Biblioteka
Njësia 4, Dita 3: Mateu 15


Njësia 4: Dita 3

Mateu 15

Hyrje

Ndërsa ishte në Galile, Jezusi i shpjegoi skribëve dhe farisenjve arsyen përse dishepujt e Tij nuk e zbatonin traditën e pastrimit të vetes duke larë duart para se të hanin. Ai më pas shkoi në bregdetin mesdhetar, ku shëroi vajzën e një gruaje johebrease. Më pas Jezusi u kthye në Galile, ku shëroi shumë vetë dhe ushqeu mrekullisht më shumë se 4.000 njerëz.

Mateu 15:1–20

Farisenjtë pyesin përse dishepujt e Jezusit nuk i lajnë duart para se të hanë

Lexojini skenarët vijues, duke kërkuar atë që kanë të përbashkët.

  • Një e re nxitet nga miqtë e saj që të veshë veshje të papërshtatshme në një vallëzim shkolle. E reja e di se veshja nuk i plotëson standardet e Zotit për thjeshtësinë, edhe pse në kulturën e saj përgjithësisht është e pranueshme të veshësh veshje të tilla.

  • Një i ri i përket një familjeje shenjtore të ditëve të mëvonshme që i pëlqen ngjarjet sportive. Kur ngjarje të njohura sportive shfaqen në televizion, familja zakonisht e lë mënjanë lutjen familjare, studimin e shkrimeve të shenjta, mbrëmjen familjare dhe mbledhjet e së Dielës në Kishë në mënyrë që të shikojë ngjarjet.

  • Një çift i ri është duke u përgatitur për martesë. Ata jetojnë në një vend ku është e pranuar gjerësisht marrja pjesë në marrëdhënie seksuale paramartesore. Shumë njerëz i kanë thënë këtij çifti që ata janë të dalë mode dhe të çuditshëm që presin martesën për t’u përfshirë në intimitet seksual.

Ju mund të keni vënë re se çdo skenar paraqet një konflikt midis bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe të vepruarit në bazë të traditave apo zakoneve. Traditat ose zakonet përfshijnë bindjet dhe praktikat e një kulture, komuniteti, familjeje apo grupi miqsh.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një ose më shumë tradita apo zakone që mund t’ju pengojnë për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë. Teksa studioni Mateun 15, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë kur duhet të zgjidhni midis bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe pjesëmarrjes në tradita e zakone.

Lexoni Mateun 15:1–2, duke kërkuar traditën për të cilën skribët dhe farisenjtë e pyetën Jezusin. Cilës traditë nuk po i bindeshin dishepujt e Jezusit?

Pamja
larja e duarve

Larja e duarve e përmendur nga farisenjtë dhe skribët i referohet një larje ceremoniale për hir të pastërtisë rituale dhe nuk i referohet larjes për higjienë.

Lexoni Mateun 15:3, duke kërkuar përgjigjen e Jezusit ndaj pyetjes së tyre. Ju mund të doni të shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta atë që tha Shpëtimtari se po bënin skribët dhe farisenjtë duke marrë pjesë në traditat e tyre.

Siç është shënuar te Mateu 15:4–6, Jezusi përcaktoi një shembull të mënyrës se si skribët dhe farisenjtë e shkelnin një urdhërim të Perëndisë duke marrë pjesë në traditat e tyre. Ata i shmangeshin përmbushjes së detyrimit të tyre për t’u kujdesur për prindërit e tyre të moshuar duke shpallur se paratë e tyre ruheshin si dhuratë për Perëndinë apo si kurban (shih Marku 7:10–12; Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Corban” [“Kurban”]). Duke vepruar kështu, ata shkelnin urdhërimin për të nderuar atin dhe nënën e tyre.

Lexoni Mateun 15:7–9, duke kërkuar atë që skribët dhe farisenjtë i kishin çuar njerëzit të bënin duke i përdorur traditat e tyre si një shfajësim për të mos iu bindur urdhërimeve të Perëndisë.

Nga këto vargje ne mësojmë parimin vijues: Në qoftë se ne dëshirojmë t’i afrohemi pranë Perëndisë, ne duhet t’i vendosim urdhërimet e Tij mbi çdo traditë e zakon që mund të kemi.

Rilexojini skenarët [që u dhanë] në fillim të këtij mësimi. Për secilin skenar, përsiatni mbi dy pyetjet vijuese:

  • Çfarë mund të bëjë individi ose individët në këtë skenar për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë?

  • Si mund ta ndihmojë të bërit e kësaj individin apo individët që t’i afrohen më pranë Perëndisë?

  1. Merrni parasysh traditat dhe zakonet që shkruat për detyrën 1 në këtë mësim. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për një rast kur zgjodhët t’i bindeshit urdhërimeve të Perëndisë në vend që të merrnit pjesë në një traditë ose zakon të pranuar në mënyrë të përgjithshme. Pastaj përgjigjjuni pyetjeve vijuese:

    1. Çfarë ju desh të bënit për t’i vendosur urdhërimet e Perëndisë mbi traditat apo zakonet e tjera në mënyrë që të mund t’i afroheshit pranë Atij?

    2. Si ju ndihmoi kjo që t’i afroheshit më pranë Atit Qiellor?

Kujtoni që skribët dhe farisenjtë besonin se ngrënia pa kryer një larje ceremoniale të duarve mund ta ndotte një person ose ta bënte atë person të papastër shpirtërisht. Lexoni Mateun 15:10–11, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari se na ndot me të vërtetë. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Shpëtimtari tha: “Ajo që del nga goja … e ndot njeriun” (Mateu 15:11). Më pas, pasi i tha dishepujve të Tij të mos merakoseshin për farisenjtë që ishin fyer nga fjalët e Tij (shih Mateu 15:12–16), Ai shpjegoi më tej në lidhje me atë që na ndot me të vërtetë.

Lexoni Mateun 15:17–20, duke kërkuar atë që tha Shpëtimtari se na ndot ne.

Në shkrimet e shenjta, zemra shpesh paraqet mendimet dhe dëshirat tona. Çfarë tha Shpëtimtari se na ndot me të vërtetë?

Plotësojeni parimin vijues bazuar në mësimet e Shpëtimtarit te Mateu 15:19–20: Nëse zgjedhim të ushqejmë mendime dhe dëshira të liga, atëherë .

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për një ose dy mënyra se si ne bëhemi të ndotur ose shpirtërisht të papastër, nëse zgjedhim të ushqejmë mendime dhe dëshira të liga.

Mateu 15:21–28

Shpëtimtari shëron vajzën e një gruaje johebrease

Në hapësirën vijuese, renditni një ose më shumë nga dëshirat tuaja të drejta:

Ndërsa vazhdoni të studioni Mateun 15, kërkoni parime që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni atë që duhet të bëni për të marrë një plotësim të dëshirave tuaja të drejta.

Nëse gjendet në shkrimet tuaja të shenjta, kthehuni te Harta e Biblës nr. 11, “Toka e Shenjtë në Kohët e Dhjatës së Re” [Harta e Fotografi të Biblës tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]. Gjeni qytetet e Tiros dhe të Sidonit në hartë. Kur Jezusi udhëtoi nga Galilea për në qytetet bregdetare të Tiros dhe të Sidonit, Ai takoi një grua kananease. Ashtu si shumë njerëz të tjerë në atë rajon, kjo grua ishte johebreaese – që do të thotë se ajo nuk ishte judease. Në atë kohë misioni i Shpëtimtarit ishte që t’i shpallte ungjillin vetëm judenjve dhe ende jo johebrenjve (shih Mateu 10:5–6).

Lexoni Mateun 15:21–27, duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve vijuese:

  • Çfarë dëshire të drejtë kishte gruaja kananease?

  • Çfarë bëri dhe tha gruaja që tregoi besimin e saj te Jezu Krishti?

Vini re se analogjia e Shpëtimtarit e krahasimit të johebrenjve me qentë e shtëpisë e vuri në provë besimin e kësaj gruaje. Si e tregoi më tej besimin e saj te Jezu Krishti përgjigja e gruas ndaj kësaj analogjie?

Lexoni Mateun 15:28, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari për këtë grua.

Përse e bëri Ai atë?

Nga ky rrëfim ne mësojmë se ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të marrim bekime në përputhje me dëshirat tona të drejta.

Përsiatni pyetjen vijuese: Përveç se t’i kërkojmë vazhdimisht Atit Qiellor që të na bekojë në përputhje me dëshirat tona të drejta, çfarë tjetër mund të bëjmë për të ushtruar besim te Jezu Krishti?

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Kur ne kemi besim në Zotin Jezu Krisht, ne duhet të kemi mirëbesim tek Ai. Ne duhet t’i mirëbesojmë Atij mjaftueshëm që të jemi të kënaqur ta pranojmë vullnetin e Tij, duke e ditur se Ai e di atë që është më e mira për ne. …

… Besimi, pavarësisht se sa i fortë është, nuk mund të prodhojë një rezultat në kundërshtim me vullnetin e Atij të cilit i takon pushteti. Ushtrimi i besimit në Zotin Jezu Krisht i nënshtrohet përherë rendit të qiellit, mirësisë dhe vullnetit e urtësisë së Zotit dhe kohës së caktuar nga Ai. Kjo është arsyeja se përse ne nuk mund të kemi besim të vërtetë te Zoti pa pasur edhe një mirëbesim të plotë në vullnetin e Zotit dhe në kohën e caktuar nga Zoti” (“Faith in the Lord Jesus Christ”, Ensign, maj 1994, f. 99–100).

Si mundet të na ndihmojë shpjegimi i Plakut Ouks për kuptimin që ka të ushtrosh besim te Jezu Krishti, kur Zoti nuk na bekon menjëherë në përputhje me dëshirat tona të drejta?

  1. Rishikojini dëshirat e drejta që shkruat më parë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni atë që mund të bëni për të ushtruar besim te Jezu Krishti ndërsa përpiqeni t’i arrini ato dëshira. Gjithashtu shkruani për një përvojë kur juve iu plotësua një nga dëshirat tuaja të drejta (në përputhje me vullnetin dhe kohën e Zotit) ndërsa ushtruat besim te Jezu Krishti, ose shkruani për një përvojë të dikujt që e njihni. (Mbani mend që të shmangni të shkruarit për përvoja të cilat janë tepër të shenjta apo vetjake në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.)

Mateu 15:29–39

Jezusi ushqen më shumë se 4.000 pasues me shtatë bukë dhe disa peshq

Siç është shënuar te Mateu 15:29–39, Jezusi u kthye në Galile. Ndërsa ishte atje, shumë njerëz u mblodhën rreth Tij. Shkrimet e shenjta shënojnë se atje “ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët” (Mateu 15:38), duke përfshirë njerëz që vuanin nga sëmundje dhe paaftësi të ndryshme fizike. Shpëtimtari i shëroi ata, dhe pasi njerëzit kaluan tri ditë me Të, Ai kreu një mrekulli tjetër duke i ushqyer të gjithë ata me vetëm shtatë bukë dhe disa peshq të vegjël.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 15 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër