” (Mateu 4:19)?

Përsiatni mbi arsyen përse këta burra do të bënin më shumë të mira në jetën e tyre si “peshkatarë njerëzish” sesa po të ishin peshkatarë.

Ne mësojmë parimin vijues nga shembulli i këtyre burrave: Nëse ne i përgjigjemi menjëherë ftesave të Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë, Ai mund të bëjë që të arrijmë më shumë në jetën tonë sesa do të mundeshim ne me forcat tona vetjake.

Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, parashtroi një pyetje lidhur me “rrjetat” në jetën tonë:

Pamja
Plaku Jozef B. Uirthlin

“‘Nëse Shpëtimtari do t’ju thërriste juve sot, a do të ishit po aq të gatshëm t’i linit rrjetat tuaja dhe ta ndiqnit Atë?’ …

Rrjetat janë të madhësive dhe formave të ndryshme. Rrjetat që lanë Pjetri, Andrea, Jakobi dhe Gjoni ishin objekte të prekshme – mjete që i ndihmonin ata të siguronin jetesën. …

Rrjetat përgjithësisht janë përkufizuar si pajisje për kapjen e diçkaje. Në një kuptim më të ngushtë, por më të rëndësishëm, ne mund ta përkufizojmë një rrjetë si çdo gjë që na josh ose na pengon nga ndjekja e thirrjes së Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë së gjallë.

Rrjetat në këtë kontekst mund të jenë puna jonë, hobitë tona, kënaqësitë tona dhe mbi të gjitha, tundimet dhe mëkatet tona. Me pak fjalë, një rrjetë mund të jetë gjithçka që na tërheq larg marrëdhënies sonë me Atin tonë Qiellor ose nga Kisha e Tij e rivendosur” (“Follow Me”, Ensign, maj 2002, f. 15).

  1. Bazuar te përkufizimi i Plakut Uirthlin për “rrjetat”, përshkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta 3–4 shembuj të mënyrës se si rrjetat e ditëve të sotme mund ta pengojnë një person në kohën tonë që t’i përgjigjet menjëherë ftesave të Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë.

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim për bekimet që mund të vijnë kur ne e ndjekim Shpëtimtarin: “Burrat dhe gratë që e kthejnë jetën e tyre nga Perëndia do të zbulojnë se Ai mund të bëjë shumë më tepër sesa ata prej jetës së tyre. Ai do t’i thellojë gëzimet e tyre, do t’u zgjerojë shikimin, do t’u zhdërvjelltësojë mendjet, do të forcojë muskujt, do të lartësojë shpirtrat, do të shumëfishojë bekimet, do të rritë mundësitë, do të ngushëllojë shpirtrat, do të sigurojë miq dhe do të mbushë me paqe. Kushdo që do ta humbasë jetën në shërbim të Perëndisë do të gjejë jetë të përjetshme” (“Jesus Christ – Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 4).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur keni përjetuar ju vetë ose dikush që ju njihni bekime të ngjashme ngaqë latë pas shqetësimet e botës në mënyrë që të ndiqnit Shpëtimtarin?

    2. Kur merrni parasysh bekimet që marrim nga ndjekja e Shpëtimtarit, përse mendoni se është e rëndësishme që t’i përgjigjemi menjëherë ftesave të Tij për ta ndjekur Atë?

Merrni parasysh të vini një synim për një mënyrë se si ju mund t’i përgjigjeni më mirë ftesave të Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë.

Mateu 4:23–25

Jezusi shkon kudo nëpër Galile duke dhënë mësim, predikuar e shëruar

Lexoni Mateun 4:23–25 dhe merrni parasysh të shenjoni veprimet e Shpëtimtarit.

Gjatë gjithë studimit tuaj të Ungjijve, ju do të mësoni për raste të veçanta të mësimdhënies, predikimit dhe shërimeve prej Shpëtimtarit gjatë shërbesës së Tij tokësore.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 4 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër