Biblioteka
Njësia 3, Dita 4: Mateu 13:1–23


Njësia 3: Dita 4

Mateu 13:1–23

Hyrje

Ndërsa Shpëtimtari ishte në Galile, një turmë e madhe erdhi tek Ai. Ai i mësoi njerëzit duke përdorur shëmbëlltyra, duke filluar me shëmbëlltyrën e mbjellësit.

Mateu 13:1–17

Shpëtimtari jep mësim shëmbëlltyrën e mbjellësit

Mendoni për një kopsht apo një bimë në vazo. Cilat janë disa karakteristika të tokës pjellore? Cilat janë disa karakteristika të tokës që nuk është pjellore?

Te Mateu 13:1–23, ne lexojmë se Shpëtimtari i krahasoi llojet e ndryshme të tokave me zemrat e njerëzve. Teksa i studioni këto vargje sot, merrni parasysh se cila lloj toke është më e ngjashme me gjendjen aktuale të zemrës suaj.

Lexoni Mateun 13:1–3, për të parë mënyrën se si Jezusi e mësoi turmën në Galile.

Si e mësoi Jezusi turmën?

Çfarë është një shëmbëlltyrë? (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shëmbëlltyrë”.)

Një shëmbëlltyrë është “një tregim i thjeshtë, i përdorur për të ilustruar dhe mësuar një të vërtetë ose parim shpirtëror. Një shëmbëlltyrë bazohet në krahasimin e një objekti ose ngjarjeje të zakonshme me një të vërtetë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shëmbëlltyrë”, scriptures.lds.org).

Sipas Mateut 13:3, për çfarë bënte fjalë shëmbëlltyra e Shpëtimtarit?

mbjellësh do të thotë të përhapësh ose mbjellësh farën. Lexoni Mateun 13:4–9, duke kërkuar katër llojet e tokave në të cilat ranë farat e mbjellësit.

Pamja
zog me farë, filiz mes shkëmbinjve, bimë mes barërash të këqija, bimë

Në çfarë lloje tokash ranë farat e mbjellësit?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, bëni vizatime që përfaqësojnë katër llojet e tokave. Kur të mësoni në lidhje me interpretimin e shëmbëlltyrës, shtojini emërtime vizatimeve tuaja.

  • Përgjatë rrugës është një shteg afër fushave dhe toka bëhet më e ngjeshur kur njerëzit ecin në të. Fortësia e tokës përgjatë rrugës i pengon farat të zënë rrënjë në tokë.

  • Gurishte janë sipërfaqe shkëmbore të mbuluara nga një shtresë e hollë dheu. Edhe pse farat mund të zënë rrënjë të cekëta, gurët që shtrihen pikërisht nën sipërfaqe i pengojnë rrënjët që të shkojnë më thellë.

  • Toka me ferra është tokë pjellore, por ferrat ua zënë frymën bimëve duke u hequr atyre dritën, ujin dhe lëndët e nevojshme ushqyese.

  • Toka e mirë është truall pjellor me thellësi të mjaftueshme për rrënjë të shëndetshme.

Mateu 13:10–11 shënon se dishepujt e Shpëtimtarit e pyetën për arsyen përse Ai jepte mësim me shëmbëlltyra. Ai shpjegoi se shëmbëlltyrat ua zbulonin të fshehtat apo të vërtetat e mbretërisë së qiejve atyre që ishin gati t’i merrnin ato, duke ua fshehur ndërkohë kuptimin atyre që ishin shpirtërisht të papërgatitur (shih New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 45).

Lexoni Mateun 13:14–15, duke kërkuar se çfarë i pengonte njerëzit t’i kuptonin të vërtetat që jepte mësim Shpëtimtari.

Çfarë tha Jezusi se i pengonte njerëzit që t’i shikonin, dëgjonin dhe kuptonin të vërtetat që Ai jepte mësim?

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith tha: “Dënimi që qëndronte mbi turmën që nuk i pranoi fjalët e Tij, qe sepse ata nuk ishin të gatshëm të shihnin me sytë e tyre dhe të dëgjonin me veshët e tyre; jo sepse ata nuk mundeshin dhe nuk patën privilegjin të shihnin e të dëgjonin, por sepse zemrat e tyre qenë plot me ligësi dhe urrejtje”. Ai gjithashtu dha mësim: “Arsyeja e thjeshtë përse turma, ose bota, siç u emërtua nga Shpëtimtari, nuk e mori një shpjegim të shëmbëlltyrave të Tij, ishte për shkak të mosbesimit” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 315, 317).

Fraza “zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme” te vargu 15 do të thotë se zemrat e njerëzve ishin bërë të ngurta dhe të ftohta. Sipas vargut 15, çfarë bekimesh mund të humbasim nëse i ngurtësojmë zemrat tona?

Nga këto vargje ne mësojmë që nëse e ngurtësojmë zemrën tonë, atëherë ne nuk do ta kuptojmë fjalën e Perëndisë, as nuk do të kthehemi në besim te Shpëtimtari e të shërohemi. Shkruajeni këtë parim pranë vizatimit tuaj të tokës përgjatë rrugës në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Merrni parasysh se çfarë do të thotë të kthehesh në besim te Shpëtimtari e të shërohesh.

Kur ktheheni në besim ju ndryshoni dhe pastroheni nëpërmjet Shlyerjes së Tij në mënyrë të atillë që bindjet, zemra dhe jeta juaj janë në harmoni me vullnetin e Atit Qiellor dhe ju liroheni nga barra e mëkatit.

Te Mateu 13:16–17, Jezusi i tha dishepujve të Tij se ata ishin të bekuar, sepse kishin sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.

Mateu 13:18–23

Shpëtimtari jep interpretimin e shëmbëlltyrës së mbjellësit

Shikoni përsëri vizatimin tuaj të tokës përgjatë rrugës. Lexoni Mateun 13:18–19, duke kërkuar atë me të cilën Shpëtimtari e krahasoi farën, tokën përgjatë rrugës dhe zogjtë e përmendur te Mateu 13:4. Pastaj emërtojeni vizatimin tuaj sipas interpretimit të Shpëtimtarit. Te vargu 19, fraza “nuk e kupton” mund t’i referohet një pasoje të një zemre të ngurtësuar; dhe “i ligu” mund të përfaqësojë Satanin dhe shërbëtorët e tij.

Përsiatni për mënyrën se si mësimet e Shpëtimtarit mbi tokën përgjatë rrugës mund t’ju ndihmojnë të kuptoni më tej parimin që nëse e ngurtësojmë zemrën tonë, atëherë ne nuk do ta kuptojmë fjalën e Perëndisë ose nuk do të kthehemi në besim te Shpëtimtari e të shërohemi.

Shikoni vizatimin tuaj të gurishtës në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Lexoni Mateun 13:20–21 dhe Llukën 8:13, duke kërkuar interpretimin e Shpëtimtarit për gurishtat. Fjala menjëherë te vargu 20 do të thotë përnjëherë ose shumë shpejt.

Në këto vargje Jezusi dha mësim se bimët që u rritën në gurishta përfaqësojnë ata që kanë një dëshmi, e cila nuk është e rrënjosur thellë. Emërtojeni vizatimin tuaj të bimëve në gurishta Dëshmi që nuk është e rrënjosur thellë.

Sipas Mateut 13:20–21 dhe Llukës 8:13, çfarë përfaqëson nxehtësia e diellit? Mbi vizatimin tuaj të bimëve me rrënjë të cekëta shkruani atë që përfaqëson nxehtësia e diellit.

Shkruani parimin vijues pranë vizatimit tuaj të gurishtës: Nëse nuk përpiqemi t’i forcojmë dëshmitë tona, neve do të na mungojë forca e nevojshme për të duruar vuajtjet, përndjekjet dhe tundimet.

Shikoni vizatimin tuaj të tokës me ferra. Lexoni Mateun 13:22, duke kërkuar atë që përfaqësojnë ferrat. Emërtojeni vizatimin tuaj me atë që përfaqësojnë ferrat.

Cilët janë disa shembuj të shqetësimeve të botës që mund ta “mbysin fjalën”?

Gjërat e botës, lakmia, dhe shpërqendrimet tokësore janë disa shembuj të shqetësimeve që mund ta “mbysin fjalën” dhe të na largojnë nga Perëndia. Pranë vizatimit tuaj të tokës me ferra, shkruani parimin vijues: Shqetësimet e botës mund ta mbytin besimin dhe dëshminë tonë për fjalën e Perëndisë.

Shikoni vizatimin tuaj të tokës së mirë. Lexoni Mateun 13:23 dhe pjesën nga Përkthimi prej Joseph Smith-it të Mateut 13:23, shënimin b në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht].

Vëreni se Përkthimi prej Joseph Smith-it na ndihmon të kuptojmë se bimët në tokë të mirë duruan. Gjithashtu vini re se bimët në tokë të mirë iu nënshtruan të njëjtës nxehtësi dielli (që përfaqëson vuajtjet, përndjekjet dhe tundimet) si bimët e thara në gurishtë. Merrni parasysh se si do ta përmblidhnit atë që përfaqëson toka e mirë dhe emërtojeni vizatimin tuaj.

Pamja
shumë mollë mbi pemë

Bazuar në atë që keni mësuar te Mateu 13:15, çfarë mund të përfaqësojë fryti i përmendur te vargu 23?

Nga mësimet e Shpëtimtarit rreth tokës së mirë, ne mësojmë parimin se kur e marrim fjalën e Perëndisë, e kuptojmë atë dhe durojmë vuajtje, përndjekje dhe tundime, ne do të kthehemi në besim te Shpëtimtari. Shkruajeni këtë parim pranë vizatimit tuaj të tokës së mirë.

Lexoni skenarët vijues. Vizatoni një vizë nga secila lloj toke te skenari që e ilustron më mirë parimin e dhënë mësim dhe të përfaqësuar nga ajo tokë në shëmbëlltyrën e mbjellësit.

  1. Përgjatë rrugës

Një të reje i pëlqente të shkonte në kishë çdo të diel. Mirëpo, kur ajo u rrit, disa nga miqtë e saj filluan ta tallnin për shkak të standardeve të saj. Ajo ka filluar të shkelë disa prej urdhërimeve. Ajo nuk ndihet më rehat në kishë dhe e ka humbur dëshirën për të marrë pjesë.

  1. Gurishtë

Një e re shkon në kishë dhe në heshtje lutet që të jetë e hapur ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Kur ajo merr nxitje, ajo vepron sipas tyre. Ajo ndihet pranë Zotit dhe është mirënjohëse për mënyrat në të cilat është frymëzuar për të kapërcyer tundimet.

  1. Tokë me ferra

Një i ri shkon rregullisht në kishë, por rrallë merr pjesë [aktivisht] dhe nuk e hap zemrën e tij ndaj ndikimit të Frymës së Shenjtë. Ai ka lexuar informacione në faqet e internetit që kundërshtojnë doktrina të rëndësishme të Kishës dhe vë në dyshim nëse ende beson në vërtetësinë e ungjillit.

  1. Toka e mirë

Një i ri e kalon shumicën e kohës së tij duke studiuar në mënyrë që të mund të pranohet në një universitet me emër. Kur nuk studion, ai është i zënë me punë. Ai i thotë vetes se nuk ka kohë t’i lexojë shkrimet e shenjta, të lutet ose të shkojë në kishë.

Është e rëndësishme të kujtoni që zemra, ashtu si toka, mund të ndryshojë dhe të përmirësohet.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë mund të bëhet për ta bërë ose për ta mbajtur secilën lloj toke një vend për të rritur bimë të shëndetshme, të frytshme?

    2. Si mund ta krahasojmë përmirësimin e secilës tokë me atë që mund të bëjmë për t’i ndryshuar zemrat tona që të jenë më të hapura ndaj fjalës së Perëndisë?

    3. Si ju ka ndihmuar të pranuarit dhe të kuptuarit e fjalës së Perëndisë që të bëheni më thellësisht të kthyer në besim te Shpëtimtari?

Përsiatni se cila tokë përfaqëson më së miri gjendjen e zemrës suaj tani.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një synim në lidhje me atë që do të bëni për ta pranuar dhe kuptuar më mirë fjalën e Perëndisë dhe për të duruar vuajtjet, përndjekjet dhe tundimet.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 13:1–23 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër