Biblioteka
Njësia 5, Dita 4: Mateu 22:15–46


Njësia 5: Dita 4

Mateu 22:15–46

Hyrje

Ndërsa Jezusi vazhdoi të jepte mësim në tempull, farisenjtë dhe saducenjtë u përpoqën ta ngatërronin duke i bërë pyetje të vështira. Ai iu përgjigj me sukses pyetjeve të tyre dhe u tha që t’i bindeshin ligjeve të vendit dhe të mbanin dy urdhërimet e mëdha.

Mateu 22:15–22

Farisenjtë përpiqen ta ngatërrojnë Shpëtimtarin duke e pyetur nëse është e ligjshme të paguajë taksë

Cilat janë disa ligje të rëndësishme që qeveria ka vendosur në shoqërinë tonë? Përse mendoni se janë të rëndësishme?

Ndërsa studioni Mateun 22:15–22, kërkoni atë që Jezu Krishti dha mësim për bindjen ndaj ligjeve të vendit.

Kujtoni që gjatë javës së fundit të jetës së Shpëtimtarit, Ai dha mësim në tempullin në Jerusalem. Lexoni Mateun 22:15, duke kërkuar atë që farisenjtë u përpoqën t’i bënin Shpëtimtarit. Ta “zinin gabim në fjalë” do të thotë që farisenjtë po përpiqeshin ta mashtronin Shpëtimtarin që të thoshte gjëra që do ta diskreditonin Atë.

Lexoni Mateun 22:16–17, duke kërkuar se si u përpoqën farisenjtë që ta mashtronin Shpëtimtarin. Mund të jetë e dobishme të dini se fjala taksa te vargu 17, i referohet pagimit të taksave; dhe Cesari ishte perandori i Perandorisë Romake që sundonte Izraelin në atë kohë.

Pyetja që farisenjtë i bënë Jezusit ishte një kurth i mundshëm, pasi nëse Ai do të thoshte që ishte e drejtë t’i paguaje taksa Perandorisë Romake, judenjtë do ta quanin Atë mbështetës të Romës dhe jobesnik ndaj vetë popullit të Tij. Nëse Shpëtimtari do t’u thoshte atyre se nuk ishte e ligjshme të paguaje taksa, atëherë farisenjtë mund ta akuzonin Atë për tradhti dhe ta paditnin para autoriteteve romake.

Pamja
Monedhë romake

Një monedhë romake me figurën e Cezarit

Lexoni Mateun 22:18–21, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj Shpëtimtari pyetjes së farisenjve.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse mendoni që përgjigjja e Shpëtimtarit ishte një përgjigje e përsosur ndaj pyetjes së farisenjve?

Fraza “jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit” te vargu 21, i referohet detyrimit tonë për t’iu bindur ligjeve civile, të tilla si ligjit të pagimit të taksave.

Nga këto vargje ne mësojmë të vërtetën vijuese: Zoti pret nga ne që të jemi qytetarë të mirë dhe t’u bindemi ligjeve të vendit.

Përse është e rëndësishme që ne, si dishepuj të Jezu Krishtit, të jemi qytetarë të mirë dhe t’u bindemi ligjeve të vendit? (Shih Nenet e Besimit 1:12.) Përse pret Zoti nga ne që të jemi si qytetarë të mirë edhe anëtarë të mirë të Kishës, dhe t’u bindemi ligjeve të vendit e ligjeve të Tij?

Lexoni Mateun 22:22, duke kërkuar mënyrën se si reaguan farisenjtë ndaj përgjigjes së Shpëtimtarit.

Mateu 22:23–34

Shpëtimtari i mëson saducenjtë për martesën dhe Ringjalljen

Përveç farisenjve, edhe saducenjtë u përpoqën ta futnin në kurth Shpëtimtarin me fjalët e Veta ndërsa jepte mësim në tempull. Lexoni Mateun 22:23–28, duke kërkuar mënyrën se si saducenjtë u përpoqën ta mashtronin Shpëtimtarin. Vini re që saducenjtë besonin se “nuk ka ringjallje” (vargu 23).

Si do ta përmblidhnit pyetjen që saducenjtë i bënë Shpëtimtarit?

Saducenjtë e keqpërdornin me qëllim një zakon të Dhiatës së Vjetër që synonte të siguronte përkujdesje për të vejat (shih Ligji i Përtërirë 25:5–6; Bible Dictionary [Fjalori Biblik] “Levirate marriage” [“Martesë levirate”]). Ata përpiqeshin ta zmadhonin këtë zakon për të zhvlerësuar doktrinën e Ringjalljes.

Lexoni Mateun 22:29–30, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj pyetjes së saducenjve. Vini re atë që Jezusi tha se nuk mund të ndodhë në Ringjallje ose në kohën e Ringjalljes.

Brenda kontekstit të planit të shpëtimit, Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një shpjegim për Mateun 22:29–30:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“[Jezu Krishti] nuk po e mohon apo kufizon konceptin e pranuar gjerësisht që do të ketë martesë dhe dhënie në martesë në qiell. Ai po thotë që për sa i përket ‘atyre’ (saducenjve), që për sa i përket ‘atyre’ (‘fëmijëve të kësaj bote’), njësia familjare nuk vazhdon dhe nuk do të vazhdojë në ringjallje. …

‘Si rrjedhim, kur [ata që nuk dëshirojnë ta jetojnë, nuk e jetojnë ose nuk mund ta jetojnë ligjin e martesës së përjetshme] të jenë jashtë botës, ata as nuk martohen, as nuk jepen në martesë.’ [DeB 132:16.]

Kjo do të thotë që, nuk ka as martesë, as dhënie në martesë në qiell për ata për të cilët po fliste Jezusi, për ata që nuk besojnë as në ringjallje, jo më në të gjitha të vërtetat e tjera shpëtuese; për ata që janë të padrejtë dhe të paperëndishëm; për ata që jetojnë sipas mënyrës së botës; për masat e mëdha të njerëzve të papenduar. Të gjithë këta nuk arrijnë ta marrin plotësinë e shpërblimit pas kësaj jete” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:606).

Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smithit shumë të vërteta të rëndësishme për martesën e përjetshme. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 132:15–17, duke kërkuar atë që Zoti i zbuloi Profetit për martesën në këto vargje.

Cilët tha Zoti se “as nuk martohen, as nuk jepen në martesë” (DeB 132:16) në Ringjallje?

Të martohesh “as prej meje, as prej fjalës sime” (DeB 132:15) do të thotë që një person nuk është vulosur me bashkëshortin ose bashkëshorten e vet në tempull me anë të autoritetit të priftërisë.

Nga Mateu 22:30 dhe Doktrina e Besëlidhje 132:15–17, ne mësojmë se ata që nuk janë vulosur me anë të autoritetit të priftërisë me bashkëshortët e tyre në vdekshmëri ose nëpërmjet ordinancave mëkëmbëse në tempuj, nuk do të jenë të martuar në botën që do të vijë.

Lexoni Mateun 22:31–33, duke kërkuar të vërteta të tjera që Shpëtimtari u mësoi saducenjve për Ringjalljen. Merrni parasysh të shenjoni atë që Shpëtimtari tha në vargun 32, që tregon se Ringjallja është e vërtetë.

Si reaguan njerëzit kur e dëgjuan Shpëtimtarin t’i jepte mësim këto doktrina?

Mateu 22:34–40

Shpëtimtari jep mësim për dy urdhërimet e mëdha

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani sa më shumë urdhërime që ju vijnë në mendje në një minutë.

Disa rabinë judeas besonin se kishte 613 ligje apo urdhërime në ligjin e Moisiut. Lexoni Mateun 22:34–36, duke kërkuar pyetjen që një prej farisenjve i bëri Jezusit në lidhje me këto urdhërime. Ju mund të doni ta shenjoni këtë pyetje në shkrimet tuaja të shenjta.

Pa e parë përgjigjen e Shpëtimtarit, rrethoni një urdhërim në listën që shkruat në ditarin tuaj, i cili ju mendoni se është urdhërimi më “i madh” ose më i rëndësishmi.

Lexoni Mateun 22:37–40, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj Shpëtimtari pyetjes së fariseut. (Mateu 22:36–39 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që t’ju ndihmojë ta gjeni në të ardhmen.)

Udhëzimi i Zotit, “duaje të afërmin tënd” i referohet mënyrës se si ne i trajtojmë të tjerët.

Përse mendoni ju që këto dy urdhërime janë quajtur urdhërimet më të mëdha?

Fraza “nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët” (Mateu 22:40), do të thotë se të gjitha urdhërimet që Perëndia i zbuloi në ligjin e Moisiut dhe nëpërmjet profetëve të Dhiatës së Vjetër kishin për qëllim që t’i ndihmonin njerëzit të tregonin dashurinë e tyre për Perëndinë, dashurinë e tyre për fqinjin e tyre, ose të dyja.

Nga këto vargje ne mësojmë parimin vijues: Nëse e duam me të vërtetë Perëndinë dhe e duam fqinjin si veten tonë, atëherë ne do të përpiqemi t’i mbajmë të gjitha urdhërimet e Perëndisë.

Drejtojuni listës së urdhërimeve që shkruat në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Vizatoni një rreth pranë urdhërimeve që tregojnë dashuri për Perëndinë dhe një katror pranë atyre urdhërimeve që tregojnë dashuri për fqinjin tonë. (Disa urdhërime mund të shënohen si me rreth edhe me katror.)

Përsiatni për një rast kur ju zgjodhët t’i bindeshit një urdhërimi të veçantë për të treguar dashurinë tuaj për Perëndinë ose për një person tjetër.

Mendoni për një urdhërim të cilit mund t’i bindeni më besnikërisht, për të treguar dashurinë tuaj për Atin Qiellor ose për një person tjetër. Vendosni një synim për t’iu bindur atij urdhërimi më besnikërisht.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mateu 22:36–39

Për secilin fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë, ju duhet të jeni në gjendje të përcaktoni kontekstin, doktrinën ose parimin dhe mënyrën se si ta zbatoni të vërtetën në jetën tuaj. (Shih burimet për zotërimin e shkrimit të shenjtë që gjenden në LDS.org si burime studimi.)

Te Mateu 22:36–39, konteksti është përgjigjja e Jezu Krishtit ndaj një fariseu, që e pyeti se cili ishte urdhërimi më i madh. Një doktrinë ose parim që na mësohet në atë fragment është se dy urdhërimet e mëdha janë që ta duam Perëndinë dhe ta duam fqinjin tonë. Vini re se te vargu 37 thuhet “duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (kursivet të shtuara). Një zbatim i këtij fragmenti për zotërimin e shkrimit të shenjtë do të ishte përsiatja e pyetjeve vijuese: Si mund të tregoni dashuri për Perëndinë me zemrën, shpirtin dhe mendjen tuaj? Si mund të tregoni dashuri për fëmijët e Perëndisë?

  1. Përsiatni se ç’do të thotë ta doni Perëndinë me gjithë zemrën tuaj. Pastaj përsiatni se ç’do të thotë ta doni Atë me gjithë shpirtin tuaj. Pastaj merrni parasysh mënyrën se si ju mund ta doni Atë me gjithë mendjen tuaj. Shkruajini mendimet tuaja për këto tri ide në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

Mateu 22:41–46

Jezusi i pyet farisenjtë se çfarë mendojnë për Krishtin

Pasi Shpëtimtari iu përgjigj me sukses pyetjeve të farisenjve dhe saducenjve, Ai u bëri farisenjve disa pyetje. Lexoni Mateun 22:41–42, duke kërkuar pyetjen që Shpëtimtari u bëri farisenjve.

Sipas atyre vargjeve, çfarë pyetjesh u bëri Jezu Krishti farisenjve? Si u përgjigjën farisenjtë?

Shumica e judenjve e dinin që Krishti ose Mesia, do të ishte pasardhës i mbretit David. Farisenjtë besonin se Mesia do të kurorëzohej mbret i Izraelit dhe do t’i ndihmonte judenjtë ta mposhtin Romën dhe të fitonin lirinë e tyre, siç kishte bërë më përpara mbreti David. Te Mateu 22:43–46 ne lexojmë që Jezusi i mësoi farisenjtë se në përputhje me vetë shkrimet e tyre të shenjta, Krishti ishte më shumë se sa thjesht biri i Davidit – Ai ishte gjithashtu Biri i Perëndisë. Jezusi, për t’ua shpjeguar atë, u përsëriti farisenjve Psalmin 110:1 (shih Mateu 22:44).

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki shpjegoi: “A mund të ketë ndonjë dyshim lidhur me atë se si Jezusi po i interpreton fjalët e Psalmit? Ai po thotë që psalmi do të thotë se: ‘Ati i tha Birit, Elohimi i tha Jehovait, ulu ti vetë në të djathtën time, deri pas shërbesës tënde në vdekshmëri; atëherë do të të ngre lart në lavdinë dhe ekzaltimin e përjetshëm me mua, ku do të vazhdosh të ulesh në të djathtën time përgjithmonë’. A mos është çudi që rrëfimi i frymëzuar e mbyll çështjen duke thënë: ‘Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më’. (Mateu 22:41–46)” (The Promised Messiah: The First Coming of Christ [1978], f. 102).

  1. Përsiatni mënyrën se si do t’iu përgjigjeshit pyetjeve vijuese: Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është Ai? Shkruajini mendimet tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 22:15–26 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër