Biblioteka
Njësia 3, Dita 3: Mateu 11–12


Njësia 3: Dita 3

Mateu 11–12

Hyrje

Jezu Krishti dëshmoi se Gjon Pagëzori u dërgua për të bërë gati udhën për Të dhe Ai i premtoi prehje të gjithë atyre që vijnë tek Ai. Ai iu përgjigj pretendimeve të farisenjve se fuqia e Tij vinte nga djalli. Ai i paralajmëroi ata kundër bërjes së akuzave të rreme dhe kërkimit të shenjave, dhe dha mësim shëmbëlltyrën e shtëpisë së zbrazët.

Mateu 11

Jezu Krishti dëshmon se Gjon Pagëzori u dërgua për të bërë gati udhën para Tij

Pamja
oficer policie i veshur me uniformë, mjek duke treguar grafi, Zoti Jezu Krisht

Përse është e rëndësishme të dimë që njerëzit, të cilët e paraqesin veten e tyre si oficer policie ose mjekë, janë me të vërtetë ata që duken se janë? Si mund ta dini që ata janë ata që duken se janë?

Gjatë shërbesës në vdekshmëri të Jezu Krishtit, kur Ai bëri mrekulli dhe i mësoi njerëzit, shumë prej tyre deshën të dinin nëse Ai ishte Ai që dukej se ishte – Mesia i premtuar. Në këtë kohë, mbreti Herod kishte arrestuar dhe burgosur Gjon Pagëzorin. Lexoni Mateun 11:2–3, duke kërkuar mënyrën se si Gjon Pagëzori i ndihmoi dy prej dishepujve të tij të fitonin dëshmi për veten e tyre lidhur me atë se cili ishte Jezusi.

Përse i dërgoi Gjoni dishepujt e tij që ta pyesnin Jezusin?

Me këtë pyetje te vargu 3, dishepujt e Gjonit po e pyesnin Jezusin nëse Ai ishte Mesia. Kujtoni që Gjon Pagëzori e dinte tashmë se Jezusi ishte Mesia (shih Mateu 3:11, 13–14; Gjoni 1:29–34).

Si mendoni ju, përse Gjoni i dërgoi dishepujt e tij që të mësonin vetë nëse Jezusi ishte Mesia, kur ai tashmë e dinte se kush ishte Jezusi?

Lexoni Mateun 11:4–5, për të parë mënyrën se si iu përgjigj Jezusi pyetjes së tyre.

Në vend që thjesht të pohonte se Ai ishte Mesia, çfarë i ftoi Jezusi dishepujt e Gjon Pagëzorit që të bënin?

Jezusi për lehtësi mund t’u kishte thënë dishepujve të Gjonit që Ai ishte Mesia. Përkundrazi, Ai i ftoi të përsiatnin mbi veprat e Tij dhe pastaj të ktheheshin te Gjoni dhe të dëshmonin për gjërat që e kishin dëgjuar dhe parë Jezusin të bënte.

Si mund t’i ketë ndihmuar përsiatja për veprat e Jezusit, dishepujt e Gjon Pagëzorit, që të merrnin një dëshmi më të fuqishme për Shpëtimtarin se sa nëse Ai thjesht do t’u kishte thënë se kush ishte?

Nga ky rrëfim ne mësojmë se kur përpiqemi të mësojmë për Jezu Krishtin dhe kur dëshmojmë për Të, dëshmia jonë vetjake për Të mund të forcohet.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për mënyrën se si keni arritur ta dini për veten tuaj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

Mateu 11:7–27 shënon që pasi dy dishepujt u larguan, Jezusi i tha turmës se Gjon Pagëzori ishte profeti i zgjedhur për të bërë gati udhën për Mesian. Jezusi i dënoi ata që nuk e pranuan Atë dhe Gjon Pagëzorin, pavarësisht se ata kishin dëshmuar prova të qarta të hyjnisë së Jezusit.

Lexoni Mateun 11:28–30, duke kërkuar ftesën dhe premtimin që Jezusi u dha të gjithë atyre që e pranojnë Atë si Mesian. (Mateu 11:28–30 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni këtë shkrim të shenjtë në një mënyrë të dallueshme që të jeni në gjendje ta gjeni me lehtësi.)

Plotësojeni parimin vijues bazuar tek ajo që mësuat nga vargjet 28–30: Nëse vijmë te Jezu Krishti, Ai do të .

  1. Shënojeni përgjigjen tuaj për pyetjen vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Kur e keni ndier Shpëtimtarin t’jua lehtësojë barrët tuaja ndërsa keni ardhur tek Ai?

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mateu 11:28–30

  1. Për t’ju ndihmuar që ta mësoni përmendsh Mateun 11:28–30, krijoni veprime që mund të paraqesin fjalë ose fraza në secilin varg. Mësojani këto veprime dikujt tjetër (të tillë si pjesëtarëve të familjes gjatë mbrëmjes familjare ose një miku). Ushtrohuni me kryerjen e veprimeve ndërsa i lexoni vargjet derisa të mund ta thoni përmendsh fragmentin. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një fjali që tregon se ju e keni plotësuar këtë detyrë.

Mateu 12:1–42

Jezu Krishti i qorton farisenjtë për akuzat e tyre të rreme dhe për kërkimin e shenjave

Pamja
Krishti dhe farisenjtë

Te Mateu 12:1–21, ne mësojmë se pasi Jezusi e shëroi një burrë ditën e Shabatit, disa prej farisenjve filluan që të kërkonin ta shkatërronin Atë. Kur Ai shëroi një person të pushtuar nga një demon, ata u përpoqën ta diskreditonin Atë para njerëzve duke e akuzuar se po i bënte ato vepra me anë të fuqisë së djallit. Jezusi i njihte mendimet e tyre dhe shpalli se, përkundrazi, duke i dëbuar demonët Ai po tregonte se ishte Mesia dhe po ngrinte mbretërinë e Perëndisë.

Lexoni Mateun 12:30, duke kërkuar atë që Jezusi dha mësim rreth atyre që nuk bashkohen me Të.

Sipas vargut 30, nëse ne dëshirojmë të jemi pjesë e mbretërisë së Perëndisë, ne duhet t’i përkushtohemi plotësisht Jezu Krishtit.

Përsiatni mbi disa mënyra se si ju mund ta tregoni përkushtimin tuaj të plotë ndaj Jezu Krishtit.

Mateu 12:31–42 shënon që Jezusi pohoi sërish se veprat e Tij të mira ishin provë që Ai ishte nga Perëndia dhe jo nga djalli. Ai gjithashtu i paralajmëroi farisenjtë se Perëndia do t’i mbante përgjegjës për fjalët e tyre akuzuese. Atëherë disa prej skribëve dhe farisenjve i kërkuan një shenjë, dhe Jezusi i qortoi që kërkonin shenja dhe nuk arrinin të kuptonin se Ai ishte më i madh sesa çdo profet apo mbret i mëparshëm në Izrael. Edhe në kohën tonë, Zoti e dënoi kërkimin e shenjave dhe dha mësim se besimi nuk vjen pas shenjave (shih DeB 63:7–11).

Çfarë do të thotë të bësh “blasfemi kundër Frymës” (Mateu 12:31)?

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith shpjegoi mënyrën se si një person e bën këtë mëkat: “Ai duhet ta marrë Frymën e Shenjtë, t’i hapen qiejt dhe ta njohë Perëndinë e më pas të mëkatojë kundër Tij. Pasi një njeri ka mëkatuar kundër Frymës së Shenjtë, nuk ka pendim për të. Ai duhet të ketë thënë se dielli nuk shkëlqen ndërsa e sheh atë; ai duhet ta ketë mohuar Jezu Krishtin kur qiejt të jenë hapur për të dhe ta ketë mohuar planin e shpëtimit me sytë e tij të hapur ndaj të vërtetës së saj; dhe nga ajo kohë ai fillon të bëhet një armik” (në History of the Church, 6:314).

Ndonjëherë shenjtorët e ditëve të mëvonshme shqetësohen për mëkatin e blasfemisë kundër Frymës së Shenjtë ose për mohimin e Tij. Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim: “Mëkati kundër Frymës së Shenjtë kërkon një nivel të tillë njohurie që është qartësisht e pamundur për anëtarësinë e përgjithshme që të kryejë një mëkat të tillë” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 123).

Te Mateu 12:39–40, kërkimi i shenjave u dënua nga Shpëtimtari. Profeti Jozef Smith foli për këtë mësim të Shpëtimtarit: “Ai që kërkon një shenjë është person kurorëshkelës; dhe ai parim është i përjetshëm, i pandryshueshëm e i qëndrueshëm si kolonat e qiellit; pasi kurdo që shikoni një njeri të kërkojë një shenjë, ju mund ta dini me siguri se ai është njeri kurorëshkelës” (në History of the Church, 3:385).

Profeti Jozef Smith më vonë tha: “Kur po predikoja në Filadelfia, një kuaker [i një besimi tjetër të krishterë] kërkoi një shenjë. I thashë të qetësohej. Pas predikimit, ai përsëri kërkoi një shenjë. I thashë bashkësisë se ai njeri ishte kurorëshkelës; që një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë; dhe se Zoti më kishte thënë në zbulesë se çdo njeri që donte një shenjë ishte person kurorëshkelës. ‘Është e vërtetë,’ thirri një person, ‘pasi e kam kapur në atë veprim e sipër,’ gjë të cilën ai njeri e rrëfeu më pas kur u pagëzua” (në History of the Church, 5:268).

Mateu 12:43–50

Jezusi jep mësim shëmbëlltyrën e shtëpisë së zbrazët

Përfytyroni sikur një prej shokëve/shoqeve tuaj ka kërkuar këshillë mbi mënyrën se si ta shmangë përsëritjen e një mëkati që ai ose ajo po përpiqet ta braktisë. Çfarë këshille do të jepnit për ta ndihmuar shokun/shoqen tuaj t’i bëjë ballë tundimit?

Jezu Krishti dha një shëmbëlltyrë për një frymë të ndyrë që u dëbua nga një njeri. Kur ta studioni këtë shëmbëlltyrë, kërkoni një parim që mund ta ndihmojë shokun/shoqen tuaj të mësojë se si ta mposhtë tundimin.

Lexoni Mateun 12:43–44, duke kërkuar atë që bëri fryma e ndyrë pasi u dëbua nga njeriu.

Çfarë bëri fryma e ndyrë pasi nuk gjeti qetësi askund?

Çfarë fjalësh e përshkruajnë gjendjen e “shtëpi[së]” ose të njeriut kur fryma e ndyrë u kthye?

Lexoni Mateun 12:45, duke kërkuar atë që bëri fryma e ndyrë pasi e gjeti “shtëpinë” ose njeriun të zbrazët.

Si mund ta përfaqësojë përvoja e njeriut në këtë shëmbëlltyrë dikë që po pendohet për mëkatin dhe po përpiqet t’i bëjë ballë tundimit?

Pasi e largon demonin, çfarë nuk arrin të bëjë njeriu në shëmbëlltyrë që e lejon frymën e ndyrë të kthehet?

Teksa lexoni thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball, përsiatni për mënyrën se si njeriu në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit mund të ngjajë me dikë që po përpiqet t’i bëjë ballë tundimit:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Djalli di ku të tundojë, ku t’i çojë erërat e tij goditëse. Ai gjen pikën e dobët. Aty ku një person ishte i cenueshëm më përpara, aty do të tundohet më lehtësisht përsëri.

Në braktisjen e mëkatit dikush nuk mund të urojë thjesht për kushte më të mira. Ai duhet t’i krijojë ato. … Ai duhet të jetë i sigurt jo vetëm që e ka braktisur mëkatin, por që i ka ndryshuar situatat që e rrethonin mëkatin. Ai duhet t’u shmanget vendeve dhe kushteve e rrethanave ku ndodhi mëkati, sepse këto ka shumë mundësi të mund të çojnë përsëri në mëkat. Ai duhet t’i braktisë njerëzit me të cilët u krye mëkati. Ai mund të mos i urrejë njerëzit që u përfshinë, por ai duhet t’u shmanget atyre dhe gjithçkaje që lidhet me mëkatin. … Ai duhet të eliminojë çdo gjë që do të nxiste kujtimet e vjetra.

A do të thotë kjo që njeriu … e shikon jetën të zbrazët për një periudhë kohe? Gjërat me të cilat ai u përzie dhe të cilat e magjepsën atë, dhe i pushtuan mendimet kaluan, dhe zëvendësues më të mirë nuk e kanë mbushur ende zbrazëtinë. Kjo është mundësia për Satanin. …

Shumë njerëz që i kanë ndërprerë zakonet e këqija kanë zbuluar se zëvendësimi është pjesë e përgjigjes dhe e kanë mposhtur një zakon të keq duke e zëvendësuar atë me një zakon të mirë ose të padëmshëm” (The Miracle of Forgiveness, f. 171–173; kursivet e shtuara).

Një parim që mund të mësojmë nga shëmbëlltyra e Shpëtimtarit është se ne mund t’i zmbrapsim ndikimet e liga, pasi t’i kemi hequr ato nga jeta jonë duke i zëvendësuar ato me drejtësi. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta pranë Mateut 12:43–45.

Studiojeni thënien vijuese dhe shenjoni mënyrat se si mund t’u bëjmë ballë ndikimeve të liga duke e mbushur jetën tonë me drejtësi:

“Nuk mjafton që thjesht të përpiqesh ta kundërshtosh ligësinë ose ta boshatisësh jetën nga mëkati. Duhet ta mbushni jetën me drejtësi dhe të merreni me veprimtari që sjellin fuqi shpirtërore. Zhytuni në leximin e shkrimeve të shenjta. Lutuni përditë në mënyrë që Zoti t’ju japë fuqi përtej asaj vetjake. Nganjëherë edhe agjëroni për bekime të veçanta.

Bindja e plotë e sjell të plotë fuqinë e ungjillit në jetën tuaj, përfshirë rritjen e fuqisë për të mposhtur dobësitë. Kjo bindje përmban veprime të cilat në fillim mund të mos i keni quajtur si pjesë të pendimit, siç janë frekuentimi i mbledhjeve, pagimi i së dhjetës, shërbimi dhe falja e të tjerëve” (Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 118–119).

  1. Përsiatni disa gjëra që mund të bëni për ta mbushur jetën tuaj me drejtësi. Renditini ato në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dhe shpjegoni mënyrën se si këto gjëra mund të sjellin fuqi më të madhe shpirtërore në jetën tuaj dhe t’ju ndihmojnë të mposhtni ndikimet e liga.

Pjesa tjetër e Mateut 12 shënon se ndërsa Jezusi po jepte mësim, dikush i tha që disa pjesëtarë të familjes së Tij dëshironin të flisnin me Të. Zoti atëherë dha mësim se të gjithë që e bëjnë vullnetin e Atit janë pjesë e familjes së Tij.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 11–12 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër