Biblioteka
Njësia 3, Dita 1: Mateu 6–7


Njësia 3: Dita 1

Mateu 6–7

Hyrje

Predikimi i Jezusit në Mal vijon te Mateu 6–7. Në këtë pjesë të predikimit të Tij, Ai dha mësim se veprat e drejta të përkushtimit fetar duhet të bëhen që t’i pëlqejnë Atit Qiellor. Ai gjithashtu i udhëzoi dishepujt e Tij që të kërkonin së pari të ndërtonin mbretërinë e Perëndisë.

Mateu 6:1–18

Shpëtimtari i mëson dishepujt e Tij që të bëjnë vepra të drejta

Përsiatni pyetjet vijuese: A keni bërë ndonjëherë diçka të mirë për arsyet e gabuara? Nëse po, çfarë ju shtyu që të vepronit ashtu?

Lexoni Mateun 6:1–2, duke kërkuar atë që Shpëtimtari tha se ishte një shtysë e papërshtatshme për bërjen e veprave të drejta.

Lëmoshat janë vepra të përkushtimit fetar, të tilla si dhënia e ndihmës për të varfrit (shih Mateun 6:1, shënimin b në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Çfarë na mësojnë këto vargje rreth arsyes përse disa njerëz japin lëmosha?

Vini re që Shpëtimtari i quajti këta njerëz “hipokrit[ë]”, që në greqisht i referohet atyre që shtiren (shih Mateun 6:2, shënimin a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Lexoni Mateun 6:3–4, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari rreth mënyrës se si dishepujt e Tij duhet t’i bëjnë veprat e drejta. Ju mund të doni ta shenjoni premtimin e Shpëtimtarit për ata që bëjnë vepra të drejta për arsyet e drejta.

Të shërbesh në fshehtësi nënkupton se ne u japim shërbim të tjerëve heshturazi, pa mburrje të zhurmshme apo pa kërkuar ndonjë lloj përfitimi. Ka shumë për t’u thënë për veprat e heshtura të shërbimit për të cilat askush nuk merr vesh ndonjëherë, me përjashtim të atij të cilit po i shërbehet dhe shërbyesit.

Plotësoni thënien vijuese për të përcaktuar një parim që mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit: Nëse bëjmë vepra të përkushtimit për t’i pëlqyer Atit Qiellor në vend që të kërkojmë vëmendjen e të tjerëve, Ai atëherë do të .

Fraza “të ta shpërblejë haptas” mund të ketë kuptimin që Ati Qiellor mund të na bekojë në mënyra tokësore ose shpirtërore që të tjerët mund t’i shohin ose jo, por të cilat ne mund t’i dallojmë lehtësisht kur e marrim bekimin.

Lexoni Mateun 6:5–6 dhe Mateun 6:16–18, duke kërkuar shembuj që përdori Shpëtimtari për të ilustruar parimin e bërjes së veprave të përkushtimit për t’i pëlqyer Atit Qiellor. Frazat “trego[hen] të pikëlluar” dhe “ata shfytyrohen” te vargu 16, u referohen individëve që e shfaqin me veprime të dukshme agjërimin e tyre.

Lutja publike nuk është e gabuar dhe jo të gjitha lutjet duhen bërë në fshehtësi. Lutja dhe praktika të tjera fetare mund të bëhen në mënyrë publike nëse bëhen me sinqeritet dhe përkushtim e në përputhje me praktikat e sakta të Kishës.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruani një rast kur bëtë vepra të drejta të përkushtimit – të tilla si lutje ose agjërim – me qëllim që t’i pëlqenit Atit Qiellor. Shkruani mbi mënyrat se si u ndiet të bekuar për adhurimin tuaj të sinqertë.

Te Mateu 6:7–15 Shpëtimtari dha udhëzime dhe një model për mënyrën e duhur për t’u lutur. Vetë shembulli i tij i lutjes njihet si Lutja e Zotit. Lexojini këto vargje duke kërkuar të vërteta shtesë që mund të mësoni për lutjen nga shembulli i Zotit.

Merrni parasysh të gjeni një vend të qetë e të veçuar për t’u lutur me zë të lartë, dhe për t’i bërë një lutje të sinqertë Atit Qiellor atje. Çfarë ndryshimesh vutë re midis bërjes së një lutjeje me zë të lartë dhe një lutjeje të heshtur? A ishin mendimet tuaja më të përqendruara kur ishit në gjendje të luteshit me zë të lartë?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani disa këndvështrime nga studimi që i keni bërë Mateut 6:7–15, të cilat mund t’ju ndihmojnë të jeni më të efektshëm në lutjet tuaja vetjake.

Mateu 6:19–24

Jezu Krishti i mëson dishepujt e Tij që të mbledhin thesare në qiell

Një thesar është çfarëdo gjëje që ne e vlerësojmë fort.

Pamja
monedha dhe çantë e vogël

Lexoni Mateun 6:19–21, duke kërkuar llojet e thesareve që Shpëtimtari i mësoi dishepujt e Tij të kërkonin.

Çfarë tha Shpëtimtari se ishte dallimi mes thesareve të mbledhura në tokë dhe thesareve të mbledhura në qiell?

Në diagramin vijues, renditni tre shembuj të thesareve që njerëzit mund të synojnë t’i mbledhin këtu në tokë dhe tre shembuj të thesareve që mund të mbledhim në qiell.

Thesare në tokë

Thesare në qiell

Lexoni Mateun 6:22–24, duke kërkuar atë që Shpëtimtari na mësoi, e cila mund të na ndihmojë të mbledhim thesare në qiell.

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 6:22, na ndihmon të kuptojmë që Shpëtimtari dha mësim se në mënyrë që të mbledhim thesare në qiell ne duhet t’i mbajmë sytë tonë të “drejt[uar] vetëm tek lavdia e Perëndisë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:22 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]), që do të thotë ta përputhim perspektivën dhe vullnetin tonë me atë të Perëndisë.

Nga fjalia e fundit e Mateut 6:24, ne mësojmë të vërtetën vijuese, e cila mund të na ndihmojë të kujtojmë që të mbledhim thesare në qiell: Ne nuk mund t’i shërbejmë edhe Perëndisë edhe mamonit. Fjala mamon i referohet pasurive ose gjërave të botës.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse mendoni që ne nuk mund t’i shërbejmë Perëndisë dhe mamonit në të njëjtën kohë?

Përsiatni për vetë jetën tuaj dhe mendoni për një rast se si përqendrimi i dëshirave tuaja te diçka e botës mund t’ju shpërqendrojë nga të shërbyerit Perëndisë dhe të mbledhurit e thesareve në qiell.

Mateu 6:25–34

Shpëtimtari i udhëzon dishepujt e Tij që të kërkojnë së pari mbretërinë e Perëndisë

Siç është shënuar te Mateu 6:25–34, Shpëtimtari i udhëzoi dishepujt e Tij që të mos shqetësoheshin për të siguruar për nevojat e tyre bazë. Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 6:25–27, na ndihmon të kuptojmë se Ai po i fliste veçanërisht atyre që do të shkonin për të predikuar ungjillin e Tij (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:25–27 [në shtojcën e Biblës]).

Lexoni Mateun 6:31–34, duke kërkuar një parim që Jezusi u mësoi dishepujve të Tij se duhej ta kërkonin para së gjithash në jetën e tyre. (Vini re fjalët e përdorura nga Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 6:33, shënimi a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht].)

Çfarë parimi mund të mësojmë nga Mateu 6:33?

“Mbretëri[a] e Perëndisë” (Mateu 6:33) përfaqëson Kishën e Jezu Krishtit si në atë kohë edhe tani. Në kohën tonë ajo përfaqëson Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e cila u rivendos për t’i përgatitur fëmijët e Atit Qiellor për mbretërinë e Tij në qiell – mbretërinë çelestiale.

Thënia vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson mund t’ju ndihmojë të kuptoni se si ta zbatoni këtë parim në jetën tuaj:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Ne duhet ta vëmë Perëndinë në krye të gjithçkaje tjetër në jetën tonë. Ai duhet të vijë i pari. …

Kur ne e vendosim Perëndinë të parin, gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë. Dashuria jonë për Zotin do të drejtojë shpalljet e dashurisë sonë, kërkesat e kohës sonë, interesat që ndjekim dhe rendin e përparësive tona.

Ne duhet ta vëmë Perëndinë përpara kujtdo tjetër në jetën tonë” (“The Great Commandment—Love the Lord”, Ensign, maj 1988, f. 4; [Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 43]).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’rast i keni përjetuar bekimet e Atit Qiellor kur u përpoqët ta vendosnit Atë të parin në jetën tuaj?

Mateu 7:1–5

Jezu Krishti u mëson dishepujve të Tij rreth të gjykuarit me drejtësi

Lexoni Mateun 7:1–2, përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Mateut 7:1 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta], duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim për të gjykuarin.

Mateu 7:1 shpesh keqkuptohet sikur nënkupton që ne nuk duhet të gjykojmë kurrë. Sidoqoftë, ne mësojmë nga Përkthimi prej Joseph Smith-it se Jezu Krishti dha mësim që ne duhet të “gjyko[jmë] me gjykim të drejtë”.

Çfarë mendoni se do të thotë të gjykosh me drejtësi?

Lexoni Mateun 7:3–5 dhe përsiatni analogjinë që përdori Shpëtimtari për të na mësuar mbi mënyrën se si ta shmangim të gjykuarit e të tjerëve me padrejtësi (shih edhe Gjoni 7:24).

Plaku Dallin H. Ouks shpjegoi llojet e ndryshme të gjykimit:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Jam çuditur që disa shkrime të shenjta na urdhërojnë të mos gjykojmë dhe të tjera na udhëzojnë që ne duhet të gjykojmë dhe madje na tregojnë se si ta bëjmë atë. Por teksa i kam studiuar këto fragmente, kam arritur të bindem se këto udhëzime në dukje kundërthënëse janë të pajtueshme kur i shikojmë në perspektivën e përjetësisë. Çelësi është që të kuptojmë se ka dy lloj gjykimesh: gjykimet përfundimtare, të cilat jemi të ndaluar t’i bëjmë, dhe gjykimet e ndërmjetme, të cilat jemi të udhëzuar t’i bëjmë, por sipas parimeve të drejta. …

Në dallim nga të penguarit e njerëzve të vdekshëm që të bëjnë gjykime përfundimtare, shkrimet e shenjta u kërkojnë njerëzve të vdekshëm që të bëjnë atë që unë e quaj ‘gjykime të ndërmjetme’. Këto gjykime janë thelbësore për ushtrimin e lirisë vetjake morale të zgjedhjes. …

Ne të gjithë bëjmë gjykime në zgjedhjen e miqve tanë, në zgjedhjen e mënyrës se si do ta harxhojmë kohën tonë e paratë tona dhe, sigurisht, në zgjedhjen e shokut të përjetshëm. …

Në gjykimet e ndërmjetme që ne duhet të bëjmë, ne duhet të kujdesemi që të gjykojmë me drejtësi. Ne duhet të kërkojmë udhëheqjen e Shpirtit në vendimet tona. Ne duhet t’i kufizojmë gjykimet tona përbrenda kujdestarive tona vetjake. Kurdoherë që është e mundur, ne duhet të përmbahemi nga të gjykuarit e njerëzve derisa të kemi njohuri të mjaftueshme të fakteve. Për aq sa është e mundur, ne duhet të gjykojmë rrethanat në vend të njerëzve. Në të gjitha gjykimet tona, ne duhet të zbatojmë standarde të drejta. Dhe, në të gjithë këtë ne duhet të kujtojmë urdhrin për të falur” (“‘Judge Not’ and Judging”, Ensign, gusht 1999, f. 7, 9, 13).

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, komentoi për Mateun 7:3–5:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Kjo histori e trarëve dhe lëmishteve duket se lidhet ngushtësisht me paaftësinë tonë për ta kuptuar veten tonë me qartësi. Nuk jam i sigurt se përse ne jemi të aftë të gjejmë diagnozën dhe të rekomandojmë kaq mirë kurime për papërsosmëritë e njerëzve të tjerë, ndërkohë që kemi shpesh vështirësi për t’i kuptuar papërsosmëritë tona.

Disa vjet më parë pati një ngjarje në lajmet rreth një burri që besonte se, nëse e fërkonte fytyrën me lëng limoni, do të bëhej i padukshëm për kamerat. Prandaj ai e leu me lëng limoni tërë fytyrën, shkoi dhe vodhi dy banka. Jo shumë kohë më vonë ai u arrestua, kur fotografia e tij u shfaq në emisionin e lajmeve në mbrëmje. Kur policia i tregoi burrit videot e vetë atij nga kamerat e sigurisë, ai nuk mund t’u besonte syve. ‘Por unë e kisha fytyrën me lëng limoni!’ protestoi ai. [shih Errol Morris, ‘The Anosognosic’s Dilemma: Something’s Wrong but You’ll Never Know What It Is’ (Pjesa 1), New York Times, 20 qershor 2010; opinionator.blogs.nytimes.com/2010/06/20/the-anosognosics-dilemma-1.]

Kur një shkencëtar në Universitetin Kornel dëgjoi rreth kësaj ngjarjeje, ai pati kureshtje se si një njeri mund të ishte kaq jashtëzakonisht i pavetëdijshëm ndaj pazotësisë së vet. Që të përcaktonin nëse ky ishte një problem i përgjithshëm, dy kërkues shkencorë ftuan studentë kolegji që të merrnin pjesë në një seri testesh për aftësi të ndryshme jetësore dhe më pas u kërkuan atyre ta vlerësonin vetë atë që bënë. Studentët që patën rezultate të ulëta, ishin më të pasaktët në vlerësimin e përgjigjeve të tyre – disa prej tyre duke i vlerësuar rezultatet e tyre të ishin pesë herë më të larta nga ato që ishin në të vërtetë. [Shih Justin Kruger dhe David Dunning, ‘Unskilled and Unaware of It: How Difficulties in Recognizing One’s Own Incompetence Lead to Inflated Self-Assessments’, Journal of Personality and Social Psychology, dhjetor 1999, f. 1121–1134.]

Ky studim është përsëritur në mënyra të shumta, duke vërtetuar sërish e sërish të njëjtin përfundim: shumë prej nesh e kanë të vështirë ta kuptojnë vetveten siç janë në të vërtetë dhe, edhe njerëz të suksesshëm e mbivlerësojnë ndihmesën e tyre dhe i nënvlerësojnë ndihmesat që bëjnë të tjerët. [Shih Marshall Goldsmith, What Got You Here Won’t Get You There (2007), kapitulli 3.]

Mund të mos jetë kaq domethënëse nëse e mbivlerësojmë mënyrën se si e ngasim makinën apo se sa larg mund ta hedhim një top golfi. Por kur fillojmë të besojmë se ndihmesat tona në shtëpi, në punë dhe në kishë janë më të mëdha sesa janë në të vërtetë, ne verbohemi ndaj bekimeve dhe mundësive për ta përmirësuar veten tonë në mënyra domethënëse dhe rrënjësore” (“Mos Jam Unë, Zot?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 56–57).

Mateu 7:6–14

Shpëtimtari jep mësim për të kërkuarit e zbulesës vetjake

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 7:6, na ndihmon të kuptojmë se Jezu Krishti i thirri dishepujt e Tij që të shkonin në botë për të predikuar. Ata duhet të jepnin mësim mbi pendimin, por t’i mbanin për vete të fshehtat e mbretërisë. Me fjalë të tjera, ata nuk duhet të diskutonin për tema të shenjta me njerëz të cilët nuk ishin gati që t’i kuptonin ato. (Shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 7:9–11 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta].)

Sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it, Mateu 7:7 fillon me frazën: “Thuajini atyre: Pyesni Perëndinë”. Lexoni vargun 7 që fillon me këtë frazë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij të jepnin mësim.

Nga ky varg ne mësojmë parimin vijues: Kur lypim, kërkojmë dhe trokasim në kërkimin tonë për të vërtetën, Ati Qiellor do të përgjigjet e do të na bekojë me zbulesë vetjake.

Çfarë tregojnë fjalët lypni, kërkoni dhe trokitni se duhet të bëjmë për të marrë zbulesë vetjake?

Përsiatni për një rast kur lypja, kërkimi dhe trokitja juaj ftuan zbulesën vetjake.

Siç është shënuar te Mateu 7:9–11, Shpëtimtari dha mësim se ashtu si një atë i dashur nuk do të jepte një gur apo një gjarpër kur biri i tij t’i kërkonte bukë ose peshk, Ati Qiellor nuk do t’ia mohojë dhuratën e zbulesës vetjake fëmijëve të Tij që kërkojnë dhe luten për gjërat e duhura.

Lexoni Mateun 7:12–14, duke kërkuar të vërtetën shtesë që Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij që ta jepnin mësim. Fjala e ngushtë në këtë fragment i referohet asaj që porta është e ngushtë, në dallim nga fjala e drejtë, që do të thotë në një linjë të drejtë, jo e lakuar.

Mateu 7:15–27

Shpëtimtari u premton shpëtim atyre që bëjnë vullnetin e Atit

Cilat janë disa ide që janë të pranuara gjerësisht nga bota, por janë në kundërshtim me planin e Atit Qiellor?

Mendoni përse do të ishte e rëndësishme që ju të jeni në gjendje të kuptoni nëse një person ose grup po nxit një ide që është në kundërshtim me planin e Atit Qiellor.

Lexoni Mateun 7:15, duke kërkuar paralajmërimin e Zotit drejtuar dishepujve të Tij.

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi për “profetë të rremë dhe mësues të rremë, si burra edhe gra, që janë shpallës të vetë-emëruar të doktrinave të Kishës” si edhe për “ata që flasin e botojnë në kundërshtim me profetët e vërtetë të Perëndisë dhe që u predikojnë aktivisht të tjerëve me shpërfillje të pamatur për mirëqenien e përjetshme të atyre që ata tërheqin” (“Beware of False Prophets and False Teachers”, Ensign, nëntor 1999, f. 63).

Lexoni Mateun 7:16–20, duke kërkuar një mënyrë se si ne mund të dallojmë nëse një person është një profet i rremë ose mësues i rremë.

Nga këto vargje ne mësojmë të vërtetën vijuese: Ne mund t’i dallojmë profetët e rremë nga frytet e tyre. Ashtu siç përcaktohet cilësia e një bime nga lloji ose cilësia e frutit që ajo prodhon, ne mund t’i dallojmë profetët e rremë dhe mësuesit e rremë nga mësimet, veprimet dhe idetë e tyre.

Si mendoni, cilat do të ishin disa fryte të profetëve të rremë?

Lexoni Mateun 7:21–27, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim për rëndësinë e të jetuarit sipas mësimeve të Tij. Vini re që Përkthimi prej Joseph Smith-it e ndryshon thënien te vargu 23 nga “Unë s’ju kam njohur kurrë” në “Ju s’më keni njohur kurrë mua” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 7:33 [te Mateu 7:23 [në variantin SHDM të Biblës në anglisht], shënimi a në fund të faqes]).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani mënyrën se si do të zbatoni në jetën tuaj një ose më shumë prej parimeve që përcaktuat në këtë mësim.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 6–7 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër