Biblioteka
Njësia 5, Dita 3: Mateu 21:17–22:14


Njësia 5: Dita 3

Mateu 21:17–22:14

Hyrje

Pasi qëndroi në Betani, Jezusi u kthye në tempull. Udhës së Tij, Ai mallkoi një pemë fiku. Udhëheqësit e judenjve erdhën tek Ai në tempull dhe vunë në dyshim autoritetin e Tij. Jezusi i qortoi ata dhe dha mësim disa shëmbëlltyra që ilustrojnë pasojat e mohimit apo të pranimit të Tij dhe të ungjillit të Tij.

Mateu 21:17–32

Jezusi mallkon një pemë fiku dhe qorton udhëheqësit e judenjve

Nganjëherë ushqimet, format e argëtimit, produktet dhe madje jeta e njerëzve nuk janë aq të mira sa duket se janë.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për një rast kur zbuluat që diçka nuk ishte aq e mirë sa dukej se ishte.

Mateu 21 përmban një rrëfim të një rasti kur Jezusi hasi në diçka që nuk ishte aq e mirë sa dukej se ishte. Teksa e vazhdoni studimin tuaj për këtë kapitull, kërkoni të vërteta që mund t’ju udhëheqin për të jetuar më drejtësisht.

Pasi Jezusi realizoi hyrjen e tij ngadhënjimtare në Jerusalem dhe pastroi tempullin, Ai qëndroi në Betani, një fshat i vogël pranë Jerusalemit. Lexoni Mateun 21:18–22, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari ditën tjetër ndërsa po kthehej nga Betania për në tempullin e Jerusalemit.

Pamja
degë fiku me gjethe

Gjethet në një pemë fiku zakonisht tregojnë se pema ka frutë. Në pranverë (kur Shpëtimtari hasi pemën e fikut që nuk kishte frutë), pemët e fikut përgjithësisht prodhojnë fiqtë e parë. Nëse nuk i prodhojnë, atëherë kjo do të thotë që ata nuk do të prodhojnë fare frutë gjatë atij viti. Pema e përshkruar në këtë rrëfim kishte pamjen sikur ishte një pemë që prodhonte fruta, por ajo nuk kishte prodhuar asnjë frutë.

Një arsye përse Shpëtimtari mund ta ketë mallkuar pemën e fikut ishte për t’i mësuar dishepujt e Tij për hipokrizinë dhe udhëheqësit e korruptuar fetarë të judenjve. Shumë prej këtyre udhëheqësve dukeshin nga pamja e jashtme sikur e ndiqnin Perëndinë, por ata nuk arrinin të prodhonin fryte reale ose vepra drejtësie. Ata ishin hipokritë.

“Fjala hipokrit është përkthyer nga një fjalë greke që do të thotë ‘aktor/e’ dhe i referohet atij/asaj që shtiret, e zmadhon një rol ose është i/e paqëndrueshëm/me në mënyrë mashtruese në veprimet e tij apo të saj. Zoti i dënoi [ata që ishin mashtrues në] të bindurit e tyre nga ana e jashtme [për mbajtjen e urdhërimeve], ndërkohë që zemrat e tyre ishin arrogante dhe të pasinqerta” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 68).

Te Mateu 21:23–27, ne lexojmë që disa prej këtyre udhëheqësve judeas iu qasën Shpëtimtarit në tempull dhe e vunë në dyshim autoritetin me anë të të cilit Ai realizoi hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem dhe pastroi tempullin. Shpëtimtari u përgjigj duke i pyetur ata nëse pagëzimi (ose shërbesa) e Gjon Pagëzorit ishte caktuar nga Perëndia apo nga njeriu. Këta udhëheqës nuk donin t’i përgjigjeshin pyetjes së Shpëtimtarit nga frika se mos kundërshtoheshin ose mos zemëronin njerëzit që e pranonin Gjonin si profet. Shpëtimtari tha se Ai nuk do t’u përgjigjej pyetjeve të tyre nëse ata nuk do t’i përgjigjeshin pyetjes së Tij dhe pastaj Ai tregoi tri shëmbëlltyra që ilustrojnë veprimet e udhëheqësve të korruptuar judeas.

Shëmbëlltyra e parë përshkruan mënyrat e ndryshme në të cilat dy bijtë iu përgjigjën atit të tyre. Lexojeni Mateun 21:28–30, duke kërkuar se cili prej bijve i ngjante më shumë pemës së fikut dhe udhëheqësve judeas.

Lexoni Mateun 21:31–32, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u mësoi udhëheqësve të korruptuar judeas nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre. (Mund të jetë e dobishme të dini se tagrambledhësit ishin vjelës taksash dhe prostitutat ishin gra të përdala. Udhëheqësit judeas i përçmonin të dy këto grupe njerëzish, duke i quajtur ata mëkatarë.)

Si ishin tagrambledhësit dhe prostitutat që besuan te Gjon Pagëzori si biri i parë në shëmbëlltyrë?

Nga kjo shëmbëlltyrë ne mësojmë se që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë, ne duhet t’i bindemi Atit tonë Qiellor dhe të pendohemi për mëkatet tona në vend që vetëm të themi apo të shtiremi se po i bindemi Atij.

  1. Lexojini skenarët vijues dhe pastaj përgjigjjuni dy pyetjeve në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Një i ri shpesh u thotë prindërve të tij se ndjek aktivitete të Kishës, kur ai në të vërtetë shkon në shtëpinë e një shoku në vend që të shkojë në Kishë. Kur ai është pranë udhëheqësve e mësuesve të Kishës, ai flet e vepron sikur i mban urdhërimet e Atit Qiellor, por jashtë këtyre ambienteve ai i shkel në mënyrë të qëllimshme shumë prej urdhërimeve.

    Një e re bën thashetheme me shoqet e veta për disa vajza në shkollën e saj, por hiqet sikur është shoqe me ato vajza kur i ka pranë ato. Ajo merr pjesë rregullisht në kishë dhe e merr sakramentin, por gjatë mbledhjeve ajo shpesh u dërgon shoqeve të saj mesazhe elektronike që përmbajnë kritika për njerëzit rreth saj.

    1. Çfarë mund t’u thoni këtyre të rinjve për t’i ndihmuar që të ndryshojnë sjelljen e tyre?

    2. Përveç shembujve në këta skenarë, cilat janë mënyrat e tjera në të cilat mund të tundohemi që të shtiremi sikur i bindemi Atit Qiellor në vend që t’i bindemi me të vërtetë Atij?

Ndërsa vazhdoni ta studioni Mateun 21, kërkoni atë që mund të bëni për të shmangur të qenit si pema e fikut që nuk prodhonte frutë.

Mateu 21:33–22:14

Jezusi jep mësim shëmbëlltyrën e vreshtarëve të ligj dhe atë të martesës së birit të mbretit

Pamja
vile rrushi në vresht

Lexoni Mateun 21:33–41 dhe plotësoni diagramin vijues me atë që mendoni se përfaqësojnë tri simbolet e fundit. Mund të jetë e dobishme të dini se vreshtarët janë kujdestarë dhe mbrojtës të cilët janë përgjegjës për t’u kujdesur që vreshti të prodhojë frutë. (Pasi të mbaroni, kontrollojini përgjigjet tuaja me ato që janë dhënë në fund të këtij mësimi.)

Shëmbëlltyra e Vreshtarëve të Ligj

(Mateu 21:33–41)

Simboli

Kuptimi

Pronari i shtëpisë

Ati Qiellor

Vreshtarët

Shërbëtorët

Biri i pronarit të shtëpisë

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përmblidhni atë që mendoni se po ilustronte Jezusi nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre.

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha sa vijon rreth shëmbëlltyrës së Shpëtimtarit për vreshtarët e ligj:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Marrëdhëniet [e Perëndisë] me njerëzit që nga krijimi i Adamit deri në Ardhjen e Dytë të Birit të Njeriut janë përmbledhur te Shëmbëlltyra e Vreshtarëve të Ligj.

Perëndia vetë është pronari i shtëpisë; vreshti i tij është toka dhe banorët e saj; dhe vreshtarët e caktuar për të punuar në vresht janë kujdestarët shpirtërorë të njerëzve. Ata që janë qëlluar me gurë, rrahur, përndjekur e vrarë janë profetët dhe shikuesit e dërguar për të shërbyer mes njerëzve; dhe Biri e Trashëgimtari, i vrarë e i nxjerrë jashtë vreshtit në përputhje me udhëzimin e vreshtarëve të ligj, është natyrisht Jezusi” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:593–594).

Nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre, Jezu Krishti po ilustronte se gjatë shekujve disa prej udhëheqësve të izraelitëve i kishin hedhur poshtë profetët e Perëndisë dhe se Ai e dinte që udhëheqësit aktual judeas kishin si qëllim ta vritnin Atë.

Lexoni Mateun 21:43, duke kërkuar atë se kujt do t’i jepej mbretëria e Perëndisë (domethënë Kisha e Jezu Krishtit dhe bekimet e ungjillit) pasi udhëheqësit judeas ta kishin hedhur poshtë atë.

Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 21:53 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta), i përcakton “johebrenj[të]” si kombin të cilit do t’i jepej mbretëria e Perëndisë. “Nganjëherë [fjala johebrenj] përcakton njerëz që nuk janë të prejardhjes izraelite, nganjëherë njerëz që nuk janë të prejardhjes judease dhe nganjëherë kombe që janë pa ungjillin, edhe pse mund të ketë disa me gjak izraelit mes njerëzve” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Johebrenj”, scriptures.lds.org). Kalimi i mbretërisë tek johebrenjtë filloi kur ungjilli së pari iu çua johebrenjve nga Apostujt pas Ringjalljes së Shpëtimtarit. Ajo ka vijuar në ditët e fundit me Rivendosjen e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith, i cili jetonte në një komb johebraik.

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, ne jemi mes atyre të cilëve u është dhënë mbretëria e Perëndisë. Kështu që, në përputhje me mësimet e Shpëtimtarit te Mateu 21:43, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, ne jemi përgjegjës të japim fryte drejtësie.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, bëni një vizatim të një peme fiku me frutë në të. Emërtojeni çdo frutë me fjalë që përshkruajnë gjëra të drejta që ne duhet të bëjmë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Mendoni për arsyen se përse është e rëndësishme që ne të japim këtë lloj fryti. Pastaj shkruani për një rast kur e keni parë një anëtar të Kishës të japë një nga këto fryte drejtësie në një mënyrë të sinqertë.

Mateu 21:45–46 përshkruan mënyrën se si krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u zemëruan kur e kuptuan se vreshtarët e ligj në shëmbëlltyrë përfaqësonin ata. Sidoqoftë, ata iu shmangën vënies dorë mbi Shpëtimtarin pasi i trembeshin reagimit të njerëzve nëse do ta bënin atë.

Te Mateu 22:1–10, ne lexojmë që Jezu Krishti tregoi një shëmbëlltyrë në të cilën Ai i krahasoi bekimet e ungjillit me një gosti dasme që bëri një mbret për të birin. Njerëzit që u ftuan të parët në festë (që përfaqësojnë shumë prej judenjve, përfshirë udhëheqësit) nuk pranuan të vinin. Ata që u ftuan më pas (që përfaqësojnë johebrenjtë) zgjodhën të vinin dhe t’i gëzoheshin festës.

Lexoni Mateun 22:11–14, për të parë atë që ndodhi në dasmë.

Përse u dëbua ky i ftuar nga festa?

Mbreti kishte përmbushur një zakon të lashtë duke u dhënë të ftuarve të tij veshje të pastra dhe të përshtatshme për t’i veshur në dasmë. Mirëpo, ky burrë nuk kishte zgjedhur të vishte rrobat që mbreti kishte siguruar. Në shkrimet e shenjta, veshjet dhe rrobat e pastra shpesh simbolizojnë drejtësinë dhe pastërtinë e atyre që bëhen të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih 3 Nefi 27:19).

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 22:14 shton që jo çdokush në festë do të ketë veshur veshjen e dasmës (shih Mateun 22:14, shënimin a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Me fjalë të tjera, jo çdokush që e pranon Shpëtimtarin dhe pajtohet me ftesën për të qenë pjesë e mbretërisë do të jetë i përgatitur dhe i denjë për të jetuar përjetësisht me Të dhe Atin Qiellor. Kjo shëmbëlltyrë mund të ketë lidhje me individët që nuk janë bashkuar ende me Kishën – mbretërinë e Perëndisë në tokë – dhe individët që janë bashkuar me Kishën, por nuk e kanë përgatitur veten si duhet për jetën e përjetshme me Perëndinë.

Përsiatni mbi atë që po bëni tani për ta pranuar ftesën e Atit Qiellor, për t’i marrë të gjitha bekimet e ungjillit. Zbatimi i asaj që keni mësuar në këtë mësim mund t’ju ndihmojë të përgatiteni për t’i marrë të gjitha këto bekime.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 21:17–22:14 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

  • Përgjigjet për diagramin “Shëmbëlltyra e Vreshtarëve të Ligj”: Vreshtarët përfaqësojnë udhëheqësit e korruptuar izraelitë, shërbëtorët përfaqësojnë profetët e Perëndisë dhe biri i pronarit të shtëpisë përfaqëson Jezu Krishtin.

Shtyp në Letër